Ditar” i Tajar Zavalani-t,  intelektualit  që veproi për atdheun

Tajar Zavalani është një ndër figurat e mërgatës  shqiptare të cilat dhanë kontribute të mëdha për shtetin shqiptar. Këto kontribute përfshijnë rrafshin atdhetar e politik në një anë, por edhe rrafshin intelektual e letrar në anën tjetër, sidomos me përkthimet e tij, dorëshkrimin në gjuhën angleze “Historija e Shqipnis” e edhe konferencat e ndryshme në të cilat  ka marrë pjesë. Duke pasur një korpus kaq të gjerë të veprimtarisë, figurën e tij mund ta kuptojmë edhe më mirë nëpërmjet shënimeve të tij të ditarit. Nëse neve na shfaqen letra, libra, konferenca, shkrime gazetash, përmes ditarit mund të shohim rrugëtimin sesi janë krijuar ato, që mbetet një rrugëtim jo shumë i lehtë, i cili do t’i ndikojë drejtpërdrejtë në njërën anë në jetën si njeri i rëndomtë kurse në anën tjetër në jetën si një njeri intelektual. Do të bëhet pikërisht jeta intelektuale ajo e cila do t’i sjellë probleme të drejpërdrejta, qoftë kjo edhe në marrëdhënien bashkëshortore. Në “Ditarin” e tij, do të shohim një Shqipëri e cila ndodhet në situatat më të këqija politike, përballë një shoqërie mërgimtare, e cila synon që ta zgjojë atdheun nga kjo gjendje, por që gjithmonë hasin në kundërshti.

Intelektuali dhe jeta

Ditari i Tajar Zavalanit përfshinë një periudhë dyvjeҫare të shkrimit, vitet 1942-1944, duke filluar nga data 12 shkurt 1942 dhe duke përfunduar më 19 prill 1944. Shkrimi i këtij ditari bëhet në një moshë të jetës ku autori ka fituar mjaft përvojë nëpër fushat e tij të punës, në moshën 39 vjeҫare, ku na e bën me dije edhe statusin e tij duke treguar që është i martuar:“Sot e fillova ditarin. Në të 39 stinë viti të jetës s’eme dhe pas 5 vjet martese me Kikin”.

Përveҫ shkrimeve të ditarit mbi jetën personale, libri përmban edhe shkrime të tjera, siҫ janë shënime dhe qëndrime të ndryshme rreth situatave të caktuara, më pastaj kemi edhe letërkëmbime me personalitete të rëndësishme shqiptare, e edhe fotografi të po këtyre personaliteteve, që përmenden në ditarin e Zavalanit.

Dilema: gruaja apo atdheu

Qëndrimet e tij nëpër kohë do të bëhen pjesë e pandashme e jetës, e cila më pastaj  varet pikërisht nga këto situata. Jetën e tij personale dhe jo të një intelektuali mund ta shohim mjaft pak. Në ditar na del një njeri aq i angazhuar në misione, saqë harron që ka një grua dhe një jetë për të jetuar. Vetëm në momente shumë të rralla dhe në momente kur thuajse i bëhet e pashmangshme na del një Tajar i cili merret me bashkëshorten, Selmën, të cilën e thërret Kiki dhe e cila ka për nënë të bijën e Abdyl Frashërit. E shohim që si nga ana e vet, si nga ana e gruas, Zavalani, është një njeri i cili do të punojë për popullin dhe për idealet e popullit. Puna e tij e pandalshme i shkakton gruas së tij presion dhe ky presion më pas shkakton sëmundje. Vetëm në rastet kur ajo sëmuret, në ditar mund ta shohim se ekziston një Kiki njeri, e cila është aty jo vetëm për t’i dhënë mbështetje dhe mendime në situata të caktuara por edhe për t’i bërë me dije shumë shpesh se duke u dhënë pas idealeve kombëtare, Zavalani po e harron jetën, ndonëse  mision të vetëm në jetën e tij ai e konsideron pikërisht atdheun. Në raste shumë të rralla, mund të shohim që Zavalani na ndanë edhe ҫaste intime, nga jeta me Kikin. Gruan e tij mund ta shohim edhe si intelektuale, në momentin kur shkruan artikull për gazetën “Lirija”.

