“Syrene Saxophone Quartet” me komunikim të veçantë muzikor bëri hapjen e festivalit ReMusica

Era Berisha

Edicionin e tij të 21-të, festivali ReMusica e nisi mbrëmë me një interpretim nga kuarteti i saksofonëve nga Holanda, “Syrene Saxophone Quartet”, që për publikun solli vepra mjaft interesante. Këto vepra që ngërthyen në vete temën e ujit, u interpretuan me një elegancë dhe hijeshi të pakrahasueshme, me ç’rast ky kuartet me të vërtetë lëvizi si rrjedhë e ujit përgjatë gjithë këtij koncerti, për të sjell kështu vepra të cilat aq butësisht hynin në shpirtin e pranishëm, shkruan KultPlus.

Salla e Kuqe ishte vendi i cili mbrëmë mirëpriti koncertin e parë të festivalit, ku me gjithsej dymbëdhjetë reflektorë të kaltër, dritat e ngrohta që vinin nga lart, dhe skena e ndriçuar në një rreth të veçantë për interpretueset, bëri që akoma pa nis ky koncert, publiku të jetë pjesë e tij. Ndërkaq, me shkronja të mëdha dhe perde të zeza të vendosura prapa, ishte emri i festivalit që erdhi në ngjyrë të gjelbër ku pothuajse dukej se po frymonte nga posedimi gjallërues që përmbante.

Hapjen e festivalit ReMusica e nisi drejtoresha artistike, Donika Rudi, e cila është shprehur se po ndjen një kënaqësi të madhe pas mungesës fizike që zgjati për dy vite.

“Është shumë kënaqësi që po ju shoh sonte këtu. Ka dy vite që po e presim këtë natë. Këtë vit shënohet 21 vjetori i festivalit. Vitin e kaluar, me shënimin e 20 vjetorit kemi planifikuar një mori koncertesh e aktivitetesh, por në minutë të fundit, u anuluan të gjitha ngase ato erdhën vetëm në formatin online. Festivali këtë vit trajton një temë të veçantë ku i kemi katër elemente të natyrës si: toka, ajri, uji dhe zjarri. Në këtë formë, është ndërtuar dhe gjithë programi që është para jush. Pra, sonte tematikën e kemi me ujë, prandaj edhe sirenat i kemi sonte këtu”, thotë Rudi.

Sipas saj, netët e tjera do të vazhdojnë me këtë tempo e ritëm. Ndërkaq, në koncertin e fundit e paraparë është edhe një vepër e një kompozitori ukrainas, Maxim Shalygin, që vjen e shkruar qysh vonë, në mënyrë që solidarizimi të jetë i pranishëm edhe në këtë festival.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas kësaj hapjeje, me veshje në ngjyrë të kuqe e të pembe, në skenë doli kuarteti i saksofonëve “Syrene”, që pas pak do të pushtonte skajet e gjithë sallës me tinguj të fuqishëm por edhe të butë e komplekse. Në një ndërlidhje me qetësinë absolute të të pranishmëve, erdhi  vepra e parë e titulluar “Water music – Suite No.1 in F Major” e kompozitorit George Frideric Handel si dhe vepra e dytë “The Waves”, nga kompozitori Jacob Ter Veldhuis.

Katër saksofona që shndrisnin në ngjyrë ari arritën që të vjedhin vëmendjen e gjithsecilit. Të lëshuar nga agresiviteti, meloditë e zhveshura që po pasonin, herë vallëzonin në një butësi që rrëshqiste lehtazi në atmosferë e herë tjetër shndërroheshin në një cikël prej lozonjareve.

Pas këtyre dy veprave aq bukur të luajtura, Kuarteti i saksofonëve “Syrene” iu drejtua publikut për t’i thënë se ato me të vërtetë po ndihen krenare që po performojnë për herë të parë në Prishtinë.

“Faleminderit shumë për duartrokitjet tuaja. Jemi shumë të lumtur që luajmë këtu në Kosovë, në këtë mjedis. Ne ndihemi shumë të mirëpritur këtu dhe njerëzit janë shumë të mirë. Është hera e parë që luajmë këtu në Prishtinë, prandaj jemi shumë të nderuara që jemi këtu dhe luajmë për ju. Kemi vizituar edhe Universitetin e Prishtinës, ku i mësuam talenteve të reja, saksofonin”, thotë “Syrene”.

Sipas tyre, ato u ndjenë shumë të lumtura që kanë ndarë njohuritë e tyre për muzikën në ato mësime, pasi në të njëjtën kohë ato kanë ndarë edhe dashurinë e tyre për muzikën.

“Pjesa tjetër quhet “An American in Paris” nga kompozitori holandez George Gershwin. Vendi ynë, Holanda, është i rrethuar nga deti, dhe pjesa më e madhe e tokës është nën nivelin e detit, kështu që kur kemi të bëjmë me ndryshimet klimatike dhe niveli i ujit shkon më lart, shumica e tokës do të jetë në ujë. Për shekuj me radhë, ne po luftojmë kundër ujit ose thjesht po jetojmë me të. Në këtë pjesë po shkojmë vërtet në ‘ujë’, pak a shumë, prandaj është një pjesë e gjatë ku koha zhduket. Ideja është përjetimi i juaj ku ju jeni në ujë dhe deti është i pakohshëm”, thotë tutje “Syrene”.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti dëshmoi se audioja e çdo dridhjeje që pason nga interpretimi në saksofon, timbri i pasur kualitativ, ndryshimi i dinamikës dhe teknikat e avancuara, janë vetëm disa nga magjitë e vogla të cilat krijojnë një madhështi hyjnore që publiku ka rastin të dëgjojë nga afër.

Energjia e tyre dhe komunikimi që ato kanë mes vete bëri që ky koncert të jehojë dyfish më shumë. Duke nisur nga lëvizjet trupore të tyre që herë afroheshin afër instrumentit dhe herë tjera sa më larg tij, lëvizjet e duarve dhe këmbëve në ritëm me meloditë, shikimet herë pas here në notat para tyre si dhe harmonia që ka zënë vend qysh në sekondën e parë, dëshmoi për talentin e tyre që nën heshtje derdhej dalëngadalë, porsi vala në breg të detit.

Në anën tjetër, përpara se vepra e fundit e kompozitorit Douwe Eisenga të fillonte, kuarteti përsëri mori fjalën.

“Kjo është pjesa e fundit që do të interpretojmë sonte për ju. Kjo vepër është kompozuar nga një kompozitor holandez. Është një material muzikor i vogël i cili ndërtohet mbi njëri-tjetrin. Ne thjesht duam të themi se jemi të lumtura që jemi këtu dhe nëse keni dëshirë që të na merrni me vete në shtëpi, atëherë në dispozicion janë edhe dy CD-të tona që po ashtu përmbajnë pjesët që u interpretuan sonte por edhe mjaft të tjera”, thotë “Syrene”.

Fotografia: Rrahman Osmani

Kështu, krejt në fund koncerti i kuartetit të saksofonëve “Syrene”, përmbylli natën e mahnitshme me një performancë të një vepre e cila me tinguj joshës depërtoi edhe në zemrën e të gjithë të pranishmëve duke i dërguar ata në shtëpi me kujtime aq bukur të krijuara nga ky kuartet.

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “ReNEW” me kitaristin Lorik Pylla dhe artistët e ftuar si: Shaban Behramaj dhe Rron Bakalli.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani