Fati individual, si fat kolektiv në veprën “Lum Lumi” të Ali Podrimjes

Shkruan: Arbër Malota

Letërsia bashkëkohore shqipe, me theks të veçantë ajo që zhvillohej në Kosovë, gjatë viteve ’70 e ’80 ka arritur zenitin e saj në kuptimin e përparimit në stil, formë, diskurs, në zgjerimin e problematikave, në trajtimin e koncepteve universale si jeta, vdekja, dashuria, dhembja etj. Me aq sa ka pasur mundësi, autorët kanë arritur të depërtojnë përtej një norme të imponuar nga regjimi në Shqipëri e robëria në Kosovë dhe vise tjera që u lanë jashtë trungut amë. Krijuesit nga Kosova, duke shfrytëzuar një mundësi lëvizjeje, ranë në kontakt me letërsinë bashkëkohore perëndimore por edhe atë që zhvillohej në Shqipërinë e regjimit komunist. Pra, ata patën mundësi që ta avancojnë nivelin artistik të krijimtarisë letrare por duke e ruajtur traditën kombëtare që lidhej me lashtësinë dhe të kaluarën si shenjë e kujtesës se autoktonisë dhe përkatësisë etnike e kulturore.

Një nga autorët më eminentë shqiptarë që i siguruan poezisë shqipe një nivel të lartë artistik, është pa dyshim, Ali Podrimja. I lindur dhe rritur në Gjakovën e Rafshit të Dukagjinit, Podrimja u ngrit intelektualisht përmes një tradite që mbeti përgjithmonë në shtresat e vetëdijes së tij duke u reflektuar në krijimet e tij. Autor i mbi njëzetë veprave poetike e eseistike, ai arriti ta lë një krijimtari që qëndron në lartësinë më të madhe të letrave shqipe. Ai la vepra si: Thirrje, Dhimbë e bukur, Sampo, Torzo, Fundi i gëzuar, Ishulli Albania, Pikë e zezë në blu, etj. Mirëpo vepra që është subjekt i këtij trajtimi dhe njëherësh edhe një nga kryeveprat e Podrimjes është Lum Lumi.

Tërë krijimtaria e Podrimjes është e veçantë për nga brendësia e saj. Duket sikur autori jep në secilën poezi dhe secilin varg të kaluarën e tij, konkretisht duke e përballuar pambarimisht fatin intim e kolektiv. Në të vërtetë, i tillë ishte fati i poetit duke mbetur qysh herët pa prindër, sikundër do ta ndiente të njëjtën gjë edhe për Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, deri në fundshekullin XX. Janë këto dy koncepte, individualja e kolektivja që do ta bashkëdyzojnë krijimtarinë e tij duke shpërfaqur dhembjen, forcën, traditën dhe shumë koncepte tjera sa universale aq edhe unikate. Studiuesi Ali Aliu me të drejtë konstaton se: Në këtë kontekst të fatit të vet dhe atij kosovar, poetin do ta godasë edhe fatkeqësia e quajtur Lum-biri, të cilin ia rrëmben vdekja, në moshën e re. Përballë këtij mozaiku të fatit kosovar dhe podrimjan, poeti Podrimja do të zhvillojë një luftë stoike, me vullnet të ndezur, duke i përballur të gjitha goditjet e fatit individual e kolektiv[1]Kjo na jep të drejtë të konstatojmë se poezia e tij ka pasur ngjyrat e misionares: të jetë një zë i dhembjes kolektive që mund t’i ngjasojë shpeshherë misioneve të tipit të Don Kishotit, të llojit të vet, por zëri i dhembjes duhet të jetë thellësisht tronditës dhe bartës i dhembjes së të gjithëve.

