Shkrimtari dhe publicisti Halil Matoshi përmes rrjetit social Facebook ka kujtuar një histori të dhimbshme gjatë kohës së masakrave në Srebrenicë, ku babai e thërret të birin e tij para se t’ia marrin serbët. Thirrja e tij “Nermin hajde” është bërë skulpturë nga artisti Mensud Keco, shkruan KultPlus.
Nermin-eee, hajde!!!
(Ne kemi nevojë për klithmat e viktimave të Srebrenicës)
Baba Rama e thirrte t’birin:
“Nermin-eee hajde …, lirisht tek serbët, të gjithë hajdeni…”
Kjo ishte thirrja ma e trisht dhe përshkrimi i dokumentuem – tuj ndodhë – i mizorisë së fashizmit serb, në Srebrenicë, mizori që e mbylli shekullin e 20-të tuj e përseritë vetën në Mejë dhe gjithandej në Kosovë.
“Nermin, hajde”, është skulptura qe evokon tmerrin e Srebrenicës së 11 korrikut 1995.
Fotografinë e Ballkanit të fundshekullit 20.
Kjo është piktura e shtangur (vepër e Mensud Keco) që klith, klithma e fundit e Ramo Osmanović-it i cili ishte detyrue nga barbarët e Ratko Mladić me e thirrë të birin, ngase i ishte thânë se nuk ka me u ndodhte asgjâ.
Trupat e Ramo dhe djalit të tij Nermin u gjetën në vitin 2008 në një varrezë masive ngat Srebrenicës.
Kjo asht thirrja e nji babe të cilen nuk e dëgjoi Zoti, kurse njeriu religjioz në emnin e po atij zoti shkrepi plumbat e urrejtjes patologjike mbi Ramo, Nermin dhe 8372…njerëzve, të cilët nuk kanë nevojë për ne-siç tha Hanah Kral – ne kemi nevojë për klithmën e tyne!?
Me u vërtetu nëse ende jemi njerëz!?
Kjo thirrje tash âsht ngurtësu dhe u flet epokave për njerëz mizorë, monstrumët si Karadjić e Mladić dhe shefi i tyne n’Beligrad, Milošević…” shkruan Matoshi. /KultPlus.com