Orët e para të mësimit i kushtohen vetëdijesimit për Koronavirus

Sot në Kosovë, ora e parë e mësimit nëpër të gjitha shkollat i është kushtuar vetëdijesimit të nxënësve me masat e parandalimit të koronavirusit.

Kështu ka njoftuar dje, ministra e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Ndërsa, me udhëzim të MASHT-it, shkollat janë pajisur me material higjienik.

Postimi i ministres:

Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit.

MAShTI, po ashtu, përmes Drejtorive Komunale të Arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites sot (25.02.2020) dhe ora e parë e ndërrimit të paradites nesër (26.02.2020), t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla.

Po ashtu, MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare. / KultPlus.com

Frika nga koronavirusi, mbyllet shkolla e parë në Tiranë

Qeveria shqiptare në mënyrë zyrtare ka thënë sot se nuk ka asnjë shenjë nga koronavirùsi, por paniku nuk është larguar nga qytetarët. Sot në një njoftim drejtorit i shkollës “Udha e Shkronjave”, Artur Shkurti ka njoftuar se ky institucion arsmior do qëndrojë i mbyllur për dy jave.

Në njoftim Shkurti shkruan se mbyllja është bërë pas konsultimit me prindërit dhe kjo periudhë do t’u shërbejë atyre për të marrë në konsideratë sa më parë masat pjesore ose tërësore të vetëizolimit dhe për të bërë vetëkarantinën për fëmijët e tyre dhe për të qenë përgatitur psikologjikisht në rast të shpërthimit të epidemisë së koronavirùsit.

NJOFTIMI I PLOTË

Drejtoria e shkollës “Udha e shkronjave”, pas zhvillimeve të fundit të shpërthimit të epidemisë së koronavirùsit në Itali dhe pas një konsultimi të ideve të ndryshme të prindërve (secili mori një formular me pyetje), por edhe të specialistëve, vendosi të mbyllë shkollën për një afat dyjavor. (Ky afat mund të shkurtohet ose të zgjatet, sipas situatës.)  Kjo periudhë do t’u shërbejë prindërve për të marrë në konsideratë sa më parë masat pjesore ose tërësore të vetëizolimit dhe për të bërë vetëkarantinën për fëmijët e tyre dhe për të qenë përgatitur psikologjikisht në rast të shpërthimit të epidemisë së koronavirùsit.

Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme. Mësimet do të vijojnë normalisht ONLINE në forumet tona dhe që është një praktikë tashmë e provuar si e suksesshme. Orari i nisjes së mësimit online do të jetë 9:00 dhe do të përfundojë në orën 15:00, sipas orarit që ka secila klasë. 

Urojmë gjithashtu që kjo masë t’ju shërbejë të gjithëve të marrin masa për njerëzit e tyre të afërm dhe mësuesit dhe stafi ndihmës të kenë kohë gjithashtu të kujdesen për familjet e tyre. Duke shfrytëzuar prindërit që kemi mjekë dhe farmacistë, mund të na drejtoheni për pyetje ose këshilla të ndryshme.  Shpresojmë që do të ndërtojmë një grup mjaft ndihmues për këdo që është në komunitetin e shkollës. Nga ana jonë përgjegjës për situatën, përveç drejtorisë, Artur Shkurti & Mirela Shkurti, do të jetë Fatos Xhemali, me përvoja me shumë vlerë me Kryqin e Kuq. Po ashtu edhe mësuesja e edukimit fizik Bardha Kordhoni. 

“Mos kurse para për ditën e martesës së saj, shpenzoi ato në shkollimin dhe edukimin e saj”

Rrite dhe edukoje vajzën tënde aq të aftë dhe të fortë, sa të mos shqetësohesh fare se më kë do të martohet ajo.

Në vend që të kursesh para apo edhe të futesh në borxhe për ditën e martesës së saj, më mirë shpenzoji ato para në shkollimin dhe edukimin e saj.

Në vend që t’i thuash që të mësojë të bëjë atë e këtë se do ikësh në “derë të huaj”…në vend që t’ia fiksosh në tru që ajo duhet të mësojë punët e shtëpisë vetëm sepse do shkojë te burri e aty do luajë edhe rolin e “shërbyeses”, më mirë fiksoja në tru që pastërtia apo gatimi janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit dhe duke i mësuar ajo s’do varet nga askush që të ushqehet.

Në vend që ta përgatisni për martesën, shumë më mirë do ishte ta përgatisnit për veten e saj…po qe e përgatitur për veten, ajo do jetë në gjendje të përballojë gjithçka tjetër pa pranuar nënshtrimin.

Dhe më e rëndësishmja, në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, të durojë për fjalët e botës, mësojeni të dashurojë veten e saj fillimisht, mësojani vetrespektin!