Zavalani arrin deri në atë pikë sa gruan e barazon me idealet për atdheun, duke i marrë si metonimi idealet mund ta shohim që Zavalani e barazon gruan me vetë atdheun dhe në momentin kur ajo sëmuret mbetet mes dy zjarreve, aq sa edhe ndër të tjera shprehet: “Kriza vazhdoi disa ditë. Unë u bëra si i ҫmendur dhe kalova përmes një dileme torturuese: Kiki apo ideali që kam luftuar 20 vjet”.

Midis Kikit dhe idealeve, ai vrapon më shumë pas të dytave, gruaja e tij qëndron për muaj në spital madje arrijnë deri në atë pikë sa e mendojnë edhe ndarjen, por sërish pajtohen. Idealet dhe intelektualja e largojnë Zavalanin nga jeta personale, por e bëjnë një person shumë të rëndësishëm për atdheun në mesin e shumë personave të tjerë.

Intelektuali si kundërshtar  dhe atdheu

Zavalanin e shohim si një njeri që del gjithmonë kundër në momentin që e sheh se po i kanoset e keqja atdheut të tij. Një ndër figurat kryesore të cilën haptazi e kundërshton është figura e mbretit Ahmet Zogu, e cila di të bëhet shumë shpesh pengesë në vendimmarrje të mërgatës, të cilët dëshirojnë të krijojnë të ashtuquajturin “Frontin e përbashkët shqiptar”. Zavalani bën gjithmonë përpjekje të drejtpërdrejta për të krijuar këtë front, pasi është shumë i vetëdijshëm për mënyrën sesi shihet nga komunitetet e tjera Ahmet Zogu. Por është pikërisht Ahmet Zogu dhe njerëzit e tij të cilët gjithmonë do t’i dalin përpara duke penguar në forma të ndryshme, madje duke mbërritur deri në ato pika sa do të ndryshojnë edhe deklaratat dhe projektet e tij, apo nuk do t’i pranojnë ato në qoftë se ky shfaq haptazi mendimet e tij, të cilat në rastet më të shumta janë në kundërshtim me sistemin, të cilin ky e quan edhe regjim.

Pavarësisht se hasë në këto pengesa, Zavalani gjithmonë bën përpjekje, me mundësitë e tij, duke e krijuar kështu edhe një rreth bashkëatdhetarësh të cilët e mbështesnin ideologjinë e tij. Këta mbështetës me patjetër që do të kenë kundërshtarët, të cilët janë mbështetës të ideologjive të Zogut. Kjo fillon nga personalitete të ndryshme, të cilat për ironi të fatit janë edhe udhëheqës të revistave më me zë, nëpërmjet të cilave operojnë shqiptarët, të cilët synimin e kanë mundësinë e një paraqitjeje të shqiptarëve në mënyrën më të mirë para opinionit të huaj. Kjo ju dështon në momentin kur këta hasin në udhëheqës të cilët përpara atdheut i vendosin premisat e tyre vetjake, të cilat zakonisht ju shërbejnë për të pasur raporte të mira me mbretin Zog dhe në këtë mënyrë edhe të ardhura më të mira. Madje ka nga ata që arrijnë deri në atë pikë, sa fajësojnë Zavalanin, që i kishte bindur të bëheshin bashkë. Në një letër që i drejton Milto Nockës thotë: “Hidhërohem shumë kur më thua se unë po të marrkam në qafë duke kërkuar që të bëhesh kundër Zogut”. Ky hidhërim për Zavalanin është i pashpjegueshëm, sepse ai nuk po e lufton në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm Zogun si njeri, por po e lufton hapësirën të cilën e ka ndërtuar Zogu mes tij dhe Amerikës, rrjedhimisht Shqipërisë dhe organizatës Amerikës. Për këtë arsye ia jep një argumentim të tillë edhe shokut të tij: “Unë të bëra një propozim në mënyrë krejt konfidenciale për të mbushur greminën që po krijohet ndërmjet Zogut dhe organizatës së Amerikës”.

