Spanja ka zgjedhur këngën përfaqësuese për Eurovision (VIDEO)

Spanja është bërë shteti i dytë pas Shqipërisë që ka zgjedhur këngën përfaqësuese për Eurovision 2020, shkruan KultPlus.

Blas Cantó me këngën “Universo” do të ketë nderin të prezantojë shtetin e tij në këtë garë të madhe.

Deri në muajin prill do të dihen gati shumica e këngëve pjesëmarrëse në Eurovizion dhe garat pritet si zakonisht të jetë e fortë.

Eurovizioni i 65-të me radhë do të mbahet me 12,14 dhe 16 maj të këtij viti në Roterdam të Holandës.

Kujtojmë që përfaqësuesja shqiptare në Eurovizionin e vitit 2020 është Arilena Ara me këngën “Shaj”. / KultPlus.com

Reagon Gashi: Me heqjen e flamurit, Spanja tentoi ta dëmtojë suksesin e sportistëve kosovarë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e ka quajtur veprim jo të mirë dhe ndërhyrje politike të Spanjës, heqjen e flamurit të Kosovës nga faqja zyrtare e Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahen në shtetin spanjoll.

Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”, ndërsa Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë veprim, i cili sipas tij, ka ardhur si pasojë e presionit të shtetit të Spanjës.

“Është një veprim jo i mirë i shtetit spanjoll sepse sporti nuk njeh kufi e as politikë. Nëse ka pasur kërkesë nga Qeveria, kjo tregon që në Spanjë ka ndërhyrje politike në aktivitete sportive dhe është për keqardhje. Me gjasë ditën e fundit ka pasur një presion politik atje nga shteti i Spanjës për të hequr flamurin nga ekranet”, është shprehu ai.

Mirëpo sipas tij ajo që është me rëndësi është fakti se Kosova ka marrë pjesë si shtet, me të gjitha simbolet e veta.

Ekonomia Online njofton se në fillim flamuri i Kosovës ka qenë prezent në faqen ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, por ai është larguar një ditë pasi xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin fituar medaljet e arta.

Me këtë veprim sipas Gashit, Spanja ka dashur që të prishë rezultatet e arritura nga sportistët kosovarë, të cilët atë e kanë impresionuar me paraqitjet e tyre.

“Përndryshe, jam jashtëzakonisht i impresionuar me atë se si sportistët dhe shteti ynë është paraqitur në Spanjë me të gjitha simbolet dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashur ta prishin gjithë atë aktivitet të madh dhe gjithë ato rezultate që kanë sjellë sportistët tanë” tha ai.

Ministri i Kulturës ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra. Ai ka theksuar se Kosova është trajtuar si shtet dhe është paraqitur me të gjitha simbolet e saj, derisa kur janë fituar medaljet është intonuar edhe himni shtetëror. Sipas tij, Komiteti dhe sportistët janë trajtuar jashtëzakonisht mirë.

“Por, ajo ndodh, është një incident i vogël që ka mundur të ndodhë me heqjen e flamurit nga ekranet ditën e fundit, është një gjest jo i mirë dhe një ndërhyrje politike e shtetit të Spanjës në zhvillimin e sportit”, tha ai.

Meqë Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, ministri ka deklaruar se nuk kanë komunikim zyrtar me autoritetet atje për të kuptuar arsyen e heqjes së flamurit, raporton EO.
Por, ai ka shtuar se KOK-u ka kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës, dhe sipas tij së shpejti pritet të vijnë informacione rreth këtij veprimi./KultPlus.com

Shqipëria, destinacion turistik për spanjollët

Trashëgimia kulturore dhe traditat shqiptare tërhoqën vëmendjen e vizitorëve në Panairin Diplomatik Solidar 2018 të organizuar në Madrid, Spanjë, të cilët shfaqën interes për bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Panairi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Madrid nga Shoqata Ndërkombëtare e Diplomatëve në Spanjë (AIDE), në bashkëpunim me Fondacionin “Mbretëresha Sofi”, ndërsa ai u përurua dhe u përshëndet nga mbretëresha Sofi.

Ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Ridi Kurtezi në një prononcim për ATSH-në tha se “në këtë panair morën pjesë rreth 50 përfaqësi diplomatike, 3000 vizitorë, 15 grupe artistike të vendeve pjesëmarrëse, të cilët transmetuan mesazhin e solidaritetit, paqes dhe bashkëpunimit. Stenda shqiptare ishte nga më të vizituarat për vetë llojshmërinë e produkteve tradicionale të ekspozuara dhe paraqitjes së disa kostumeve popullore të Shqipërisë së Mesme”.

“Stenda shqiptare u përfaqësua denjësisht me produkte të gastronomisë, artikuj artizanati, prospekte turistike, letërsi shqiptare dhe kostume popullore”, tha Kurtezi.

Ambasadori Kurtezi u shpreh se “gastronomia shqiptare ishte nga më të preferuarat nga të pranishmit dhe bashkëpunimi i ambasadës me shqiptarët në Madrid, kontribuoi në suksesin e përfaqësimit dinjitoz të vendit në këtë aktivitet të rëndësishëm”.

“Stendën e Shqipërisë e vizitoi mbreterësha Sofi, e cila përgëzoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur edhe me të pranishmit. Nëpërmjet stendave të tyre, çdo vend ekspozoi artikuj artizanati dhe produkte gastronomie tradicionale. Fondet e grumbulluara u destinuan për projektet në ndihmë të njerëzve të sëmurë dhe në nevojë. Po ashtu, me këtë rast nga pjesëmarrësit u promovua edhe turizmi, arti dhe në përgjithësi imazhi i secilit vend”, theksoi ambasadori Kurtezi.

Lidhur me ndikimin e organizimit të këtij panairi në tërheqjen e turistëve të huaj drejt Shqipërisë, Kurtezi shprehet se “përfaqësimi i vendit në këtë panair dhe vizitorët e shumtë në stendën tonë treguan një interesim për traditat dhe kulturën që ne përfaqësojmë. Unë besoj se përfaqësimi në këtë aktivitet do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet tona të përbashkëta në promovimin e imazhit pozitiv të vendit dhe në ekspozimin e potencialit dhe kapacitetit turistik të vendit”.

“Vlen të theksoj se tashmë prej disa vitesh Shqipëria shfaqet si një destinacion turistik për spanjollët dhe kjo edhe si rezultat i disa vizitave turistike dhe disa dokumentarëve në të cilat janë promovuar bukuritë natyrore të vendit dhe janë inkurajuar operatorët turistikë vendas për të përfshirë Shqipërinë në paketat turistike”, tha Kurtezi.


Stendën e Shqipërisë e vizitoi Mbretëresha Sofi, e cila përgezoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur me të pranishmit. Mbretëresha Sofi përmendi vizitën e saj në Tiranë në vitin e kaluar duke përcjellë përshtypjet dhe vlerësimet më të mira.

Ambasadori i Shqipërisë, Kurtezi i dhuroi Mbretëreshës Sofi, librin “Pallati i Ëndrrave” të shkrimtarit Ismail Kadare dhe e ftoi që të rivizitojë vendin në një kohë të favorshme për të./ATSH/ KultPlus.com

Spanja habiti botën me marshin e grave, ky marsh do të mbetet në histori (VIDEO)

Krejt qytetet e Spanjës më 8 mars ishin të mbushura me gra, të cilat po kërkonin të drejtat e tyre, kërkesa këto që u thirrën nëpërmjet marsheve të shumta në shumë qytete të Spanjës, shkruan KultPlus.

Mirëpo, marshi i sivjetmë po del të jetë më masivi që ka mund të ndodhë ndonjëherë në Spanjë, për ta vlerësuar kështu edhe si marsh historik.

Një video që po qrakullon nga ky marsh, ku janë përfshirë protesta nga shumë vende të Spanjës të lënë pa fjalë. Për më shumë mund ta shikoni këtë marsh, që është mjaftë emocionues./KultPlus.com