Vepra Lum Lumi, përveç tjerash mund të quhet edhe nevojë e poetit që të plotësohet si krijues, ndonëse ai në vazhdimësi ka arritur ta përsosë formën e përmbajtjen e poezisë. Pikërisht, duke arritur ta plotësojë veten, autori ka synuar ta përsosë edhe veprën në fjalë, duke e rishkruar e ribotur disa herë, siç shprehet edhe vetë: Kam dëshiruar ta “shpritërojë” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin[2]. Në rrafshin kompozicional, vepra ndahet në shtatë cikle, të cilat janë shtuar me rishkrimet e ribotimet e veprës: Buzë ujit të madh, Të jetosh, Vdekja dhe Lumi, Në mbretërinë e humbur, Hyrje në tempull, Pastërti njerëzore dhe Kërkoj njeri. Autori duke dashur ta mbajë gjallë kujtimin për të birin, e ka rishkruar veprën Lum Lumi dhe kështu ai e ka ripërtrirë artin poetik, duke e avancuar jo vetëm strukturën e vargut por edhe artin e fjalës. Rrjedhimisht, do t’i referohemi botimit të fundit, të vitit 2012, që u botua pas vdekjes, duke konsideruar se autori tashmë e kishte dhënë fjalën e tij të fundit mbi këtë vepër që prek problematika individuale, kolektive e universale.

Duhet theksuar se kjo vepër është shkruar në pjekurinë më të madhe artistike e poetike të vetë poetit. Ai tanimë, e kishte krijuar identitetin e tij qoftë poetik, qoftë intelektual. Shpeshherë poetët, duke e përshkruar një dukuri që ka prekur vetëm personalitetin e tij ose dikë që e ka pasur epitetin e të veçantit, kanë gjetur shpjegimin mbi dukuritë dhe ngjarjet që mund ta kenë goditur, ose në të njëjtën kohë, ose më herët, ose më vonë, tjetrin, shoqërinë dhe botën me të cilën rrethohemi. Zgjidhja është parë te fati, si vulë e përjetshme që e etiketon qenien njerëzore, si mëkati i rrjedhshëm apo edhe si fundi i domosdoshëm, deri në kalimin e qenies në forma e dimensione tjera të ekzistencës ose drejt zhbërjes materiale, për t’i ngjasuar zanafillës. Për Podrimjen, shpirti nuk ka të bëjë me qenien materiale, sepse qenia i nënshtrohet fatit, ndërsa shpirti e siguron përjetësinë. Kjo vepër shënoi një moment kthese në poezinë e sotme kosovare[3].

Andaj edhe kjo vepër, edhe përkundër vdekjes së të birit, mbi kujtimin dhe jetën e të cilit është shkruar ajo, synon ta shtjellojë këtë gjë, pra përjetësinë, duke trajtuar fatin si komponenten kryesore që mund ta zgjidhë dilemën e ekzistencës. Rikthmi i kujtesës, që korrespodon me ribotimet e veprës dhe ndërhyrjet e poetit, na shpjegon se Podrimja ka dashur ta bëjë një vepër lapidar të një vuajtjeje atërore.

1. Dhembja njerëzore njëjtësohet me dhembjen e kombit

Vepra prek e shtron dilemën e ekzistencës. Studiuesi Sali Bashota me të drejtë shprehet se: Duke zbërthyer poetikisht kuptimin ekzistencialist të jetës, poeti gjithnjë i situon shenjat e fatit të qenies njerëzore. Dhe ideja, motivi, tema etj., herë metaforizohen, herë simbolizohen përmes shtresash ironike për të mbërritur kulmin e protestës, të zemërimit poetik të përsëritur më vonë te poetët tjerë në poezinë e sotme shqipe[4]Së pari vepra bëhet zotëruese e dilemës hamletiane, ku vihet në peshore ekzistenca dhe mbarimi i jetës mbi maksimën e veçantë: Të jesh a të mos jesh?!. Kësaj i përgjigjet poezia A do të ketë kohë, ku autori jetën dhe vdekjen i sheh të pandara brenda qenies së tij por ekzsitencën e kësaj qenie e sheh të zotëruar nga një forcë supreme e një fuqie të mbinatyrshme, në duart e të cilës e dorëzon fatin e tij:

