Çmimi “Jakov Xoxa” i ndahet librit “Stilografia” të Sabri Hamitit

Në hapje të “Panairit të librit akademik dhe shkencor” të organizuar nga akademitë e Kosovës dhe Shqipërisë, librit “Stilografia” të Sabri Hamitit i është akorduar Çmimi “Jakov Xoxa”, të cilin e ka themeluar Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, përcjell KultPlus.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, e ka lexuar vendimin, ndërsa Çmimin ia ka dorëzuar Sabri Hamitit, kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Agron Xoxa, i biri i shkrimtarit shqiptar, Jakov Xoxa.

Në fjalën e tij, pas pranimit të Çmimit, Sabri Hamiti ka folur për Xoxën dhe krijimtarinë e tij letrare, duke shprehur nderim për vlerësimin që i është bërë librit të tij.

“Qendra e Librit dhe e Leximit ka bërë një gjetje të pazakontë duke i dhënë emrin e novelistit e romansierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet letërsi.

Në librin tim Stilografia, tashmë të shënjuar me emrin Jakov Xoxa, kryevepra e Xoxës “Lumi i vdekur”, renditet midis kryeveprave të letërsisë shqipe.

Romani “Lumi i vdekur”, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar ishte bërë një libër kult për brezin e ri të lexuesve në Kosovë: për përmasat e thurjes së romanit epik në shqip; për marrëdhëniet njerëzore e shoqërore të kosovarëve të shpërngulur me vendasit në Shqipëri; e sidomos i pëlqyer në tregimin e dashurisë të Vitës e Adilit.

Romani adhurohet sidomos për stilin e tij që i ngjet prozës së Mitrush Kutelit pararendës dhe që gjen vazhdimin në prozën e Vath Koreshit.

Romani “Lumi i vdekur” tematizon në mënyrë origjinale fenomenin e Natyrës dhe Kulturës, duke i sprovuar me Humanen, për të përapëlqyer natyralen si kundërpeshë të arrogancës së njeriut.

Këtë zbulim do ta ketë bërë cilido shkrimtar, që e ka takuar Jakov Xoxën në Apolloni, në fillim të viteve 70-të, kur ai vetmitar, i paqtuar me natyrën po thurte prozën e vet epike, larg kryeqytetit dhe klubit të thashethemeve”, shprehet Hamiti. / KultPlus.com

“Stilografia”, libri më i ri i Sabri Hamitit

Shkrimtari dhe studiuesi, Sabri Hamiti na vjen më librin e tij më të ri të titulluar “Stilografia”, përcjell KultPlus.

Libri trajton ‘letërsinë e tashme shqipe’, në nivel interpretimi, duke e vënë në relacion me klasiken letrare shqipe dhe me sistemin e tërësishëm të kësaj letërsie.

“Stilografia”, vepër me shkrime kritike, paraqet konceptin themelor të trajtimit të shkrimit letrar, të dorëshkrimit, në vështrimin gjenuin të gjetjes së literaritetit. “Stilografia”, po ashtu paraqet kuptimin elementar të stilit individual, ‘lapsi’ e ‘letra’, duke provuar ‘bukurshkrimin’ në procesin e leximit të veprave letrare–artistike.

“Stilografia” është vepër e përbërë nga tri pjesë.

Pjesa e parë, ‘Letrat e fundit’, në formën e abecedarit për letrat e tashme shqipe, trajton letërsinë shqipe të shekullit XXI, të cilën e shkruajnë dhe botojnë në të njëjtën kohë autorë të tre brezave. Një brez me veprat e fundit; një brez me veprat e shënueshme; dhe një brez me veprat paralajmëruese. Ndërkomunikimi i kësaj letërsie, vetvetiu shenjohet si sistem, i cili trajtohet në rrafshin e transformimeve mbrenda formave letrare të trashëguara. A. ‘Poligrafia e prozës’; B. ‘Enigma e poezisë’; C. ‘Sprovat e kritikës’; D. ‘Aktet dramatike’; nëpërmjet cilësimit, interpretimit e përmbledhësimit, lakmojnë ndritësimin e vlerave letrare, me ndryshimet e reja, për të paraqitur një fazë tjetër të letërsisë shqipe; sigurisht me autorë ilustrativë dhe vepra karakteristike.

Pjesa e dytë, ‘Kalendari’, pa propozuar një kohëtore të letërsisë shqipe, vë në evidencë vlera letrare, tashmë të artikuluara në kohë të veçanta, sidomos të lidhura me ngjarje kulturore të letërsisë shqipe. Ngjarjet letrare evidentohen në kohë, si e përtashme, por mbeten në kohë, si e përjetshme, duke marrë vlerën e veprave klasike me autorë që bëjnë një trashëgimi letrare kombëtare. Kjo nuk e përjashton përpjekjen e pasosur të rivizitimit të tyre, duke riparë funksionin e tyre në sistemin e hapur të komunikimit letrar.

Pjesa e tretë, ‘Breviari’, si një ‘Shkurtore’, shpalon fenomene letrare, karakteristike për letërsinë shqipe, të cilat prekin në mënyrë të veçantë të gjitha epokat e kësaj letërsie, nëpër shkallë të konstantave dhe të ndryshimeve, mbrenda kësaj letërsie e, po ashtu, të krahasueshme me letërsi të tjera. Për t’u bërë ‘Breviari’ thelbësor e konkret, propozon një përzgjedhje veprash dhe autorësh, si argument të fundit letrar.

‘Autori’ ia njeh lirinë ‘Literarit’ (Lexuesit), që këtë vepër ta lexojë, duke nisur nga fillimi apo duke nisur nga fundi, sipas shijes së vet. Ka që pëlqejnë ta nisin leximin e letërsisë shqipe duke filluar nga Marin Barleti e Pjetër Bogdani për të arritur te Ismail Kadare e Anton Pashku. Ka që pëlqejnë të nisen nga të dytët për të arritur te të parët. / KultPlus.com