Besa Llugiqi shkëlqen në premierën e operës franceze, vlerësohet lart nga presidenti bullgar



Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, po vazhdon të korrë suksese në skenat e mëdha ndërkombëtare. Në sallën e stërmbushur të Pallatit Kombëtar të Kulturës , në Sofje të Bullgarisë, Llugiqi të martën interpretoi rolin e Ines në premierën e grand operës së njohur franceze në pesë akte, “L’Africaine”, me kompozitor Giacomo Meyerbeer, përcjellë KultPlus.

“Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe për mua si artiste të interpretoj një rol kaq të rëndësishëm siç është Ines, me kërkesa të mëdha teknike e interpretuese. Një shfaqje mbresëlënëse, me pritje fantastike nga publiku, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Bullgarisë”, deklaroi për mediat kosovare sopranoja Besa Llugiqi.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, e vlerësoi lartë interpretimin e Llugiqit për mediat e pranishme pas shfaqjes.

Për herë të parë në Ballkan grand opera “L’Africaine” është shfaqur në Stara Zagora të Bullgarisë, në nëntor 2019, një realizim i jashtëzakonshëm që erdhi si rezultat i bashkëpunimit me “Deutsch Oper Berlin”, me regjisoren bullgaro-gjermane me famë botërore, Vera Nemirova.

Sopranoja  Besa Llugiqi shfaqjen e radhës do ta ketë në Gdansk të Polonisë, me 9 nëntor të këtij viti, ku do të interpretojë rolin kryesor në operën e njohur franceze në tre akte dhe shtatë tablo, “Thaïs”, me kompozitor Jules Massenet. / KultPlus.com   

Elbenita Kajtazi gati për debutimin në Francë, zëri i saj do të pushtoj teatrin e Bordeaux

Suada Qorraj

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi e cila tash e disa kohë ka filluar që të pushtoj skenat më të njohura operistike me zërin e saj të jashtëzakonshëm, tashmë do të debutoj edhe në teatrin francez Bordeaux. Shtatori i këtij viti do të bëjë bashkë Violetën e operës së Verdit, La Traviata, me madhështinë e të kënduarit të sopranos kosovare, shkruan KultPlus.

Vera e këtij viti ishte planifikuar të fillonte ndryshe, por pandemia që dal nga dal po kaplonte botën, nuk la pa prekur edhe botën e artit e të kulturës, duke sjellë kështu në anulimin e shumë shfaqjeve, koncerteve e festivaleve. Madje dy nga festivalet që u anuluan për këtë vit ishin edhe Glyndebourne dhe Salzburger Festspiele, në të cilat do të interpretonte edhe sopranoja kosovare.

Në një intervistë për KultPlus, Elbenita Kajtazi ka rrëfyer se ndonëse fillimin e pandemisë e kishte menduar si pushim për vete, me rëndimin e gjendjes dhe anulimin e koncerteve kjo periudhë për të nuk ishte lehtë e përballueshme.

“Gjendja pandemike sa shkonte dhe rëndohej dhe filluan edhe anulimet e shfaqjeve që përfshinte gjithë verën e 2020, atëherë fillova me të vërtetë të mërzitem shumë dhe duhej shumë angazhim në gjëra tjera që mos të mendoja gjithë kohës për anulimet e Glyndebourne dhe Salzburger Festspiele, dy festivale që i kam pritur me padurim”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë sopranoja e konsideron veten me fat që përgjatë kësaj kohe ka qenë pjesë e trupës shtetërore të teatrit në Hamburg. Sipas saj përgjatë periudhës pandemike vendi ka pasur një kujdes të shtuar kundrejt artistëve.

Ndonëse një pjesë e madhe e koncerteve dhe shfaqjeve ku do të merrte pjesë Kajtazi ishin anuluar, në qershor të këtij viti ajo kishte njoftuar se tashmë një derë e re ishte hapur në karrierën e saj. Elbenita Kajtazi tashmë kishte filluar përgatitjet për të interpretuar Violetën nën madhështinë e teatrit të Bordeaux.

Ajo e konsideron veten me fat që kjo shfaqje është e vetmja që nuk është anuluar deri më sot edhe pse do të zhvillohet në rrethana krejtësisht të ndryshme e të pazakontë.

“Ndjehem me fat patjetër që është e vetmja që nuk është anuluar deri tani, edhe pse do mbahet në rrethana komplet të ndryshme nga përpara, me shumë distancë mes këngëtarëve në skenë dhe me audiencë të reduktuar”, ka pohuar sopranoja.

Kajtazi ka thënë se roli i Violetës është mjaft sfidues e në të njëjtën kohë i bukur për ta kënduar. Ajo ka shtuar se interpretimin e parë të Violetës e kishte bërë në prill të vitit 2018, e për të gjatë këtij interpretimi ka qenë e vështirë t’i bëjë ballë emocionit, thyerjes shpirtërore dhe vuajtjes që Violeta kalon gjatë tri orëve në skenë.

