Kur Shqipëria shkëlqente në skenat botërore (FOTO)

Agim Krajka dhe Vaçe Zela me Ansamblin e Shtetit, në vitet ’80-të, kohë kur turnetë artistike nga Ansambli, zinin një pjesë të rëndësishme të programit të tyre.

Mes pjesëmarrësve bien lehtësisht në sy, e madhja Vaçe Zela dhe kompozitori i shquar i muzikës së lehtë, Agim Krajka. Fotot janë realizuar në vitin 1988, para dhe gjatë shfaqjes së Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, në një qytet të Austrisë.

Në këto imazhe bie në sy prania e këngëtares legjendare Vaçe Zela, Agrim Krajkës, mjeshtrit të ndjerë Rexhep Çeliku, partneres së tij Lili Cingu, si dhe vallëtarë, instrumentistë dhe anëtarë të delegacionit shqiptar. Fotografitë u publikuan për herë të parë, nga gazetari dhe studiuesi, Armand Plaka. /KultPlus.com

Puna dhe përkushtimi si “dirigjues” të suksesit, Kelmendi: Gjithmonë kemi dashur t’i sjellim fitoren vendit tonë

Uranik Emini

Një punë ekipore dhe patjetër e ndërsjellë, mes dirigjentëve dhe muzikantëve që e ndjekin atë, e ka arritur me sukses kori “Siparantum” i drejtuar nga dirigjenti Memli Kelmendi. Edhe pse arti i dirigjimit ekziston prej shekujsh, në Kosovë nuk vlerësohet dhe diskutohet për të sa duhet. Dirigjimi përpos përgjegjësisë fillimisht, është një punë që në radhë të parë kërkon besim, inteligjencë dhe aftësi të shkëlqyera si njerëzore ashtu edhe muzikore. Kosova është ngritur në majat më të larta në botë sa i përket muzikës klasike përmes korit “Siparantum”, të udhëhequr nga Kelmendi, shkruan KultPlus.

Dirigjenti Memli Kelmendi ka arritur që të korr suksese të mëdha me korin që ai udhëheq dhe realisht, suksesi ishte gjëja për të cilën ai kishte punuar më së shumti.

I rritur në një familje muzikantësh, Kelmendi rrëfen për KultPlus se muzikën e ka të trashëguar nga babai i tij, Xhevat Kelmendi (kantautor), i cili mes tjerash ishte edhe kritiku më i madh në këtë fushë, derisa ai flet edhe për jetën e tij në fëmijëri, studimet në fushën e muzikës, punën e tij të parë, puna si një profesor dhe sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur.

KultPlus: Memli, ju jeni një dirigjent i suksesshëm, i pëlqyer nga publiku dhe keni fituar çmime të shumta, a do të thotë kjo se edhe në kohën e fëmijerisë jeni shquar për muzikë?

Memli Kelmendi: Muzikën e kam trashëgim nga babai im, Xhevat Kelmendi (kantautor). Me muzikë jam rritur, babai im ka qenë çdoherë kritikuesi më i madh (në kuptimin pozitiv). Daja im i ndjerë, Refik Çakolli ka qenë këngëtar poashtu. Si fëmijë kam qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme, kjo ka bërë që unë të vazhdoj pikërisht muzikën. Dashuria për muzikën lindi që nga fëmijëria.

KultPlus: Cili mendoni se ka qenë momenti kyç kur ju keni filluar që të merreni me muzikë dhe realisht edhe ta studioni si lemi?

Memli Kelmendi: Siç e potencova më lartë, unë që në fëmijëri jam rritur nën ndikimin e muzikës së së bukur shqipe, serenatave korçare, këngëve arbëreshe, muzikës së lehtë. Muzikën klasike e kam pelqyer dhe kjo është dëgjuar në shtëpinë tonë, ndonëse në familjen time askush nuk ka studiuar për muzikën klasike. Regjistrova fakultetin e muzikës dhe muzika gjithnjë e më shumë bëhej pjesë e jetës.

KultPlus: A janë sfiduese studimet në fushën e muzikës?

