Mirëpritet caktimi i lokacionit për vendosjen e shtatores së Anton Çettës

Ka më shumë se një vit që është përfunduar shtatorja e veprimtarit të njohur, Anton Çetta, por që fatkeqësisht ka mbetur pa lokacion. Por, ditë më parë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se do të propozojnë në Kuvendin Komunal që kjo shtatore të vendoset në parkun në mes të Fakultetit Filologjik dhe Katedrales. Megjithatë, ky vendim u konsiderua i vonuar.

Ani pse është  përfunduar në tetor të 2018-tës, shtatorja e profesorit dhe veprimtarit të njohur, Anton Çetës vazhdon të qëndrojë e mbyllur në atelienë e autorit të saj, Agon Qosa, si pasojë e mungesës së lokacionit.

E ditë më parë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se do të propozojnë në Kuvendin Komunal që kjo shtatore të vendoset në parkun në mes të Fakultetit Filologjik dhe Katedrales.

Këtij lajmi iu gëzua Riza Krasniqi nga Këshilli Organizativ për vendosjen e shtatores së Anton Çettës, megjithatë e quajti të vonuar.

“Edhe sot mendojmë se lokacioni para Institutit Albanologjik do të ishte më i përshtatshëm, por edhe këtë lokacion e pranojmë që e ka caktuar Komuna e Prishtinës dhe i falënderojmë. Profesor Anton Çetta është ndër figurat më madhore të kombit tonë dhe mendojmë që caktimi i lokacionit do të ishte vonuar edhe sikur të caktohej dje e pardje e lëre më sivjet që është 100 vjetori i lindjes. Po e presim këtë vit pa shtatore dhe pa kompleks të veprave të tij”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Riza Krasniqi.

E shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Anton Çettës pa vendosjen e shtatores së tij, Krasniqi e quan të turpshme.

“Mendoj se është shumë e turpshme pasi është ndër lëvizjet më të ndershme në historinë tonë kombëtare. Lëvizja e Çettës ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme”, deklaroi ndër të tjera Riza Krasniqi.

Rikujtojmë se oborri i Institutit Albanologjik të Kosovës ishte parë i përshtatshëm si lokacion nga Këshilli Organizativ për vendosjen e kësaj shtatoreje, kërkesë kjo që është refuzuar./KultPlus.com

Një qind vjetori i Çettës pa asnjë aktivitet, shtatore e komplet veprash

Më 8 mars 1994, forcat policore serbe gjithë hakërrim do të mësynin ngrehinën e Institutit Albanologjik. Grupe me policë civilë e aso të armatosur gjer në dhëmbë nuk kursyen as stafin akademik të Institutit, shkruan Koha Ditore.

Prej dhunës kishte pësuar lëndime jo të vogla në kokë, dorën e majtë e shpinë edhe Anton Çetta. Por emri i tij tashmë kishte kapërcyer atë të një studiuesi, që prej dekadash po sistemonte lëndën e pasur të folklorit shqiptar.

I dashur për të gjithë, Plaku i urtë, siç njihej ai në popull, bashkë me “Komitetin Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve” ia kishte dalë mbanë që të pajtonte mbi 900 gjaqe. Kështu ishin shpëtuar jetët e rreth katër mijë familjeve të hasmëruara në Kosovë. Të premten, ai do t’i mbushte 100 vjet.

Por, Instituti Albanologjik dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në përvjetorin e tij jubilar. Shtatorja e Çettës e derdhur në bronz qysh në tetor të 2018-s, edhe për një kohë do të qëndrojë në atelienë e skulptorit ferizajas Agon Qosa.

Por pas tre vjet mosmarrëveshjesh mes Institutit Albanologjik dhe Komunës së Prishtinës, gjërat më në fund duket se do të marrin epilog.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar zyrtarizimin e caktimit të lokacionit te Fakulteti i Filologjisë. Siç ka raportuar gazeta, një opsion i tillë qe përmendur qysh në shkurt të vitit të kaluar./KultPlus.com

Shtatorja e Anton Çetës në pritje

Skulptori Agon Qosa tashmë ka përfunduar shtatoren e Anton Çetës. Mirëpo kjo e fundit ka mbetur në atelenë e tij, për shkak që akoma nuk është caktuar lokacioni.

Ndërkohë edhe kompleti i librave të veprimtarisë së tij, akoma ka mbetur i papërfunduar. E buzëqeshur e me një dorë të zgjatur si për pajtim, ka muaj që shtatorja e Anton Çetës, po qëndron e përfunduar në atelenë e skulptorit, Agon Qosa.

Më 22 tetor është bërë pranim-dorëzimi i shtatores, mirëpo lokacion për të nuk ka. Qosa nuk e di edhe sa ky punim do të qëndrojë i mbyllur në atelenë e tij. Muaj më parë, ishte kundërshtuar ideja që kjo shtatore të vendoset para Institutit Albanologjik. Ndryshe nga skulptori, nga Instituti akoma vlerësojnë se hapësira është e vogël. Sipas sekretarit shkencor të Institutit Albanologjik, Lulëzim Lajçi, për Anton Çetën ata kanë bërë diçka edhe më të madhe.

Por për këtë komplet prej 13 veprash, nuk u ndanë mjetet nga MASHT’i, sipas Lajcit. E ministri i tashëm i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se ka pasur disa problem të tjera. Ndërsa për shtatoren e Anton Cettës, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se të hënën e javës së ardhshme do të propozohen disa lokacione ku të vendoset shtatorja para grupit nismëtar./KultPlus.com