“Roli i Violetës është me të vërtetë një rol shumë sfidues, por aq i bukur sa kur e këndon harron gjitha sidat që ke kaluar deri sa e ke studiuar si duhet. Unë Violetën e kam kënduar për herë të parë në Aalto Muziktheater në Essen të Gjermanisë në muajin prill të vitit 2018. Atëherë ka qenë shumë e vështirë për mua ti bëj ballë emocionit, thyerjes shpirtërore dhe vuajtjes që Violeta kalon gjatë tri orëve në skenë duke kënduar muzikën e mrekullueshme të kompozuar aq bukur nga Verdi”, ka deklaruar Elbenita.

Sopranoja ka shtuar se që nga 2018 e deri më tani nuk ka pranuar që ta këndoj diku tjetër këtë rol, sepse sipas saj interpretimi i Violetës kërkon një pjekuri të madhe. Kajtazi ka thënë se për interpretimin e saj në Bordeaux ka kërkuar ndihmën e menaxherit të saj Alan Green, Ermonela Jahos dhe të profesoreshës së saj Caroline Merz.

Elbenita Kajtazi përgatitjen për këtë rol e ka konsideruar periudhë provash që nuk kanë mbaruar që nga koha e nënshkrimit të kontratës para dy vitesh. Ajo ka vënë në pah faktin se ka studiuar së bashku me Ermela Jahon edhe para pandemisë, por dhe pas saj.

“Përgatitja e këtij roli ka qenë periudhë provash që nuk ka mbaruar që nga momenti që kam nënshkruar kontratën pra që para dy vitesh. Kam studiuar shumë me Ermonela Jahon para pandemisë kur isha në New York, si dhe gjatë karantinimit përmes mësimit në Zoom,  pastaj me Caroline Merz gjatë gjithë kohës në Gjermani, si dhe me pianistë trajnerët e mi që janë në Staatsoper Hamburg”, ka pohuar ajo.

Sopranoja kosovare e konsideruar veten me fat që ka pasur krah vetes sopranon Ermonela Jaho. Sipas saj askush më mirë se Ermonela nuk mund të të mësoj të interpretosh Violetën e Verdit, të cilin ajo e ka kënduar shumë herë në skenat më të mëdha botërore.

Krejt në fund ajo ka thënë se mezi pret të këndoj një nga rolet më të mrekullueshme për një soprano. Gjithashtu Kajtazi ka shtuar se do të vazhdoj me përgatitjen e debutimeve të tjera që e presin. Manon, Mimi, Donna Anna janë vetëm disa nga rolet që tashmë ajo është kontraktuar ti këndoj në tre vitet e ardhshme. / KultPlus.com

Ermonela Jaho rrëfen albumin e saj: ‘La traviata” shkaku që u bëra soprano, sot ëndërr e jetuar treqind herë

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho sjell albumin me 14 arie operistike “Anima Rara”. Artistja rrëfen arsyet, se përse në këtë album recital ka përzgjedhur edhe rolin e Violetës tek “La traviata”, të cilën e ka kënduar rreth 300 herë në skenat më prestigjioze të botës.

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, as gjatë pandemisë COVID 19 nuk ka hequr dorë nga muzika klasike. Ajo është duke punuar për t’i dhënë jetë albumit recital “Anima Rara”.  Në këtë album artistja përfshinë muzikën e interpretuar nga sopranoja e njohur lirike Rosina Storchio.

Ariet e disa prej operave më të njohura, që Jaho këndon janë: ‘Madama Butterfly’ e Puçini-t, ‘La Bohmeme’ e Leoncavallo-s, ‘Siberia’ e Giordano-s dhe ‘La traviata’ e Verdi-t, e shoqëruar nga Orkestra “Comunitat Valenciana Andrea”. Vet artistja përmes rrëfimit në rrjete sociale, zbulon detaje për regjistrimin e arieve operistike, veçanërisht “La traviata”-s.

“’La Traviata’ është shumë e veçantë për mua, pasi ka qenë opera e parë që kam dëgjuar. Madje ka qenë shkaku, pse unë vendosa të bëhesha këngëtare klasike.  Pasi e dëgjova këtë operë për herë të parë, rashë menjëherë në dashuri me shpirtin e Violetës dhe ëndrra ime filloi. Dëshiroja të interpretoja të paktën një herë në jetë rolin e Violetës. Dhe tani, e kam jetuar këtë ëndërr përreth 3 qind herë. Dhe çdo herë, në secilin nga rastet që unë kam veshur fustanin e saj kam zbuluar shpirtin e saj njerëzor të lidhur me shpirtrat tanë njerëzor”, shprehet sopranoja Ermonela Jaho.

E vlerësuar nga kritika botërore, si një nga këngëtaret më të shkëlqyera lirike, për vërtetësinë dhe forcën që përcjell përmes interpretimit, sopranoja shpjegon arsyet, se përse në rolin e Violetës, ka gjetur vetveten

“Çdo herë kam zbuluar shpirtin e Ermonelës dhe kjo është një nga arsyet që pse unë dua që aria nga “La traviata” të jetë në albumin tim të parë. Ne vendosëm të këndojmë “Addio del passato”, arien nga akti i fundit i Traviatës. “Addio del passato” është një lamtumirë që i jepet jetës. Violeta është tërësisht e braktisur, nga Zoti apo shoqëria dhe njerëzit që ajo do.  Unë e lidh gjithmonë këtë pjesë me ndjesinë e të arriturit në atë pikë, sa të humbasësh besimin në çdo gjë që ka pasur rëndësi në jetë. Dhe kjo është kaq e trishtë!”, vijon Jaho.

