Gati 22 mijë vizitorë në sitet kulturore në Janar

Janari i 2025 tregon se sitet kulturore dhe muzetë nuk njohin sezon, sa i takon vizitueshmërisë. Ato kanë mirëpritur 21.800 vizitorë dhe turistë në muajin që lamë pas.

Të huajt janë ato që vazhdojnë të tregojnë interes për historinë dhe kulturën e vendit tonë. “Shtëpia me Gjethe” është një prej destinacioneve më të frekuentuara në kryeqytet, duke u renditur ndër pesë destinacione kulturore më të vizituara për muajin Janar.

“Jam nga Spanja. Shqipëria më ka impresionuar me historinë dhe kulturën e saj. Është një vend që do ia sugjeroj edhe miqve të mi”.

“Muzeu me gjethe është ndër të parët që vizitoj me miqtë e mi prej të cilëve mësova se Shqipëria ka pasur një nga regjimet më të egra të diktaturës”.

Në muajin që lamë pas, ky muze mirëpriti 2261 vizitore ose 9% më shumë se Janari i 2024.

“70% janë të huaj, 30% janë vizitorë vendas. Italia vijon të mbajë numrin e parë. Në Janar është çuditërisht Turqia në vend të dytë dhe në vend të tretë Anglia”, tha Etleva Demollari, drejtuese e muzeut.

Në vendin e parë si më i vizituar renditet muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë me 4000 vizitorë, ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës me mbi 3800, Kalaja e Gjirokastrës me mbi 2800, muzeu “Shtëpia e me Gjethe”, dhe muzeu “Onufri” me 1928 vizitorë./KultPlus.com

Gonxhja: 1.2 milionë vizitorë në sitet kulturore, 31% më shumë krahasuar me 2023-shin

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se më shumë se një milion vizitorë kanë zbuluar magjinë e siteve kulturore që shtrihen në të gjithë vendin, duke e çuar këtë shifër në 31% më shumë krahasuar me numrin e vizitorëve gjatë vitit të kaluar.

Sipas ministrit, sitet më të vizituara janë “Kalaja e Gjirokastrës me 260 290 vizitorë; Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë me 170 405 vizitorë; Parku Arkeologjik Shkodër me 153 109 vizitorë; Parku Arkeologjik Apoloni me 120 397 vizitorë; Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat me 104 449 vizitorë.

Faleminderit çdo vizitori që mbështet trashëgiminë tonë dhe ndan historinë e Shqipërisë me botën”, thekson Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë arriti në 422 020, ndërsa në parqet arkeologjike 478 769 persona. Të gjitha këto vizita gjeneruan të ardhura, të cilat llogariten në 443 906 770 lekë, 40% më shumë se të ardhurat e vitit 2023./atsh/KultPlus.com

36% më shumë vizitorë në sitet kulturore nga janari deri në gusht

Nga janari deri në gusht të këtij viti në sitet kulturore janë mirëpritur rreth 875,315 vizitorë, 36% më shumë krahasuar me vitin 2023.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli sot shifrat e vizitorëve që flasin për sezon të suksesshëm turistik edhe në sitet kulturore.

Kështu, janë 302,384 vizitorë në muzetë kombëtarë, +26% krahasuar me 2023; 340,296 vizitorë në parqe arkeologjike, +30% krahasuar me 2023 dhe 232,635 vizitorë në kala dhe monumente kulture, +30% krahasuar me 2023.

Fokus dhe prioritet i MEKI-t, sipas Gonxhes është që t’i bëjnë këto site më tërheqëse, më të aksesueshme dhe një eksperiencë më e mirë për të gjithë vizitorët.

Ndër kalatë e parqet arkeologjike më të vizituara në vend janë Kalaja e Gjirokastrës, nga muzeumet veçohet ai i Krujës dhe parqet arkeologjike të Shkodrës, Butrintit e Apolonisë./atsh/KultPlus.com

651 mijë vizitorë në sitet kulturore

Shtatë mujori i 2024 ka mbledhur mbi 651 mijë vizitorë në sitet kulturore ose 42% më shumë se 7 mujori i vitit të shkuar, ku 23% janë turistë të huaj.

Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë dhe Kulturës, pesë destinacionet më të preferuara janë Kalaja e Gjirokastrës e cila mban vendin e parë për nga numri i vizitorëve, ndjekur nga muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, Parku Arkeologjik i Shkodrës, Butrintit dhe Apolonisë.

Muajt e verës kanë sjellë fluksin më të madh të vizitorëve të huaj, e kjo vihet re nga rritja e shpejtë  numrave në Parkun e Butrintit dhe Apolonisë ndryshe nga muajt Prill, Maj.

Nga këto shifra vihet re një frekuentim më i lartë në Parqet Arkeologjike, por që rritja është po aq pozitive edhe në monumente të tjera./tema/KultPlus.com