Kafe ‘Kursal’, ishulli evropian i Tiranës së viteve të 30-ta

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri solli sot të dhëna interesante për kafenenë dhe restorantin e famshëm të Tiranës së viteve ‘30, Kafe Kursal, duke e shoqëruar me një foto të kohës, pjesë e arkivave, transmeton KultPlus.

A e dinit se Kafe Kursal, një nga kafe-restorantet më të njohura të gjysmës së parë të shek. XX në Tiranë, emrin e kishte marrë nga klinikat kurative të Europës veriore?.

Kafe “Kursal” ishte një ishull europian i Tiranës së viteve ’30, si për nga arkitektura e arredimi, po edhe për shërbimin e lartë! Ndodhej aty ku kryqëzohen rruga e Durrësit dhe e Kavajës, pranë ish-Parlamentit (sot Teatri i Kukullave).

Emri i kafenesë nuk na thotë asgjë në shqip, por po të mendohemi pak, Kursal gjen gjegjësin e vet “kuursaal” të gjermanishtes, që në Europën veriore përdoret për banjat termale dhe mjediset kurative lidhur me to.

“Sigurisht, Kursali ynë nuk ka asnjë lidhje me kuptimin fillestar të fjalës. U ndërtua në fundvitet ’20 dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez. Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë, por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregtarë, vendas dhe të huaj”, thuhet në njoftimin e DPA-së.

Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë vallëzimi modern nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë. Pas Luftës II Botërore u rrafshua si trashëgimi borgjeze, duke rrafshuar, simbolikisht, edhe atë çikë kurim shpirti që mund të gjenin frekuentuesit e barit në kohën e rendit të ri politik që po agonte.

DPA ka publikuar një imazh kartoline që ruhet në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, ku duket Kafe Kursal, fotografuar nga tarraca e ndërtesës së dikurshme të Bashkisë së Tiranës. Aeroplani mbi të është montazh artistik, për t’i dhënë pamje idilike-moderne peizazhit të qytetit. / KultPlus.com