Shkencëtarët kinezë më në fund publikojnë informacionet për origjinën e COVID-19

Një ekip kërkimor në Kinë ka publikuar analiza të mostrave të marra më shumë se tre vjet më parë nga tregu i lidhur me shpërthimin e COVID-19.

Tregu i ushqimeve të detit dhe kafshëve të egra “Huanan” ka qenë një pikë qendrore në kërkimin e origjinës së koronavirusit.

Por ky është studimi i parë i analizuar i provave biologjike të mbledhura nga tregu në vitin 2020, raportoi BBC. 

Duke e lidhur virusin me kafshët e shitura në treg, ai mund të hapë linja të reja hetimi se si filloi shpërthimi.

Hulumtimi zbulon se tamponët që rezultuan pozitivë për virusin përmbanin gjithashtu material gjenetik nga kafshët e egra.

Disa shkencëtarë thonë se kjo është dëshmi e mëtejshme se sëmundja fillimisht u transmetua nga një kafshë e infektuar te një njeri.

Por të tjerë kanë kërkuar kujdes në interpretimin e gjetjeve dhe mbetet e paqartë pse u deshën tre vjet që përmbajtja gjenetike e mostrave të bëhej publike.

Një teori tjetër është përqendruar në sugjerimin se virusi ka rrjedhur aksidentalisht nga një laborator në Wuhan.

Hulumtimi tregon se mostrat e marra nga zona ku kafshët po shiteshin kishin rezultuar pozitive për virusin. Por, studiuesit kinezë kanë thënë se zbulimet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për të dhënë prova të sakta se si ka nisur përhapja.

Megjithatë, shton se virusi ishte sjellë në treg nga një person i infektuar.

Zbulimet vijnë derisa teoria se virusi ka rrjedhur nga një laborator po fiton tek autoritetet amerikane.

Qeveria kineze fuqishëm ka mohuar sugjerimet se virusi ka origjinën nga një laborator, por FBI-ja tani beson se ky skenar “është më i mundshmi”. / KultPlus.com