Mos i shkatërroni jetët e vajzave tuaja për tekat e juaja, për disa zakone që gjithmonë e kanë parë gruan shumë më poshtë se burrin, mos i shkatërroni sepse iu intereson më shumë për fjalët e botës, se sa për lumturinë e vajzës suaj.

Nëse vajza juaj pëson nga keqprindërimi juaj, askujt s’do i dhembë më shumë se sa juve, andaj mos i rrisni vajzat tuaja me idealet e kanunet me të cilat iu kanë rritur juve, mos ‘merrni hak’ tek vajzat e juaja, për mundësitë që nuk ua dhanë kurrë juve!

Mos iu thoni, “Unë kam duruar, duro dhe ti!” / Femër / KultPlus.com

Dhjetë mijë nxënës braktisin shkollat e Kosovës

Braktisja e shkollave nga nxënësit po vazhdon edhe këtë vit. Edhe këtë vit shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve, Ministria e Arsimit thotë se mbi 10 mijë nxënës kanë ndalur procesin mësimor.

E arsyet janë nga më të ndryshmet. Disa nxënës duket se kanë braktisur shkollën, arsyeje familjare u detyruan të lëvizini nga një qytet në tjetrin, ose për arsye të kushteve.Emigrimi po mbetet si një ndër faktorët kryesorë që shkollat e Kosovës po mbesin me më pak nxënës.

Alush Istogu, Drejtor në Departamentin parauniversiar thotë se numri i nxënësve që kanë braktisur mësimin në Kosovë, po del të jetë diku rreth 10 mijë.

“Në kuadër të MASHT-it e kemi grupin profesional qe ka nxjerrë strategjinë për braktisjen e nxënësve. Nëse shikojmë në rajon e kemi diku 1.9, përmbi 10 mijë nxënës, që nuk vijojnë mësimin”, thotë Alush Istogu, Drejtor i Arsimit Parauniversitar.

Sipas të dhënave në Ministrinë e Arsimit ka edhe raste të tilla kur nxënësit kalojnë nga një shkollë në tjetrën. Kurse emrat e tyre vazhdojnë të figurojnë në listat e vjetra.

“Por, këta nuk e kanë braktisur tani , cdo nxënës që regjistrohet deri sa te merr fletëkalimin nuk guxon ta shtyjë nga evidenca. Ne kemi kërkuar që nxënësi të lëvizë, ti jepet fleta e kalimit, të përcjellet në shkollën tjetër, e regjistron në librin amë, që fuhet të heket nga shkollë’’, shton ai për T7.

Por nëse bëjmë një krahasim me vitet e kaluar, duket se kjo dukuri është në rënie.

“Është një dukuri që braktisja nuk mundet të hiqet kurrë, por mund të zvogëlohet. Kemi pas një trend, 2.5 tani e kemi dikund 1.9. Është një dukuri në rënie”.

Istogu gjithashtu tregoi se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me MPB, kanë rregulluar që atyre nxënësve që kthehen nga vendet emigrante në Kosovë, të u mundësohet integrimi në shkollë.

Drejtori i departamentit parauniversitar thotë se viti 2017 ka qenë viti më i madh i braktisjeve por më pas, 2000 nxënës të rikthyer, janë integruar menjëherë në sistemin shkollor. /KultPlus.com

Me nisjen e gjysmëvjetorit të dytë, apelohet që fëmijëve t’u lehtësohen çantat

Me nisjen e gjysmëvjetorit të dytët të vitit shkollor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka apeluar te prindërit dhe arsimtarët nëpër shkolla që të arrijnë të bëjnë zvogëlimin e peshës së çantave të rënda që bartin fëmijët.

IKSHPK ka thënë se “menaxhimi i zvogëlimit të peshës së çantave të rënda parandalon të gjitha deformimet e boshtit të kurrizit te nxënësit e shkollave fillore!”

Ky institut po ashtu ka bërë thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të shtojnë kujdesin gjatë lëvizjes në rrugë.

Problemi i çantave të mbingarkuara të nxënësve të shkollave fillore është i pranishëm qe një kohë në vend, me prindërit që shpesh janë ankuar, por që ende s’është gjetur një zgjidhje nga ana e autoriteteve mësimore. / KultPlus.com

Shumica e shkollave me mungesë të teksteve

Ndonëse bëhen dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, shumica e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë kanë mbetur pa u furnizuar me tekste.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, në ditën e parë të vitit shkollor ishte zotuar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura me shpërndarjen e teksteve mësimore.

Por, disa nga mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave e kanë thënë të kundërtën. Sipas tyre, një pjesë e madhe e teksteve nuk u janë dërguar dhe se procesi mësimor po realizohet me vështirësi.

