Së shpejti ‘Takimet e Dom Mikelit’, përurohet edhe busti i Skënderbeut

Për të 29-tën herë me radhë organizohet manifestimi kulturor, letrar e shkencor “Takimet e dom Mikelit”, që do mbahen në Stubëll të Vitisë.

Data 22 shtator do të mbledhë në Stubëll një numër të madh të krijuesve e studiuesve për pjesëmarrje në manifestim, sikundër dhe të figurave të larta të jetës publike tek ne.

Në akademinë shkencore, do trajtohet figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550 vjetorin e kalimit në amshim. Hë për hë, opinioni do njihet me kumtesat e studiuesve kompetent, si të: Jahja Drançollit, Antonio Belushit, Lucia Nadinit (Itali), Muzafer Bislimit (Shkup), Mark Palnikaj (Tiranë), Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë). Në këtë përvjetor do bëhet dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e Agron Bytyqit.

Në kuadër të akademisë, me rastin e 170 vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848),vjen historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Odette Marquet. Në fakt, organizatori, bën botimin e një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera dhe në gjuhën shqipe) që prezantohen në këtë libër. Autorja, së shpejti, del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë.

Krijuesit nga mbarë trevat shqiptare, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Orën e Madhe Letrare, e cila ka karakter garues.

Këngë, kushtuar Skënderbeut -Kryezotit të Arbërisë (siç shprehet organizatori), vijnë përmes zërit kumbues të Shkurte Fejzës, ndërkaq ansambli “Albafolk” nga Gjilani, do performojë disa valle arbëreshe. / KultPlus.com

Ahmet Selmani fitues i orës letrare ‘Agim Ramadani’ në ‘Takimet e Dom Mikelit’

Manifestimi tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, u mbajt dje, më 23 shtator, në Stubëll të Epërme të Vitisë, shkruan KultPlus.

Ky manifestim i cili tashmë është bërë tradicional sjellë për audiencën e tij shumë aktivitete kulturore e poashtu mbahet edhe ora e madhe letrare, ku ndahet çmimi “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, si dhe një program argëtues për të pranishmit.

Sivjet Poeti Ahmet Selmani u vlerësua për poezinë më të mirë.

Çmimet tjera ishin: Irena Gjoni dhe Rozafa Shpuza, poetet që fituan vendin e tretë me poezitë e tyre.
Ndërsa, vendin e dytë zunë Zana Pira, poete nga Pozharani dhe Zade Kuqi, poete.

Në kuadër të këtij manifestimi referuan shumë profesorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia./ KultPlus.com

Vjen manifestimi ‘Takimet e Dom Mikelit’ në Stubëll të Epërme

Më 23 qershor në Stubëll të Epërme (Viti) do të mbahet takimi tradicional kulturor e shkencor ‘Takimet e Dom Mikelit’, shkruan KultPlus.

Në këtë manifestim sikurse viteve të kaluara përpos debateve do të mbahet edhe ‘Ora e Madhe Letrare’, do të bëhet ndarja e çmimit ‘Agim Ramadani’ për tri poezitë më të mira si dhe do të ketë program argëtues me Dava Gjergjin dhe ansamble të këngëve dhe valleve.

‘Takimet e Dom Mikelit’ mbahen më 23 qershor me fillim nga ora 09:00, në Stubëll të Epërme (Viti)./ KultPlus.com