Përtej sime frymë, ati le të më shpjerë,

 A do të ketë kohë[5]

Ciklin e parë të poezive Buzë ujit të madh, e përcjell vazhdimisht lufta e paepur, brenda vetes së poetit, mes jetës dhe vdekjes, veçse vdekjen, poeti, nuk e sheh thjesht si dekompozim material e mbarim i trupit, por kalimi i shpirtit nën zotërimin e një force absolute, Hyjit, ku do të rrijë i paprekur dhe i pambaruar ashtu siç mëton ta paraqesë të paprekur dhe të pambaruar edhe Lumin e kujtimin për të.

Duke kujtuar se poeti ishte notues i mirë, ai poetin e quan edhe zhytës e notues, si shpjegim ndaj kërkimit të vazhdueshëm që e ka poeti mbi të vërtetën dhe jetën. Edhe këtu ai e ka një dilemë përderisa i lë vargjet:

                                                                             Uji i Madh e i zi                                                                            Rrjeta, rrënjë dhe gjumë

Koha e notuesve a përfundoi[6]

Roli i notuesit është i njëjtë me atë të misionarit. Podrimja e luan polotësisht këtë rol përmes poezisë së tij për shumë arsye. Duke i takuar Qarkut Kulturor të Prishtinës, qark ky që nuk ishte i kufizuar vetëm rreth zhvillimit të jetës kulturore, por edhe të përcaktimit të fatit politik të kombit shqiptar në Kosovë, Podrimja e ka reflektuar edhe në këtë vepër dhembjen individuale të njëjtësuar me dhembjen e kombit. Duke jetuar në një kohë të pasigurt, poeti e trajton pasigurinë e jetës së të birit, lëngesën e tij, njëjtë sikur pasigurinë dhe lëngesën e një populli, ndaj të cilit (sikur edhe ndaj Lumit) po binin padrejtësitë dhe ironitë më të mëdha të jetës. Prandaj, edhe titulli i veprës Lum Lumi lehtë mund të rrëshqiste në një titull si Tmerr Tmerri. Poeti e kishte përjetuar represionin serb qysh në rininë e tij, me të ashtuquajturin “Aksioni i armëve” por edhe duke qenë i vetëdijshëm për fatin historik të shqiptarëve të Kosovës, të mbetur jetim jashtë trungut amë. Andaj edhe kthimi në kujtesë është një pjesë e rëndësishme edukimit, që përmes porosive që ia jep të birit, ai aludon në një porosi të madhe që ia jep kombit se: vdekja nuk është thjesht fundi i jetës.

Tërheqja në vetmi, është një shenjë tjetër e dilemës. “Fati na la?” – pyet poeti. Kjo tërheqje, artistikisht është një qetësi para stuhisë, ku autori në përsiatjet e tij mbi jetën, mbledh forcat e veta dhe e jep kumtin e madh mbi dhembjen dhe fatin, që nga një fat individual po rrëshqiste në atë kolektiv. Si një baba i plagosur shpirtërisht, ai bart në qenien e tij sëmundjen dhe fatin e jetës së të birit dhe niset me të, drejt kalvarit të mundimeve. Është ai shpirt i prindit që është refuzues ndaj vdekjes. Ai refuzon fundin, ndonëse është i vetëdijshëm për të. Përderisa fluskon pak jetë brenda një qenie, vdekja nuk është fjala e fundit. Njëjtë do të thoshte poeti edhe për fatin e kombit, përderisa të ekzistojnë vetëdija dhe përpjekjet e tij për ta sublimuar arspiratën shekullore të tij. Duke lëvizur nga një qytet botëror në tjetrin, për të gjetur shërim, autori si një kasandër paralajmëron lëvizjet e elitës sonë intelektuale nëpër kryeqendrat më të mëdha të botës për ta ndiçuar kauzën politike e shoqërore të popullit tonë.

