Sopranoja Carolina Lopez Moreno, fituese e çmimit të parë në festivalin “Marie Kraja”

Sopranoja shqiptaro- gjermane, Carolina Lopez Moreno u shpall fituese e çmimit të parë të edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që u zhvillua në Teatrin e Operës dhe Baletit nga 28-30 mars.

Juria e përbërë nga drejtorët e përgjithshëm të disa teatrove europiane, kryesuar nga Presidentja e Opera Europa, Anna Maria Meo, vlerësoi me çmime 4 konkurentë mes 15 konkurenteve pjesëmarrës.

Me çmimin e dytë u vlerësua baritoni Samueol Park, nga Korea e Jugut, me çmimin e tretë sopranoja Yulia Merkudinova nga Ukraina, e cila fitoi edhe çmimin e këngës.

Çmimi i parë ju dorëzua në skenë sopranos fituese nga kryetari i bashkisë së Tiranës.
Festivali që u ka dedikuar një moment të veçantë ngjarjeve në Ukrainë i dha çmimin e tretë sopranos Yulia Merkudinova, e cila ishte po ashtu e përzgjedhura e orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit për çmimin e orkestrës.

Krahas interpretimit të arieve të njohura ndërkombëtare e shqiptare nën drejtimin e dirigjentit Martin Andre, nuk munguan as notat e spektaklit dhe baletit.

Në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, morën pjesë 15 konkurrentë, nga katër kontinente. / KultPlus.com