Stefi Ingrisi, këpucëtari austriak që jetoi në Shkodrën e shekullit XIX

Një nga të veçantat e Shkodrës, që e dallon atë nga shumë qytete të tjera shqiptare, është ajo e qëndrimit aty të shumë të huajve që e shkelën si vizitorë – ose për qëllime të tjera – e nuk u kthyem më në vendet prej nga kishin ardhur. Ata u vendosën në atë qytet, ku krijuan edhe familjet. Një nga këta është austriaku Stefi Ingrisi, ose siç njihet ndryshe në shqip, Shjefni.

Po kush ishte Shtjefën Ingrisi, në çfarë rrethanash u largua ai nga vendi i tij, Austria, dhe si mbërriti në qytetin e Shkodrës?
Kjo bëhet e ditur nga familja shkodrane Daragjati, që është një nga degët e breznisë së austriakut Shtjefën.

Ka qenë dimri i vitit 1830 kur anija që ishte nisur nga Porti i Koperit në Slloveni, me të cilën udhëtonin Shtjefni dhe dy miqtë e tij, filloi të lëkundej në një furtunë në Adriatik. Për t’i shpëtuar furtunës, kapiteni i anijes e afroi atë diku afër Shëngjinit. Por, dallgët e mëdha e përplasën anijen afër shkëmbinjve, duke e shkatërruar. Nuk dihet se kush ishin njerëzit që përveç tij lundronin në atë anije. Por, një gjë është e saktë: Shtjefën Ingrisi, asokohe 20 vjeç, mundi të shpëtonte së bashku me dy nga miqtë e tij. Ai u plagos me disa gërvishtje të lehta të cilat iu mjekuan në një bujtinë në lagjen Parrucë në Shkodër.

Pas largimit nga hani, sipas disa dëshmive, të nesërmen Shtjefni doli për të kërkuar punë në Shkodër. Ai e kishte zanatin e këpucarit dhe një valixhe të vogël prej lëkure (e vetmja që i kishte shpëtuar gjatë mbytjes së anijes) ku kishte veglat e punës. Gjithnjë me ndihmën e hanxhiut, Shtjefni mundi të marrë me qera një dyqan të vogël pranë pazarit të qytetit. Nga mjeshtëria e tij arriti të kishte klientë të shumtë. U bë i njohur.

Që në muajt e parë të punës dhe veprimtarisë së tij, mësoi gjuhën shqipe dhe u ambientua shpejt me banorët. Thuhet se askush nga qyteti i Shkodrës nuk e mori vesh të vërtetën për largimin e tij nga Austria dhe ardhjen në Shqipëri. Së paku deri në ditën që ky i fundit u martua me vajzën e fisit Shiroka. Kjo dëshmi është ruajtur nga pasardhësit. Lidhur me këtë, Zef Staka (nipi i Shtjefnit), midis të tjerash kujtonte: “Shtjefni jetonte në një fshat që ndodhej mes Austrisë dhe Hungarisë, ku shpesh shkonte për gjah perandori Franz Jozef. Pak kohë para vajtjes së tij dhe të njerëzve që e shoqëronin, u ishte dhënë urdhër banorëve të atij fshati që të shkonin në drejtim të pyllit dhe me enë të ndryshme të shkaktonin zhurma. Kjo gjë bëhej me qëllim që të trembeshin kafshët e pyllit, që të dilnin nga strofullat e të kalonin në shtigjet ku kishte zënë pritë perandori me njerëzit që e shoqëronin. Shtjefni e ndjeu veten të fyer nga ky fakt dhe i doli përpara perandorit, duke i thënë ‘Ne jemi njerëz të ndershëm dhe jo kafshë gjahu për ju dhe shpurën tuaj’. Por, këto fjalë do t’i kushtonin atij. Për këtë arsye, do t’i duhej të braktiste vendin. U largua me mendimin që të shmangte dy perandoritë, atë austro-hungareze dhe osmane, për t’u vendosur në Palestinë. Por, përmbytja aksidentale e anijes bëri që të vendosej në qytetin e Shkodrës”.

Nga martesa e tij lindën shtatë fëmijë, përkatësisht katër vajza dhe tre djem. Shtjefni mundi t’i siguronte një jetesë jo të keqe familjes, pasi zanati i tij vlerësohej në gjithë qytetin.

Sipas dëshmive të Zef Stakës, Shtjefni solli këpucën e parë në Shkodër, pasi më parë popullsia mbathej me një lloj papuçeje të quajtur “Pashmange”. Thuhet se aq e madhe ishte fama e tij në rregullimin e këpucëve, saqë vetë Valiu i Shkodrës e mori në oborrin e tij. Sipas disa dëshmive, kur ndonjë nga diplomatët mbaronte misionin e tij dhe largohej nga qyteti, Valiu ua bënte si dhuratë një palë këpucë të cilat i kishte porositur tek Shtjefni. Po kështu, sipas dëshmive, kur Shtjefni vdiq në moshën 90-vjeçare (në vitin 1902), sundimtari i qytetit dërgoi një tabor me ushtarë në varrimin e tij, për ta nderuar.

Sipas dëshmive të Angje Daragjatit, e cila është dhe mbesa e Shtjefnit, ai udhëtoi vetëm një herë drejt vendlindjes së tij. Familja e tij mbeti e shokuar kur e pa, pasi nuk ishte asnjë lajm se ishte gjallë. Ai u rrëfeu atyre se ishte martuar me një vajzë shqiptare dhe se ishte bërë baba. Katër vajzat e tij quheshin: Katerina, Amalia, Marjeta dhe Roza, të cilat mbanin emrat e motrave të tij. Ai i arsimoi ato. Shumë nga librat e shkollës me të cilat mësonin vajzat e tij, ruhen sot nga pasardhësit e tij në Shkodër. Kështu, Zef Staka në shtëpinë e tij ruante një enciklopedi gjermane me 30 volume, që Shtjefni e solli nga Austria në vitin 1870. Nga martesa e Shtjefnit me vajzën e fisit Shiroka, përveç vajzave lindën edhe tre djem të quajtur: Angjelin, Gjovalin, dhe Çesk.

Djalit të Gjovalinit iu vu emri i gjyshit të tij, Shtjefën, ose siç thirrej shkurtimisht, Stefi. Ai lindi në Shkodër në vitin 1882 dhe mbasi kreu shkollën fillore vajti në Itali ku ndoqi mësimet në një shkollë të mesme mekanike. Pas mbarimit të saj punoi në një kantier detar në Venecia. Në vitin 1902, pas vdekjes së gjyshit, kthehet në Shkodër ku themelon një nga shoqëritë e para punëtore (sindikaliste) të quajtur “Shoqëria ndihmëtare”.

Në këtë kuadër, Stef Ingrisi organizoi dhe drejtoi festimet e para të 1 Majit duke hyrë në histori si njeriu i parë që organizoi festën e punëtorëve në Shkodër. Më pas rikthehet në Venecia, ku punoi përsëri në kantierin detar. Edhe mbas kaq shumë vitesh, në shtëpinë e Zef Stakës në lagjen “Rus”, duken kangjellat e punuara me aq mjeshtëri nga Stefi. Ai punoi në shumë shtete, si Itali, Austri, Zvicër, Jugosllavi etj. Ai gjithashtu ndihmoi shumë tregtarë austriakë, që jetonin dhe punonin në Shkodër, për të mbajtur aktivitetet e tyre. Njëkohësisht, sipas disa dëshmive të vetë rrethit të tij familjar, Stefi gjatë kohës që punonte në Zvicër, takoi Vladimir Iliq Leninin, liderin e ardhshëm të Partisë Komuniste Bolshevike të Rusisë.

Stef Ingrisi u nda nga jeta në vitin 1956 në qytetin e Shkodrës, ku edhe sot jetojnë shumë nga pasardhësit e tij. /DashnorKaloçi/ KultPlus.com