Suksesi në xhudo i përhershëm, Kosova fiton gjashtë medalje në Kampionatin Ballkanik

Kosova ka arritur që të fitojë gjashtë medalje në Kampionatin Ballkanit të xhudos që është duke u mbajtur në Bullgari, shkruan KultPlus.

I riu që premton shumë edhe sipas trajnerit Driton Kuka, pra, xhudisti Shpati Zekaj ka arritur që të fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 100 kilogramë.

Në anën tjetër me medalje të argjendtë u stolis edhe Erza Muminoviq në kategorinë 48 kilogramë, kurse Loriana Kuka 78 kg, Dardan Cena 73 kg, Muhamedin Veseli 60 kg dhe Debora Gjakova 57 kg, fituan medalje të bronztë.

Pas suksesit në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” dhe Grand Prix të Zagrebit, Kosova po vazhdon të fitojë edhe trofe të tjerë në xhudo.

“Foto nga kampionët Ballkanik për seniorë në Pazarxhik të Bullgarisë! Shpati dominoi në të gjitha luftërat dhe u kurorëzua me titullin Kampion Ballkanik”, ka shkruar trajneri Driton Kuka ndër të tjera në faqen e tij në Facebook. /KultPlus.com

Zekaj fiton medalje të argjendtë në Zagreb

E argjendtë është medalja e parë e Shpati Zekajt në nivelin e të rriturve në xhudo.

Ai të dielën në European Open në Zagreb u mposht në finale të kategorisë deri në 100 kilogramë nga ukrainasi Anton Savytskiy.

Ukrainasi ka dominuar luftën, ndonëse Zekaj pati përpjekjet e tij për hedhje. Është ky një sukses i madh për Zekajn, që tashmë ka nisur rrugëtimin te seniorët.

Zekaj nuk kishte garuar në gara serioze që nga viti 2019. Të shtunën për Kosovën medalje të bronztë fitoi Laura Fazliu./kohanet/ KultPlus.com