Hapet thirrja publike për propozimin e Titullit “Guximi Intelektual” për vitin 2021

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë vjen me ftesë publike për propozimin për Titullin “Guximi Intelektual” për vitin 2021, përcjell KultPlus.

Përderisa ky titull jepet çdo përvjetor të Shoqatës, kandidatët propozohen teksa kryesia pastaj e bën përzgjedhjen.

Kriterët, propozimi, arsyetimi dhe ndarja e titullit bazohet në Rregulloren për ndarjen e Titullit “Guximi Intelektual”. Propozimi me arsyetim bëhët përmes e-adresës: [email protected]. Afati deri me 30.03.2022.

Rregullore për ndarjen e Titullit “Guximi Intelektual” nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”:

1. Kriteret

1.1 Titulli “Guximi intelektual” ndahet vetëm një herë në vit.

1.2 Kandidatët e mundshëm për titullin “Guximi intelektual”(në tekstin e mëtejmë kandidatët), duhet të jenë shtetas shqiptarë të Republikës së Kosovës apo mbarë trojeve shqiptare, me qëndrim a veprim brenda ose jashtë territorit të Kosovës.

1.3 Kandidatët duhet që me punën dhe aktivitetin e tyre, të publikuar në masmedia, në faqen e Shoqatës ose gjetiu, në vijimësi të kenë treguar mendim dhe qëndrim të guximshëm lidhur me problemet e mëdha kombëtare, shtetërore e shoqërore.

1.4 Kandidatët duhet të jenë persona të njohur nga opinioni për veprimtarinë e tyre ndër vite.

1.5 Kandidatët mund t’i përkasin profesioneve të ndryshme. Ata duhet të jenë të pastër nga ligji dhe drejtësia. Mbi të gjitha tek ta vlerësohet mosrënia nën ndikimin e klaneve partiake ose interesave përfituese nga politika.

Kujtojmë se fituesi i këtij titulli prestigjioz për vitin 2019 ishte prof. Nezir H. Kraki (Paris) dhe
për vitin 2020, prof. Kadrush Radogoshi. / KultPlus.com

Mbahet akademia përkujtimore kushtuar Ymer Rizës në 60 vjetorin e vdekjes

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka organizuar akademinë përkujtimore “Ymer Riza jeta dhe vepra” në shënim të 60 vjetorit të vdekjes, shkruan KultPlus.

Në këtë Akademi Dr.sci Behar Arllati – etnomuzikolog enkas për këtë ngjarje, përgatiti kumtesen “Ymer Riza si identitet muzikor i Gjakovës dhe fonografimet e para shqiptare në Kosovë” si dhe Behxhet Gola përgatiti kumtesen “Ymer Riza: Artist dhe Humanist i madh”.

Gjithashtu, u shfaq edhe dokumentari:” Gjurmëve të Ymer Rizes!” i autorit Demokrat A. Zhubi, ndërsa Grupi “Hadi Bajrami” realizoi një program muzikor me këngë të shoqërisë së Ymer Rizës.

E gjithë kjo akademi përkujtimore nisi nga ora 18:00 në Gjakovë, konkretisht në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”. / KultPlus.com