Shkrimtari francez në 1609 për Skënderbeun: Flinte vetëm dy orë

Në faqen n°200 të poemës me titull “Le Dauphin” të shkrimtarit francez Jacques de La Fons, botuar në Paris në vitin 1609, gjejmë disa vargje dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi: Bibliothèque nationale de France

“Thuhet se Skënderbeu (ndërsa shteti i tij lëkundej i shqetësuar nga tërbimet e Muratit)

Bënte gjatë netëve kapjet më të mira të tij

Dhe gjatë netëve më të gjata flinte vetëm dy orë,

Vrojtimet dhe gjaku janë lavdi të frytshme,

Dhe netët më të shkurtra bëjnë ditët më të gjata

Nëse unë do t’i pikturoja lavdinë, do të kisha dashur një figurë (portret) me

Një sy gjithnjë të çelur, fare pa qepallë.” / KultPlus.com

136 vite pa Viktor Hygon, shkrimtari francez që pasurinë e tij e la amanet për të varfërit

Sot 136 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.

Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.

Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.

 Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.

Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë.
I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. /albertvataj / KultPlus.com