Një universitet amerikan online ofron arsim për studentë nga gjithë bota

Universiteti i Popullit, një universitet online pa pagesë, u themelua në vitin 2009 dhe u akreditua në vitin 2014.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, qëllimi i kësaj organizate jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara është që të ofrojë qasje tek arsimi i lartë për rreth 140,000 studentë nga 200 vende.

Kateryna Glubochenko është nga Mykolaivi në Ukrainë. Rusia filloi luftën ndaj vendit të saj, vetëm tre muaj para se ajo të diplomohej.

“Të gjithë filluan të largoheshin nga qyteti në panik. Të gjitha bizneset u mbyllën. Gjithçka mbeti në vend”, thotë ajo.

Por Kateryna nuk i ndali studimet. Ajo vazhdoi punoi dhe arriti të diplomohej, ndonjëherë duke studiuar në strehime për t’u shpëtuar bombave.

“Nuk kisha asnjë rrugë tjetër, përveç UoPeople.”

Universiteti i Popullit, ose UoPeople, thotë se është universiteti i parë jofitimprurës pa pagesë në internet i akredituar nga SHBA. Por universiteti nuk është plotësisht falas. Studentët duhet të paguajnë midis 140 dhe 400 dollarë për çdo klasë që marrin. Studentët paguajnë rreth 5 mijë dollarë për të marrë një diplomë, dhe më pak për disa nga programet për master.

Për më tepër, Universiteti ofron një sistem bursash për njerëzit që nuk mund të paguajnë. Nëse studentët kualifikohen dhe rreth 50 për qind e tyre hyjnë në këtë kategori, diplomimi nuk kushton asgjë. Sipas faqes bestColleges.com, në vitin 2022, kostoja mesatare e shkollimit dhe tarifave në një universitet publik katërvjeçar në Shtetet e Bashkuara ishte rreth nëntë mijë e gjashtëqind dollarë në vit.

UoPeople u themelua në San Francisko në vitin 2009 nga biznesmeni dhe sipërmarrësi izraelito-amerikan Shai Reshef, i cili thotë se universiteti pranon studentë nga e gjithë bota.

“Në SHBA kemi të pastrehë, kemi studentë pa dokumente, kemi nëna që nuk punojnë, por kemi edhe shumë studentë që kanë një jetë të vështirë”.

Refugjatja afgane Khadija Amini është studente e këtij universiteti që jeton në Shqipëri në pritje të vizës amerikane. Prindërit e saj punonin për qeverinë afgane, por pasi talebanët erdhën në pushtet, ata u larguan.

UoPeople i dha Khadijas jo vetëm shansin për t’u arsimuar që talebanët do t’ia kishin mohuar, por shumë më tepër.

“Vajzat e tjera afgane duan të arsimohen. Unë kam filluar t’u jap mësim online nga shtëpia si vullnetare. Po ashtu po i orientoj për të gjetur rrugë për t’u arsimuar”.

Sot, rreth 130,000 studentë nga 200 vende studiojnë në UoPeople. Personeli – rreth 26,000 vetë – përbëhet vetëm nga vullnetarë, dhe universiteti ofron diploma në administrim biznesi, teknologji informacioni, shëndetësi dhe të tjera.

“Unë besoj se arsimimi është një e drejtë themelore dhe çdo person në botë duhet ta ketë këtë mundësi. Dhe ne pikërisht këtë bëjmë. Zhvillojmë një model arsimimi të lartë, duke treguar se të gjithë mund të kenë qasje dhe të përballojnë arsimin e lartë”.

UoPeople punon me një numër institucionesh me reputacion të arsimit të lartë, përfshirë universitetet e Edinburgut dhe McGill. Universiteti merr gjithashtu mbështetje dhe ndihmë nga organizata jofitimprurëse si Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe gjigantë të teknologjisë si Google dhe Intel./VOA/KultPlus.com

Studentët e muzikës në “Haxhi Zeka” të tretët në garat për kitarë në Bullgari

Studentët e Fakultetit të Arteve, drejtimi i muzikës, të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, janë renditur të tretët në garat Ndërkombëtare për Kitarë Klasike në Bullgari.

Në njoftimin e tyre thuhet se profesori Xhevdet Sahatxhija, me asistim të Gjulian Bytyqit i përgatitën studentët e UHZ-së për këto gara.