Të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë greminë, edhe ata intelektualë janë të cilët e rrethojnë Zavalanin, janë të vetëdijshëm për këtë greminë, por shumë pak prej tyre marrin vendime që të dalin kundër dhe të plotësojnë këtë vend bosh që po e krijon politika.

Kjo greminë thellohet edhe më tepër kur merr përmasa edhe më të mëdha. Tashmë nuk mbetet vetëm greminë ndërmjet amerikanëve dhe shqiptarëve, por bëhet greminë e krijuar në mes të Shqipërisë, në brendësi të saj. Kjo pikëpamje e Zavalanit, mund të vërehet në pjesën e dytë, ku ai na jep disa shënime. Ai vë në kontrast pasuritë dhe resurset natyrore që ka Shqipëria dhe që janë të shumta me gjendjen e saj aktuale, që të ndjellë me raste edhe dhembshuri. Këtë kontrast e fillon qysh nga natyra, ku shprehet: “Kam parë Shqipërinë, një vend i pajisur me fusha legjendare si Myzeqeja, që bënte mjaft bukë për të ushqyernjë milion frymë dhe importonte nga moti në mot me qindra kuintalë misër dhe grurë”.

Kontrastin  e vazhdon me njerëzit të cilët shfrytëzoheshin nga italianët, me njerëzit që burgoseshin pa faj, fëmijë që shkojnë në shkollë pa bukë e deri në demoralizimin e rinisë. Fajtori dhe ai të cilit ia drejton gishtin Zavalani, është pushteti dhe personi i cili është në krye të pushtetit, Ahmet Zogu. Sipas tij ky edhe ishte kulmi i ironisë: “Kulmi i ironisë ishte që të gjitha këto ndodhnin nën një regjim, i cili kishte për sy e faqe të gjitha format e dukshme të një monarkie konstitucionale me parlament, enterpelanca e votëbesimi”.

Ky pushtet në sy të të tjerëve (nga jashtë) përmes intervistave e fjalëve të rrejshme duket shumë në rregull, por nëse shkojmë brenda Shqipërisë, brenda asaj që Zavalani thotë se përkundër të tjerëve unë e kam parë për shkak se kam qenë aty, atëherë e shohim një mjerim të vërtetë. Shqipërisë sipas tij nuk i duhet vetëm një mbret i cili do të bëjë një paraqitje të mirë jashtë për shqiptarët, por i duhet një mbret që do të jetë më të vërtetë aty për interesa të popullit. E vetmja zgjidhje të cilën e jep Zavalani, që Zogun e sheh asgjë më shumë se një njeri ambicioz, pa skrupulla, me mentalitetin e  një despoti oriental, është demokracia. Kjo demokraci sipas tij nuk duhet të jetë një karikaturë por një demokraci e vërtetë.

Këto qëndrime gjithmonë kanë statusin subjektiv, prandaj Zavalani nuk heziton as të përdorë edhe përemrin unë. Ai i shpërfaqë në mënyrën më të mirë idetë e veta, për një Shqipëri pro amerikane, një Shqipëri nën regjimin e askujt por gjithmonë nën shërbimin e vetvetes dhe popullit të saj.

Shumë shpesh Zavalani na njofton edhe me lexime të librave të ndryshëm  që bën, takime me personalitete të njohura. Këto lexime madje shumë shpesh i përdorë për ndonjë ironi të caktuar siҫ bën me toponiminë. Ai shprehet: “Ҫudi kjo puna ime! Në Shqipëri merresha me Tolstoj e Balzak. Këtu, në Londër, po merrem me Shalë e me Shosh”.

