Policia shqiptare përdorë dhunë ndaj ekipit të shfaqjes ‘The Handke Project’

Një pjesë e ekipit të shfaqjes ‘The Handke Project’ është sulmuar mbrëmë në Kukës nga policia e shtetit shqiptar derisa po ktheheshin në Kosovë nga qyteti i Firenzes, shkruan KultPlus.

Dramaturgu Jeton Neziraj, përmes një postimi në facebook, ka njoftuar se policia e shtetit shqiptar kishte mbajtur ekipin për mbi 10 orë sipas tij me dhunë e terror, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë.

Më poshtë është njoftimi i plotë i dramaturgut Neziri:

Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

Ekipi i shfaqjes The Handke Project./ KultPlus.com

Një grua shtatzënë sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë

Një grua shtatzënë nga Prishtina është sulmuar mëngjesin e sotëm nga qentë endacakë, derisa po kthehej nga çerdhja e fëmijëve në shtëpi. Ajo ka deklaruar se qentë i kanë shkaktuar plagë në bark dhe në pjesën e këmbëve

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Oruqi” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

29-vjeçarja Besnike Beqiraj e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënësisë ka deklaruar se është sulmuar nga rreth 10 qenë. Ajo ka thënë se është rrëzuar si pasojë e sulmit të qenve dhe nuk ka mundur të ikë.

“Në ora 08:00 të mëngjesit, duke u kthy prej çerdhes së fëmijëve, duke u kthyer në shtëpi, është një pjesë ku rrijnë vazhdimisht qentë. Aty afër një shtëpie të pabanueshme më kanë sulmuar thuajse 10 qenë. Më kanë sulmua shumë tepër, më kanë rrezua, nuk kam mundur me ikë, kur ka dashur të më humbë vetëdija s’kam mundur të bëj asgjë, jam shtatzënë, në muajin e 6-të, s’ka pasur kalimtarë nuk më ka dëgjuar askush”, ka deklaruar Beqiraj.

Ajo ka deklaruar se ka shumë plagë të cilat po i shkaktojnë dhimbje të mëdha.

“Kam shumë dhimbtë, kam shumë plagë, jam shumë e lënduar, plagët i kam prej pjesës së barkut e poshtë. Këta të komunës as nuk vinë me e pa, aty rrinë goxha shumë qenë dhe fëmijët rrinë andej. Kam pak qetësim të dhimbjeve sepse jam duke marrë terapi, por i kam dhimbjet shumë të forta, pjesën e këmbëve e kam krejtësisht të kafshuar”, ka thënë ajo për gazetën Objektiv, transmeton KultPlus.

Doktoresha Krenare Makolli ka deklaruar se pacientja është sulmuar kryesisht në pjesën e këmbëve.

“Pacienten e kemi pranuar sot në mëngjes, sigurisht për shkak të gjendjes së saj pasi është shtatzënë është një gjendje më e jashtëzakonshme se rastet tjera. Kafshimet e qenve janë bërë problem i madh, zonja ka qenë e shqetësuar, është konsultuar gjinekologu, janë pastruar plagët, për momentin është stabile por e shqetësuar po. Ka plagë në ekstremitete, kafshimet e qenve mund të bëjnë plagë jo të qarta. për momentin i jepet ndihma e parë e pastaj shkojmë me procedurat tjera që do t’i ndjekë në javët e ardhshme”, ka thënë Makolli.

Ndërkohë, edhe një banor i lagjes ka deklaruar se e ka dëgjuar gruan duke bërtitur, në momentin kur është sulmuar nga qentë.

“Kam qenë duke e renovuar shtëpinë, e  kam dëgju poterën e qenve, për nja 30-40 qenë, ka bërtitë një grua, nuk e kam pa por e kam dëgju. S’është hera e parë që ndodh kjo, e kemi lajmëruar policinë dhe komunën por nuk vijnë”, ka thënë ai. / KultPlus.com

Sulmohet vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi: Jam i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij

Mbrëmjen e kaluar është sulmuar vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë gazetari, i cili ka publikuar edhe fotografitë dhe siç ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografive, vetura ishte qëlluar me pesë ose gjashtë pluma.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kajtazit.

Miq,

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij. / KultPlus.com

Aktori i famshëm sulmohet në mes të rrugës

Aktori, Rick Moranis, i njohur për rolet e famshme në “Ghostbusters” dhe “Honey, I Shrunk the Kids”, u sulmua nga një i panjohur, ndërsa po shëtiste në Upper West Side të New York City.

Sulmi ndodhi pak para orës 7:30 të mëngjesit të së premtes në Central Park West, njoftoi Departamenti i Policisë i New-Yorkut, shkruan A2News të shtunën.

Videoja e marrë nga kamerat e sigurisë përreth tregon të dyshuarin duke ecur drejt aktorit 67-vjeçar, dhe duke e goditur atë në kokë, derisa ai u rrëzua.

Avokatët e aktorit konfirmuan sulmin, por thanë se gjendja shëndetësore e Moranisit është e mirë.

“Ai është mirë dhe mirënjohës për mendimet dhe urimet e të gjithëve”, u shprehën ata.

Sipas raportit të Policisë, Moranisi kishte dhimbje në kokë dhe në shpinë, ndërsa i dyshuari që u largua duke ecur krejt i qetë në këmbë nuk është identifikuar ende. / KultPlus.com