Dhënia falas e teksteve për nxënësit e klasave 1 deri në të 9 rregullohet me udhëzimin administrativ:

“Pajisja e nxënësve me tekste shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre”, i nxjerrë në vitin 2016.

Në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, sipas statistikave të MASHT-it, këtë vit janë 239.937 nxënës.

Mësimdhënësi i shkollës “Zenel Hajdini”, në Prishtinë, Skënder Llalloshi thotë se në klasën e dytë u mungojnë disa tekste. Kjo, sipas tij, po i shkakton problem atij si mësimdhënës, por edhe nxënësve. Për mungesën e librave ka treguar se ka ankesa edhe nga prindërit. Koha.net/ KultPlus.com

Punëkërkuesit shqiptarë ndër më të pashkolluarit në Evropë

Në tre shtete në Evropë, punëdhënësit vuajnë më shumë për të gjetur fuqi punëtore me arsim të mesëm apo të lartë. Në vend të parë është Portugalia, ku 50 për qind e forcës së aftë për punë, nga mosha 15 deri në 64 vjeç, është me arsim të ulët 8-9 vjeçar në vitin 2018.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vend të dytë renditet Malta me 47.4 për qind.

Shteti i tretë është Shqipëria. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018, rreth 42 për qind e forcës aktive për punë ishte me arsim 8-9 vjeçar. Ndonëse kjo peshë ka rënë në raport me një dekadë më parë, jemi sërish ndër vendet me më pak të shkolluar në dispozicion në forcën aktive për punë. Me arsim të lartë është rreth 21 për qind e forcës së punës dhe me arsim të mesëm rreth 38 për qind.

Vendet me forcën e punës më të arsimuar në Evropë, sipas Eurostat janë Qipro, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Estonia, Suedia, Islanda, Belgjika, Lituania, me 35-40 për qind të forcës së punës që ka mbaruar universitetin, ose sa gati dyfishin e peshës së Shqipërisë.

Lituania, Çekia, Zvicra, Polonia, Sllovakia janë shtetet me nivelin më të ulët të forcës së punës me arsim të ulët, me 11.7 deri 14.4 për qind.

Nga vendet e rajonit, është karakteristikë pesha e lartë e forcës së punës me arsim të mesëm, në Malin e Zi ku ky tregues është 61.3 për qind, ndër më të lartat në Evropë, Serbia me 57.1 për qind dhe Maqedonia me 51 për qind.

Të ndara sipas gjinisë, të dhënat e INSTAT tregojnë se niveli më i lartë i të pashkolluarve është mes femrave. Gati 45 për qind e grave të moshës 15-64 vjeç që janë aktive në tregun e punës ishin me arsim fillor, përkundrejt 39.3 për qind tek burrat.

Gratë kanë edhe kontrastin më të madh. Ndonëse pjesa më e madhe janë më të pashkolluara se burrat, ato kalojnë në revansh kur bëhet fjala për arsimin e lartë. 26.3 për qind e forcës së punës te gratë është me arsim të lartë, ndërsa vetëm 20.6 për qind e meshkujve kanë mbaruar universitetin. Këta të fundit duket se mjaftohen me përfundimin e shkollës së mesme, rreth 45 për qind e meshkujve të aftë për punë, përkundrejt 29 për qind që është pesha e grave me shkollë të mesme.

Një studim i fundit tregon se femrat në Shqipëri, jo vetëm që përfundojnë studimet e larta universitare më shumë se meshkujt, por edhe zgjedhin të studiojnë shkencat. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, ku diplomohen më shumë femra se meshkuj në shkencat ekzakte. Përqindja e femrave të diplomuara në shkencë, matematikë, teknologji apo inxhinieri, ishte 53.1 për qind. /Monitor/ KultPlus.com

Kuvendi kërkon që lënda e edukimit seksual të përfshihet në shkolla

Nëntëmbëdhjetë rekomandime i kanë listuar partitë politike për parandalimin dhe dënimin e abuzimeve seksuale të të miturve.

Njëra pre tyre parasheh që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të kurrikulës ekzistuese për shkollat e mesme të ulëta dhe të larta, të përfshijë një lëndë zgjedhore për edukimin seksual, shkruan sot “Koha Ditore”.

Po ashtu, i kërkohet Qeverisë që me rishikimin e buxhetit për vitin 2019, të sigurojë një numër fillestar të psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla.

Hartimi i rekomandimeve ka pasuar pas debatit rreth keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas, i cili u zhvillua muaj më parë, gjatë një seance plenare të jashtëzakonshme. Tani rekomandimet pritet të hidhen në votim dhe të miratohen në seancën e radhës, në momentin që do të caktohet nga Kryesia e Kuvendit.