Stilistikisht vepra ndërtohet mbi një figuracion të pasur stilistik, ku përmes metaforës, simbolit, antitezës, ironisë etj., shpërfaqet emocioni i poetit dhe drama jetësore e tij përmes vuajtjes së Lumit. Ndaj, qysh në fillim autori e shkruan dedikimin: Dhembjes sate, Lumi. Autori është cilësuar edhe si një novator dhe ky epitet është mëse i merituar, duke e parë nivelin artistik dhe risitë që ai i ka sjellë në poezinë e sotme shqipe, duke u bërë model për poetët që do të vinin më vonë.

Cikli i dytë, Të jetosh, është pa dyshim nga më të bukurat e veprës por edhe vargu është më i strukturuar. Studiuesi Ramadan Musliu konstaton se poezitë e këtij cikli kushtëzojnë dy procese: defigurimi i gjuhës poetike dhe neutralizimi i kuptimit dhe i shtresës emocionale të verbit poetik. Kjo arrihet kur struktura ligjërimore e vargut dhe sistemi figurativ modifikohen në tërësi dhe pësojnë në planin figurativ dhe kësisoji vjen deri te defigurimi i gjuhës. Tashmë figura poetike si njësi themelore poetike i nënshtrohet parimeve të funksionalizimit përbrenda njësive më të mëdha tekstore, duke u kompozuar kështu në semantikën integrale të tekstit[7]. Meqë sikurse edhe thamë se vepra ndërtohet mbi dhembjen dhe në formë elegjiake i flet asaj, autori në asnjë moment nuk i ka lënë vend elementeve banale a patetike të shpërfaqjes emotive. Ai esencialisht godet elementet që lidhen me dhembjen universale e kolektive dhe asnjëherë me atë personale. Personalen e ka zëvendësuar me indivdualen. Këtë të fundit e ka unifikuar me dhembejen kolektive që lidhen në hallkën e zinxhirit që e tërheq koncepti më universal në vepër, fati.

Një nga poezitë e këtij cikli, që mund të themi se është kryefjala jo vetëm e ciklit por e tërë veprës është Deri në fund. Këtë poezi, poeti e ka përpunuar nga viti 1979 kur e shkroi për herë të parë e deri më 2003. Është pikërisht momenti ku poeti nuk arrin ta shohë dritën në tunel rreth fatit të të birit dhe shfaq frikën e tij për fundin e jetës së të birit. Megjithë pesimizimin dhe ligjërimin elegjiak, në poezi ka nota moralizimi, që janë një kamuflim i dhembjes, një tejkalim i qëllimshëm i zymtësisë, ku poeti merr forcë dhe e këshillon të birin thuajse ai do ta fillojë jetën që nga ai moment:

Ti mëso të duash vogëlush,

Mëso të ecësh me këmbët e tuaj,

Mbi të keqën, mbi të mirën,

Mendo me kokën tënde,

Kurr mos pështy në dashuri as në pleh,

Mallkim i fisit[8].

Është një ligjëratë morale e prindit dhe një aluzion në ligjërimin e përgjithshëm moral mbi të mirën dhe të keqen; mbi rrugëtimin e qenies njerëzore në labirinthin e jetës kur shpesh ajo qenie përballet me luftën e pakompromis të forcave të kundërta, për të triumfuar mbi të. Mbi zjarrin e zjarmisë së të birit dhe skuqjen klinike të syve, ai e sheh yllin, zjarrin e qiellin dhe aspiron lundrimin drejt hapësirës, e cila nxjerret si një habitat që tani i përket amshimit dhe prej nga mund të takoheshin dy qeniet: njëra e shkëputur pa të drejtë (Lumi) dhe njëra që domosdoshmërisht do ta ndjek pas tërë jetën (poeti). Ai duke e këshilluar të birin jep mesazh te të gjithë mbi frikën dhe frikacakët që edhe në art i quan vrasës dhe mjeshtërinë e tyre dhelpërinë si simbol të dinakërisë. Po ta përcjellim me vëmendje, në shumë krijime të tij, Podrimja e ka një luftë me frikacakët dhe dinakët. Në fakt, poeti duhet të jetë i tillë, një shpirt që nuk krijon strehë për forcat e errëta. Kujtesa është elementi i fundit që Podrimja do ta marrë me vete kur ta lërë spitalin mbi Danub dhe do t’i dezinfektojë jo vetëm rrobat, por edhe fjalët dhe ëndrrat.

