102 vjet më parë Italia tërhiqej nga Vlora dhe bregdeti shqiptar

102 vjet më parë, më 2 gusht të vitit 1920, pas dy muajsh të nxehtë, qeveria shqiptare dhe pala italiane do të binin dakord në një traktat të fshehtë i cili do të dilte në formë të pjesshme në shtyp, nëpërmjet shoqërisë italiane “Stefani” të lajmeve.

Kjo marrëveshje kishte negociator kontin Manzoni nga pala italiane dhe Sulejman Delvinën për palën shqiptare.

Pala italiane pranoi që Shqipëria të qëndrojë nën hapësirat territoriale të vendosura nga traktati i Londrës. Pala italiane pranoi të tërhiqet nga malet e Shqipërisë dhe të dislokojë gradualisht trupat e saj të cilat gjendeshin kryesisht në bregdet për një kthim në Itali, me një njollë turpi humbjeje nga forcat territoriale civile shqiptare.

Italianët do të zotëronin nga kjo marrëveshje vetëm ishullin e Sazanit, të cilin do ta mbanin për të siguruar kalimin e qetë të anijeve në zonën e Otrantos.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, sjell edhe një material ilustrues të situatës së asaj kohe në kanalin e Otrantos, e veçanërisht në ujërat përreth ishullit të Sazanit. / KultPlus.com

Përkujtohet 150-vjetori i lindjes së patriotit Sulejman Delvina

Si sot 150 vjet më parë, më 5 tetor të vitit 1871, lindi në Delvinë, Sulejman Delvina, patriot, mësues, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare.

Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas studimet e larta në Stamboll. Mbajti disa poste të rëndësishme brenda administratës osmane deri në vitin 1911 ku kundërshtoi hapur politikën xhonturke dhe politikën ekspansioniste të vendeve fqinje kundrejt territoreve shqiptare.

U zgjodh një nga përfaqësuesit e kolonisë së Stambollit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Pas Kongresit të Lushnjës u emërua kryeministër i qeverisë ku u përball me probleme të shumta ku më të mprehtat ishin çështjet e kufijve dhe çështja e Vlorës ku dha një mbështetje të madhe si dhe firmosi protokollin italo-shqiptar për zbrazjen e Vlorës dhe rrethinave të saj nga italianët.

Delvina mbështeti Lëvizjen e Qershorit dhe u caktua në krye të Ministrisë së Jashtme në Qeverinë Noli. Pas dështimit të Lëvizjes largohet nga vendi për t’u rikthyer më 1928. U nda nga jeta më 1 gusht 1933, në Vlorë.

Në fotografitë e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave paraqitet portreti i Sulejman Delvinës dhe biografia e tij në gjuhën italiane./atsh/KultPlus.com