Ndonëse, eksperiencat që artistja shqiptare numëron në skenat botërore janë të shumta, ajo vazhdon që ta dojë përherë edhe më shumë rolin e Violetës tek “La traviata”.

 “Ne të gjithëve na ka ndodhur të gjendemi buzë greminës dhe është shumë e dhimbshme. Është shumë e dhimbshme, dhe të kuptohesh vetëm pasi ke ikur. Siç ndodhi me Violetën. Kam zbuluar veten time në këtë arie, sa herë e kam kënduar. Ndërsa jeta kalon dhe numëroj eksperienca të reja, kjo arie më bën të reflektoj për secilën prej tyre, ja pse e pëlqej atë kaq shumë”.

Në albumin “Anima Rara” që del në treg edhe në formatin fizik e digjital nga data 25 shtator, përfshihen 14 arie me muzikën klasike më të vlerësuar në botë. / Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Shqiptarja e Teatrit Historik të Romës këndon “Himnin e Flamurit” (VIDEO)

Mexosopranoja e njohur lirike, pjesë e Teatrit Historik të Romës, Irida Dragoti, përmes një video rrëfen nga Italia situatën atje.

“Situata në Itali është shumë e rëndë, çdo ditë ka lajme të trishta, por ne po mundohemi të kemi shpresë. Gjatë kësaj kohe në shtëpi po mundohemi të jemi me familje, të bëjmë sport, muzikë e të jemi afër njëri-tjetrit. Këtë izolim duhet ta shohim pozitiv.”

Këngëtarja bën apel për më shumë kujdes ndaj COVID-19.

Krejt në fund të mesazhit ajo e këndon edhe refrenin e Himnit të Flamurit. / KultPlus.com

Sopranoja e karantinuar i bën fqinjët e saj të qajnë duke kënduar nga ballkoni (VIDEO)

Në kohën kur me mijëra banorë të Barcelonës janë futur në vetëkarantinë si pasojë e përhapjes së koronavirusit, një soprano vendosi t’i gëzojë shpirtrat e ngujuar me këngë nga dritarja e apartamentit të saj.

Në video dëgjohet sopranoja 56-vjeçare Begona Alberdi, me një interpretim mahnitës të aries së famshme të Puccinit, “O mio babbino caro”, në një përpjekje për të mbushur me gëzim fqinjët e saj të vetizoluar pas shpërthimit të koronavirusit.

E nxjerrë nga opera e Puccinit nga viti 1918, “Gianni Schicchi”, aria këndohet nga Lauretta pasi tensionet mes babait të saj Schicchi dhe familjes së Rinuccios, të djalit që ajo e do, arrijnë një pikë thyerjeje dhe rrezikojnë të mbajnë të dashuruarit të ndarë, transmeton KOHA.

Duke dëgjuar nga ballkonet e tyre, dëgjuesit lëshojnë gulçime gëzimi (e madje duket se edhe derdhin lot) teksa dëgjojnë zërin e këngëtares duke pushtuar qytetin, para se t’i japin asaj një duartrokitje të madhe shumë të merituar.

Personi që e incizoi sopranon mund të dëgjohet duke qarë prapa kamerës.

Alberdi është vetëm një nga 263,000 banorët lokalë që aktualisht janë detyruar të mbesin brenda shtëpive të tyre në distriktin Eixample të Barcelonës si pasojë e COVID-19.

Për “Daily Mail”, ajo tha: “Ishte ora 20:00 dhe fqinjët po duartrokisnin punonjësit spitalorë dhe edhe ne iu bashkëngjitëm, ishte shumë prekëse të shohësh të gjithë duke u mbledhur së bashku për t’i falënderuar”.

“Më preku dhe mendova, jetojmë në një botë shumë të ftohtë. Doja të këndoja dhe burri më tha ‘këndo atëherë’ dhe kështu nisa të këndoja”.

“Tani është koha të rrimë në shtëpi. Do të kemi kohë për të dalë në shëtitje dhe për të bërë gjëra normale më vonë”, shtoi ajo.

Që nga ajo natë, ajo i argëtoi fqinjët me këngë klasike përfshirë “Ave Maria”, “Cançó d’amor i de guerra” dhe “Casta diva”, nga opera e famshme e Bellinit, “Norma”. /KultPlus.com


Sopranoja Elbenita Kajtazi në “Glyndebourne Opera 2020”

Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në festivalin Glyndebourne Opera 2020, i cili do të mbahet në pjesën e dytë të majit.

“Nën dirigjimin e Enrique Mazzola me orkestrën London Philharmonic Orchestra do kem rastin të këndoj rolin tim të dashur Adina nga opera e mirënjohur L’elisir d’amore kompozuar nga Donizetti. Në të njëjtën kohë që unë do kem kënaqësinë të këndoj në Glyndebourne Opera House, motra ime Ermonela Jaho do ketë shfaqjet e Madama Butterfly në Royal Opera House në Londër”, ka bërë të ditur sopranoja. / KultPlus.com

Më 7 janar të vitit ’55 sopranoja Anderson bëhet personi i parë me ngjyrë që perfomon në Operën e Nju-Jorkut

Marian Anderson ka qenë këngëtare amerikane e muzikës klasike dhe spiritualiste.