Ky lloj trajtimi gjendet edhe në poezinë Ekzistenca, që përshkruan fjalëpërfjalëshëm një gjendje kritike, ku autori përmend çdo pjesë të trupit dhe organeve jetësore të Lumit, të cilave u kërkon që të funksionojnë si një trup i vetëm në një trup të vetëm. Ai e ka bindjen se urdhëri i babait do të gjejë gatishmërinë e bindjes së të birit dhe do t’ia dalë. Dhoma 512 dhe Dhoma e Vdekjes janë poezitë ku autori përjeton gjendjen tipike të individit i cili para se të dorëzohet preferon të lutet. Ngjan me lutjen e Krishtit në kopshtin Gjetseman që Hyji ta largojë nga ai kelkun e vuajtjeve, por i nënshtrohet vullnetit të tij. Nuk ka bërë asgjë për lumin, është poezia tipike për detyrën e prindit, detyrë të cilën ai nuk e quan kurrë të kompletuar, nga dashuria e madhe për krijesën e tij. As për kombin nuk është kurrë mjaft, thotë poeti. Andaj gjendet një dozë jo e vogël e fajësimit të vetes së tij dhe paradoksalisht përmes këtij fajësimi kërkohet shfajësimi dhe kjo na jep të besojmë se autori e jeton secilin varg që në letër dhe çdo copëz e mozaikut e ka vendin e saj.

Cikli i tretë Vdekja dhe Lumi, është një homazh për të birin dhe një rikthim në kujtesë, që nxitet nga nevoja e brendshme e krijuesit por në rastin e poetit, siç shprehet edhe ai vetë, nga frika e mosndryshimit të gjërave: Kur nuk kam çka të bëj, trazoj mbretërinë time të vdekshme/ droj nga sendet që nuk ndërrojnë/ një herë në 100 vjet. Pra kemi një bashkëdyzim sistemesh brenda një qenie, të jetës dhe vdekjes. Mbi këto dy sisteme, autori ngreh çadrën e tij dhe aty evokon kujtime dhe lutet si një pelegrin i vetmuar.

Cikli i katërt, Në mbretërinë e humbur, ka një vazhdimësi me ciklin e tretë, veçse këtu autori i shkruan vdekjes. Ikja e të birit, ende fëmijë dhe ngadhnjimi i së keqës që në shumë poezi poeti nuk mund ta pranojë si realitet, në poezinë. Në mbretërinë e humbur, ky largim duket i vërtetë dhe së të gjallët nuk i lë të qetë edhe pse ai deklamon se trimat nuk vajtohen[9]. Poeti e quan vdekjen fundin e dhembjeve trupore njerëzore. Ai i drejtohet Lumit me fjalët: Je më i sigurt aty Lumi, për besë nuk të gjenë një e zezë. Tani mbetet Lumi vetëm në poezinë e babait, i cili siç thotë poeti – hyri pa trokitur.

Cikli i pestë, që mban titullin Hyrje në tempull, që mund të aludojë me hyrjet e lashta në tempuj, të profetëve, perandorëve, mbretërve etj. Tani hyn poeti në tempullin e fjalëve, në tempullin e arritjes së lavdisë përmes ligjërimit poetik.

