Shukri Gërxhaliut i ndahet “Çmimi për Guxim – Vasfije”

Në shënimin e 24 vjetorit të themelimit, QKRMT ndau çmimin vjetor “Çmimin për Guxim – Vasfije” (Vasfije Courage Award), për të shprehur mirënjohjen ndaj personave të shquar, që me punën dhe angazhimin e tyre, kanë dhënë kontribut të çmuar në mbështetje të kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  

Këtë vit, QKRMT në përkujtim të jetës dhe veprës së Dr. Shukri Gërxhaliut do ta nderojë atë me “Çmimin për Guxim – Vasfije” (Vasfije Courage Award), dedikimi dhe përkushtimi i të cilit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë dhe pas luftës ishte i patejkalueshëm.

“Çmimin për Guximi Vasfije” (Vasfije Courage Award) iu nda Dr. Shukri Gërxhaliu, mjek në luftë dhe në paqe, i cili dha kontribut të çmuar për drejtësi. Dr. Gërxhaliu përveç që kishte trajtuar shumë të mbijetuar të dhunës seksuale të kohës së luftës, ai ishte dëshmitar në proceset gjyqësore për krimet e luftës. Para vdekjes së tij, ishte njëri ndër dëshmitarët në procesin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës e cila triumfoi në procesin gjyqësor kundër Zoran Vukotiq.

Dr. Shukri Gërxhaliu, ndërroi jetë më 26 shtator 2023. Trashëgimia që Dr. Gërxhaliu la pas, nuk kufizohet vetëm në trajtimet mjekësore, por rrezaton edhe në mirësinë dhe dhembshurinë e thellë që ai ndau me çdo pacient. Doktor Gërxhaliu, na kujton të gjithëve fuqinë e njerëzimit për të shëruar dhe për t’u ngritur edhe në kohërat më sfiduese, prandaj ky çmim i ndahet për të kujtuar veprat dhe kontributin e tij për të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cili foli për mbështetjen e vazhdueshme institucionale për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës; kontributin e pashoq të Gërxhaliut në ofrimin e ndihmës profesionale dhe njerëzore për të mbijetuarit; si dhe përkushtimin që QKRMT-ja ka treguar ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale qysh nga koha e menjëhershme e pasluftës duke shërbyer si derë e vetme ku të mbijetuarat gjetën rehabilitim, ngushëllim dhe shërim për vuajtjet që kishin përjetuar.

Ndërsa familjarët e Dr. Shukri Gërxhaliu të cilët pranuan çmimin, shprehën mirënjohjen ndaj QKRMT-së për nderimin e jetës dhe veprës së Dr. Gërxhaliut, duke ndarë dhe evokuar momente të veçanta nga puna sa fisnike, po aq edhe unike e Gërxhaliut.

Falënderojmë mediat për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës. / KultPlus.com

Vdes mjeku dhe ish-ushtari i UÇK-së, Shukri Gërxhaliu

Ka vdekur sot, në moshën 70 vjeçare, doktori dhe ish-ushtari i UÇK-së, Shukri Gërxhaliu.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarët të cilët edhe kanë njoftuar se varrimi bëhet nesër me kohë të drekës në Studime të Vushtrrisë.

Më 20 shkurt të këtij viti Dr. Shukri Gerxhaliu, u nderua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me Medaljen Presidenciale te Meritave për kontributin e dhënë gjate luftës në Kosovë.

Për ndarjen nga jeta të Gërxhaliut kanë reaguar edhe nga Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës – QKRMT ku përmes një statusi në rrjetet sociale janë shprehur se Gërxhaliu ishte një individ i jashtëzakonshëm, një mjek i cili më përkushtim, dhembshuri e humanizëm preku jetët e individëve të panumërt gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Tutje nga QKMRT janë shprehur se Gërxhaliu ilustron vlerat e vetëmohimit dhe ndjeshmërisë, duke shkuar përtej ofrimit të kujdesit, duke qenë edhe ngushëllim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky është postimi i plotë nga QKRMT:

Në kujtim të mjekut z. Shukri Gërxhaliu

Sot, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të një individi vërtet të jashtëzakonshëm – një mjeku, përkushtimi, dhembshuria dhe humanizmi i të cilit preku jetën e individëve të panumërt gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Si bashkëpunëtor i QKRMT-së, z. Gërxhaliu ilustron vlerat e vetëmohimit dhe ndjeshmërisë, duke shkuar përtej ofrimit të kujdesit, duke qenë edhe ngushëllim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përpjekjet e tij të palodhura dhe angazhimi i palëkundur ofruan shpresë dhe ngushëllim për ato dhe ata që kishin duruar vuajtje të paimagjinueshme.

Trashëgimia që z. Gërxhaliu la pas, nuk kufizohet vetëm në trajtimet mjekësore, por rrezaton edhe në mirësinë dhe dhembshurinë e thellë që ai ndau me çdo pacient. Doktor Shukriu, na kujtuan të gjithëve fuqinë e njerëzimit për të shëruar dhe për t’u ngritur edhe në kohërat më sfiduese.

Kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemrat tona dhe trashëgimia e tij e humanizmit do të vazhdojë të na frymëzojë.

U prefsh ne paqe i nderuar doktor. Do të na mungosh thellësisht, por trashëgimia juaj e dashurisë dhe humanizmit do të vazhdojë të gjallërojë tek të gjithë bashkëpunëtorët tuaj dhe gjithë ata të cilëve ju keni dhënë ndihmë dhe shpresë në kohërat më të vështira. / KultPlus.com