Si këngëtare me ngjyrë, ajo kishte probleme në Amerikën e asaj kohe kur racizmi ishte mjaft i theksuar.

Anderson u bë një figurë e rëndësishme në luftën për zhdukjen e racizmit dhe paragjykimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë artiste, 7 janari i vitit 1955 ka qenë data më rëndësishme në karrierën e saj.

Mezzo-soprano Mariana Anderson u bë personi i parë me ngjyrë që performoi në Operën Metropolitane të Nju-Jorkut, me shfaqjen “Un ballo in maschera” të Giuseppe Verdit.

Kritiku muzikor Alan Blyth tha: “Zëri i saj ishte një kontralt i pasur, i gjallë me një bukuri të brendshme”. Ajo interpretoi në koncerte dhe recital në vendet kryesore të muzikës dhe me orkestra të famshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Evropë midis viteve 1925 – 1965. /KultPlus.com

Sopranoja Dioklea Hoxha, fituese e çmimit të dytë në garën për Opera Barok në Austri

Dioklea Hoxha është shpallur fituese e çmimit të dytë në edicionin e dhjetë të Garës Ndërkombëtare të Këndimit për Opera Barok “Pietro Antonio Cesti” në Innsbruck të Austrisë, për interpretimin e disa arieve baroke të kompozitorëve Alessandro Melani e Antoni Cesti, shkruan KultPlus.

Sopranoja shqiptare u cilësua nga juria si një zë i veçantë skenik dhe karizmatik. Gara kishte gjithsej 200 interpretues të muzikës barok, nga e gjithë bota.

“Innsbrucker Festwochen der Alten Musik”, përmes një njoftimi në Facebook, përmend sopranon shqiptare si fituese të çmimit të dytë, krahas Grace Durham që ishte fituese e çmimit të parë dhe Theodora Raftis fituese e çmimit të tretë “Përgëzime juve dhe të gjithë finalistëve. Ju lumtë!”, shkruhej në njoftimin e bërë në Facebook.

Koncerti zuri vend në sallën e madhe të “Haus der Musik”. Garë kjo e themeluar nga Alessandro De Marchi në vitin 2010 dhe brenda shumë pak vitesh është kthyer në një nga kompeticionet më të rëndësishme në botë, për sa i përket operës së barokut.

Dioklea Hoxha, studimet për muzikë i ka kryer në Prishtinë. Kurse studimet master si soliste vokale në degën Rilindje dhe Barok në Conservatorio di musica “Luigi Cherubini” në Firence.  /KultPlus.com

‘Ermonela Jaho, një engjëll i zjarrtë’

Sopranoja Ermonela Jaho me operën “Ana Bolena” po vijon me suksesin e saj në skena të huaja.

Sopranoja Ermonela Jaho interpreton rolin kryesor në operën e Donizzetit “Anna Bolena” në premierën e këtij produksioni të ri, që hapi siparin e Opera Australia në 2 korrik, për të vazhduar shfaqjet në datat 6, 9, 13, 17, 20, 23 dhe 26 Korrik.

“The Economist” dhe “Financial Times”, kanë shprehur vlerësime për sopranon shqiptare për interpretimin e saj në operën “Ana Bolena” .

“Një engjëll i zjarrtë”, kështu e cilëson “The Economist” sopranon shqiptare Ermonela Jaho për interpretimin e rolit të Ana Bolenës në operan e Donizzeti-t. Revista prestigjioze vijon më tej duke shkruar, “e njohur për të falur zemrën dhe shpirtin e saj në skenë”, ndërsa “Financial Times”shkruan “Mos u përpiqni as të rezistoni”, për performancën e saj.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liu (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris. Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thais (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit.

Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden. Në tetor 2013, ajo këndon në La Vestale (Spontini) në Teatrin e Champs Elysees. Për hapjen e sezonit 2013-2014 në operën e Grand Avignon, ajo risjell rolin e Cio-Cio-San në Madama Butterfly, nën regjinë e Mireille Laroche.

Në shtator 2014, ajo shfaqet si Violeta e Traviatës në Operën Bastille, dhe në tetor vjen me një recitim në sallën Cortot të ‘Ecole Normale de Musique de Paris’, e shoqëruar nga Genc Tukiçi. Pasi risjell rolin kryesor të Madamës Butterfly ne 2015, në janar 2016, ajo është Desdemona e Othellos (Verdi) në Teatrin e Madh të Liceut në Barcelonë. Në shkurt 2017, ajo vjen përsëri si Violeta e Traviatës në Sydney Opera House, ku vlerësohet shumë, duke vijuar me suksese të tjera aktivitetin e saj.

Sopranoja Marigona Qerkezi me rolin e Matildës në pesë teatro italiane

Sopranoja Marigona Qerkezi i është përveshur punës për të sjellë në pesë teatrot e Italisë rolin e Matildës, një rol i pasur, por edhe i vështirë në aspektin vokal dhe dramatik. I është besuar sopranos kosovare që në kastën e parë. Opera “Guglielmo Tell” është opera e fundit e kompozuar nga Gioacchino Rossini. Për herë të parë u inskenua nga Opera e Parisit në “Salle Le Peletier”, më 3 gusht të vitit 1829.

