Rafet Rudi: Një foto dhe shumë kujtime, nëntë vjet punë të Fakultetit të Arteve

Kjo dhomë (modeste) që shihet në këtë foto, ku qëndrojnë këta burra e këto gra, është kthina Nr. 2, e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Kjo ishte njëra prej dy kthinave, sa i kishte godina e SHKK.

Aty veproi për nëntë vite me radhë Fakulteti i Arteve me tri degët e saj (dega e muzikës, me tërë kapacitetin mësimor dhe pjesërisht dega e artit figurative dhe e dramës, të cilat mësimin e zhvillonin edhe në objekte tjera në qytet). Kjo kthinë, gjatë tërë ditës, shërbente si vend për administratën komplete të Fakultetit. Aty punonin Sekretari dhe referentët e Fakultetit si dhe personeli ndihmës. Natyrisht, në ditët e ngarkuar me mësim, që zakonisht ishin e mërkureja dhe e enjtja, kjo kthinë shërbente edhe për mbajtjen e mësimit. Mes’java ishte sidomos e ngarkuar, meqë, ato ditë, ishte rezervuar, në rradhë të parë, për kolegët që udhëtonin nga qytetet tjera (Gjakova, Peja, Ferizaji etj.)

Përballë kësaj dhome (përballë kthinës nr.2, në foto), ishte “salla” kryesore e mësimit, që kishte një sipërfaqe rreth 18 – 19 metra katror. Aty zhvillohej kryesisht, mësimi grupor por edhe mësimi individual, sidomos mësimin i drejtimit të pianos (kjo ishte e domosdoshme), meqë aty ishte pianoja e vetëm që kishte në dispozicion Fakulteti – një piano ‘e vërtet’, me ngjyrë të zezë, e markës ‘Petrof’. Ishte piano e madhësisë gjysëm-koncertale dhe ishte pronë e Shoqatës.

Sic dihet, pianot tjera, që kishte në dispozicion Fakulteti qëndronin në ndërtesën e Fakultetit. Kurse, neve na ishte e ndaluar që t’i afroheshim ndërtesës. Bile disa herë arsimtarët e Fakultetit tentuan që të depërtojnë në klasat e Fakultetit. Kjo u pengua nga policia, dhe u shoqërua me kërcnime të ashpra. Në një orvatje të till, pati edhe një intervenim brutal të policisë!

Në disa raste, si vend për të mbajtur mësimin, shfrytëzohej edhe pasllumi, që ishte një vend jashtë objektit kryesor. Ishte nja hapësirë tepër e ngushtë prej (rreth) 6 metërsh katror. E meta e këtij pasllumi ishte jo vetëm hapësira e vogël, por, gjithashtu, edhe tavani i tij, i cili ishte tepër i ultë, kështuqë personat me shtat më të lart, duhej të ngryseshin tepër për të hyr në të (!). Vështirësi tjetër shkaktonte dera e hyrjes, që hapej në drejtim të mbrendshëm, kështuqë kur vinte ndonjë student me vonesë, duhej që, së paku, 2-3 veta të dilnin, dhe t’i skajonin karriget për t’u hapur dera, dhe pastaj bashkarisht, hynin të gjithë.

‘Salla’ koncentrale e Fakultetit

Në këtë “sallë”, përveç mësimit që kishte një orar të afishuar, të cilit i përmbaheshim me saktësi, zhvilloheshin pandërprerë një mori aktivitetesh, gjatë tërë ditës, me interes të përgjithshëm. Mbaheshin, përpos mbledhjeve të Këshillit të Arsimtarëve, edhe orë interne, koncerte, festivale, tribuna dhe diskutime të ndryshme, promovime të ndryshme, prova të disa formacioneve që kishin filluar të formoheshin në ato kushte të reduktuara.

U mbanin edhe koncerte mjaft ambicioze, kurse në vitin 1992, u mbajt edhe Festivali ‘Ditët e muzikës kosovare’, me tre koncerte të plota. Për zhvillimin e një koncerti “normal” i vendosnim (maksimalisht) 52 karrige – kjo është e saktë, meqë shumë herë më ka ra rradha që unë t’i bëj pregaditjet. Aq ishte kapaciteti i sallës, dhe aq kishim karrige! Karriget ishin jashtëzakonisht të vogla, çuditërisht!

Për nga volumi, nuk ishin më të mëdha se ato të kopshteve të fëmijëve, për fatin tonë !

Ndonjëherë, ndodhte rasti që të shenonim ndonjë datë apo ngjarje të rëndësishme, qoftë me koncert apo me ndonjë tribunë apo diskutima. Psh., organizuam shenimin e 200 vjetorit të vdekjes së Moxartit, me një koncert të plotë, pikërisht në ditën e përvjetorit të tij vdekjes (më 5 dhjetor 1991), meqë viti 1991 ishte shpallur në botë si Viti i Moxartit.

