Krifca: Prodhime tipike shqiptare në zemër të Brukselit

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca përcolli nga Brukseli, ku ishte për vizitë zyrtare, imazhet e një biznesi shqiptar, sa inovativ aq dhe me lidhje të forta të kulturës e traditës shqiptare në Grand Place.

“Pikërisht në zemër të Brukselit, pesë hapa nga bashkia, prej disa muajsh qëndron një shtëpi kulture shqiptare e hapur nga Ledia Canaj, një vajzë e fortë dhe e mençur e cila ëndrrën e saj diti me maturi dhe punë ta bëjë realitet duke përballur çdo sfidë, me kurajo.@maisonculturellebeal ishte befasues për përzgjedhjen e konceptit, për karakterin e ngrohtësinë”, shkroi Krifca në rrjetet sociale duke sjellë edhe fotografi.

Krifca u shpreh se bëhet fjalë për një sallon shijeje e mikpritjeje shqiptare, me të ftuar shqiptarë e të huaj, të cilët në podcast-in që organizohet në katin e dytë, ndajnë informacion mbi mobilizimin e komunitetit, mbi kulturën, traditën, ushqimin, ndajnë projekte e iniciativa, ndërgjegjësojnë mbi rezultatet e shqiptarëve të cilët rrezatojnë sukses në çdo fushë.

“Ata që takohen aty duke shijuar prodhimet rreptësisht shqiptare – duke pirë një gotë verë apo duke ngrënë një gliko arre, flasin për prodhimet, origjinën, karakteristikat, simbolet që në këtë hapësirë janë të shumta, duke shfletuar literaturë të autorëve tanë apo duke parë artin e artistëve tanë, flasin për Shqipërinë me mallin e diasporës, me gëzimin e gjetjes së përkatësisë, me zjarrin për t’i treguar botës kush jemi e sa shumë mundemi t’i ofrojmë Evropës, botës”, tha ministrja, teksa i shprehu përgëzime dhe falënderime Ledias, për vizionin e saj dhe shembullin e qytetarisë./atsh/KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Odhise Paskali, skulptori që skaliti historinë e shqiptarëve në vepër pavdekësie

Odhise Paskali lindi në në fshatin Kozhan, Përmet më 22 Dhjetor 1903. “Artisti i Popullit”, Odhise Paskali mund të cilësohet pa mëdyshje si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Familja u vendos në Koblarë dhe Paskali i ri, mori mësimet e para nga i ati, që ishte prift dhe mësues në atë fshat. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet, por edhe qyteti i Përmetit ishte i vogël për të.

Pas shumë vështirësive ekonomike dhe pengesave të tjera, me ndihmën e një miku arbëresh, në vitin 1916, u nis në Itali. Pasi kreu liceun, në vitin 1920, filloi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Torinos dhe më pas, në vitin 1927, mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit me historianin e njohur A. Venturi. Gjatë viteve që ishte në Torino, krahas studimeve në universitet, Odhise Paskali gjendej çdo ditë në studion e artistit italian Rubino, ku mësoi mjeshtërinë e skulpturës, që e tërhiqte veças. U bë i njohur që me krijimet e para, kur ishte ende student. “I Urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare. U realizua në 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror. Më pas u mor nga Italianët si plaçkë lufte dhe ende gjendet atje.

Për këtë vepër me vlerë vet Odise Paskali tregonte:“Jam frymëzuar nga plaku, që pashë të vdiste nga uria, në ullishtat e Vlorës, në vitet kur shqiptarët iknin nga Pogradeci, Përmeti e qytetet e tjera dhe gjenin strehim në Vlorë, nga ku kishin shpresë të kalonin në Itali. Po punoja këtë portret, që është me madhësi reale, kur nga porta që ishte gjysmë e hapur mu afrua një vajzë 5-vjeçare. Ajo u afrua te puna që po punoja dhe më pyeti:

-Ç’ka ky plak që është kështu?

-Është i uritur, i thashë, nuk ka të hajë.

Nuk tha asnjë fjalë dhe doli. Pas pak u kthye me një copë bukë në dorë dhe tha:

-Jepja ta hajë, dhe doli.

Ngela i emocionuar me copën e bukës në dorë, por me kënaqësinë se ishte një ogur i mirë për rrugën e artit që kisha zgjedhur”

Odhise Paskali qysh herët shkroi artikuj, poezi dhe tregime; përktheu novela dhe ese për artin dhe artistët. Në vitin 1929, nxori numrin e parë të revistës “Studenti Shqiptar”, të cilën e drejtoi derisa u mbyll, pas shtatë numrash. Krahas krijimeve letrare, aty botoi foto nga punimet e tij në skulpturë, si dhe nga tablotë e kolegëve artistë si: Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, etj. Në vitin 1935, nga biblioteka e njohur Argys në Tiranë u botua një libër me tri novela të përkthyera nga Odhise Paskali. Për disa vite, artisti i ri u end midis letërsisë dhe artit, ende pa e përcaktuar drejtimin e ardhshëm të krijimtarisë së tij. Viti 1928 shënon kthesën dhe përkushtimin e plotë ndaj skulpturës. Bashkia e Korçës e porositi për një monument kushtuar luftëtarëve të lirisë. Skulptura “I urituri” e kish bërë të njohur si një talent që rrezatonte dritë për artin kombëtar, ndërsa pas realizimit të monumentit “Luftëtari Kombëtar” në qytetin e Korçës (1932), Odhise Paskali do të bëhet skulptori më i njohur në Shqipëri. Në të njëjtën ditë, u përurua edhe statuja tjetër e tij “Flamurtari” në qytetin e Vlorës. Më pas u ngritën edhe tri vepra të tjera në bronz po nga Paskali: “Mihal Grameno” (Korçë, 1932), “Çerçiz Topulli” (Gjirokastër, 1934) dhe “Skënderbeu” (Kukës, 1939). Me statujat e Odhise Paskalit, disa nga qendrat në qytetet kryesore shqiptare morën një pamje të re, duke fituar edhe një identitet të tyre. Pas vitit 1927, Odhise Paskali angazhohet plotësisht në jetën artistike shqiptare dhe për disa vite do të jetë në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare. Në vitin 1931, bashkë me akuarelistin Qenan Mesareja, themeloi shoqërinë “Miqtë e Artit”, ku u mblodhën artistë të të gjitha fushave që jetonin në Tiranë. Po atë vit, Odhise Paskali organizoi Ekspozitën e Parë Kombëtare të Artit në Shqipëri, që u hap në Tiranë, në maj të vitit 1931. Ekspozita ndikoi edhe për themelimin e Shkollës së Vizatimit. Odhise Paskali, që në fillim, ishte një ndër mësimdhënësit kryesorë, ndërsa më vonë u caktua drejtor i saj dhe luajti rol të rëndësishëm në konsolidimin e shkollës, si dhe në zbulimin dhe përgatitjen e artistëve të rinj. Pas vitit 1944, ndaj Odhise Paskalit në fillim u mbajt një qëndrim i rezervuar. Nuk u ftua të merrte pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Pasçlirimit, në prill të 1945-ës, meqenëse kishte realizuar më parë statujën e mbretit Zog, si dhe buste të figurave të tjera të mbretërisë. Por, duhet thënë se punimet kryesore te tij, vlerat e statujave në bronz, të ngritura në sheshet e qyteteve, e ruajtën të pacenueshme figurën e Odhise Paskalit dhe ndikuan që ai të rikthehet përsëri në art.Rifilloi krijimtarinë në skulpturë me bustet e heronjve “Misto Mame” (1948), “Vojo Kushi” (1949), që u vlerësuan midis punimeve më të bukura të atyre viteve. Më pas, realizoi disa monumente si “Partizani Çlirimtar” dhe “Ndihmë Shokut” (Përmet, 1964), “Partizani Fitimtar” (Mathausen, Austri, 1968), “Skënderbeu” (Bashkautor Janaq Paço, Andrea Mano, Tiranë, 1968), bustet “Dy Heroinat” (Gjirokastër, 1974) “Vëllezërit Frashëri (bashkautor Thoma Thomai, Tiranë, 1978), “Idriz Seferi”, (Prishtinë, 1980), etj. Në vitin 1965 realizoi variantin më të arrirë të bustit të Enver Hoxhës, që u riprodhua në qindra e mijëra kopje. Ajo u çmua si vepra që pasqyroi dhe i shëmbëllente më mirë figurës së udhëheqësit komunist të Shqipërisë. Për Odhise Paskalin u ngrit studioja e parë, më e madhe në Tiranë, për skulpturë dhe, gjatë gjithë kohës, ai ka qenë një nga artistët më të vlerësuar në Shqipëri. Studioja e tij u kthye në një shkollë për artistët e rinj, si dhe për studiuesit dhe historianët e artit, pasi Odhise Paskali ka qenë gjithashtu edhe një njohës i mirë dhe studiues i zhvillimeve artistike botërore. Punoi pak vite si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në krijimtari të lirë. Gjithnjë i angazhuar në realizimin e statujave dhe monumenteve. Vazhdoi të shkruante artikuj dhe ese për artin. Duhet thënë se edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë Jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Odhise Paskali , modest, përsëriste shpesh:

“- Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr.