Cikli i gjashtë, Pastërti njerëzore, janë poezi të kushtimit, që e shkëpusin nga realiteti i momentit, duke i dhënë një plotësim më të madh veprës, që sikurse thamë, nuk trajton vetëm fatin individual por e bashkon me atë kolektiv. Ka poezi që i kushtohen Armenisë në kontekstin e atëhershëm kohor, Pasternakut etj.

Cikli i shtatë, Kërkoj njeri, që mban dy poezi të cilat e lidhin rrugëtimin e individit drejt kërkimit të njeriut, të shpirtit apo të një dimensioni tjetër të jetës dhe përfundon me poezinë që fundin e ka të fshehur në gjirin e e saj dhe që titullohet Gjumi i tokës. Gjumi mund të quhet si një gjysmësimbol i vdekjes, apo i mbarimit të universit sikundër shprehet edhe vetë autori.

Së këndjemi, tërë vepra është një revoltë, një zë i lartë proteste mbi konceptet antagoniste me njëra-tjetrën; mbi fati dhe fatkeqësinë, mbi të drejtën dhe padrejtësinë, mbi jetën dhe vdekjen, mbi sigurinë dhe dilemën dhe mbi frikën e humbjes dhe lumturinë.

Rexhep Ismaili e definon qartazi veprën në fjalë: Qysh nga Lum Lumi e tehu, ai solli në poezinë e tij reflekse ekzistencialiste, dilema për qenien, vrojtime të vetmisë, përballje me refleksin për frikën, për vdekjen, shtroi dilema për fatin e njeriut dhe njerëzimit, por edhe përvojën dhe nevojën e marrjes së distancave[10]Secili autor, në një pikë të caktuar të veprimtarisë së tij, e lë veprën jetësore që është dyzim i jetës së tij personale dhe i përvojës jetësore duke lundruar në detin e pafundëm të letërsisë, duke u ndikuar nga magjia e fjalës. Lumi i Podrimjes, është shkrirë nga një krijesë e prekshme e mishit dhe gjakut, në një krijesë që si shpirt dhe botë të brendshme e ka fjalën, atë që autori e dezinfekton qysh kur e lë spitalin, atë fjalën magjike që do ta mbajë përherë të gjallë për të dhe jo vetëm. Ai do të krijojë një mrekulli letrare që fatin e Lumit dhe të njerëzimit do ta trajtojë në dimesionet më të larta të komunikimit dhe jetës.

Podrimja, duke krijuar një vepër jetësore, arrin ta ndërtojë një standard të ri letrar dhe poetik. Këtë standard, sigurisht e kanë ndjekur brezat që kanë ardhur më pas, por e kanë vazhduar edhe bashkëkohanikët e tij.

2. Shtresimet e traditës në poezinë e Podrimjes

Jo vetëm në veprën Lum Lumi, por në tërë krijimtarinë e tij, autori ka përmendur elementet e traditës, e me theks të veçantë kullën, kultin e të parëve, fisin, totemët e ndryshëm, që jep të kuptohet se ai ka qenë tërësisht i zhytur në të kaluarën dhe ka dashur ta kultivojë atë duke e ngritur, bashkë me të edhe nivelin artistik të poezisë. Ky është një tregues i qartë se autori nuk shpërfaq vetëm ndjenjat personale por ai aludon në fatin dhe pikëpamjet universale mbi jetën, vdekjen, traditën, qëndresën dhe etninë.

Kulla, e cila është një nga elementët të cilën e gjejmë në poezinë podrimjane, e ka simbolikën e shumëfishtë: origjinës, strehës, qëndresës, familjes dhe përkatësisë. Po t’i referohemi studiuesit të shquar, Sabri Hamitit, ai e jep një përgjigje se pse shumë shkrimtarë e kanë si pikë referente të kaluarën: Shkrimtarët gjithherë e kanë pasur më lehtë të shkruajnë për të kaluarën ngase në këtë rrugë e kanë pasur ndihmesë të mirë fjalën shpirtërore të shumicës, fjalën e popullit dhe fjalën artistike para tyre, mbi një kohë të shkuar[11]Tutje, ai shton se shkrimtari nuk e ndërton këtë kullë për dëfrime por për qëndresën e njeriut, dhe për më shumë, të kombit. Hamiti konstaton se poeti qysh moti e ka emrin babë, e përgjithëson me kuptimin komb. Babai është ai që ndërton, pra kombi është ai që ndërton modelin e tij të jetës dhe qëndresës.

