Peggy Gou ndez Prishtinën në natën finale të Sunny Hill – ‘Uau, Kosovë!’

Festivali Sunny Hill e mbylli natën e fundit me një shpërthim energjie dhe muzike elektronike, falë një prej emrave më të spikatur të skenës ndërkombëtare, Peggy Gou. Performanca e saj jo vetëm që ngriti në këmbë mijëra të pranishëm në skenën C4, por edhe la një jehonë të veçantë që do të mbahet mend gjatë.

E njohur për stilin e saj të veçantë si DJ dhe producente, artistja me origjinë koreano-jugore ofroi një set hipnotizues, me ritme që depërtuan deri në palcë dhe një prezencë skenike që rrëmbeu publikun që nga momenti i parë. Momenti kulmor i mbrëmjes erdhi me “(It Goes Like) Nanana”, kënduar në kor nga të gjithë të pranishmit, nën shiun që vetëm shtoi intensitetin e përjetimit, transmeton KultPlus.

Por ishte reagimi i saj pas performancës që rrëmbeu vëmendjen dhe zemrat e publikut. Në një postim në Instagram, Peggy shkroi:
“Uau, Kosovë! @sunnyhillfestival është hera ime e parë këtu, çfarë turme! Faleminderit që vallëzuat në shi, faleminderit familjes Lipa për ftesën.”

Kjo performancë dhe ky reagim i Peggy Gou janë një dëshmi më shumë e ndikimit që Sunny Hill Festival ka fituar në nivel ndërkombëtar, jo vetëm si një platformë për artistë të mëdhenj, por si një përvojë e paharrueshme për ta. Prishtina nuk ishte vetëm një ndalesë në turin e saj, ishte një kujtim i gjallë, i denjë për një “Uau, Kosovë!” që mbeti në mendjet e të gjithëve./KultPlus.com

Festivali Sunny Hill lanson Sunny Hill Travel në partneritet me Fluturime.com dhe FullyTrip.com

Festivali Sunny Hill ka njoftuar për krijimin e një shërbimi të ri të udhëtimit të quajtur Sunny Hill Travel, në bashkëpunim me Fluturime.com dhe FullyTrip.com.

Platforma e re do u ofrojë pjesëmarrësve të festivalit që në një vend të bëjnë planifikimin dhe rezervimin e udhëtimit të tyre, prej biletave të aeroplanit e deri të përjetimi i eksperiencave kudo nëpër Kosovë.

Me Fluturime.com që siguron përmbajtjen turistike dhe FullyTrip.com që ofron teknologjinë me të mira për rezervime sa më të thjeshta dhe të sigurta online, Sunny Hill Travel do ta bëjë më të lehtë se kurrë që vizitorët ta shijojnë festivalin dhe të eksplorojnë Kosovën.

Edicioni i vitit 2025 i Festivalit Sunny Hill do të sjellë yje botërore si Dua Lipa, Peggy Gou, Shawn Mendes, Anyma, Mochakk, Fatboy Slim dhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarisht, duke vazhduar misionin për ta vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve globale.

Platforma e re e udhëtimit jo vetëm që do të përmirësojë përvojën e ndjekësve të festivalit, por gjithashtu do të mbështesë turizmin e qëndrueshëm dhe furnitorët lokalë duke tërhequr më shumë vizitorë dhe duke i inkurajuar ata të zbulojnë më shumë Kosovën dhe rajonin.

Për më shumë informacion, vizitoni: www.sunnyhilltravel.com / KultPlus.com