“Roli i Matildës është shumë i dashur për mua për shumë fakte, një nga to sepse është kompozuar nga njëri ndër kompozitorët e mi të preferuar, Gioacchino Rossini. Repertorin dhe opusin krijues të këtij kompozitori kam pasur fat dhe nder t’i perfeksionoj me maestron e madh, tani të ndjerë, z. Alberto Zedda – mjeshtër rossinian i njohur botërisht”, ka thënë Qerkezi.

“Premiera do të jetë në teatrin shumë të dashur për mua, në skenën e të cilit fitova konkursin ‘AsLiCo’ në vitin 2015, në ‘Teatro Sociale di Como’, më 26 shtator”, ka thënë Qerkezi. Me po këtë shfaqje, Qerkezi do të rrugëtojë në Teatro Ponchielli di Cremona më 4 dhe 6 tetor e në Teatro Grande di Brescia më 11 tetor.

Viti që vjen do ta gjejë në Teatro Fraschini di Pavia më 17 janar, si dhe në Teatro Sociale di Bergamo një javë më pas.

Qerkezi gjatë kësaj kohe ka pasur disa role nëpër teatro të rëndësishme, duke veçuar edhe performancën e saj në Gran Teatre del Liceu në Barcelonë, vitin e kaluar. Aty sopranoja luajti rolin e Madama Cortese në operën “Il Viaggio a Reims” të Rossinit./Koha

Marigona Qerkezi, sopranoja e cila bëri që flamuri i Kosovës të ngritet në Rusi e Spanjë

Gjithçka nisi qysh në fëmijëri, në kohën kur secili është në fazën e ëndrrave për ndërtimin e profesionit për të ardhmen, e që shpesh gjithçka mbetet aty për të marrë tjetër kuptim me zhvillimin dhe formimin e personalitetit. Por, për Marigona Qerkezin ëndrra e fëmijërisë mori jetë tutje. Ndonëse ishte vetëm 6 vjeç kur për herë të parë shkeli në skenë, hapat e saj nuk u ndalën asnjëherë, ajo vazhdoi fuqishëm në rrugën e saj prej artiste, duke bërë kështu që zëri i saj të jehojë në skena të mëdha botërore. Për të zbuluar më shumë rreth këtij rrugëtimi, ëndrrave, emocioneve skenike, dhe roleve të saj të shumta, sopranoja Marigona Qerkezi në një intervistë për KultPlus na sjellë gjithë rrugëtimin e saj prej artisteje.

Jeta Zymberi

KultPlus: Karriera juaj ka filluar qysh në moshën 6 vjeçare, atëherë kur edhe kishit paraqitjen e parë skenike, por tashmë ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni shumë skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?

Marigona Qerkezi: Udhëtimi im artistik ka filluar në Slloveni, në Lubjanë, ku pata paraqitjet e para skenike si 6 vjeçare dhe pastaj në Zagreb, ku poashtu fillova edukimin muzikor për flaut. Jam me fat që qysh nga ajo moshë aq e vogël, kam pasur performanca të vazhdueshme dhe jam mishëruar me skenën ndërkombëtare hap pas hapi, gjë që kontribuoi në rrugëtimin tim i cili rrodhi natyrshëm dhe sukseset vinin një pas një.

KultPlus: Depërtimi në botën e artit jashtë trojeve shqiptare gjithmonë konsiderohet i vështirë, kjo për arsye të konkurrencës së madhe, sa ishte vështirë për ju dhe çka ju ndihmoi më së shumti për të arritur këtu ku jeni sot?

Marigona Qerkezi: Në rastin tim ishte ndryshe, sepse sukseset e korrura në skenën ndërkombëtare për vite me radhë, sa herë që kisha ftesa, i shfaqja edhe përpara publikut të dashur në trojet tona. Sukseset erdhën si rezultat i punës në kontinuitet dhe mundësive që krijoheshin nga rasti në rast, audicionet e shumta që i kam bërë, si dhe konkurset.

KultPlus: Sot në pozitën në të cilën ndodheni, si i kujton prezantimet tuaja të para në skena ndërkombëtare?

MarigonaQerkezi: E kujtoj me shumë dashuri koncertin e parë në jetën time, në Lubjanë (Slloveni) ku edhe fillova shkollimin dhe rrugëtimin tim. U prezantova si soprano dhe interpretova në përcjellje të korit. Është performanca e parë dhe e paharrueshme për mua! Një tjetër performancë shumë e rëndësishme, kësaj radhe si soliste në flaut, është ajo në Moskë (Rusi) si 15 vjeçare, ku interpretova krahas muzicientëve nga e mbarë bota, si dhe automatikisht krahas emrit tim, u vu flamuri i Republikës së Kosovës, kur dihet që edhe sot e kësaj dite Rusia ende nuk e njeh shtetin tonë. Një rast tjetër është ai i debutimit tim në Gran Teatre del Liceu – Teatrin e Operës në Barcelonë me rolin Madama Cortese, përsëri në një shtet si Spanja, e cila nuk e njeh Kosovën.

KultPlus: Ishit edhe gjysmëfinaliste e garës së madhe operistike Operalia, si ishte kjo përvojë për ju?

