Artisti Petrit Halilaj në shtator hap ekspozitën ‘Syrigana’ në Berlin

Artisti shqiptar i njohur në botë, Petrit Halilaj, në muajin shtator do të hap ekspozitën “Syrigana” në Berlin të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Syrigana” do të hapet në Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart – në një nga institucionet më të njohura të artit bashkëkohor në Gjermani dhe Evropë.

Lajmi për hapjen e kësaj ekspozite  është bërë i ditur nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”.

“Ky nuk është „bahnhof“-i në Runik, por Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart – një nga institucionet më të njohura të artit bashkëkohor në Gjermani dhe Evropë.

Nga shtatori, artisti ynë Petrit Halilaj do të hapë ekspozitën e tij të veçantë „Syrigana“, ku do të sjellë në zemër të Berlinit elemente dhe tregime unike të kulturës sonë – nga Runiku ynë nga Kosova jonë”, ka njoftuar ambasadori Ajeti./ KultPlus.com

‘Syrigana: Operë në pesë akte’ nga Petrit Halilaj që bën bashkë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen

Filharmonia e Kosovës ka ndarë posterin zyrtar të operës “Syrigana: Një operë në pesë akte” – një ngjarje e papërsëritshme që do të zhvillohet për vetëm një natë në fshatin Syriganë, në zemër të Drenicës.

Sipas një njoftimi për media kjo vepër e re performuese, e bashkëkrijuar me Filharmoninë e Kosovës, sjell një rrëfim dashurie të frymëzuar nga mitet lokale dhe kujtesa personale e kolektive, të vendosura në një peizazh që flet për historinë e një rajoni të tërë.

“Me një skenë të ndërtuar nga vagona traktorësh, pjesëmarrje nga artistë lokal dhe tinguj të gjallë nga Filharmonia, “Syrigana” është një ftesë për të imagjinuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen ndryshe”, thuhet në njoftim.