Memli Kelmendi:  Mendoj që po, veçanërisht këtu në vendin tonë. Kur isha student mendoja krejtësisht ndryshe, sot sigurisht që mendoj edhe më ndryshe. Ndoshta përvoja e ka bërë të veten apo kontakti me njerëz të fushës profesionale. Unë shpesh bisedoj me nxënësit apo me studentët për tema të tilla dhe të ndryshme të cilat lidhen me sfidat studimore. Pavarësisht jetës studentore, ne duhet të kërkojmë rrugë, rrugë të cilat na shpien drejt suksesit. Ato janë të shumëta!

KultPlus: Kur keni diplomuar, në atë kohë Kosova ishte e re si shtet dhe realisht mundësitë që të kyceshit në punë ishin më ndryshe. Kur dhe ku keni filluar punën tuaj të parë?

Memli Kelmendi: Pasi përfundova fakultetin, unë u punësova në Shkollën e mesme të muzikës “Halit Kasapolli” (2010) në Pejë. Në fillim ligjërova lëndët Teknologji muzikore dhe Lexim partiturave pastaj më vonë më është dhënë këndimi koral. Natyrisht që 12 vite më parë kishte më pak të diplomuar prandaj mundësia e punësimit ishte më afër.

KultPlus: Ka vite që tanimë po udhëhiqni korin “Siparantum”, por si ka qenë karriera juaj përpara këtij kori, çfarë keni bërë në profesion konkretisht?

Memli Kelmendi: Kori i shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e muzikës korale në Pejë. Janë mbajtur 7 edicione të muzikës korale, koncerte me vepra stilistike të periudhave të ndryshme, që nga renesanca deri tek muzika bashkëkohore. Çdo herë kam qenë insistues në përzgjedhjen e repertorit, stileve të ndryshme të repertorit koral botëror. Në vitin 2014 u nis një iniciativë vulletare në formimin e korit “Peja” (2014) , një frymë e re artistike për qytetin e Pejës. Me përkrahjen e Qendres Rinore “Atë Lorenc Mazreku” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, menjëherë kori bëri lëvizjen e parë duke prekuar “Basilica di San Marco” Venecia, që ndryshe njihet si Pasuria e Njerëzimit, pastaj një koncert tjetër në “Mestre” dhe “San Lio” në Venezia. Në vitin 2017, u formua Kori Siparantum, gjithnjë duke u bazar në formë vullnetare me ide të promovimit të kulturës dhe muzikës korale shqiptare në vende të ndryshme të botës. Ide e cila rezultoi me shumë sukses.

KultPlus: A mund të na tregoni ndonjë rast vështirësie ose veçantie qe lidhet me punen tuaj si dirigjent? Njerëzit që merren me muzikë në Kosove kryesisht përballen me situata të vështira, a ju ka ndodhur juve që të përballeni me ndonjë situatë të veshtire ose diçka të ngjashme?

Memli Kelmendi: Hmmm, vështirëssitë janë të ndryshme, të natyrave të ndryshme. Profesioni i dirigjentit në vendin tonë është vërtetë i vështirë. Kërkon punë, sakrificë dhe sigurisht që është sfiduese. Kushtet dhe rrethanat që ne rrethohemi si shoqëri, sigurisht që është vështirë. Nganjëherë është më vështirë të dëpërtosh këtu (në Kosovë) se kudo tjetër në botë. Puna është se ne jetojmë të rrethuar me gjëra të vogla ndërsa bota është vërtetë e madhe. Sigurisht që ballafaqohem me sfida të ndryshme. Fokusi im/ynë është që duke e ditur që ky profesion kërkon përkushtim dhe sfidë, ne duhet punuar maksimalisht pavarësisht problemeve të cilat mund të paraqiten gjatë rrugëtimit me qëllim të promovimit, zhvillimit të kulturës sonë në vende të ndryshme të Evropës. E përmenda më lartë, jeta e artistit në Kosovë është vërtetë e vështirë. Duhet punuar disa punë, disa projekte për të bërë një jetë solide. Mbi të gjitha rëndësi ka që shpirtësisht jeta e artistit është e pasur, me ide për të sjell dicka të bukur për shoqërinë tonë.