Shqipëria ndalon përdorimin e telefonit në shkollë

Në vitin e ri shkollor që nis në shtator, nxënësit në Shqipëri nuk do të lejohen të mbajnë telefon gjatë orës së mësimit.

Urdhri i firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ndalon rreptësisht përdorimin e tyre gjatë procesit mësimor si nga nxënësit ashtu dhe nga mësuesit.

Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe pritet që të zbatohet në vitin e ri arsimor që fillon më 17 shtator. Në vendim qartësohet ndalimi gjatë procesit mësimor, gjatë orëve të mësimit por jo në pushime dhe aktivitete të tjera, transmeton atsh.

Vetëm tre ditë më parë, Parlamenti francez miratoi me shumicë unanime ligjin për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla. Sipas ligjit të miratuar, ndalimi i përdorimit të telefonave do të bëhet në arsimin parashkollor, fillor dhe në shkollat e mesme./ KultPlus.com

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, koncert të përbashkët me instrumentistë nga Zvicra

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” të mërkurën do të mbajë koncertin e përbashkët të orkestrës së shkollës shoqëruar nga instrumentistë të cilët vijnë nga Zvicra, shkruan KultPlus.

Në koncertin i cili do të mbahet më 27 qershor duke filluar nga ora 19:00, dirigjent do të jenë Johannes Greiner dhe Pëllumb Vula.

Gjatë koncerti do të interpretohen vepra nga kompozitorët: Mozart, Lalo dhe Williams.

Ky koncert i përbashkët do të mbahet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë./KultPlus.com

Hapet aplikimi për shkollën e dytë Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin

Shkolla e dytë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe do të zhvillohet në data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, shkruan KultPlus

Shkolla verore mirëpret studentë bachelor, master e doktoraturë apo edhe të interesuar të tjerë, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pas-bizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Muzeu i Artit Bizantin dhe Pasbizantin “Onufri”etj.).

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera shoqëruese, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj.

Shkolla verore ofron mësime të gjuhës dhe paleografisë greke bizantine, duke ndërthurur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes burimeve historike dhe kodikëve të çmuar të Arkivit Qendror Shtetëror (shek. VI-XIX). Në të njëjtën kohë, shkolla verore do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuri mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë dhe me pjesëmarrjen e profesor Agamemnon Tselikas, një autoritet botëror i Paleografisë. Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga vendi dhe të huaj, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin./KultPlus.com

Aplikoni tani online këtu: https://www.fhf.edu.al/aplikimi-ne-shkollen-verore-te-gjuhes-historise-dhe-civilizimit-bizantin/

Për më shumë informacion, klikoni këtu.

Fillon projekti për restaurimin e shkollës ku dha mësim Migjeni (FOTO)

Në Pukë ka nisur sot puna për hartimin e projektit të restaurimit të shkollës ku dha mësim poeti revolucionar Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, shkruan KultPlus.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë udhëtuar drejt shkollës muze të qytetit të Pukës, në vendin ku Migjeni jeton sot nëpërmjet fotove, kujtimeve dhe veprave të tij, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e shkollës.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale jo të mirë të monumentit dhe rëndësinë e tij, specialistët kanë nisur punën për hartimin e projektit të restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka theksuar se restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit si dhe rikonceptimi i ambientit të brendshëm në shërbim të ekspozimit të objekteve, do të mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve ndaj këtij objekti muzeal, me vlera të veçanta./ KultPlus.com

Sot inaugurohet shkolla franceze EFIP, në Prishtinë

Sot më 28 shtator me fillim nga ora 17:30, do të bëhet inaugurimi i shkollës franceze EFIP në Prishtinë, shkruan KultPlus.

“Nëpërmjet projektit të saj, Shkolla Franceze ndërkombëtare e Prishtinës, do të propozojë rrugëtim drejt ekselencës, në mënyrë që nxënësit e saj t’i bëjnë ballë sfidave të botës sonë të globalizuar. Ajo do t’i japë kështu një vend të rëndësishëm rrugëtimit kulturor, shkencor, qytetar dhe gjuhësor të çdo nxënësi, duke i ofruar kështu që në kopsht një mësimdhënie të pasur dhe të hapur ndaj Evropës dhe botës”, thuhet në njoftim.

SCOLAE MUNDI, punon së bashku me agjencionin publik (AEFE ) në forcimin dhe zhvillimin e rrjetit të shkollave franceze jashtë vendit. Pas shkollave në Sarajevë, Odesa, Shkup dhe Tiranë, sot SCOLAE MUNDI së bashku me agjencionin publik (AEFE ), e bashkë me Ambasadën e Francës në Kosovë, bëjnë inaugurimin e shkollës së pestë në Prishtinë, rruga Arben Xheladini./ KultPlus.com