– Linda, jetova dhe do të vdes i varfë!”

Ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave, i pari për shumë vite nga fusha e arteve dhe ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”. Krijimtaria e Odhise Paskalit, ndonëse përshkohet e gjitha nga e njëjta frymë romantike, nga studiuesit ndahet në dy periudha. Në periudhën e parë, para vitit 1945 (ku veç statujave që përmendëm më lart, bëjnë pjesë edhe disa buste dhe figurina në bronz) veçohet për vlera më të spikatura artistike. Statujat dallohen për siluetat e bukura, modelim harmonik sipas konceptimit skulpturor të antikitetit klasik. Në bustet e asaj periudhe gjen trajtim më të thelluar të psikologjisë së personazheve, më shumë interpretim artistik nga autori. Me ato vlera të çmuara, Odhise Paskali përcaktohet si themelues i skulpturës realiste shqiptare. Edhe për periudhën e dytë, pas vitit 1945, ai vlerësohet midis skulptorëve më të shquar të vendit. Në disa nga krijimet e kësaj faze, vërehet pasurim i shprehjes artistike, ndërkohë që në disa të tjera gjen edhe skema pompoze të realizmit socialist, skema që kushtuan edhe skulpturën e atyre viteve, sidomos ato monumentale, ku mund të përfshijmë edhe disa punime të Odhise Paskalit. Në krijimtarinë e pasur të këtij mjeshtri, monumenti “Luftëtari Kombëtar” i Korçës, është vlerësuar si një ndër statujat më të bukura të së gjithë skulpturës shqiptare. Në zhdërvjelltësinë e figurës së luftëtarit, ndihet më shumë jetë dhe madhështi, ndërsa ritmi që krijohet nga palat e gjera të gunës, flokët e hedhura dhe lëvizja e kokës, në kontrast me lartësinë e figurës, i japin më shumë jetë dhe dinamizëm. E realizuar në përputhje me përfytyrimin popullor për luftëtarët e lirisë, ky monument, si dhe sheshi ku është vendosur, është kthyer prej vitesh në një simbol të përpjekjeve për liri. Në vitin 1986, statujën e zhvendosën në një shesh tjetër të Korçës, për të ngritur në vendin e saj monumentin e Enver Hoxhës. Por, pas vitit 1990, “Luftëtari Kombëtar” u vendos po atje ku ishte, në krye të bulevardit, ku qëndron edhe sot.

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i OP me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali. Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme. Skulptori i Popullit Odise Paskali është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat:

“Monumenti i Pavarësisë, Vlora”

“Gjergj Kastrioti”, dhuruar më 1968-n qytetit arbëresh Hora e Arbëreshëve, Siçili

“I urituri”,

“KETI”,

“Malësori”,

“Luftëtari Kombëtar”, Korçë;

“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;

“Ushtari i panjohur”,

“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;

“Naum Veqilharxhi”, bust në bronc , në Korçë;

“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;

“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”

“Isa Boletini”

“Fan Noli”

“Onufri”

“Jeronim De Rada”

“Pashko Vasa”

“Zef Skiroi”

“Çerçiz Topulli”

“Naim Frashëri”

“Vojo Kushi”

“Migjeni”

“Enver Hoxha”

“Idriz Seferi”

“Ahmet Zogu”

e shumë vepra të tjera.

Për të gjithë ata që e kanë vlerësuar, vepra e tij mbetet një shkollë e vërtetë arti.

Këto mund te nxirrja përmbledhtas nga interneti dhe botimet për skulptorin e madh nga Admirine Peçi, Shaban Cakelli, Dashnor Kaloçi, Stilian Adhami etj. /Albert Vataj / KultPlus.com

Emrat më të përhapur për vajza në qytetet shqiptare pas viteve ’90

Janë të dhëna mjaft interesante ato të publikuara nga një llogari në Twitter, të quajtur “Albanian Stats” në lidhje me emrin më të përhapur për vajza në Shqipëri përgjatë periudhës 1991-2008.

Siç duket edhe nga fotoja më poshtë, emri më i përhapur në zonën e Shqipërisë qendrore është Anxhela, ndërkohë që në jug-lindje është Kristina. Në Sarandë është emri Maria, kurse në pjesën veri-perëndimore të vendit është emri Sara, raporton abcnews.al.

Në Dibër dhe zonat përreth mbizotëron emri Jonida, në Kukës Sonila, kurse në Has dhe Tropojë spikat emri Edona.

Në zonën e Pukës spikat emri Kristjana.

Më herët, e njëjta faqe ka publikuar emrat e vajzave dhe grave para shembjes së komunizmit ku spikaste emri Mimoza, Fatime apo Kristina.  /abcnews.al / KultPlus.com

Kënga e saj transmetohet në BBC, kush është shqiptarja që po ndjek hapat e Dua Lipës (VIDEO)

Vanesa Sono është 20-vjeçarja nga Saranda, që po korr sukses në tregun ndërkombëtar muzikor. Ajo dikur fitoi “Gjeniu e vogël”, ndërsa sot kënga e saj “Slay me” është trasmetuar në BBC.

Në një lidhje me Skype me “ABC e Mëngjesit”, Vanesa u shpreh shumë krenare për rrugëtimin e saj në Britani. Ajo tregoi se po bën çmos që të ndjekë hapat e Rita Orës dhe Dua Lipës.

“Jam shumë shumë krenare, nuk e prisja që do të ndodhte kaq shpejt. ‘Slay me’ e mori vëmendjen që doja nga BBC, RADIO KISS FM.

Shpresoj që të më presin gjëra të mrekullueshme. Nuk dua të flas para kohe, do ta lë punën të flas vetë. Unë po bëj çmos që të jem në hapat e Rita Orës, Dua Lipës dhe shpresoj që të kem fatin e njëjtë”, tha Vanesa.

Më tej, ajo zbuloi momentin e reagimet e prindërve në çastin kur BBC transmetoi këngën e saj

“Kur u dha për herë të parë në BBC kemi qenë në makinë bashkë me mamin dhe babin. Ishte një moment shumë i rëndësishmë për mua. Herë të tjera e kam dëgjuar nga laptopi. Mami dhe babi sigurisht që janë mbështetësit e mi më të mëdhenj, ata kanë bërë gjithçka për mua që nga ardhja në Angli. Mami dhe babi u ndjen shumë të lumtur, babi u përlot pak se është tip i ndjeshëm si mua.

Të them të drejtën ka pasur paragjykimi se është ai steriotipi që ke ardhur nga Shqipëria. Po unë nuk e kam vrarë mendjen se jam krenare që jam shqiptare”, shtoi 20-vjeçarja. / KultPlus.com

Eleni Qirici, balerina e parë shqiptare që preku Hollywood-in

Më 25 janar 1925, lindi Eleni Qirici, balerina e parë, aktorja dhe akrobatja shqiptare, e cila debutoi me sukses të madh në skenat e Evropës, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, shkruan KultPlus.

