Gra në katror

Poezi nga Antonia Storace

Ka gra…
por ka edhe gra që janë vërtet gra.
Janë ato që s’duhet të rrekesh t’i kuptosh,
sepse do të qe luftë e humbur qysh në nisje.

Duhet t’i përfshish dhe kaq.
Duhet t’i kapësh e t’i puthësh
të mos u lesh kohë të mendohen.

Duhet t’i këputësh në mes,
me një përqafim marramendës
dhe do të dinë frikërat e tyre të rrëfejnë
një herë të vetme
duke pëshpëritur me zë të ulët.

Sepse turpërohen të rrëfejnë dobësitë e tyre dhe,
pasi t’i kenë rrëfyer, hanë veten me dhëmbë,
-në një agoni të ngadalshme dhe të heshtur –
sepse duke të rrëfyer pikat e dobta, duke u shfaqur njerëzore,
si femra të lehta dhe të etura për atë dreq çasti,
sepse druhen se do t’u kthesh krahët e të largohesh.

Prandaj rroki dhe dashuroji.
duaji edhe të veshura, edhe të pa trukuara,
sepse për t’u xhveshur u vjen ndoresh të gjithave.

Duaji të pambrojtura dhe pa zbukurime,
sepse nuk ta merr mendja sa sy femrash
mund të gjejnë mbrojtje pas një makiazhi.
Duaji të përgjumura, të shpupurisura,
paksa të mbufatura nga gjumi.

Duaji dhe dije që nuk kanë nevojë për këtë,
sepse janë të zonjat e vetes.
Por pikërisht për këtë,
do të dinë të të duan
si askush më parë të ka dashur.

Shqipëroi: Maksim Rakipaj / KultPlus.com