Reagimi i Zelenskyt pasi Ukrainës iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE

“Është një moment unik dhe historik”. Kështu ka shkruar presidenti Volodymyr Zelensky në Twitter pasi Këshilli i BE-së i ka dhënë dritën jeshile statusit të kandidatit për anëtarësim vendit të tij.

Ai ka falënderuar “Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe liderët e BE-së për mbështetjen e tyre.

“E ardhmja e Ukrainës qëndron brenda BE-së”, shtoi ai.

Ndërsa presidentja e KE-së Von der Leyen deklaroi se vendet kandidate do të duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë, duke kryer reformat e kërkuara nga BE veçanërisht në zbatimin e ligjit.

Pas vendimit të Brukselit ka folur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili e konsideroi një hap themelor në rrugën drejt BE.

“Bashkimi Evropian sapo ka vendosur t’i japë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit për në BE. Një moment historik. Kjo ditë shënon një hap themelor në rrugën tuaj drejt BE. Urime Zelensky dhe Sandu, popullit ukrainas dhe popullit moldav. E ardhmja është bashkë”. Duke folur për Gjeorgjinë, Michel deklaroi se BE “është gati të japë statusin e kandidatit pasi të jenë adresuar prioritetet e pazgjidhura”.

Kujtojmë që Ukraina aplikoi vetëm pak kohë më parë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, pas nisjes së pushtimit rus. / KultPlus.com