KultPlus: Ju keni arritur që të fitoni shumë çmime nëpër festivale të ndryshme nëpër Evropë dhe jo vetëm, a keni menduar se do ta arrini gjithe këtë sukses ndonjë ditë?

Memli Kelmendi: Me punë, sakrificë dhe përkushtim arrihet çdo gjë. Unë besoja në suksesin, puna sjell sukses. Nuk do të besoja që brenda një periudhe kaq të shkurtër do të prekim suksese të tilla sepse problemet me të cilat rrethohemi shpeshherë vështirësojnë rrugëtimin e suksesit, që nga procesi i vizave deri tek gjëra të tjera. Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë. Kemi punuar vërtetë shumë, shumë, shumë! Pjesëmarrja e korit në festivale të ndryshme ka ndikuar vërtetë shumë (për të mirë), kemi mësuar shumë nga kjo përvojë përgjatë këtyre viteve, megjithatë ne ende jemi të rinj.

KultPlus: Kori “Siparantum”, po vazhdon që t’i sjell Kosovës çmime të ndryshme, a keni marrë mbështetje të mjaftueshme nga Qeveritë e Kosovës ndër vite?

Memli Kelmendi: Do të thoja që tani është më mirë se herave të tjera. Qasja ndaj korit është shumë më mirë, njerëzit kanë kuptuar rëndësinë e punës që ne bëjmë, në formë vullnetare. Kori Siparantum tashmë ka hyrë në rrjetin e koreve evropiane, botërore. Për të realizuar një projekt jashtë vendit, duke marrë parasysh që në korin tonë janë mbi 45 persona, atëherë vërtetë kjo kërkon fonde të mëdha. Falë përkrahjes institutionale dhe duke mos harruar sponzorëve dhe artdashësve, ne po arrijmë që ëndërrat tona t’i bëjmë realitet.

KultPlus: Cili është çmimi më i madh që e keni fituar të cilin ju e veçoni dhe nuk do ta harroni asnjëherë?

Memli Kelmendi: Ndonëse ne kemi dal të paret me pikët maksimale në festivalin “Zlatna Lipa Tuhlja” në Kroaci në mesin e 16 koreve pjesëmarrëse, së fundi në Europian Festival for Young People – EMJ në Neerpelt ne kemi fituar Kategoritë (vendin e parë) G dhe F (kategoria më e vështirë), për neve çmimi më emocional dhe më i rëndësishëm mbetet fitorja në kategorinë “Musica Contemporanea” në WORLD CHOIR GAMES 2021. Sigurisht, vet pjesëmarrja qe një rezultat i madh për ne, muzikën korale dhe shtetin tonë. Ishim tejet të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale ne arritëm të vendosim shtetin tonë përbrenda garës më të madhe korale në botë. Të gjithë e donim suksesin, kjo vërehej në fytyrën e secilit anëtarë të korit. Ne donim që vendit tonë t’i sjellim fitore, kështu ndodhi. Jam tejet i lumtur që puna jonë është vlerësuar shumë nga kritikë të shumtë të muzikës që ishin nga mbarë bota, kjo tregonte rëndësinë e punës që ne po bëjmë. Kemi punuar gjatë, e në fund ezultuam me suksese. Ne kemi hyrë në Top 1000 best choirs of the world të INTERKULTUR dhe akutalisht ne renditemi në pozitën 460. Vërtetë ky është një sukses tepër i madh për vendin tonë! Duhet cekur poashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së Korit Siparantum muajin e kaluar në sallën më të njohur me akustikën më të mirë në botë, Berlin Philharmonie e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Jemi tejet të lumtur që arritëm të prekim njëren prej skenave më të rëndësishme të muzikës, skenë në të cilën kanë kalaur artistët më të mëdhenj botërorë.

