Rita Ora gatuan pite në Tiranë (VIDEO)

Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore ka vizituar sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave, shkruan KultPlus.

“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Ora.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke thënë se është mirënjohës të gjithë atyre që punojnë me fëmijët dhe familjet në nevojë, që u shërbejnë çdo ditë me përkushtim.

“Më vjen mirë që Rita ishte sot këtu, si Ambasadore e UNICEF-it, për të inkurajuar çdo punonjës social dhe punën e mirë që bëjnë qendrat tona sociale”, ka shkruar Veliaj.

Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyrueshme të fëmijëve. Po ashtu, nuk mungoi pjesa kur edhe vetë Ora gatuan pite.

Çdo fëmije duhet t’i sigurohet përkujdesja dhe një mjedis i sigurt për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimin dhe argëtimin. Kjo është ajo që ofrohet në “Shtëpinë e Ngjyrave”. Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore. / KultPlus.com