Spanja Pipa sjellë një libër mbushur me këngë korçare

Prej 50 vitesh zëri melodioz i Spanja Pipës ka kënduar këngët urbane korçare me një pasion të pashuar. Pipa gjithashtu vlerësohet si ndër të paktët zëra femëror që kënduan serenatat korçare, këngë dashurie zakonisht të kënduara prej meshkujve.

Libri “Spanja Pipa, këngët urbane të Korçës”, i botuar në vitin 2015 në Itali u soll të mërkurën në Tiranë për herë të parë për audiencën shqiptare, në Institutin Italian të Kulturës.

Muzikologia Mikaela Minga dhe etnomuzikologu Nicola Scaldaferri thanë se që nga takimi i parë figura e Spanja Pipës i intrigoi për botimin e një libri dhe regjistrimin e këngëve.

“Është një personazh shumë karizmatik, është një artiste shumëformëshe, shumëplanëshe. Tek ajo bashkohet elementi i aktores dhe i këngëtares, ka një përvojë skenike që ndihet menjëherë dhe arrin të ta transmetojë kudo që të jetë,” tha Minga.
Kolegu i saj Scaldaferri mbart të njëjtat emocione kur flet për Pipën.

“Një zë shumë i bukur, më bëri një përshtypje shumë të madhe herën; e parë që e kam takuar Spanjën, ishim në Korçë me Mikaelën, e dëgjova që këndoi dhe… thamë do të bëjmë diçka sepse ishte një zë i jashtëzakonshëm”, tha Scaldaferri, i cili është me origjinë arbëresh.

Ndërsa performoi për dashamirësit e artit të mbledhur në promovim, Spanja Pipa falënderoi muzikologët duke vënë buzën në gaz për famën e ardhur në pleqëri.

“Në këtë moshë që jam të dalësh dhe të këndosh është pak e vështirë, më dhanë një kënaqësi të jashtëzakonshme,” tha e emocionuar Spanja Pipa për BIRN.

Përmes jetëshkrimit të artistes Pipa, libri synon të përmbledhë dimensionet e kulturës korçare të atyre viteve dhe t’i japë muzikës një kontekst në rrymat ballkanike.

“Në përgjithësi është një kulturë urbane e cila qarkullon dhe lëviz në vende të ndryshme, influencat kanë qenë të shumta dhe krijohet në këtë mënyrë dhe ai lloj kozmopolitizmi muzikor,” përfundoi muzikologia Minga. /KultPlus.com