Karriera e saj filloi në një moshë mjaft të re. Gjatë turit të saj të parë në Itali ajo bëri disa shfaqje sensacionale ku morën pjesë personalitetet më të larta dhe familja mbretërore. Fama që ajo fitoi gjatë këtij turneu, i dha asaj kontratën e dytë në Francë, që u konsiderua si qendër e artit botëror.

Eleni Qirici është personi i parë që shkoi dhe shkëlqeu në Hollywood, duke u bërë e njohur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1938, së bashku me prindërit e saj, ajo erdhi në Shqipëri ku dha disa shfaqje në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera. Për më tepër ajo është koreografja e parë që organizoi trupën e parë shqiptare të baletit.

Nuk kish si të ndodhte ndryshe, Elena Qirici bijë e dy bashkëshortëve artistë, domosdoshmërish do të ecte në rrugën e prindërve, aq më tepër që ende foshnje, ishte përkundur në gjumë, qe zgjuar mëngjeseve e lodruar gjatë ditës nën tingujt e kitarës e të këngëve, që aq mrekullisht i luanin dhe i këndonin enkas për të bijën, çifti Vasil e Rudi Qirici. Fill pas këtij suksesi, prindërit e saj menduan, që në këtë rast shkollimi për vajzën e tyre ishte më se i domosdoshëm. Dhe kështu një vit më pas më 1936, Elena nis studimet në Vjenë. / KultPlus.com

Sukses i madh i Adea Badivukut, pas çmimit në New York performon në skenën ‘Carnegie Hall’

Pianistja shqiptare, Adea Badivuku, ka performuar në skenën prestigjioze Carnegie Hall, pas triumfit me çmimin e parë në muzikën klasike në New York këtë vit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Badivuku ka thënë se muzika është kudo në botë, por Carnegie Hall rrit muzikën.

“Të kem shansin që të performoj në këtë skenë prestigjioze është një ëndërr e bërë realitet”, ka shkruar ajo.

Tutje, Badivuku ka falënderuar të gjithë mbështetësit e saj që e kanë bërë të mundur rrugëtimin deri tani dhe të gjithëve për mesazhet e mira.

Gjatë këtë viti, pianisja shqiptare ka fituar çmimin e parë në garën ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards” në New York. /KultPlus.com

May be an image of 1 person, standing and brick wall

Shqiptaret pushtojnë industrinë e muzikës: Katër këngëtaret që dominojnë top listat

Media greke i ka kushtuar një artikull katër këngëtarëve me famë botërore dhe origjinë shqiptare, Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max dhe Bebe Rexha.

“Nëse dikush do të na thoshte 10 vjet më parë se do të ishin katër vajza nga Kosova dhe Shqipëria në nivelet e larta të industrisë botërore të muzikës, do të çmendeshim. Jo sepse këto vende nuk kanë talent muzikor, por sepse është e vështirë për njerëz që vijnë nga këto vende për të kapërcyer pengesat që ekzistojnë në skenën britanike dhe amerikane. Kjo është arsyeja pse arritja e tyre është më e madhe. Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora dhe Ava Max vijojnë të jenë në krye të top listave”, e nis shkrimin e saj reader.gr.

Dua Lipa

Duke folur për Dua Lipën, media greke shkruan se në kohën e pandemisë ajo arriti suksese të mëdha me albumin “Future Nostaglia” dhe tani është në një nivel muzikor me Taylor Swift dhe Billie Elish.

“Emri i saj në shqip do të thotë “Dashuri” dhe ajo ka lindur në Angli. Babai i saj Dukagjin dhe nëna Anjeza jane nga Kosova. Pas lindjes së saj prindërit e saj u kthyen në Kosovë me vajzën e tyre dhe Dua shkoi serish në Londër në moshën 15-vjeçare, ku vuri themelet për të pushtuar majat që ka arritur sot”, shkruan më tej Reader.gr.

Bebe Rexha

Ndoshta ajo është më me fat nga të katër vajzat pasi ka lindur në SHBA, me prindërit që kanë emigruar në Brooklyn shumë më herët se ajo të lindte. Babai Flamuri dhe nëna Bukurije janë nga një qytet shqipfolës i Maqedonisë së Veriut. Emri i saj është Bleta, dhe për këtë arsye zgjodhi Bebe si emër artistik.

Media greke shkruan se ajo e nisi si tekstshkruese karrierën e saj 8-vjeçare por dy albumet e Bebes kanë pasur shitje të çmendura.

Rita Ora

Rita është mbesa e regjisorit të njohur kosovar Besim Sahatçiu, babai i saj Besniku dhe e ëma Vera lanë Kosovën në 1990 . Emrin asaj ia ka vendosur gjyshi. Ora ashtu si Dua Lipa pati rrugëtim të ngjashëm drejt suksesit. Ka qenë Jay Z që e zbuloi atë në 2011.

Ava Max

Ajo ka lindur në 1994 dhe publiku e njohu me këngën e saj Sweet but Psycho tre vjet më parë. Së shpejti Ava do të sjellë albumin e saj të parë. E ardhur nga Shqipëria, Amanda Koci zgjodhi emrin e artit Ava Max./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com

119 vjet nga lindja e Gjyzepina Kosturit, sopranos së njohur shqiptare

Gjyzepina Kosturi ishte një nga themelueset e artit operistik shqiptar. Sopranoja e talentuar Kosturi lindi më 12 prill 1902, në Shkodër, në një familje shkodrane në Tivar dhe është Artiste e Merituar.

Ajo u diplomua nga Konservatori “Santa Cecilia” e Romës. Pas kthimit në atdhe, ashtu si shumë artistë të tjerë edhe ajo u angazhua me koncerte të ndryshme nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë së bashku me pionierët e kantos shqiptare.

Me hapjen e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë në vitin 1946, Gjyzepina është një ndër pedagoget e para të kantos dhe më pas edhe një ndër pedagoget e para të Konservatorit Shtetëror të Tiranës.

Me krijimin e Teatrit të Operas në vitin 1953, Gjyzepina Kosturi u bë një ndër solistet e para të këtij teatri duke dhënë kontributin e saj të çmuar në këtë teatër në interpretime me nivel të lartë artistik dhe muzikor. Gjyzepina Kosturi si një artiste e madhe operistike, shquhej me zërin dramatik, me diksionin e pastër dhe për teknikën e lartë të interpretimit.

Merr pjesë që në operan e parë “Rusallka” (1953), të vënë në vendin tonë nga ky teatër, me rolin e Knjagina; për të vazhduar me rolin e Ludmillës nga opera “Nusja e shitur”1956; Violetta nga “La Traviata” 1956, Santuzza në “Cavalleria Rusticana” 1958; Tatiana tek “Evgjeni Onjegin” 1959 dhe kulmin e karrierës së saj artistike në interpretimin e Cio-Cio San në operan “Madama Butterfly” 1961 si dhe Donika në operan “Skenderbeu”1968.

Edhe në jetën koncertale Gjyzepina Kosturi ka një aktivitet të pasur artistik, si brenda , ashtu dhe jashtë vendit. Këngët popullore, ariet, romancat etj. që janë interpretuar prej saj në skena të ndryshme, dëshmuan për një artiste të madhe. Por kontributi i saj i madh është pedagogjia, si në Liceun Artistik, ashtu edhe në Konservatorit, ku ajo përgatiti me nivele të lartë, breza solistësh të TOB, që u bënë shtylla kryesore e këtij teatri.

Për kontributin e saj të çmuar në fushën e artit tonë operistik, ajo është nderuar me urdhra, çmime dhe mban titullin “Artiste e Merituar”. / KultPlus.com

Gratë e para shqiptare që luajtën në teatër

Në shumë nga pikëpyetjet e ditëve të sotme, nga shumë drama të mëdha të gruas shqiptare pikërisht sot, nga një tragjedi e ditëve të sotme ku burri qëllon dhe vret gruan, më vjen imazhi i jashtëzakonshëm i gruas së parë të vërtetë të emancipuar në Shqipëri.