Personalitete të ndryshme përballë Zavalanit dhe Shqipërisë

Mërgata funksionon nëpërmjet revistave të ndryshme, e ndër revistat më të rëndësishme nëpërmjet të cilave operojnë shqiptarët në Amerikë, në ditarin e Zavalanit na dalin “Lirija”  dhe “Dielli”.

“Lirija”, mbetet revista ku këta botojnë shkrimet e tyre për një Shqipëri më të mirë, rrjedhimisht për një Shqipëri pa Ahmet Zogun. Ҫekrezi del si njëri ndër personat me të cilët Zavalani ka kontakte më të shumta, duke u parë që edhe përmendet jashtë mase nëpër shkrimet e tij, e edhe kuptojmë që takohen shumë shpesh.

Organizata “Vatra” sipas Zavalanit është një organizatë e cila nuk mund të aprovohet, në momentin kur e bëjnë si kryetar të saj Faik Konicën. Nëse deri më sot jemi mësuar të shohim një profil tjetër të Konicës, atëherë Zavalani na bën një profil nga një këndvështrim krejtësisht personal, duke u bazuar në argumente. Ai nuk e sheh Konicën si njëri  nga liderët e Frontit të përbashkët për këtë arsye: “Prandaj, në qoftë se gjer dje z. Faik Konica aprovonte bashkimin e Shqipërisë me Italinë e Musolinit, ngrente në qiell të mirat që na i pruri 7 prilli, të cilën ne e quajmë një katastrofë kombëtare dhe dënonte me fjalët më revoltuese veprën heroike të atyre që “guxuan” të shtien mbi mbretin Viktor Emanueli, unë nuk shoh sesi po ai njeri mund të jetë sot një nga liderët e Frontit të përbashkët”.

Për këtë arsye nuk e mbështet emërtimin e tij si një nga udhëheqësit e “Vatrës”. Këtë madje arrin të na e jap me një mendim shumë interesant duke thënë që: “Ne shqiptarët nuk i ҫmojmë njerëzit sipas parimeve të tyre politike dhe veprimeve të tyre publike, por shkojmë akoma pas miqësive personale, prestigjit të titujve dhe të drejtave të fituara dikur”.

Një ngjarje mjaft interesante e cila i paraqet intelektualët shqiptar të ndarë në mendimet dhe mbështetjet e tyre, mbetet dita e flamurit, më 28 nëntor. Sotir Martini, është ai i cili dëshiron të mbajë në fjalim në këtë ditë. Zavalani, duke i njohur mjaft mirë vetitë e tij si njeri dhe duke e ditur që Sotir Martini, është ministër i oborrit mbretëror të Ahmet Zogut, kundërshton rreptësisht, për këtë arsye shprehet se problemi nuk qëndron tek përmbajtja e tekstit, por tek personi që do ta lexojë atë. Zvalani dhe Ndoci e bëjnë të mundur që urimi në radio të dal si një urim i thjeshtë vetëm nëpërmjet Kirkpatrickut dhe jo nëpërmjet Sotirit.

