Teatri i Gjilanit sjell shfaqjen ‘Tartufi’

Teatri i Gjilanit do të prezantojë shfaqjen më të re, dramën e njohur të Molière, ‘Tartufi’, me regji nga Qëndrim Rijani.

Kjo shfaqje vjen në Teatrin e Gjilanit, duke hapur dritë mbi interpretimin e ri që krijon lidhje me realitetin tonë të sotëm. Regjia e Qendrim Rijanit do të sjellë një gërshetim të bashkëkohores dhe vlerave klasike, duke e bërë “Tartufin” një eksperiencë teatrale në vete.

Me kostume të stilizuara nga Yllka Brada dhe një skenografi të përshtatur për kohën tonë nga Bekim Korça bashkë me muzikën origjinale të Trimor Dhomit, kjo shfaqje do të jetë një udhëtim emocionues në një botë të humorit, hipokrizisë dhe konflikteve të përhershme shoqërore.

Aktorët që marrin pjesë në këtë shfaqe janë: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi dhe Florent Salihu.

Përderisa pjesa tjetër e stafit janë:

Skenograf: Bekim Korça, kostumografe: Yllka Brada, kompozitor: Trimor Dhomi, ass regjie: Fitore Jashari

 Premiera e shfaqjes vjen me datën 18 dhjetor, ora 20:00 dhe repriza e saj e parë më datën 19 dhjetor, poashtu në ora 20:00/KultPlus.com

“Tartufi” bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër

Me 15 shtator në skenën e Teatrit “Migjeni” do të shfaqet komedia “Tartufi” nga Molieri në regji të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi.

Një tekst i cili në thelb të kritikës së tij ka luftën ndaj hipokrizisë e fshehur në shumë shtresa shoqërore, si ato fetare, politike, akademike.

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi shprehet se shfaqja ndodh sot dhe sa herë që të jepet ajo ndodh pikërisht atë ditë. Për drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, bashkëpunimi me regjisorin Bekteshi ka qenë shumë i mirë dhe sipas saj, shfaqja premton shume. Kostumografia e shfaqjes erdhi nga kostumografja e njohur e teatrit Samka Ferri, e cila ka mbi 40 vite karrierë në fushën e kostumografisë në teatër dhe në film kryesisht në ish-jugosllavi. Teksti ka pësuar adoptime të lehta, e ndërsa hipokrizia është një dukuri e rëndomtë në shoqërinë njerëzore. Besfort Berberi nga Kosova do luajë rolin e Tartufit, Elmira i është besuar aktores Kristi Lleshi, që janë edhe dy aktorët jashtë trupës permanente të teatrit “Migjeni”.

Ndërsa në këtë komedi janë pothuajse pjesa më e madhe e aktorëve të teatrit si Rita Gjeka, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Kristjana Dodaj, si dhe figurantet Astrit Fani, Divni Gushta dhe Fritz Selmani. Komedia “Tartufi” sjell për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar duke bashkuar gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe do shfaqet premierë me 15 shtator në Teatrin “Migjeni” të Shkodër.

Molieri me “Tartufin”

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “Ai është një Tartuf”. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë. Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi.
Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij. Fundi është një “Deux Ex Machina”, ku zgjidhja vjen nga mbreti. Me lajka të pabesueshme e pa lidhje me historinë e temat e veprës. Por, për Molierin, ka qenë e vetmja mënyrë që t’i shpëtonte censurës nga ana e kishës. Por, një fund i tillë nga ana e autorit, është një armë e mirë për të thënë disa të vërteta të realitetit, të aktualitetit tonë. A është problem “Hipokrizia” në këtë vend? Ka njerëz të tillë këtu? Vepra na bën thirrje të jemi të përmbajtur dhe të hapur. Të dëgjojmë e të shohim të tjerët, por edhe thellë brenda vetes sonë.(Shkruan SotNews)./ KultPlus.com