Shenuam 60 vjetorin e lindjes së kolegut tonë, Prof. Engjëll Berishës. Pos shenimit të jubileve të ndryshme, në disa raste patëm edhe tubime komemorative. Më kujtohet (meqë unë isha iniciator), edhe mbledhje komemorative për vdekjen e kompozitorëve Çesk Zadeja dhe Feim Ibrahimi në verën e viti 1997, pastaj për vdekjen e kolegut tonë Qazim Bobajt etj.

Të gjitha këto aktivitete përcilleshin rregullisht, me shumë interes, nga shtypi i ditor i vetëm i asaj kohe (nga ‘Rilindja’ – ‘Bujku’).

‘Vizitat’ policore në Fakultetin tonë

Meqë godina e Shoqatës ishte në zonën e qendrës së qytetit (për dallim nga objektet tjera, në periferi të Prishtinës, në të cilat mbahej mësimi i Fakulteteve të tjera) atë, godinën tonë, shpeshëherë e vizitonin patrullat policore. Atë e bënin, për të vëzhguar dhe regjistruar ndonjë “aktivitet të dyshimt”, e herë-herë, sidomos në perudhën e dimrit, ata vinin (me qëllime paqësore) thjeshtë për të pushuar.

Në ato vite të trazuar, në rrethana ekstremisht të destabilizuara, gjithnjë krijoheshin situata të reja, situate nga më të çuditshmet. Më kujtohet, njëherë, ishte caktuar për në ora 12 të ditës (orë e zakonshme për këto tubime) Mbledhja e Këshillit të Fakultetit, të të tri degëve. Dmth., salla ishte e mbushur përplot.

Për fat të keq mu atë ditë kishte ndodhë një incident në qytet, siq ndodhnin, përndryshe, për çdo ditë, në pjesë të ndryshme të qytetit. Policët ishin të trazuar, nervoz dhe agresiv. Ne e vërenim atë, që në ardhje në Shoqatë. Meqë kishim drojë se do të futeshin në ndërtesën tonë, për ndonjë kontrollë apo bastisje, mendonim se si duhet të vepronim nëse ndodh një gjë e till. E diskutuam dhe sajuam një plan: nëse policët hynë në godinë, njëra prej kolegeve tona, pianiste (më duket se ishte L. P., nëse nuk gaboj), do të ulej te pianoja dhe do të luante, duke inskenuar një koncert si një lloj Recitali pianistik, kurse ne, antarët e Këshillit të Fakultetit do të ishim figurantë, që do të luanim rolin e publikut në sallë! Por gjërat rrodhën ndryshe. Sigurisht, të zënë me ndonjë aksion, në pjesë tjetër të qytetit, ekspedita policore nuk u shfaqën fare atë ditë. Koncerti nuk u mbajt, “figurantët” e prezymuar, ruajtën statusin e tyre të antarit të Këshillit të Fakultetit. Ndërkaq, Këshilli arriti ta mbajë mbledhjen me të gjitha pikat e parapara të rendit të ditës…

Kur e mendoj tash, këtë storie groteske, ma thot mendja se më mirë që nuk është mbajt ai koncert sepse, do të ishte koncerti më i pikëllueshëm i parë në jetën time. Sdi pse, kjo storie, aq dramatike dhe aq qesharake, më vonë, gjithmonë më është dukur si një sekuencë e nxjerrë nga filmat e neorealizmit italian.

(Ta sqaroj për gjeneratën më të re, që do ta lexojë këtë shkrim se: në krejt këtë ndodhi të pakuptueshëm për ta, në atë tubim, ishin emrat si Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Faruk Begollim Xhevdet Xhafa, Agim Çavdarbasha, Seniha Spahiu, Lejla Pula, Valbona Petrovci (nese nuk gaboj) e shumë të tjerë, emra që e shenojnë artin nacional të Kosovës , në pjesën e dytë të shekullit XX!)

Fotoja me shumë kujtime

Këta burra dhe këto gra që i shihni në këtë foto (gjithsesi, bashkë me kolegët tjerë të Fakultetit), në mënyrë të disciplinuar kryen obligimin (për nëntë vjet me rradhë), obligim që ua kishte dhënë historia – gjithmonë të përgjegjshëm, unik dhe solidarë, deri më 24 mars të vitit 1999. Ditën që është bërë kjo foto, siq shihet në të, duket se janë mbledhur për ndonjë festë apo gëzim të rastit që, në ato kohëra të zymta, ishin shumë të rralla. Të gjithë ata janë personalitete të rëndësishme të kulturës sonë: Matej Rodiqi, Enver Petrovci, Safete Rugova, Seniha Spahiu, Valbona Petrovci, Engjëll Berisha, Fatmir Krypa, Zeqerija Ballata, Selim Ballata, dhe unë (Rafet Rudi)

Shkëputër nga “Libri im i kujtimeve”- në pregaditje. / KultPlus.com