Marigona Qerkezi: Ishte kënaqësi të përzgjidhesha dhe pranoja komplimente nga i madhi Placido Domingo, pikërisht prej mijëra konkurrentëve nga e mbarë bota. Pata kënaqësinë dhe nderin të këndoja përpara tij si dhe jurisë shumë prestigjioze të Operalias, që krijoi mundësi të reja për mua, të cilat do të publikohen me kohë.

KultPlus: Cilin prej roleve e konsideroni si më të rëndësishmin në karrierën tënde?

Marigona Qerkezi: Duhet patjetër ta veçoj rolin tim të parë, me të cilin debutova si 22 vjeçare në Operën Mbretërore të Omanit, pra rolin e Mbretëreshës së Natës nga Flauti Magjik i Mozartit, i cili ka një rëndësi të veçantë jo vetëm pse është roli im i parë, por edhe për vështirësitë dhe peshën artistike që bart me vete. Gjithashtu, një vend tëveçantë ka roli i Lucias nga opera Luciadi Lammermoor e Donizettit.. një rol i jashtëzakonshëm!

KultPlus: Cila mbetet ëndrra juaj më e madhe e parealizuar ende?

Marigona Qerkezi: Kam shumë ëndrra e plane për të cilat punoj dhe shpresoj që do të mund t’i realizoj një e nga një.

KultPlus: Keni ndarë skenën me shumë artistë botërorë, por cili është artisti me të cilin ëndërroni të interpretoni bashkë në një skenë?

Marigona Qerkezi: Kam pasur fatin që deri tani të bashkëpunoj dhe të ndaj skenën me plot artistë botërorë, të cilët, përpara vetëm mund të jua lexoja emrat apo t’i dëgjoja në incizime. Natyrisht kjo listë e artistëve është e gjatë, dhe ka ende shumë e shumë prej tyre me të cilët do të dëshiroja të bashkëpunoja.

KultPlus: Falë talentit tuaj dhe zërit magjik, ju keni arritur të prekni shumë skena në vende të ndryshme të botës, por cilin teatër botëror e keni peng dhe ëndërroni që një ditë aty të dëgjohet zëri juaj?

Marigona Qerkezi: Përveç skenave ku deri më tani kam interpretuar (Slloveni, Kroaci, Rusi , Mal të Zi, Itali, Gjermani, Holandë, Kosovë, Amerikë, Japoni, Oman, Turqi, Maqedoni,Portugali, Shqipëri, Angli, Spanjë) gëzohem që çdo vit kjo listë po zgjerohet dhe dalëngadalë kam depërtuar në skena të ndryshme, dhe uroj që të arrij të interpretoj edhe në shumë prej tyre.

KultPlus: Jeni edhe fituese e disa çmimeve, sa ndikojnë çmimet në ngritjen e një artisti?

Marigona Qerkezi: Çmimet dhe vlerësimet nga njerëz të mëdhenj të artit padyshim më kanë dhënë shtytje dhe motivim për të vazhduar të punoj dhe përkushtohem edhe më fort. Është satisfaksion shumë i madh kur përzgjidhesh nga mijëra konkurrentë nga e mbarë bota, kalon nga një fazë në tjetrën, e natyrisht, aq më shumë kur triumfon e kurorëzohesh me çmim, përshembull mund të theksoj këtu 6 çmimet ndërkombëtare operistike të fituara përbrenda një viti.

KultPlus: Për momentin çfarë është duke bërë Marigona?

Marigona Qerkezi: Sapo kam mbaruar performancen te rolit Gilda nga opera Rigoletto e Verdit, rol të cilin e debutova në Teatrin e Operas në Cagliari (Itali) ditë më parë dhe u prit shumë mirë nga publiku dhe kritika. Tani kam ndarë pak kohë që t’i kaloj festat bashkë me familjen, si dhe paralelisht, duke qenë jashtëzakonisht me fat që të kem nënë – profesoreshën time të solo këndimit, Merita Junikun, të punoj me të për projektet e reja të cilat më presin në vitet që po vijnë.

KultPlus: A ju kanë ofruar role të reja dhe cilat janë ato?

Marigona Qerkezi: Kam shumë angazhime të cilat më presin gjatë viteve në vijim, por shumicën prej tyre ende nuk mundem t’i publikoj. Po përmend një nga to: momentalisht jam fokusuar në thellimin e përgatitjes së rolit Donna Anna nga opera DonGiovanni e Mozartit, të cilin do ta debutoj së shpejti në Tokyo New National Theater – Operan e Tokyos, Japoni. Në të njëjtën kohë, po përgatitem për plot projekte dhe role të reja të cilat do i shpalos me kohë.

KultPlus: Ndonëse karriera juaj tashmë po zhvillohet kryesisht jashtë trojeve shqiptare, ju asnjëherë nuk jeni shkëputur tërësisht nga Kosova ku ktheheni për koncerte e pjesëmarrje të ndryshme, por a do të mbani së shpejti ndonjë koncert në Kosovë?

Marigona Qerkezi: Pavarësisht që kam performuar në shumë vende të botës, Kosova zë një vend të veçantë për mua, dhe çdo herë i pranoj me  shumë kënaqësi ftesat për të performuar për publikun tim të mrekullueshëm, natyrisht komfor mundësive për realizim dhe agjendës time profesionale.

KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po lëmë pas?