Një personalitet tjetër, mjaft i njohur, i cili do të bëhet jo vetëm pjesë e ditarit të Zavalanit, por edhe i letërkëmbimeve të tij është Fan Noli. Nolin, Zavalani, e sheh si një personalitet mjaft të denjë për udhëheqjen e shqiptarëve. Këtë qëndrim të tij madje nuk heziton të ia thotë as haptazi. Në shkrimet e tij na bën me dije për këtë letër që ia drejton Nolit, për të na dhënë më pas edhe vetë letrën, të cilën e fillon në një mënyrë shumë interesante, prej ku mund të shohim që kemi të bëjmë me një intelektual të vërtetë, që e njeh fushën e letërsisë, për të cilën edhe ka studiuar. Letrën e fillon duke thënë se kishte shkuar në bibliotekë dhe pikërisht këtu bën një degëzim interesant, ku lidhë bibliotekën me Nolin dhe letërsinë, e më pas me Shqipërinë. Zavalani e bën një lloj lëvdate për punën që po bën Noli në përkthime:“E studiova me kujdes përkthimin e Dashurisë së fundit me origjinalin dhe mund t’ju them se Rapush Bilbil Gramshi e ka qarë, si thonë andej nga neve”. Duke e vlerësuar lart punën në përkthime, Zavalani dëshiron që t’i bëjë me dije Nolit që po në të njejtën mënyrë do të vlerësohet edhe puna e tij në politikë, prandaj shkruan: “Duke u marrë me këtë vjershë thashë me vete se sikur Rapush Bilbil Gramshi t’i kushtonte politikës aq enerrgji dhe kujdes sa i kushton literaturës, sigurisht që shqiptarët do të ishin sot më të lumturit e njerëzve”.

Zavalani është gjithmonë në kërkim të njerëzve të cilët do t’i sjellnin të mira shqiptarëve dhe Shqipërisë. Për këtë arsye edhe punon, për këtë arsye në ditarin e tij mund të shohim aq shumë dëshirë për ndryshime dhe aq shumë përpjekje për të bërë Frontin i cili do t’i përfaqësonte ata denjësisht. Radio BBC ja bëhet një vend nëpërmjet të cilit Zavalani arrin që ndër të tjera të japë edhe transmetimet e para në gjuhën shqipe, këto transmetime dëshiron t’i bëjë me patjetër nga njerëz intelektual dhe të shquar.

Ditari dhe letrat na mundësojnë që ne të shohim prapaskenat e tërë atyre që janë shfaqur, qoftë në radio BBC, qoftë nëpër revista. Në anën tjetër shohim edhe prapaskenat e politikës shqiptare, rreth të cilin ky e njihte mjaft mirë, aq mirë sa edhe të mund të gjykojë ndërtimin e këtij rrethi, i cili sipas tij, nuk po i sillte të mira të vërteta shqiptrëve. Në ditar shohim një Tajar, i cili për këto dy vjet ҫdo ditë të jetës e ka ditë të punës, duke anashkaluar madje edhe personat më të dashur përballë atdheut, vetëm e vetëm, që të përmbushë idealin dhe qëllimin e tij, që të përparojë shqiptarët. Ky ideal dhe ky qëllim, ndonjëherë i gjenë mbështetje, e ndonjëherë i hasë në kundërshti, për të cilat edhe dëshpërohet. Por kjo i mundëson atij shpërfaqje të pushtetit të Ahmet Zogut, shpërfaqje të asaj që ndryshe dukej por ndryshe ishte. Përmes këtij ditari tejkalohen të gjitha dimensionet, tejkalohet në brendësinë e këtij rrethi i cili siҫ duket ngadalë po prishej. Shqiptarët, dalin edhe këtu si në shumë shkrime të tjera si popull që problemin në radhë të parë e kanë në mesin e tyre. Zavalani kërkon pikërisht zgjidhjen e këtyre problemeve, jo si zgjidhje të ҫfarëdoshme, por zgjidhje duke u bazuar në vepra të mira dhe në njerëz që premtojnë për një Shqipëri të pavarur në kuptimin e plotë të fjalës dhe jo për një Shqipëri e cila do të jetë nën hijen e Italisë apo edhe Greqisë, kundër së cilës edhe mban një fjalim ku ndër të tjera thotë se ҫdo komb duhet të jetë i lirë. Zavalani, punon për këtë Shqipëri të lirë dhe kërkon që të mbështetet në këtë mision.

