Emërohen anëtarët e Task Forcës për luftimin e piraterisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të dispozitave ligjore në fushën e të Drejtës së Autorit dhe Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të Task Forcës kundër piraterisë në fushën e të drejtës së autorit.

Task Forca do të ketë në përbërje Drejtorin i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta nga MKRS -Kryesues; Kryeinspektorin e Inspektoratit të Tregut – MTI -Zëvendëskryesues; Përfaqësuesin e Prokurorisë së Shtetit; Drejtorin e Zyrës për Pronësi Industriale – MTI; Udhëheqësin e Sektorit të Pronësisë Intelektuale nga Dogana e Kosovës; Shefin e sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës; Shefin e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike po ashtu nga Policia e Kosovës; dhe Kryeshefin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas vendimit të nxjerrë Task Forca do të ketë në përgjegjësinë e saj Zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit; Koordinimin e veprimeve të institucioneve në luftën kundër falsifikimit dhe  piraterisë me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete nga ana e  institucioneve dhe organeve kompetente që janë pjesë e Task Forcës dhe institucioneve tjera që ndërlidhen me luftën kundër falsifikimit dhe  piraterisë në fushën e të drejtës së autorit; dhe Sensibilizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, dhe publikut në luftën kundër falsifikimit dhe piratërisë në fushën e të drejtës së autorit;

Me këtë hap, ka vlerësuar ministri Gashi, po ndërmerren veprimet konkrete në luftën kundër falsifikimit në njërën anë dhe kjo do të thotë mbrojtje e krijimtarisë dhe autorëve, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e institucioneve për zbatim ligjit në kuadër të shtetit të së drejtës.

“Jam i bindur që vendimi i marrë sot do të jap frytet e veta. Task Forca do të jetë një mekanizëm dhe trupë e cila do të angazhohet në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë dhe shpresoj se kjo gjë do të shihet në terren,. Besoj se krijuesit e autorët do të ndjehen më të sigurt për punën e tyre dhe do të nxiten që t’i sjellin vendit tonë krijimtari e vepra me të cilët do të krenohemi”, tha ndër të tjera ministri. /KultPlus.com