Marigona Qerkezi: Një vit i pasur me shumë aktivitete artistike. Këtë vit realizova një ëndërr që të performoja në skenë operistike me rol të dyfishtë, atë të solistes në flaut, dhe si soprano në të njëjtën shfaqje ‘’IlViaggio a Reims’’ nga Rossini në 4 Teatro prestigjioze Italiane. Ishte premierë absolute e parealizuar asnjëherë më parë në histori, e vlerësuar edhe nga mediat. Diçka shumë e veçantë. Po ashtu mu shtua edhe një çmim special që e fitova në Konkursin Ndërkombëtar Operistik në Portofino, me juri prestigjioze nga Moska,Tokyo, Brukseli, Amsterdami, Firenze etj, të kryesuar nga drejtori i Operas Shtetërore të Vjenës. Veçoj koncertin në Pallatin Mbretëror në Torino, debutimin e Gildas në Cagliari…Koncertin Jubilar tëAsLiConëComo, ku u ftova si një nga ish-fitueset e çmimit të tyre, çmim ky i cili më hapi shumë dyer në botën operistike ndërkombëtare…, janë këto vetëm disa nga eventet që shënojnë vitin që po lëmë pas.
Ju faleminderit për intervistën dhe po shfrytëzoj rastin ti përshëndes të gjithë lexuesit e KultPlus dhe të ju uroj festat e fundvitit! / KultPlus.com

The Times: Elbenita Kajtazi, një fëmijë lufte që u bë një ndër fituesit e garës ‘Glyndebourne Opera Cup’

Gazeta prestigjioze “The Times”, i ka kushtuar një artikull të veçantë sopranos kosovare, Elbenita Kajtazi ku e ka portretizuar atë si fëmijë lufte që sot po arrin të prek majat e suksesit të saj, shkruan KultPlus.

“Ndërsa ushtarët mbanin armë tek koka e saj, shtatëvjeçarja Elbenita Kajtazi këndonte në mendjen e saj. Tani, 20 vite më vonë, zëri i sopranos kosovare ka magjepsur audiencën në Glyndebourne”, kështu e fillon shkrimin “The Times”.

Më tutje The Times ka përshkruar fëmijërinë e saj në qytetin e Mitrovicës, qytetit që akoma qëndron i ndarë. Atje ajo po rriste dëshirën e madhe për këndim por që situata në të cilën ndodhej ajo dhe familja, shpesh po i dhuronin pasiguri për të ngritur zërin e saj. Këtë fundjavë, në udhëtimin e saj të parë në Angli, Elbenita Kajtazi arriti të fitoi çmimin e audiencës në inaugurimin e Glyndebourne Opera Cup.

“Këndimi për mua është si terapi. Kur arritëm të kthehemi në shtëpi pas luftës, të gjithë ishin shumë të lumtur që ende ishim gjallë, kështu që askush nuk do të fliste për atë që ndodhi”, i ka dhënë sopranoja “The Times”.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë. / KultPlus.com

Sopranoja kosovare fiton dy çmime të rëndësishme në konkursin Glyndebourne Opera Cup (VIDEO/FOTO)

Në Glyndebourne të Anglisë, në një nga shtëpitë operistike më me nam, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi në një garë tejet të fuqishme, mbrëmë ka fituar dy çmime të rëndësishme në konkursin Glyndebourne Opera Cup, shkruan KultPlus.

Elbenita Kajtazi në këtë garë operistike në Londër ka marrë vendin e tretë si dhe çmimin e publikut.

Ndërkaq çmimi i parë shkoi në SHBA ndërsa i dyti në Francë.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë./ KultPlus.com

‘La Traviata’ premierë në Bullgari, Besa Llugiqi me rol kryesor

Pas suksesit që pati me shfaqjen e Lucia di Lammermoor në Shtëpinë Operistike në Burgas, sopranoja kosovare Besa Llugiqi, së shpejti do ta jetësoj rolin kryesor të Violeta Valery në këtë teatër, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

‘La Traviata’ e Verdit, do të dirigjohet nga dirigjenti më i mirë bullgar Ivan Kojuharov, ndërsa Llugiqi në një prononcim për KultPlus, tregoi se është një kënaqësi e jashtëzakonshme për të që ta ketë këtë rol dhe të punoj me maestron Kojuharov.

“Për mua roli i Violetës është mjaft kompleks i gërshetuar me vështirësi teknike, një kryevepër e ndërtuar me mjaft dinamizëm, vuajtje, sakrificë e dashuri janë nuancat që e bëjnë dinamike këtë vepër dhe që publikun e mbajnë gjatë gjithë kohës në drithërima. Poashtu është kënaqësi e jashtëzakonshme që të bashkëpunoi me maestro Ivan Kojuharov, ku vite më parë kam dëgjuar një interpretim të ‘Traviatës’ që është dirigjuar nga ky mjeshtër dhe më ka lënë aq mbresa sa mezi prisja një bashkëpunim të tillë”, ka thënë për KultPlus Llugiqi.

Krejt ky bashkëpunim ashtu siç tregoi edhe vetë sopranoja erdhi pas suksesit që kishte shfaqja e Lucia di Lammermoor në këtë teatër, dhe menjëherë i pasoi ftesa për ‘Traviatën’.