Shembullit unikal të guximit qytetar. Kush mund të ishte ajo, dhe ku mund të ishte një grua e tillë. E para, vërtetësisht mund të ishte në një qytet, ku kishte shfaqje reale publike e dyta, duhet të ishte një vënd ku kishte relacione të larta si letrare, politike dhe mundësisht diplomatike, e ky ishte vetëm qyteti i madh, më i madh i Shqipërisë ose Shkodra e viteve 1910-1930.

Po pra, unë po flas në një kohë “boom-i” artistik në qytetin liberal dhe konservator njëkohësisht që ishte Shkodra. Që nga viti 1911-të dhe sidomos në vitin 1912-të, Kolë Idromeno, sajon një salon ku mund të projektoheshin diapozitiva të “kalueshëm” me shpjetësi në një klub të organizuar i cili u mbyll më vonë. Ishin shfaqjet e para të filmit, dhe në vitin 1912-të, Idromeno që është dhe “lindësi” i filmit në Shqipëri, kinemasë së parë dhe xhirimeve të para, bën një kontratë për shfaqje filmi, kontratë qiraje nga një austriak, dhe shfaq tashmë rregullisht në zonën katolike të Shkodrës ose shtëpinë e tij filmat e parë në Shqipëri. Ishin momentet e para të filmit, dhe padyshim aty ka pasur dhe gra që shikonin , por mbas viteve 1913, mbas ardhjes së Internacionalit, Shkodra u bë qyteti më i lirë dhe diplamatik, por edhe kulturor, jo vetëm në tokat shqiptare por dhe rajon, sepse konsullatat e shumta dhe të huajt e shumtë në qarkullim, impononin dhe modernizmin real të kohës dhe shkëmbimet e litaraturës, fillimet e sportit dhe teatrit të parë real.

Kjo gjë prej kohe në Shkodër, sidomos mbas viteve 1860-të. Pra ishte vëndi fertil dhe mundësisht me talent sidomos në lagjet Gjuhadol dhe Sarreq, brënda zejtarëve dhe zanatlinjve, për të filluar dhe rrugën e madhe të artit dhe sidomos teatrit. Aty ishte tendenca për të marrë pjesë gjërësisht dhe gruaja e emancipuar. Ajo grua, e cila tashmë mësonte edhe gjuhë të huaja, i kishte ikur, ose tentonte t’i ikte otomanizmit dhe kishte marrë rrugën perendimore të civilizimit. Nga 1914-ta dhe deri në vitin 1919-të, as që bëhej fjalë se një grua të mund të dilte në skenë. Jo, në asnjë mënyrë dhe në Shkodrën moderne. As në lagjet Gjuhadol dhe Sarreq, por në vitin 1919-të, ndodh një diçka e madhe për Shkodrën dhe Shqipërinë. Duke pasur Arkivin e Muzeut në dispozicion dhe me ndihmën e një miku të Arkivit dhe pikërisht zotit Gjon Stefa i cili pasuroi arkivin me postera të tjerë të kohës, arrij të rikonceptoj dhe dëshmoj qartë, se kush ishin dhe femrat e para shqiptare, që çanë orientalizmin dhe prambetjen e madhe, duke luajtur krahas burrave në shfaqe të hapura në Shkodër. Është pra viti 1919-të dhe nga Kol Gurakuqi i frymëzuar nga një shfaqe kinematografike të pikërisht Idromenos, vihet në skenë një “dramë dashtnore” e shoqërisë “Vëllazënija” e quajtur “Erminja e Vorfën”. Ishte madhështore kjo gjë dhe luajtën në “dramën dashtnore” ose dramën e dashurisë Kol Mjeda, Lin Deda, Kel Feta, Junuz Buliqi, Ali Borshi, Omer Ruzhdi dhe Muhamed Reçi. Dakort, por në rolin e Erminjes luajti dhe një grua, jo në të gjitha shfaqet dhe pa ju nxjerrë emri në afishe në vitin 1919-të, por luajti ama një grua. Po ashtu në një natë shfaqeje luajti sërish një femër, në rolin e pikërisht gruasose të Madalenës së shoqes së Viktor Paolit. Kishte dhe shoqërim orkestral drame, dhe dirigjent ishte Luigj Kakariqi. Sot akoma nuk dihet mirë kush ishte ajo grua, (normaloisht që të interesuarit e dinin) ajo grua, vajzë apo e shoqa e kujt ishte apo ishte një beqareshë. Por gjithsesi deri në atë kohë dhe pak më vonë, rolet e grave luheshin nga meshkujt të veshur pikërisht si gra në teatër. Bëri bujë se spektatorët ( të ftuarit) e kuptuan se tashmë gruaja ishte qartësisht femër, dhe biles disa thanë jashtë në qytet sepse u bë si barcoletë se ajo ishte një nga Italia, apo nga Beogradi, por këto ishin vetëm gojët që nuk mbyllen në Shkodër.

Gjithsesi vimë në vitet 1921 dhe 1922 në Shkodër, dhe tashmë janë vite guximi për teatrot dhe shoqëritë, e padyshim kulmi është shfaqa gjimnastikore “Katër Caqet Temelore” e gjitha nga femra. Imagjinoni femrat që jo vetëm luajnë, por bëjnë ushtrime gjimnastikore në vitin 1922!! Zyrtarisht kjo gjë. Por akoma më shumë drama “E Tradhtuemja”. Në lojën e gjimnastikës, kanë luajtur femrat, vajzat e para në Shqipëri dhe emrat janë dhënë kështu: Adelajdja e K. Muzhanit, Kjara e Ejell Koliqit, Karitina e Ejëll Koliqit, Margerita e Sh. Koliqit, Kristina e Zef Gjonej, Pina e Zef Gjonej, Nikolina e Kel Kodhelit, Domenika Tedeskini, Gizela Tedeskini, Viktorja e Z. Jakut, Roza e Z. Çurçisë, Adelajdja e F. Loros, Marta e Mati Logorecit, Nusha e Shuk Gjokës, Despina e Joakin Kokosheviç, Nineja e Tom Naraçit. Shikohet qartë dhe mirë, se nga kush familje ishin dhe se kush ishte dhe do të vazhdonte si trashëgimi artistike dhe kulturore në Shkodër.

Por kryevepër ishte drama “E Tradhëtuemja”. Ishte një dramë me pesë akte e luajtur me vetëm femra në Shkodër. Posteri kishte shtylla anash me fytyra gruaje, dhe normalisht të gjithë po merrnin vesh se aty luhesh pjesa kryesore dhe e përgjithshme nga pikërisht femrat. Në dramën e jashtëzakonshme “E Tradhëtuemja” luanin: Markeza e Sh. Justit nga Tina e Gjon Ashikut, Ema nga Angjelina e Mark Temalit, Marija nga Lezina e Pashko Cefës, Elvira nga Adelajdja e Pjetër Lekës, Lena nga Kristina e Zef Gjonej, një shërbëtore nga Katrina e Ndrekë Çefës, një rojtare burgu nga Ida e Kel Kodhelit dhe një zonjë, e luajtur nga Metilda e Kol Kakarriqit.

Zyrtarisht, me dokumenta, me lojë reale, në shfaqje të drejtpërdrejtë. Me fytyrë të zbuluar e tekst të jashtëzakonshëm, ishin fermrat e para të guximshme, familjaret e para të njerëzve të lartë të kulturës dhe artit në Shkodër, që po bënin edhe gruan, por kryesisht vajzën nxënëse që po nderonte Shkodrën. Në fund, të gjitha bashkë, luanin një valle patriotike e titulluar “Rrnoftë Shypnia” ku nxënëset e sipërpërmndura, jepnin performancën e fundit. Ishin pinjolle të familjeve patriotike dhe kështu duheshin mbyllur shfaqjet në atë kohë.

Ishte diçka që nuk mund të përsëritej, dhe që tregon në mënyrë të jashtëzakonshme nivelin e madh të qytetarisë shkodrane, dhe të lagjeve kulturore të saj.

