Gastronomët paralajmërojnë protesta nëse qeveria e ardhshme i kthen masat pas zgjedhjeve

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse Qeveria e Kosovës do të vendosë për rikthim të masave kufizuese pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Të enjten, Qeveria në detyrë lehtësoi masat duke hequr kufizimin e lëvizjes për qytetarët dhe duke e zgjatur orarin e punës deri në 22:00 për gastronominë. Gastronomët e kanë cilësuar lajm të rëndësishëm dhe të mirë këtë vendim.

Megjithatë, duke pasur parasysh se gastronomisë nuk iu lejua puna qe disa muaj, por në sallat e dasmave u lejuan tubimet e partive politike, pa respektuar masat anti-COVID në kohë fushate, kjo shoqatë ka paralajmëruar protesta nëse ndryshohet vendimi i marrë të enjten.

“Sqarim: GASTRONOMËT JANË TË REVOLTUAR! Me rastin e shkeljes së masave Anti-Covid për arsye të organizimit të tubimeve politike, dhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të fushatave zgjedhore nga çdo parti politike, është bërë padrejtësi e madhe dhe trajtim i pabarabartë në raport me ne, ekonominë, dhe rreth 100 mijë qytetarë që rrezikojnë të mbesin të papunë në çdo industri! Në rast se vendimi i sotëm ndryshon pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ju njoftojmë se do të ketë organizim të protestave nga gastronomët!”, thuhet në një reagim të gastronomeve. /express/ KultPlus.com

Kryetari i gastronomëve: Mos t’iu shkon mendja të na mbyllni pas zgjedhjeve

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi është deklaruar rreth tubimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt.

Kllokoqi thotë se heshtja e tyre ndaj politikës nuk është frikë por maturi e çdo gastronomi.

Ai ka thënë se edhe gastronomet do të mund të organizojnë protesta, të hapin klubet, të organizojnë festivale dhe se gjitha këto nuk kanë asnjë dallim nga fushatat, por që një gjë të tillë nuk e bëjnë dhe se do të ndjekin vetëm rrugët demokratike.

Por Kllokoqi thekson se në rast se mendohet që pas zgjedhjeve të mbyllet vendi me arsyetimin e rritjes së numrit të infektuarve, atëherë protesta nuk do të ketë të ndalur. Me këtë ai ka bërë thirrje që të mendohet për shumë sektorë të cilët luftën e kanë me ekzistencën e jo me pushtetin.

“Heshtja jonë ndaj politikës nuk është frikë, besoj se është maturi e çdo Gastronomi, edhe ne mundemi me organizu protesta, edhe ne mundemi me i hapë klubet, edhe ne mundemi me organizu festivale, edhe ne mundemi me i nisë dasmat, se asgjë dallim nga fushatat eketorale të partive politike nuk kanë. Ne thjesht po dojmë me u kënaq me pak, me na lon me punu edhe me jetu … subvencionet që janë nda janë shumë joserioze, mirëpo vetës jeni t’u ia bo, se populli VOTON, na gjykojmë. Duke besuar në demokraci ne do t’i shtjerrim të gjitha rrugët demokratike të diskutimit me çdo institucion përgjegjës shtetëror, për me e ngrit zërin për hallet tona, veç për një gjë të jeni të bindur, po ju shkoj mendja me na mbyll pas zgjedhjeve me arsyetimin e rritjes së numrave ku vetë politika është shkaktari më i madh, protestat nuk do t’kenë të ndalur. Andaj, mendoni edhe për neve dhe plot sektorë tjerë që luftë e kanë ekzistencën, jo pushtetin, kur i bëni kalkulimet për vete”, ka shkruar Kllokoqi. /express/ KultPlus.com

Gastronomët i konsiderojnë nënçmuese 3 milion eurot e ndarë nga qeveria

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka thënë se 3 milionë euro nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike për sektorët më të prekur nuk mjaftojnë, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi ata thonë se 3 milionë euro edhe po të ishin të gjitha për gastronomi, nuk do të mjaftonin as për të paguar gjobat e shqiptuara gjatë pandemisë, e lëre më të paguhen shpenzimet operative me to.

Sipas tyre këto mjete janë të papranueshme për ta, e aq më tepër janë nënçmuese.

Postimi i plotë:

AS 3 MILIONË PËR SEKTORIN E 3TË QË MË SË SHUMTI PUNËSON?