“Ditari” si libër, na sjellë mjaft elemente interesante, duke bërë një gërshetim mes ditarit, shkrimeve të tjera, letrave e edhe fotografive, ku mund të shohim ndër të tjera fotografi të gazetës “Lirija” e fotografi të personaliteteve të ndryshme me të cilat Zavalani ka kontakte në jetën e tij. Ndër këta personalitete janë: Edith Durham, Kostë Ҫekrezi, Anton Logoreci, Mary Herbert, Faik Konica, Fan Noli, e shumë personalitete të tjera shqiptare, rrafsh i shquar intelektualësh nëpërmjet të cilëve Zavalani kërkon vetëm një gjë: të bëhen të gjithë bashkë për një Shqipëri më të mirë, të lirë dhe demokratike.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën Publicistikë letrare, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Eriola Ҫoҫaj./ KultPlus.com

Vlera dokumentare dhe historike e “Ditarit” të Tajar Zavalanit

Nga Diana Llugiqi

Tahir Zvalani ditarin e tij nisi ta shkruante nga 12 shkurti i vitit 1942, ku fletoren e parë e përfundoi më  26 maj 1943. Për arsye, disa gjëra sipas autorit janë të shënuara në bazë të kujtesës, disa pjesë para datës 12 shkurtit  të vitit 1942 nuk janë të përfshira në ditar.

Më pas, vazhdon më datën 3 shtator  të vitit 1943 fletoren e dytë të ditarit të tij personal. Ajo që vlen të përmendet është se lexuesi përmes këtij dokumenti të vlefshëm për popullin shqiptar dhe historinë e tij gjatë kohës së Mbretit Zog I, do të mësojë dhe do të njihet më mirë me figurën e këtij autori, publicisti dhe patrioti të madh, si dhe për sakrificën e tij që të dëgjohet në botë edhe zëri i vërtetë i shqiptarëve.

Sa i përket këtij dokumenti me vlerë “Ditari”, është një vepër jofiksionale që përmban që nga fillimi e deri në fund të tij argumente dhe fakte nga ana e Tajar Zavalanit. Këto fakte i hasim fillimisht në ditarin e tij personal, ku autori shënon shpeshherë në mënyrë të shkurtër ndodhi të rëndësishme nga puna e tij e pandalshme për të kontribuar në të mirën e atdheut të tij.

Po ashtu, sa i përket mënyrës së ndërtimit, ky dokument përbën një biografi, të cilën e shënon bashkëshortja e Tajar Zvalanit ( Selma Zvalani, me pseudonimin Kiki, të cilën ia kishte lënë vetë Tajar,  e cila ishte dhe mbesa e Mit’hat Frashërit) pas vdekjes së tij. Për më tepër, hasim dhe një autobiografi të marrë nga vet Tajar sa ishte gjallë. Me të lexuar biografinë e dhënë nga bashkëshortja e tij që njëherësh ishte dhe bashkëmendimtare e tij, vërejmë se Kiki i’u shmanget shumë fakteve mbi përkatësinë ideologjike në moshën e re të Tajarit, pastaj arsyen e largimit nga BRSS, kohën e sëmundjes, etj. Natyrisht, vërejmë se gjatë autobiografisë së dhënë, Tajari zgjerohet më shumë rreth jetës së tij, veprimtarisë, synimeve dhe qëllimeve, duke folur me shumë sinqeritet dhe për sëmundjen e tij nga TBC-ja, sëmundje kjo që e mundonte shumë, kur vdes nga ataku në orët e hershme të mëngjesit, më 19 gusht 1966.

Ky dokument përmban dhe pjesën e dytë, ku autori fillon të shfryej me inat kundër zgjedhes fashiste të asaj kohe, udhëheqësve të dobët, intrigantëve, ziliqarëve dhe të gjithë atyre që punonin në dëm të Shqipërisë.