“Sigurisht më gëzoi pa masë fakti që do të ngjitem në skenë me rolin tim të preferuar në drejtimin e Kojuharov, i cili është një prej dirigjentëve më të mirë që ka Bullgaria”, theksoi ajo për KultPlus.

‘La Traviata’, do të ngjitet në skenën e Shtëpisë operistike Burgas më 3 nëntor të këtij vitit./ KultPlus.com

I fashitin ëndrrën se kishte “biografi të keqe”, Teatri Operas humbi një nga zërat e parë të tij

Zë, fuqi, dashuri, dëshirë, pasion e një shpirt i madh mëshirohen në vetëm një njeri, të madhen Marie Kraja, sopranon e madhe që ka dalë nga gjiri i këtij vendi të vogël.

Marie Kraja njihej për potencialin e pazakontë që kishte, por kjo nuk e ndaloi Sigurimin e Shtetit që ta largonte nga dashuria e saj, muzika, e ta përndiqte për shkak të biografisë së saj “të keqe”.

Megjithatë le të hedhim një sy se kush ka qenë në të vërtetë Marie Kraja dhe cilat kanë qenë veprimtaritë e saj dhe “krimi” që bëri me të cilin u dënuar përjetë. Si fillim Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë dhe ka vdekur në Tiranë më 21 nëntor 1999.

Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë.

Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri më 1938 ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni.
Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para.

Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj.

Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

E pavarësisht gjithçkaje, do vinte një moment që Maria nuk mund të vazhdonte më që të ishte aty, në majat e artit operistik, për shkaqe “të mëdha” të kohës. Një grup shkresash tepër rezervat të vitit 1951 zbulojnë fillesat e përplasjes së regjimit komunist me sopranon Marie Kraja dhe një varg artistësh të tjerë themelues të artit lirik e instrumental në Shqipëri, të cilët një nga një do t’i zhduknin nga skena e operas dhe baletit.

Artistja virtuoze vihet në kryq për t’u spastruar nga Filarmonia, për shkak të familjarëve të saj, biografia e hollësishme e të cilëve ishte hartuar nga drejtoritë e Sigurimit të Shtetit dhe regjimi i kishte shpallur armiq e bashkëpunëtor të nazizmit.

Edhe pse Marie Kraja sipas tyre kishte qenë thjeshtë indiferente dhe nuk e kishte simpatizuar Lëvizjen Nacional Çlirimtare e më vonë indiferente ndaj regjimit komunist dhe pa veprimtari armiqësore, sërish ishte një element që duhej spastruar.

Detyra për të hartuar biografitë e hollësishme për një listë të gjatë artistësh, i jepet Sigurimit të Tiranës nga kryetari i Komitetit të Arteve, Foto Stamo.

Sipas shkresës së 7 korrikut të 1951, me shënimin “Rezervat” që Foto Stamo i dërgon Sigurimit, njoftohet se, së afërmi me 17 korrik do të bëhej një mbledhje ku do të raportohej për të gjithë elementët e asaj liste, e cila kryesohej nga Marie Kraja.

Në shkresë Foto Stamo porositi që punonjësit e sigurimit të vijnë të përgatitur. Në listë përveç Marie Krajës rreshtohen emrat: Lek Tasi, Fatbardha Tatzati, Zef Gruda, Tonin Harapi, Haki Bejleri, Tonin Guraziu, Aleko Kareco, Mateo Guralumi, Nik Guralumi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Flora Kallajxhi, Vilhelm Konjari, etj…

Urdhri i dalë nga Komiteti Qendror i PPSH-së ishte që një pjesë e tyre të pushoheshin sapo të shihej e mundur, një pjesë që ishin të pazëvendësueshëm, të zëvendësoheshin pas 5 ose 7 vjetësh (duke nënkuptuar zbulimin dhe edukimin e një artisti të ri që mund ti zëvendësonte) dhe një pjesë e këtyre artistëve më të rinj në moshë, vendosen të mbahen nën survejim e të edukohen për t’u vënë në rrugë të mbarë.
Më poshtë do mund që të lexoni arsyet që janë dhënë për pushimin e Marie Krajës, duke vendosur një afat prej 7 vitesh deri në zëvendësimin e saj.

Pjesë nga dokumenti

Këtu poshtë po ju përshkruajmë elementin që mendojmë të pushohen, elementin që mendojmë të largojmë me zëvendësim dhe elementin që me punë edukative do të bëhen të vlefshëm.
Marie Ndue Kraja: Artiste lirike pushohet për mungesë garancije për këto arsye: gjatë okupacionit, gjithë familja e saj ka bashkëpunuar me armikun e kanë urryer luftën e popullit dhe kanë propaganduar kundra saj. Babai saje ka qenë bashkëpuntor i nazistave, vëllai ka qenë spiker në stacionin nazist në Gjermani. Në fund të vitit 1944 familja arratiset.
Qëndrimi i saj gjatë okupacionit ka qenë indiferent, nuk e ka simpatizuar lëvizjen NÇL. Ka punuar në Radio Tirana dhe ka dhënë koncert në Firenze, në Bari. Qëndrimi i sotshëm është indiferent nuk ka veprimtari armiqësore. Punën që i është ngarkuar e ka kryer, ka realizuar planin… (Marrë nga Shqiptarja.com) / KultPlus.com