Neni 11 i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, parasheh përkrahjen e të gjitha bizneseve të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur problem të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, me 200 milionë euro.

Për t’u zbatuar ky Ligj, Qeveria e Republikës së Kosovës me dt. 14 Janar, ka aprovuar masat e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej 222,4 milionë euro. Në këtë vendim, ka masa që ndajnë mjete financiare për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Komunat, shtesat mbi paga, blerja e vaksinave Anti-COVID-19, etj. Pra, sipas QK, të gjitha këto masa vlejnë për rimëkëmbje ekonomike.

Në masën 8 të këtij vendimi, kemi ndarjen e mjeteve në shumë prej 9 milionë euro për ndërmarrjet në Kosovë, dhe nga kjo shumë, kemi ndarje prej 3 milionë euro për subvencionimin e sektorëve më të prekur për ndalimin e aktiviteteve të cilat janë: gastronomia, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme. Pra, janë të përfshira disa kategori të ndryshme në një linjë të përbashkët.

Një gjë tjetër që është me rëndësi është që Ligji mbi ndarjet buxhetore nuk i parasheh linjat e saj në përputhshmëri me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Si do të zbatojë QK, vetëm nenin 11 të këtij Ligji, pa u thelluar shumë tek pagat për punëtorët që kanë humbur punën si pasojë e  pandemisë për më shumë se tre muaj, ku përafërsisht në të kualifikohen rreth 40,000 punëtorë, e vetëm në gastronomi janë diku rreth 11,000 punëtorë, ndërsa QK për këtë kategori i ka ndarë 10 milionë, që mbulojnë përkatësisht 11,111 punëtorë me nga 900 euro për 3 muaj.

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2021. A mund të zbatohet deri atëherë ky Ligj në tërësi nga QK, duke ditur që shumica e masave të Vendimit të fundit nuk janë as të përfshira në të?

3 milionë euro edhe po të ishin të gjitha për gastronomi, nuk do të mjaftonin as për të paguar gjobat e shqiptuara gjatë pandemisë, e lëre më të paguhen shpenzimet operative me to. Këto mjete janë të papranueshme për ne, e aq më tepër janë nënçmuese!/ KultPlus.com

AS 3 MILIONË PËR SEKTORIN E 3TË QË MË SË SHUMTI PUNËSON? Neni 11 i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, parasheh…

Posted by Shoqata e Gastronomëve të Kosovës on Wednesday, February 3, 2021

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës: Zyrtarët policorë janë duke shkaktuar problemë pranë lokaleve të gastronomisë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar për problemet e shkaktuara nga Policia e Kosovës, pranë lokaleve të gastronomisë, shkruan KultPlus.

“Kjo ka të bëjë me sjelljet e tyre që janë të pahijshme dhe drejtohen ndaj klientëve dhe stafit në hapësirat e lokaleve”, thuhet në reagim.

Veprimet e tilla të Policisë, Shoqata i ka vlerësuar si shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht barazisë para ligjit, dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“SHGK, i’u bën thirrje zyrtarëve policorë dhe inspektorateve përgjegjëse që të zbatojnë në përpikmëri Vendimet e Qeverisë për kontrollin e pandemisë”, thekson Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Tutje, ata bëjnë thirrje për raportim të çdo rasti që është në kundërshtim me ligjin. / KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës për masat e reja: Të dizajnuara për qëllime politike

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, ka kundërshtuar masat e reja lehtësuese të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Përmes një komunikate për media, gastronomët vlerësojnë se këto masa janë në kundërshtim me kërkesat e tyre, dhe veçanërisht me menaxhimin e mirëfilltë të pandemisë Covid-19.

Po ashtu gastronomët theksojnë se këto masa më shumë janë të dizajnuara për qëllime politike, sesa për shëndetin publik, e aq më pak për atë ekonomik.

Kjo është komunikatë e plotë:

Para pak orësh u njoftuam me masat e reja sa i përket menaxhimit të pandemisë Covid-19.

Këto masa janë në kundërshtim me kërkesat tona, dhe veçanërisht me menaxhimin e mirëfilltë të pandemisë Covid-19.