KultPlus: Në korin “Siparantum” ka anëtarë të shumtë dhe performancat e juaja gjithnjë sjellin dicka të re, e energji të madhe te publiku, sa është e veshtirë që të punosh me shumë njerëz dhe si e vlerëson suksesin e këtij kori?

Memli Kelmendi: Me formimin e korit Siparantum, ideja ishte që të bëjmë diçka më ndryshe, diçka që do të ngacmonte audiencën. Kjo ka funksionuar. Kori tashmë identifikohet me levizje koreografike, gjëra të papritura të cilat ndodhin gjatë përformancës. Muzika në fakt duhe të prek emocionin, nese këtë e arrijmë të bëjmë përmes tingullit atëherë mendoj që kemi arritur sukses. Programi ynë është laramani stilesh të ndryshme, ne duam që të gjithë të marrin dicka nga paraqitja jonë. Kështu në këtë formë ne aplikojmë edhe kur jemi në festivale garuese, ne tashmë kemi ndërtuar stilin tonë. Për korin kjo pjesë është vërtetë e lodhshme sepse fokusi nuk është vetëm vokali, por koristët këtë e bëjnë me shumë dashuri.

KultPlus: Tutje, përpos punës suaj si një dirigjent, ju jeni edhe profesor në universitetin AAB, si është të edukosh kolegët e tu të ardhshëm?

Memli Kelmendi: Ne u referohemi literaturave, hulumtimeve të ndryshme por gjithnjë ne diskutojmë dhe analizojmë edhe përvojat tona këtu. Puna me studentë është vërtetë impresionuese. Për mua është një përgjegjësi sepse profesioni i të qenurit dirigjent është vërtetë dicka komplekse, prandaj unë cdoherë mundohem maksimalisht që të bazohem në praktika të ndryshme me qëllim që studentët të përfitojnë prej këndvështirmeve të ndryshme. Sot kemi vërtetë gjenerata të mira, por ajo që unë insistoj është që atyre të ju japim shpresë dhe t’u tregojmë që sukseset kulminante mund të prekën edhe nga këtu, vetëm duhet punë!

KultPlus: A mendon se shkollat e muzikës po sjellin kuadro mjaftueshëm të kualifikuar në Kosovë?

Memli Kelmendi: Unë mendoj që shkollat e muzikës duhet të punojnë më shumë në zhvillimin e muzikës korale dhe vecanërisht krijimin e orkestrave dhe kuadrove të reja të cilat janë në nevojë. Çdo qytet potencialisht do të duhej të ketë një orkestër, asnjëherë nuk është vonë. Unë e di që në shkollat e muzikës punohet maksimalisht por mendoj që fokus kryesor do të ishte zhvillimi i kuadrove në nevojë, drejtime të reja të cilat janë në mungesë në vendin, e qytetin tonë.

KultPlus: Në fund, por jo nga rëndësia, cilat janë planet e tua të ardhshme që mund t’i ndash me lexuesit e KultPlus, çfarëdo qoftë edhe nga koncertet e radhes apo edhe karriera jote?

Memli Kelmendi: Me datën 18 qershor në Pejë ne kemi koncertin që shenon 5 vjetorin e themelimit të Korit Siparantum. Jemi duke punuar shumë dhe gjatë për këtë koncert. Pastaj, në fillim të muajit të ardhshem do të jemi në Prishtinë, në fillim të muajit korrik.

Dirigjentët janë profesionistë që nuk lavdërohen kurrë siç duhet për punën që bëjnë. Në hap me muzikantët, dirigjentët jo vetëm veprojnë si udhërrëfyes, por edhe zgjedhin punën që bëjnë këta të fundit. Lajmet si “Kori Siparantum nga Kosova merr çmimin e parë/kryesor” në festivale të ndryshme prej kohësh tradicionalisht janë bërë të pranishme muaj pas muaji e festival pas festivali nëpër portalet e vendit, e gjithë kjo falë punës dhe suksesit të madh që ky kor ka arritur dhe po arrin ndër vite. Në anën tjetër, promovimi i vlerave kulturore të Kosovës në skenat më të mëdha botërore, mbetet misioni kryesor i tyre. /KultPlus.com