Dëshira e madhe për të parë Shqipërinë e lirë dhe popullin shqiptar që gëzonin të drejtat e tyre dhe të kishin të drejtë të shprehnin lirshëm mendimet e tyre pa pasur frikë se kjo gjë do t’i dërgonte në një burg pa shkak ose do t’i vriste në rrethana misterioze, siç kishte ndodhur me shumë shqiptarë të shquar të asaj kohe. Kjo dëshirë i lindi që në moshën dhjetë vjeçare. Duke pare se si në vjeshtë pjesa më e madhe e prodhimeve shkonte për të pasurit dhe jo të atyre që kishin derdhur djersën duke punuar, Tajarit iu duk e padrejtë kjo gjë, pranaj mori guximin t’i thoshte të atit se nuk ishte e drejtë ajo siç vepronte ai. Që nga ajo ditë ai vazhdimisht mendonte se si t’i ndihmonte njeriut të thjeshtë që vuante, në këtë rast shtresës së varfër. Tajari mendonte se edhe këta njerëz duhet gëzuar të drejtat njerëzore.Pikërisht, ishte kjo gjë që e shtyri atë të ndërmirrte këtë hap të rrezikshëm, duke bërë që të sakrifikojë dhe veten për idealet që kishte për të mirën e atdheut.

Do të ishte BBC-ja, që fshehurazi do të hynte nëpërmjet zërit të tij  në shumë shtëpi shqiptare, në periudhën e gjatë të territ stalinist që mbuloi Shqipërinë, që do t’u dërgonte nga larg shqipëtarëve të terrorizuar dhe të demoralizuar frymën e lirisë e të demokracisë. Po ashtu, kontributin e dhënë në të mirën e atdheut Tajari e jep gjatë qëndrimit të tij në Londër, ku mban një varg konferencash nëpër institute të ndryshme për Shqipërinë. Tri vite ishte Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të shkrimtarëve në mërgim , që vinin nga shtetet e ndryshme. Pastaj, mbajtja e kontakteve me dashamirë të kombit shqiptar dhe takimet e shpeshta, të cilat i bënte me ta, janë provë e një kontributi të madh nga ana e tij.

Në  ditarin e tij, autori nuk nguron të ndalet dhe të shpreh dashurinë e madhe që kishte bashkëshortes së tij, ku thotë se pa të nuk mund ta sheh jetën dhe e krahason me figura hyjnore, duke thënë se ajo është një engjull për të. Ndonëse ishin të martuar dhe kishin një dashuri të pastërt dhe të sinqertë mes tyre, ata nuk kishin fëmijë. Po ashtu, autori shpesh herë konfliktet që i kishte me Kikin tregon se ndodhnin të gjitha për fajin e udhëheqjes së Zogut, sepse sipas tij ai ishte shkaktari i të gjitha konflikteve që ndodhnin.

Po ashtu, gjatë shënimit të kujtimeve të tij, autori nuk nguron të tregojë dhe se si e kishte kaluar ditën, duke u ndalur dhe në detajet më të vogla të jetës,  për të vazhduar me takimet e ndryshme me miq dhe intelektualë të njohur.

Nga fillimi deri në fund të kujtimeve të tij të shpalosura, shohim se kemi të bëjmë me një personalitet me ide të qarta atdhetare dhe intelektuale. Këtë gjë e shfaqte vazhdimisht hapur dhe pa nguruar apo pasur frikë ndonjëherë. Kjo gjë dhe një herë na dëshmon se ky autor ishte një atdhetar i madh që ishte në gjendje të sakrifikonte dhe jetën e tij, vetëm e vetëm që bota të dëgjonte se sa vuante populli shqiptar jo vetëm nga pushtuesit që mundoheshin ta copëtonin Shqipërinë dhe t’i nxisnin shqiptarët mes tyre, sepse vetëm kështu më lehtë mund të arrinin në qëllimet e tyre përmes një udhëheqje të tillë.

Pjesën e dytë, autori e nis me titullin “Përsëri në mërgim”, ku tregon gjendjen e tij shpirtërore, pas largimit nga atdheu i robëruar dhe, po ashtu, tregon se kjo nuk ndodhi me dëshirën e tij. Që në fillim të kësaj pjese, shohim zemërimin e autorit, karshi fashistëve dhe pushtimit nga zgjedha italiane e 7 Prillit.