Ishte tendenca për modernizëm, qytetërim europian dhe patriotizëm njëkohësisht. Ato janë vajzat dhe gratë e para të çmontimit të mentalitetit oriental, dhe ishin vajza të njerezve të jashtëzakonshëm të kulturës shkodrane. Unë po i bëj një homazh të vogël, pikërisht këtij brezi, që luajti rolin e madh të shkëputjes së parë nga mbyllja mbas “kafazeve dhe penxhereve” të femrës shkodrane dhe shqiptare dhe dalja e barabartë me burrin në publik. Ishin vërtetë femrat e para të teatrit dhe pjesëve të para artistike dhe kulturore në Shqipëri.

Ishin vërtetë hapa të mëdhenj në këtë drejtim. Po dhe ishin pikërisht në Shkodër. Nuk janë përmëndur shumë dhe nuk janë njohur, sepse pak është kujdesur që ato të përmënden realisht. Por emrat e tyre kanë mbetur në një poster të jashtëzakonshëm të nëntë dekadave më parë./Besi Bekteshi/Shkodra News/ KultPlus.com

Dy shqiptare zgjidhen këshilltare komunale në Zvicër

Dy kandidatet shqiptare Arbenita Shabani Zejna dhe Anita Islami kanë fituar në zgjedhjet e 7 marsit 2021 në Zvicër.

Ato do të jenë pjesë e Këshillit Komunal të Komunës Rolle, Kantoni Vaud Zvicër. Arbenita është dizajnere e modës dhe rizgjidhet për të dytën herë në këtë pozicion. Anita është 20 vjecc dhe studion për Grafik Dizajn në Lozanë.

Të dyja këto u zgjodhën këshilltare komunale për komunën Rolle, Kantoni Vaud Zvicër.

Dy shqiptaret Arbenita dhe Anita në këto zgjedhje garuan në listën e Partisë Socialiste.

Kujtojmë se edhe dy shqiptarë të tjerë fituan në zgjedhjet e 7 marsit. Musa Kamenica, shqiptar nga Kosova që jeton në Zvicër rifitoi të drejtën për të qenë pjesë e asamblesë së komunës së Lozanës. Gjithashtu edhe Ibrahim Berisha u zgjodh deputet në parlamentin komunal të vendit ku jeton./ KultPlus.com

Kosovarët zemërgjerë japin ushqim falas pasi Teksasi u godit nga stuhia e borës

Pronarët shqiptarë të restaurantit “Bella Italian”, kanë shpërndarë ushqim falas.

Kjo pasi që një stuhi e madhe e borës e ka goditur Teksasin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç raporton Fox News, Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca, kanë gatuar 500 racione.

Isufaj në një prononcim për “Fox News” të shtunën tha se ka vendosur ta bëj për t’ua kthyer nderin klientëve besnikë, pasi që sipas tij ata e kanë mbajtur gjallë biznesin e tyre gjatë pandemisë COVID-19.

“Ne kemi nisur të lidhemi më tepër me komunitetin tonë kur na goditi COVID-i. Ata vërtetë na kanë përkrahur për në një nivel tjetër”.

“Kur i ftohti rekord goditi Planon, duke lënë pjesën më të madhe të vendit pa energji elektrike, Isufaj dhe Shurreca dëshironin të përkujdeseshin që banorët të kenë së paku ushqim të nxehtë. Ata nuk kishin energji elektrike në shtëpi, kështu që shkuan në restorant për të gatuar për vete dhe vendosën të bënin të njëjtën gjë “për gjithë tjerët”.

Artikullin e plotë mund ta lexoniKËTU 

https://www.facebook.com/bellaitaliaplano/posts/3744780722224241 /KultPlus.com

Bebe Rexha: Kultura shqiptare më ka inspiruar dhe jam krenare për këtë

Bebe Rexha është njëra ndër këngëtaret e famshme shqiptare, e cila përveç që na bën krenarë, tenton ta promovoj edhe kulturën tonë, shkruan KultPlus.

Kështu së fundmi ajo nëpërmjet publikimit të disa videove në InstaStory fillimisht ka shpërndarë një këngë shqipe, duke thënë se tanimë kjo është e preferuara e saj. Tutje ajo ka vazhduar duke theksuar steriotipet të cilat krijohen për dukje në Amerikë, teksa ka shfrytëzuar rastin të flas edhe për prejardhjen e saj.

Ajo është shpreur se do të vazhdoj ta promovoj kulturën shqiptare.

“Do të ndaj me ju më shumë nga kultura ime njerëz, sepse më ka ndryshuar mua. Kultura shqiptare më ka inspiruar mua si artiste dhe jam krenare për këtë. Kështu që kjo është e gjitha që dua të them”, janë fjalët e këngëtares.

https://www.instagram.com/stories/beberexha/2456847768256722251/?igshid=1ft3f9buz4sek&fbclid=IwAR1D4lz4Y5hmeVPXP3hxhO7cSwYATBAKBqvW2DAES7-qsxjIiTRDSjE1OQk

Bebe Rexha së fundmi festoi festën e 28 Nëntorit në Nju Jork bashkë me mërgimtarët. / KultPlus.com

Ekspertët e EULEX-it tregojnë se si e identifikuan lokacionin e saktë në Serbi ku u zbuluan mbetjet mortore

Para disa ditësh në Kizhevak të Serbisë janë gjetur mbetje mortore e që dyshohet të jenë të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe në gjenocidin e kryer nga regjimi i Millosheviqit në luftën e fundit në Kosovë.

EULEX me anë të një komunikate për media ka thënë se të hënën më 16 nëntor 2020, ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje mortore në Kizhevak, ku ndodhet një gurore e madhe në Serbi.

Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. Pas disa sezonave të pasuksesshme të gërmimeve në Kizhevak, në vitin 2020 ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.

Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.

Pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi imazhet fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019.

“Ne i pranuam imazhet fotografike nga ajri në fund të vitit 2019. Mes fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, koordinatori i EULEX-it për zhvarrime Krassimir Nikolov dhe unë i kemi analizuar fotografitë. Në bazë të analizave tona ne u kthyem në atë lokacion në muajin shkurt 2020 dhe e piketuam vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni. Kjo është koha kur filloi puna gjatë këtij viti”, tha Santana.

Pas identifikimit të lokacionit, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

“Zbulimi i mbetjeve mortore në Kizhevak është një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet tona të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të më shumë se 1640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë. Çështja e personave të zhdukur është çështje e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut të afërmëve për të kuptuar se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre”, tha Zëvendës Drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto.

Formisto u bëri thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur. /Gazeta Express/ KultPlus.com

‘The Economist’ i kushton një artikull familjes mbretërore shqiptare

Revista “The Economist” i ka kushtuar një artikull familjes mbretërore shqiptare. Më 22 tetor Princ Leka dhe Princeshë Elia Zaharia u bënë prindër për herë të parë me bekimin e një vogëlusheje, të cilën e pagëzuan me emrin Geraldinë, si mamaja e Princit.

Por, “The Economist” artikullin e saj e ka titulluar “Një mbretëreshë e ardhshme e Shqipërisë?” duke e shpjeguar më të thelluar historinë e mbretërve dhe princërve shqiptarë.

Artikulli i plotë i shkruar nga revista “The Economist”:

“Më 22 TETOR Familja mbretërore e Shqipërisë ishte “e kënaqur të njoftonte” lindjen e Princeshës Geraldine. Prindërit e lumtur janë Leka Anwar Zog Reza Baudouin Msiziwe Zogu, ose më thjesht Princi Leka II, i cili pretendon fronin dhe gruaja e tij Princesha Elia, një aktore. A mund të jetë foshnja një ditë mbretëreshë?

Në vitin 1997, Shqipëria ishte i vetmi shtet ish-komunist që mbajti një referendum mbi rivendosjen e një monarkie. Një e treta e votuesve ishin pro. Babai i Princit Leka, i vetëshpalluri Leka I , i cili u kthye në atdheun e tij në 1993, marshoi në komisionin zgjedhor në Tiranë, kryeqytet, për t’u ankuar për mashtrim. Një burrë u vra në një shkëmbim zjarri që pasoi.