“Falë përkushtimit, dëshirës së zjarrtë për avancimin e muzikës në Kosovë e më gjerë, dashurisë për rininë kosovare dhe këmbënguljes për të qenë prezent gjithmonë në vendin tonë, qoftë nëpërmjet Festivalit të Kitarës si organizator i saj në qytetin e Pejës, qoftë si profesor në universitetin “Haxhi Zeka”, me të cilin ky institucion gjithmonë krenohet, këtë herë profesor Xhevdet Sahatxhija solli në qytetin tonë një çmim prestigjioz me të cilin na bënë krenarë jo vetëm UHZ-së por edhe Pejën e mbarë Kosovën”.

“Profesori Sahatxhija, me asistim të Gjulian Bytyqit përgatitën studentët e UHZ-së për garat e XXVI Ndërkombëtare për Kitarë Klasike e cila u mbajt në Kyuestendil të Bullgarisë nga data 6-8 prill 2023. Universiteti u përfaqësua nga studentët Redon Hajdari, Blina Nushi, Lind Rudi dhe Sidrit Hamiti, të cilët fituan vendin e tretë në kategorinë e muzikës së dhomës duke garur me të rinj nga Bulgaria, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Ukraina, Republika Ceke dhe Franca. Juria në këtë garë ishte e përbërë nga emra të mirënjohur të fushës së muzikës nga 12 shtete evropiane”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se në këtë garë e cila organizohet çdo vit në Kyuestendil të Bullgarisë, morën pjesë tetë formacione muzikore.

“Në këtë garë morën pjesë tetë formacione muzikore dhe ajo që vlen të ceket është se të rinjtë nga UHZ, të përgatitur nga Profesor Sahatxhija dhe asistent Bytyqi, marrin pjesë për herë të parë në gara ndërkombëtare. Gara Ndërkombëtare për Kitarë Klasike organizohet çdo vit në Kyuestendil të Bullgarisë. Universiteti “Haxhi Zeka” u është mirënjohës studentëve dhe i përgëzon ata për çmimin e fituar dhe njëkohësisht shumë falënderues ndaj përkushtimit dhe vullnetit të profesor Xhevdet Sahatxhija meritat e të cilit janë një vlerë e lartë për universitetin “Haxhi Zeka”, Pejën dhe Kosovën”, thuhet tutje në njoftim./KlanKosova/KultPlus.com

Faruk Begolli drejtuar studentëve të tij: Çdo fitore juaja, çdo triumf juaji në skenë është edhe fitore dhe triumf imi

(Në 15 vjetorin e vdekjes së Faruk Begollit. Në vend të përkujtimit: një letër e bukur që ai ua ka pas drejtuar studentëve të tij të aktrimit, të cilët qenë ankuar kundër ‘rigorizitetit’ të tij si profesor. / shën. Jeton Neziraj)