Ndër të tjera, thotë:

       “ E para dhe më e tmerrshmja, vuajtjet që pësuam ishte vuajtja morale. Kishim kënduar nëpër libra se humbja e lirisë kombëtare ishte fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë njeriut. Kishim dëgjuar kur kishim qenë fëmijë pësimet e të parëve tan nën zgjedhën shekullore dhe vetë kishim vuajtur nga mungesa e lirisë së mendimit. Por të gjitha këto ishin asgjë përpara rrebeshit që na pllakosi pas 7 Prillit…”

Pikërisht ngjarja e 7 Prillit, e shtyn edhe më shumë Zavalanin të bëjë apel për një bashkim kombëtar. Sipas tij, populli shqiptar duhet të kishte një program konstruktiv, pas lirimit të Shipërisë, duke theksuar se primare në programin për qëllimin e përbashkët, duhet pasur disa parime dhe kushte që i japin kuptim luftës për çlirimin e Shqipërisë, ku shton:

“Duhet të shpallim me plot gojën se duam demokraci të vërtetë, ku sovraniteti i popullit të jetë një realitet e jo vetëm një kallëp a gënjeshtër sa për të rrejtur botën…”

Në këtë rast, Zavalani bën thirrje që populli shqiptar të harrojë grindjet dhe problemet e tyre në të shkuarën dhe të bëhen të gjithë së bashku, duke marrë shembuj nga koha e Skënderbeut, që u shpall në Kuvendin e Leshit.

Personalitetin e Tajar Zavalanit, mund ta njohim më së miri, me rastin e dhënies së nderimeve të fundit, kur bashkëpunëtori i tij, Dervish Duma, mban një fjalim prekës dhe flet rreth tij, ku thotë:

“Çdo shqiptar, pa dallim, besimi ose partie, e nderonte për atdhedashurinë dhe patriotizmin e tij të flakët. Kur e thërriste detyra e atdheut, ashtu siç bënë të parët e fisit të tij, Tajar Zavalani kurrë nuk mungoi të gjendet në rradhën e të parëve dhe të vepronte pa frikë… Shokët e tij në BBC-i, ku ai vazhdoi pa lodhje për njëzet vjet, janë dëshmues të shpirtit dhe vullnetit të tij, kur ishte puna për Shqipërinë”.

Përmes ditarit të tij, Tajar Zavalani, na ofroi shumë njohuri për kohën dhe udhëheqjen e mbretit Zog, pastaj për historinë e popullit shqiptar, për zërin e shqiptarëve kudo në botë, për padrejtësitë që iu bëheshin gazetarëve, etj.  Dhe është për të ardhur keq, sesi një figurë kaq e shquar e kaq kontributdhënëse, aq rrallë përmendet bashkë me veprimtarinë e tij atdhetare, intelektuale, publicistike.

“Ditari” i Tajar Zavalanit përmbyllet me disa letra, të cilat i kishte dërguar mikut të tij Noqkës, Mbretit Zog, Fan Nolit dhe “Vatrës”, për të përfunduar me një album me fotografi të ndryshme të miqve dhe dashamirësve të popullit shqiptar, si: Mustafa Kruja, Dervish Duma, Edit Durham (gazetare dhe mikeshë e madhe e shqiptarëve), Mary Herbert, Konstatin Qekrezi, etj., si dhe një fotografi të Mbretit Zog dhe këshilltarëve të tij, si: Xheladin Nushi (që ishte një prej sekretarëve të Mbretit Zog), Qatin Saraqi (ish diplomat i Zogut, një kohë ishte edhe këshilltar i tij),, por edhe fotografi të Faik Konicë, Fan S. Nolit, etj.

“Ditari” i Tajar Zavalanit është një vepër e rëndësishme që e pasuron publicistikën shqiptare. / KultPlus.com