Sundimtari më jetëgjatë i shtetit që u shfaq pas shekujsh të sundimit Osman Osman ishte një komunist jashtëzakonisht i egër, Enver Hoxha, i cili drejtoi shqiptarët nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985. Por në mes të luftërave, ishte Ahmed Zogu, një kryetar  fisesh, i cili drejtoi shfaqjen. Nga ministri i brendshëm, presidenten deri sa u shpall mbret në 1928. Por italianët e Musolinit e pushtuan Shqipërinë më 1939 dhe e ai u largua nga vendi. Vdiq në Francë në 1961.

Mbreti Zog ishte një modernizues elementar. Disa shqiptarë i rikthehen kohës së qeverisjes së tij me një sentimentalizëm nostalgjik. Kryeqyteti, Tirana ka një statujë të Zogut dhe një Bulevard Zog. Por djali i Zogut, Leka edhe pse i gjatë si basketbollist, ishte më pak mbresëlënës. I lindur nga një aristokrate gjysmë hungareze, gjysmë amerikane (e quajtur ndryshe Geraldinë) disa ditë para largimit të Zogut nga Shqipëria, ai u rrit në Angli, Egjipt dhe Zvicër. Ai banoi, midis vendeve të tjera, në Spanjë, pastaj në Rodezi dhe Afrikën e Jugut dhe u martua me një Australiane të divorcuar. I magjepsur nga armët e zjarrit, ai padurimisht dëshironte një restaurim mbretëror. Në vitin 1979, ai u dëbua nga Spanja për shkelje të rregullave të armëve. Djali i tij vetëm lindi në Afrikën e Jugut. Në 2002, parlamenti post-komunist i Shqipërisë ftoi familjen në shtëpi,

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, thotë se Leka është “shumë i mirë” për politikën e trazuar të Shqipërisë. Kur u pyet nëse ai do të donte të ishte mbret, princi i trembur thotë me një theks të Afrikës së Jugut se “do të donte të shërbente në çdo mënyrë që të mundte”. Në rastin “teorik” të një restaurimi, do të ishte “shumë e mundur”, thotë ai, të imagjinojmë mbretëreshën e fundit të kurorëzuar Geraldine të shqiptarëve.”- ka shkruar revista “The Economist”. / KultPlus.com

Antoinette Kalaj, aktorja dhe modelja shqiptare që po merr vëmendje të madhe në Amerikë

Antoinette Kalaj ka lindur dhe është rritur në Bronx, por vjen nga një familje emigrantësh shqiptarë.

Që në vogëli Antoinette dha shenjat e para të pasionit që kishte për të performuar apo për tu marrë me modeling. Jo vetëm kaq, por zbuloi se muzika dhe aktrimi ishin gjithashtu ëndrrat e saj.

Kur ishte 17-vjeç, ajo filloi të merrej me modeling dhe ja doli të bënte fushatën e saj të parë për markën e rrobave ‘The Limited’.

Ky, dukej të ishte vetëm fillimi për një nga vajzat më të pasura shqiptare. Gjatë kohës që jetonte në Michigan, ajo nisi të merrte leksione aktrimi.

Nuk vonoi shumë dhe Kalaj u shfaq tek “Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides”, në rolin e sirenës, ku spikati dhe vendosi t’i përkushtohej aktrimit me kohë të plotë duke u zhvendosur në Los Angeles.

Projekti i radhës për të do të ishte ai në serialin e famshëm të “Gossip Girl”.

Filma të tjerë në të cilat ka marrë pjesë shqiptarja e lindur në Amerikë janë “Don Jon” në 2013-in krah aktorit Joseph Levitt dhe “Riddick” me Vin Diesel.

Antoinette duket se ja ka dalë të tërheqë vëmendjen edhe të presidentit Trump dora vetë i cili vetëm pak kohë më parë e uroi publikisht. /bw/ KultPlus.com

‘T’bana bir me hjekë mirë, m’dole dreq me hjekë keq’

KultPlus ju sjell disa thënie shumë të njohura shkodrane.

-Prej fmijës dhe budallës mësohet e vërteta.

-Fukaraja ma mirë mos leftë.

-Aj mend xixi mend, as për vedi as për kënd.

-Lype – s’ta japin; merre – s’t’thojnë gja.

-Kur s’ke pula mos ban “ish”.

-Ka thanë frati shko te shtrati n’mos t’marrtë gjumi t’pushon shtati.

-Grueja asht si gjarpni nën jastek.

-Deka me nder asht kapak florini.

Ç’ka del prej mice gjun për mij…

-Kryet thi e menden fmi.

-Zoti të dhashtë bereqet n’tru

-T’bana bir, me hjekë mirë; m’dole dreq me hjekë keq.

-Mendja e madhe e zeza e t’zot.

-Inatin e mramjes, lene për nadje…

-Gungaçit vetëm vorri ia drejton samarin…

-E han marren me bukë.

-Bane t’mirën e hidhe n’det, n’mos ta dit’t peshku, ta din Zoti vetë.

-Kur s’ka njeri mend ka kamë.

-Kmisha me arrna e trupi me barna s’mbahen.

-Vesha – kopilesha.

-Malli i mirë shitet afër.

-Kush ka mik ka çiflik. / KultPlus.com

Ushtarja shqiptaro-zvicerane nderohet me shiritin për shpëtim jete

Ajo e ka shpëtuar një nga gjakderdhja duke përdorur rripin e saj të uniformës.

Shiriti për shpëtim jete me përkushtim të guximshëm i është dorëzuar nënoficeres zvicerane me prejardhje shqiptare. Antigona Kalimashi ishte personi i parë që ka marrë deri sot një shirit CdA, thuhet në një njoftim të publikuar në një postim në faqen e FB-së të Ushtrisë së Zvicrës.

Ky çmim i dhënë asaj nga Shefi i Ushtrisë, për Arritje të Jashtëzakonshme, iu dorëzua nënoficeres së lidhjeve nga Shkolla e Shpëtimit 75 për një veprim të saj të guximshëm, transmeton albinfo.ch.

Antigona Kalimashi kishte shpëtuar një grua që kishte rënë para rrotëve të trenit në stacionin hekurudhor në Freiburg. Ajo e ka shpëtuar gruan nga gjakderdhja duke përdorur rripin e saj të uniformës. /albinfo.ch /KultPlus.com

Dy motrat shqiptare pas Harvardit në Oxford, kapin majat në shkencë

Duket se dy motrat binjake, Detina dhe Argita Zalli vazhdojnë të na bëjnë krenarë me arritjet e tyre në fushën e shkencës. Së fundmi motrat i janë dedikuar punës për të zbuluar ilaçin e kancerit. Në një intervistë për mediat angleze, Detina dhe Argita kanë treguar se do të zhvendosen në Oxford ku do të ndihmojnë doktorët për të gjetur ilaçin e kancerit, transmeton albinfo.ch.

Image result for Detina dhe Argita Zalli

Dy motrat Detina dhe Argita Zalli në vitin 1999 emigruan si shumica e shqiptarëve duke shkuar në Angli.

Meqenëse binjaket nga Patosi sot kanë arritur majat e shkencës botërore dhe po ngrenë lart emrin e Shqipërisë, sa në Britani aq edhe në SHBA, së fundmi ato i janë dedikuar punës për të zbuluar më shumë rreth kancerit.

“Unë dhe motra ime jemi të dyja shkencëtare. Ne erdhëm në Britani nga Shqipëria. Shkenca ishte shpëtimi ynë. Ajo hapi horizontet tona drejt diçkaje më të madhe. Kur erdhëm këtu e nisëm nga zero por falë zotit ishim dy dhe kjo ishte forca jonë”, rrëfen Argita.

Image result for Detina dhe Argita Zalli

“Ne ishim studente të mira dhe u vlerësuam nga mësuesit tanë të cilët na dhanë krahë për të fluturuar. Pas Britanisë, u zhvendosa në SHBA ku u pronova në Universitetin e Harvardit. Isha një nga shkencëtaret më të reja dhe prej andej lindi ideja e themelimit të ‘ Në flasim shkencë’ për të zhvilluar shkencën dhe mjekësinë jo vetëm në Britani dhe SHBA por edhe në komunitetete të tjera, si Shqipëria.”, shprehet Detina, shkencëtarja dhe pedagogia në Harvard, e cila tregon planin e rradhës.