Kulla te vepra Lumi Lumi, e ka pikërisht këtë kuptim, të qëndresës. Kulla duhet të personifikohet me qëndresën e të birit për t’i rezistuar vdekjes, ashtu siç kulla i reziston shekujve e furtunave të fatit e historisë. Mbyllet syri, dhe frëngjia në kullë – thotë poeti duke përshkruar fundin tragjik të të birit që bashkë me të bart edhe fundin e një qëndrese. Një element tjetër i qëndresës është edhe figura legjendare e Gjergj Elez Alisë, ku Lumi krahasohet me të duke u matur me plagë, me vuajtje dhe më shikimin kah horizonti i vdekjes. Megjithatë, të dy, edhe Gjergji edhe Lumi kanë misione tjera të mbrojtjes së jetës dhe zgjidhjes së një dileme të pazgjidhshme, që çon në dëshifrimin e një enigme që paraqitet si një zinxhir ku hallkat që lidhen me njëra-tjetrën janë jeta dhe vdekja.

Simbol të vdekjes përveç korbit, që është simbol i përgjithshëm i zisë që lidhet me vdekjen, autori e paraqet ujkun. Edhe te Hija e tokësSampoTorzo ashtu edhe te Lum Lumi, ukju paraqitet si grabitqar i jetës, sikundër edhe njihet në mitologji, por edhe në jetën e përditshme si predator i pakompromis. Tri herë uluroi ujku rreth shtëpisë sonë – do të thoshte Podrimja duke iu referuar tri morteve në familjen e tij, të prindërve që e lanë të njomë në moshë dhe tanimë edhe të të birit po ashtu të njomë në moshë. Lëtërsia jonë, qysh në atë gojore e deri në atë bashkëkohore, ka trajtuar figurën e ujkut si krijesë të zotin për të rrëmbyer atë që e do. Prandaj, edhe vdekja është më e fortë se përpjekjet për jetën dhe autori këtë e pranon, ndonëse lufton me vetën deri në fund për ta refuzuar si diçka faktike. Ai përmes figurës së ujkut, përshkruan ulurimën shekullore të një historie të pandryshuar, të një cikli që përsëritet vazhdimisht (assesi një qarku të mbyllur), që do ta marrë në mbretërinë e errët shpirtin e shpirtit të poetit. Kjo e keqe i kanoset edhe popullit, apo masës kolektive, nëse ai nuk krijon mekanizma mbrojtës për ta siguruar ekzistencën.

Kujtojmë se duke ia kushtuar nje poezi Altimarit, Podrimja duke u personifikuar me arbëreshin thotë: Po qe se më vret mua, more i gjorë, kush do ta vrasë ujkun? Mjerë kopeja.

Përveç elementeve që prekin traditën, autori aludon në elemente apokaliptike si zjarri, uji etj., që doemos lidhen me fundin e Lumit, që për poetin e ka peshën e fundit apokaliptik. Herë i jep Lumit fuqinë e kreshnikëve të lashtë e herë atë të elementeve galaktike, megjithatë nuk i mohon të metat tokësore ku fati i njeriut i gjunjëzohet një fuqie të përhershme si vdekja.

Rrjedhimisht, Podrimja nuk pranon assesi që të trajtohet ndryshe përveç si pjesë e pandarë e trungut të fisit, e përkatësisë etnike shqiptare për të cilën ai ka dashuri e krenari deri në dhembje.