Letër përshëndetëse

Studentëve të degës së aktrimit që sivjet nisin vitin e katërt dhe të fundit të studimeve.
Të dashur studentë!
Ju jeni fatlumë, pasi jeni gjenerata e parë që në vitin e tretë ju kam stërngarkuar me detyra. Dhe jeni gjenerata e parë që nuk ju po ju përcjelli deri në fund, ashtu siç kam bërë me të gjitha gjeneratat tjera para jushë. Kisha dëshiruar, sinqerisht, që kjo fatlumësi t’ju përcjellë më tutje. Fatlumësia ime do të plotësohet me arritjet e juaja në skenë, për këtë të jeni të bindur. Shkruat në gazeta se “po përgatiteni për skenë” dhe unë do të jem shumë i lumtur nëse ju vërtetë pregatiteni për skenë. Do të më tregoni jo vetëm mua, por edhe vetes dhe opinionit se keni të drejtë të jeni të skenës. Por mos harroni se aty dikund jam edhe unë; me rigorozitetin, me ‘zgjedhën’ dhe pedagogjinë ose “paditurinë”, por me dashurin për tju mësuar, për tju nxitur më tutje… me atë dashuri të sinqert që mund të sillet prindi ndaj fëmijëve të vet… Prandaj, besoni, suksesi juaj në skenë apo ekran do të jetë kënaqësi jo vetëm e juaja, por edhe e imja…
Të dashurit e mi!
E thatë se qëllimi juaj është të jeni sa më të mirë në skenë. Por ky ka qenë edhe qëllimi im: të jeni sa më të mirë në skenë, të bëheni të mëdhenj në skenë… Çdo fitore juaja, çdo triumf juaji në skenë është edhe fitore dhe triumf imi! Secili vend ka kushtetutën që duhet të përfillet, pasi ajo është baza e asaj shoqërie. Kështu është, apo jo?! Por edhe ky zanat yni ka disa rregulla që duhen përfillur. Kanë ekzistuar që nga antika, e vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot; kodet dhe rregullat që bashkëkrijojnë atë që mund të quhet “etikë e aktorit”. Por jo vetëm e aktorit, por edhe e studentit dhe pedagogut. Secili profesion ka kodet dhe ligjet e veta, pa të cilat ai nuk mund të funksionoj. Që në orën e parë kur jemi takuar ju kam thënë se aktrimi është “veprim” është “aksion”. Por, për të vepruar dhe për të kryer një aksion, duhet punë, duhet pregatitje. E puna dhe pregatitja kërkojnë kushte dhe rrethana, kërkojnë seriozitetin, kërkojnë durimin dhe shumçka tjetër. Pa këto cilësi “veprimi”, në skenë nuk mund të dalësh i plotë si aktor, nuk mund të dalësh bindës… Kjo është rruga për te suksesi, kjo është rruga për të mbetur gjatë në skenë…
Të dashur filiza të mi
Më keni dashur shumë. Më keni thirrur “babë”! Më keni treguar shumë intimitete, shumë probleme, shumë dilema. Keni pasur shumë besim në mua. Më keni thirrur “Faki”, “Faruk”, “Profe”, por kurr nuk më jeni drejtuar me “Ju”. Dhe, më besoni, këtë gjë unë e kam marrë si përparësi. Këtë shkallë të lartë intimiteti e kam pa si mundësi të mirë për t`ju mësuar rreth gjërave që kan lidhje me shpirtin, me sinqeritetin, emocionet e me dashurinë… E të gjitha këto, ta dini, janë BAZA, URA që ju çon drejt skenës, që ju bënë “cara në skenë”. Jam munduar që krejt ato sa kam ditur t’ua tregoj edhe juve, po po, “t’ua tregoj”, sepse e pashë dhe po e shoh se “nuk ju paskam mësuar”! Por ama, jam munduar!
Me një “ngelje” qëllimëmirëse, humbi dashuria, besimi, dija e eksperienca, intimiteti, ndjenja atërore…!! Shumë shpejt e ndërruat mendimin për mua!! Shumë shpejt u bëra armik i juaji! Sa shumë shpejt u bëra “profi më i keq në botë”! Ku ju mbeti kujtesa…! E çuditërisht, edhe pse ju nuk më doni, unë akoma ju dua!
Të dashur
Ju e dini se gjithmonë ju kam thënë se “duhet të ankoheni”, t’i kërkoni dhe shfrytëzoni të drejtat tuaja studentore. Ndonjëherë mund edhe t’ju kem ofenduar, por këtë e kam bërë që të ju nxis që të luftoni. Se lufta është thelbi i qenies njerëzore. A ju kujtohet kjo gjë? Shumë herë nuk keni pasë me vete as letër e as laps. A ju kujtohet?! Dhe më vjen mirë që më në fund shkruat “diçka”, shkruat kundër profit tuaj. Dhe dine: më gëzuat. Tek e fundit, diçka ju paskam mësuar. Jam i lumtur për këtë gjë! Por, e vërteta, si në skenë, ashtu edhe në jetë është tepër e rëndësisshme. Asnjëherë nuk ju kam mësuar për “gjysëm të vërtetën”, për rrëfime dhe “huazime” jashtë rrethanave të caktuara…!!! Shpresoj që më në fund ta keni kuptuar se çka janë rrethanat e konteksti! Por, gjithsesi, është mirë që më në fund u shprehët, shkruat diçka. Më në fund, filluat të dini se çfar doni. Tani e keni qëllimin. Bravo! Ligji është me ju! E aktrimi…?
Kalofshit bukur!

Faruk Begolli / KultPlus.com