“Ne bëjmë bashkë studentët nga e gjithë bota. Hapi i radhës është të zhvendosem në Oxford ku unë do mësoj doktorët më shumë rreth kancerit për të gjetur një ilaç më të mirë dhe për ndihmuar të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje. Kontributi jonë është të bëjmë shqiptarët të ndihen më shumë pjesë e komunitetit të shkencëtarëve. Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur”.

“Ne po ashtu, kemi mbajtur konferencë në Shqipëri ku kemi prezantuar kërkimet që kemi bërë në shkencë dhe ky është kontributi jonë, të bëjmë shqiptarët të ndihen më shumë pjesë e komunitetit të shkencëtarëve. Gjithashtu shqiptarët të ndihen më shumë europianë. Shqipëria ka përparuar, është bërë progres i mirë dhe po lëviz në drejtimin e duhur”,  tha Detina. /Albinfo.ch, /KultPlus.com

Disenjatoret shqiptare në fokusin e gazetës ‘Washingtonian’ dhe televizionit ‘Fox’

Të suksesshme në punën e tyre janë edhe dy vajza shqiptare të cilat kanë marrë vëmendjen e gazetës “Washingtonian”, përcjellë KultPlus.

Gazeta “Washingtonian” ka përmendur në artikullin e saj, duke e cilësuar si një vend të veçantë dhe ide që prodhon sukses, sipërmarrjen e dy emigranteve shqiptare në Washington SHBA, Amy dhe Zoja Bitiçi.

Dizenjatorja me 30 vjet eksperiencë, Zoja Bitiçi nga Shqipëria, ka mbaruar Insitutin e Teknologjisë së Modës në New York. Ndërkohë Amy Bitici, ka eksperiencë në fushën e biznesit dhe dizajnit, dhe të dyja së bashku, e kanë çuar këtë sipërmarrje drejt një eksperience globale.

Ky kombinim ka bërë që produktet e tyre, të paraqiten në stacionin televiziv “Fox 5” në Washington me titull: Rikthehet eksperienca e fustaneve të nusërisë në Washington.

Më poshtë po ju sjellim edhe artikullin e plotë të gazetës “Washingtonian”: https://www.washingtonian.com/2017/01/30/new-york-style-meets-london-attitude-zoyas-atelier/?fbclid=IwAR2MtMgVgxrYXbWigMBMD4ohxK3PC2Y–zTztZ7AvsnCTw3-B6akGPBsbCc . / KultPlus.com

Afërdita Bogiqi, zëri i shqiptarëve në parlamentin zviceran 

Më 20 tetor në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ku votuesit do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për në Parlament dhe në Senat (Dhomën e Shteteve).

Materiali zgjedhore kanë arritur dhe që tani mund të votohet përmes postës. Shqiptarët në Zvicër (rreth njëqind mijë me pasaportë zvicerane) nuk mund të rrinë indiferentë ndaj këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, një pjesë e tyre kanë zgjedhur t’i futen politikës për të qenë pjesë aktive e vendim-marrjes politike në këtë vend.  Jo të paktë, janë ata që sot janë këshilltarë komunalë dhe deputetë në nivel parlamenti kantonal. Por, deri më sot, askush nuk ka arritur të zgjidhet në parlamentin federal .

A do të ndryshojë kjo me zgjedhjet e 20 tetorit 2019 ? Në një intervistë për ATSH-në, Afërdita Bogiqi, kandidate për deputete  në parlamentin zviceran, thekson se “shqiptarët janë integruar në fusha të ndryshme te jetës në Zvicër dhe kjo është një kënaqësi për mua. Megjithatë, arena politike, me disa përjashtime të vogla, mbetet hapësirë ku ata  ende nuk janë të pranishëm”.

“Sa më shumë shqiptarë kompetentë të zgjidhen dhe të angazhohen në fushën politike, kjo do të kontribuojë në ndërtimin e një imazhi edhe  më pozitiv të shqiptarëve në Zvicër. Ajo që unë do të mbroj si politikane, janë vlerat si solidariteti dhe fakti që qytetari duhet te jetë në qendër të vëmendjes politike”, shprehet Bogiqi.

Një paraqitje e shkurtër e rrugëtimit tuaj? Kush është Afërdita Bogiqi? Formimi juaj arsimor e profesional? Angazhimi juaj në politikë?

Afërdita : Në përfundim të studimeve të mia pranë Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, gjatë vitit 1996 erdha dhe u vendosa në Valis me një qëllim : mësimin e gjuhës për të vazhduar studimet në Zvicër. Në të njëjtën kohë gjendja në Kosovë u përkeqësua ekonomikisht dhe politikisht. Familja ime sikur shumë familje në Kosovë, kishte nevojë për mbështetjen time financiare. Me që urgjenca ishte të kualifikohem sa me shpejtë per tregun zviceran të punës , u diplomova në shkollën komerciale në Montreux për të punuar pastaj si kontabiliste në administratën kantonale të Valais gjatë 9 viteve. Një trajnim në financa dhe kontabilitet , më  ndihmoj t’i zgjeroj kompetencat në këtë fushë.  Gjatë kësaj kohe, në sajë të zotërimit  gjuhës frënge dhe njohjes së administratës zvicerane kantonale dhe federale,  munda të  ndihmojë shumë bashkatdhetarë të mi gjatë veprimeve të tyre administrative.

Në vitin 2014, përfundova një Bachelor për punë sociale (Bachelor en Travail social) në HES-SO ne Sierre ne Valis. Po të njëjtën kohë punoja 60% si assistente sociale dhe kujdesesha per familjen time ne Zvicër dhe në Kosovë. Pas një përvoje pune 10 vjeçare si asistente sociale në qytete te ndryshme të Valisit,  kam mbaruar një Master për  punë sociale ne HES-SO në Lausanne. Paralelisht me studimet e Masterit, kam kryer një DAS (Diploma of Advanced Studies) për arsim dhe ka  dy vite që  punoj si profesoreshë për ciklin shkollor të mesëm.

Pjesëmarrja juaj  në këto zgjedhje është një dëshmi se shqiptarët në Zvicër nuk janë spektatorë indiferentë të zhvillimeve politike por  se ata po bëhen  pjesë aktive dhe e rëndësishme e shoqërisë zvicerane duke u përpjekur që gjithnjë e më shumë të jenë pjesë e vendim-marrjes politike. Çfarë e frymëzoi Afërdita Bogiqin që të paraqitet si kandidate në këto zgjedhje ?

Shqiptarët janë integruar në fusha të  ndryshme te jetës në Zvicër dhe kjo është një kënaqësi për mua. Megjithatë, arena politike, me disa përjashtime të vogla, mbetet hapësirë ku ata  ende nuk janë të pranishëm. Angazhimi im në politikë( i takoj krahut të majtë) ka qenë i natyrshëm pasi që  edhe më parë kam qenë dhe jam e angazhuar në shoqata dhe komisione te ndryshme të nivelit  lokal dhe kantonal. Edhe pse pushteti politik ne Zvicër është rezultat i një konsensusi midis partive  politike të ndryshme, më pëlqen fakti te bëhem pjesë e vendimmarrjes politike në Zvicër.

Cilat janë çështjet që i  keni më përzemër për të cilat  do të angazhoheni nëse zgjidheni në parlamentin federal? 

Ajo që unë do të mbroj si politikane, janë vlerat si solidariteti dhe fakti që qytetari duhet te jetë në qendër të vëmendjes politike. Më konkretisht, e përkrah iniciativën për të kufizuar shpenzimet e sigurimeve shëndetësore në 10% të të  ardhurave. Jam që të gjithë të kenë shanse të barabarta në punësim, shkollim etj dhe jam kundër diskriminimit që u bëhet në punësim sidomos të rinjve me origjinë të huaj e në këtë rast edhe të rinjve shqiptarë.

Shqiptarët në Zvicër janë të shumtë që kanë dy-shtetësinë dhe si rrjedhojë edhe të drejtën e votës. Së pari, pse qytetarët shqiptaro-zviceranë duhet të votojnë në këto zgjedhje  dhe së dyti, a mund te themi, edhe pse kandidate e një partie politike zvicerane, megjithatë do të jeni një zë i shqiptarëve në parlamentin zviceran ? 