Përfundim

Me tërë atë krijimtari, edhe përkundër faktit se ai e kishte arritur një standardizim poetik, Podrimja nuk do të plotësohej pa Lum Lumin. Misioni i shkrimtarit është kurdoherë enigmatik përderisa ai zhytet vazhdimisht në kërkim të magjisë së fjalës. Përderisa zhytësit notojnë, poezia më e mirë as nuk është shkruar e as nuk do të shkruhet – deklamon poeti ynë. Asgjë nuk do të plotësohej pa Lumin, tani gjithçka u krye. Dhe autori e dorëzon fatin e tij para krijuesit (ati le të më shpjerë, a do të ketë kohë?). Pra tani në kërkim të magjisë së fjalës, Podrimja e ka gjetur atë magji: ai përmes vargut zbulon se fati individual rrëshqet te ai kolektiv. Jetën në këtë univers, që është sa interesant aq edhe enigmatik, e sheh si përpjekje e vazhdueshme për t’i dhënë përgjigje pikëpyetjeve rreth ekzistencës si detyrë elementare dhe jetësore e individit. Mirëpo, me një gjë nuk do të pajtohet kurrë poeti, me panatyrshmërinë e një fundi ndonëse të pritshëm.

Pa pretenduar asnjëherë se i kemi thënë të gjitha, vepra në fjalë është një konglomerat vizionesh e projeksionesh deri buzë një parabole që lidhet me perspektivën. Duke qenë dëshmitarë të ngjarjeve që kanë rrjedhur në Kosovë, ndaj të cilave poeti nuk ka qëndruar indiferent, ngjarje këto që vërtetë e kanë çuar popullin shqiptar buzë mohimit të ekzistencës, atëherë kjo vepër është prelud i këtyre ngjarjeve. Këtë e mbështesim te shpirti krijues e vizioni i pashembullt i poetit, që fatin e tij e njëjtëson me fatin e kombit të tij. Ai ishte pambarimisht i lidhur me organiken e shoqërisë, me kulturën dhe traditën tonë.

Vepra Lum Lumi, ende ngërthen në vete mister dhe së këndejmi gjithmonë do të ketë hapësirë për trajtime e studime rreth saj, siç do të thoshte Podrimja: përderisa zhytësit ende notojnë.

Bibliografia

1. Podrimja, Ali,  Vepra 1ASHAK, Prishtinë, 2013.

2. Podrimja, Ali, Vepra 3, ASHAK, Prishtinë, 2013.

3. Podrimja, Ali, Vepra 4, ASHAK, Prishtinë, 2013.

4. Podrimja, Ali, Lum Lumi, Koha, Prishtinë, 2012.

5. Elsie, Robert, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1997.

6. Hamiti, Sabri,  Letërsia bashkëkohore, Konica, Prishtinë, 2002.

7. Musliu, Ramadan, Mbindërtimi poetik, Rilindja, Prishtinë, 1990.

8. Bexheti, Vebi, Magjia e fjalës poetike, Arbëria Desing, Tetovë, 2018.                    


[1]  Ali Podrimja, Vepra 1ASHAK, Prishtinë, 2013, f. 8.

[2]  Ali Podrimja, Lum Lumi, Koha, Prishtinë, 2012, f. 7.

[3]  Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1997, f. 453.

[4]  Ali Podrimja, Lum Lumi, Koha, Prishtinë, 2012, f. 10.

[5]  Po aty, f. 21.

[6]  Po aty, f. 25.

[7]  Ramadan Musliu, Mbindërtimi poetik, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 152.

[8]  Ali Podrimja, Lum Lumi, Koha, Prishtinë, 2012, f. 42.

[9]  Vebi Bexheti, Magjia e fjalës poetikeArbëria Desing, Tetovë, 2018, f. 214.

[10]  Ali Podrimja, Lum Lumi, Koha, Prishtinë, 2012, f. 16.

[11]  Sabri Hamiti, Letërsia bashkëkohore, sh.b. Konica, Prishtinë, 2002, f. 179. /ExLibris/ KultPlus.com