Këto masa më shumë janë të dizajnuara për qëllime politike, sesa për shëndetin publik, e aq më pak për atë ekonomik. Tashmë është ideuar edhe realizimi i fushatave parazgjedhore nga ky vendim, nga i cili, lejohen deri në 30 persona në hapësira të mbyllura, të cilat ironikisht janë sallat e dasmave (që ndalohen të funksionojnë për qëllime afariste), ndërsa deri në 50 persona në sheshe publike, parqe, etj.

Gastronomia në komunat e kategorizuara me ngjyrë të gjelbër dhe verdhë nga sot mund të funksionojnë deri në ora 22:00, ndërsa komunat e kategorizuara me ngjyrë të kuqe mund të funksionojnë deri në ora 21:00.

Ky orar për gastronominë është i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm. Gjendja jonë është më tepër se shqetësuese, dhe për ne në këto rrethana do të duhej të lejoheshim të funksionojmë deri në ora 23:00 në tërë vendin.

Zhvillimet e fundit në vend, shpërfaqin aplikimin e standardeve të dyfishta nga ana e shtetit, të cilët deri dje na thanë se duhet të qëndrojmë në shtëpi pas orës 20:00, që të mbrohemi nga pandemia, dhe pas kësaj ore, na ftuan nëpër tubimet dhe organizimet parazgjedhore për qëllime elektorale, duke mos i zbatuar rregullat e vendosura nga vetë ata!

Këto veprime janë në kundërshtim me nenin 3 të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht [Barazia para Ligjit].

Para ligjit dhe kushtetutës jemi të gjithë të barabartë. Mirëpo tek ne, ka përjashtime!

JO, standardeve të dyfishta! /express/ KultPlus.com

Rreth 11 mijë persona e kanë humbur vendin e punës, gastronomët thirrje qeverisë për lirimin e masave

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës thotë se diku rreth 11 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës në këtë sektor si pasojë e pandemisë.

Arian Vranica, zyrtar i kësaj shoqate në një intervistë për Ekonomia Online tha që gjendja e sektorit të gastronomisë është mjaft shqetësuese ku sipas tij 89% e bizneseve kanë punuar me humbje të thellë, transmeton KultPlus.

“Gjendja e sektorit të gastronomisë deri më tani është mjaft shqetësuese, sipas raportimeve dhe hulumtimeve të realizuara nga shoqata e Gastronomeve të Kosovës ne kemi 89% të bizneseve që kanë punu me humbje të thellë deri në tetor të vitit 2020 ku 11% prej tyre kanë qenë të vetëm që kanë mund të kenë një lloj rentabiliteti”, tha Vranica.

Sipas tij nëse do të vazhdohej kjo situatë dhe pa përkrahje vetëm 2% e tyre do mund të mbijetonin pa ndihma ndërsa 13% prej tyre do falimentonin.

Mes tjerash Vranica tregoi edhe publikimet e disa të dhënave,  ku më shumë se 64% kanë pasur rënie.

“Duke i konstatuar të dhënat publike kemi pasur më shumë se 64% rënie dhe kjo është mjaft sfiduese për neve  sidomos duke pasur parasysh edhe mos mbështetjen me politikat fiskale pastaj kemi edhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike  e cila zgjati më shume se 5 muaj”, u shpreh Vranica.

Ai tha që nuk është e nevojshme të vazhdohet me të njëjtat masa pasi numri i infeksionit ka rënë dukshëm.

“Numri i infeksionit ka rënë dukshëm, këto nuk përbëjnë asnjë arsye më shumë që të vazhdohet me të njëjtat masa mirëpo duhet të jemi më konstruktiv drejt lirimit të masave dhe tejkalimit të kësaj krize me pasoja sa më të vogla”, tha mes tjerash Vranica.

Ai madje thekson faktin që nuk ka pasur diçka konkrete dhe nga ana e Qeverisë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

I pyetur për kërkesat e tyre dhe mundësinë e ndonjë proteste Vranica tha që  kërkesat e tyre nuk do t’i ndalin.

“Kërkesat tona nuk do t’i ndalim, presionin do ta rrisim tani më edhe me vaksinimin e shumicës se vendeve të BE-së, duhet të kemi përgjigje pozitive dhe sa më shpejtë të  hyjë në fuqi edhe Ligji mbi dëmet buxhetore”, theksoi tutje ai.

Në bazë të statistikave të tyre ata konstatuan që më shumë  se 42% të bizneseve që kanë raportuar që kanë larguar punëtorë nga puna. / KultPlus.com