Së pari, të votosh është një akt qytetar dhe kjo u mundëson qytetarëve shqiptarë-zviceranë të integrohen plotësisht në shoqërinë e këtij vendi, pra edhe në aspektin politik.  Së dyti, sa më shumë shqiptarë kompetentë të zgjidhen dhe të angazhohen në fushën politike, kjo do të kontribuojë në ndërtimin e një imazhi edhe  më pozitiv të shqiptarëve në Zvicër. Kjo do  ndikonte  në sensibilizimin e shoqërisë dhe autoriteteve  ndaj çështjeve të  diskriminimit gjatë kërkimit të një pune, banese, regjistrimit në një shkollë , si dhe në situata të tjera  të përditshme. / atsh / KultPlus.com

Mbrëmje e veçantë kulturore shqiptare në Koln

Me edicionin e dytë të mbrëmjes letrare “URACult Literae”, shoqata kulturore URACult nga Köln-i ofroi edhe një herë një mbrëmje të veçantë kulturore.

Me autoret Lindita Arapi dhe Anita Rafuna, URACult-i kishte ftuar dy autore gjeneratash dhe zhanresh të ndryshme, por edhe temash të ndryshme të veprave të tyre, shkruan albinfo.ch.

Lindita Arapi, autorja e romanit “Vajzat me çelës në qafë”, pjesë nga i cili u lexuan në këtë mbrëmje, solli një temë të dhimbshme të së kaluarës shqiptare: vuajtjet e popullit gjatë diktaturës komuniste të cilës nuk i shpëtuan as më të vegjlit, siç ishte protagonistja Lodja.

Edhe në bisedën me moderatoren e autorja Arapi shpalosi shumë kujtime dhe përjetime të saj dhe familjes së saj gjatë diktaturës, periudhë me të cilën shoqëria shqiptare ende nuk ka filluar përballjen. As viktimat e as ish-anëtarët e aparatit diktatorial shtetëror.

Emocionale dhe rrëqethëse ishte edhe paraqitja spontane e aktorit Kasem Hoxha. Ai recitoi poezinë “Vertikal” të Petrit Palushit për historinë e dhimbshme të poetit Havzi Nela. Edhe ky viktimë e diktaturës së tmerrshme komuniste.

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj. Leximi i saj nga vepra “Vrapuesja” e shkruar me shumë fantazi u prit shumë mirë nga publiku.

Sidomos dy tekstet e saj në “poetry slam” me tema interesante u duartrokitën gjatë nga të pranishmit të cilët nuk kursyen me lëvdata dhe falënderime edhe për organizatorët të cilët edhe një herë ofruan një organizim kulturor të nivelit të lartë./ KultPlus.com

Në familjen shqiptare të Novi Pazarit

Të njohur historikisht për zanatet e punimit të arit dhe argjendit nuk është çudi që në qytetin e vogël të Novi Pazarit, aktualisht me më pak se 100 mijë banorë të gjesh një rrugë të tërë me dyqane aksesorësh të çmuar, ku rruga e pamirëmbajtur bën kontrast me luksin e vitrinave.

Në dyqanin “Smaragd” (Smerald) pronari Redzep Škrijelj thotë se këto kohë krize ekonomike nuk janë aq të mira për stolitë. Megjithëse hyrje-daljet e njerëzve dhe interesimi për unaza, varëse, vathë e byzylykë tregon se vendasit kanë uri për objektet e metaleve të çmuara.

“Mbiemrin e kam Shkreli”

Škrijelj, profesor në Historinë Orientale në Universitetin e Novi Pazar, thotë se ky lloj biznesi është edhe pasioni i tij. Duke folur shqip dhe maqedonisht, pasi mëson kombësitë tona, ai rrëfen se familja e tij prej Peshterit, një fshat malor në rajonin e Rashkës, e kanë origjinën shqiptare.

Kthehet duke treguar një fotografi të varur në murin e dyqanit ku një malësor me qeleshe kullot bagëtitë. “Unë mbiemrin e kam Shkreli dhe familja ka emigruar prej Koplikut” –zbulon Škrijelj. Pasi u vendosën në rajonin e Rashkës, familja e tij u nis të emigronte drejt Turqisë. Me shpresën se mund të merrnin një vizë në Shkup, mbetën aty për vite. “Unë shkollën fillore, të mesmen dhe univertitetin e kam kry’ në Shkup”, zbulon historiani, ndërsa shton se zanatin e punimit të arit dhe argjendit e mësoi në Shkup. Më pas familja vendosi të kthehej edhe njëherë në Novi Pazar, ku bashkë me të vëllain Nexhibin zotërojnë dy dyqane stolish.

Në Prizren kam mësuar si punohet

Disa prej aksesorëve janë të punuara me dorë prej tij. “Por jo të gjithë janë punime dore, pasi pak interesohen për to”, thotë, ndërsa shpjegon procesin e punimit të stolive me shtampa të gatshme, por të gjitha të prodhuara në qytet.

Prej banakut, të mbështjellë në cohëra të kadifenjta nxjerr disa stoli me motive të vjetra, punuar me filigran. “Këto janë të gjyshes. Sot zor se gjen ndokënd që i prodhon. Asht’ shum’ v’shtir. Ama Tirana, Shkodra dhe Prizreni jan’ njoft për filigranin. N’Prizren kam msue’ shumë si punohet” , thotë Škrijelj, ndërsa tregon se bashkëshorten e ka marrë prej Prizrenit. “Por nuk e flet gjuha shqipe, flet gjuha turke”.

Të parët ….pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake

Thotë se në familjen e tij kanë folur shqip dhe kur e pyesin ai thotë se ndihet nëntëdhjetë përqind shqiptar dhe dhjetë përqind boshnjak, pasi shpjegon sesi të parët e tij pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake. Pasi të ketë mbyllur dyqanin në rrugën e stolive, thotë se do të merret me organizimin e një eventi të rëndësishëm për të gjithë boshnjakët.

“Sot me 20 të nandorit asht’ dita e Sanxhakut dhe asht’ shumë me randsi. Sot do të kemi nji kremtim, kurse nesër asht’ nji mbramje kushtu’ poezisë boshnjake” , thotë Škrijelj, duke zbuluar se është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Novi Pazar. “Ka shumë shqiptar’t mes boshnjakve. Ngaqë kanë harru’ gjuhën janë deklaru’ si boshnjakë”, rrëfen profesori ndërsa bën një rrugëtim në histori, duke përfunduar se gjuha është një element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit./DW

Vdes regjisorja shqiptare Drita Agolli

Ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare, regjisorja e njohur shqiptare Drita Agolli.

Drita Agolli (Strazimiri) lindi më 2 qershor të vitit 1927 në Maqellarë të Peshkopisë, ishte aktore, regjisore dhe pedagoge e njohur shqiptare.

Në vitin 1950 filloi punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951. Në 1954 Drita Agolli ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, Rumani, për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator të 1956 vijon studimet e larta në ish Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin e Lunaçarskit për regji teatri. Pasi diplomohet në atdhe, në 1960 emërohet në Teatrin Popullor, si aktore, por pas vitit 1963, e emëruar tashmë regjisore në Teatrin Kombëtar, ve në skenë disa pjesë të suksesshme të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare.

Ndër rolet e saj janë Marieli te “Zëri i Amerikës”, Bianka tek “Otello”, Gertruda te “Hamleti”, Klea te “Dhelpra dhe rrushtë”, Ortensia te “Zonja e Bujtinës”, Drita te “Mbi gërmadhat”, Anarda te “Qeni i kopshtarit”, Elena Andrejevna te “Qeni i kopshtarit”, etj.

Si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar disa vepra, si “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Tokë e zjarrtë”, “Lumi i vdekur”, “Pabesia”, “Luiza Miler”, “Familja e peshkatarit”, etj. Në vitin 1974, ajo u emërua shefe e Katedrës së Dramaturgjisë në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura.

Ceremonia e varrimit për aktoren e regjisoren e mirënjohur do të zhvillohet të enjten në orën 14:00. / KultPlus.com