Imazhet me rezolucion të lartë të tatuazheve të gjetura në trupin e një “mumjeje akulli” siberiane 2,500-vjeçare kanë zbuluar dekorime kaq të komplikuara, saqë edhe një artist modern tatuazhesh do ta kishte të vështirë t’i riprodhonte, sipas studiuesve.
Tatuazhet e hollësishme që përshkruajnë leoparde, një drer, një pulë, si dhe një krijesë mitologjike gjysmë-luan dhe gjysmë-shqiponje, zbulojnë më shumë rreth një kulture të lashtë luftëtarësh.
Arkeologët punuan ngushtë me një artist tatuazhesh, i cili riprodhon dekorime të lashta në lëkurën e tij, për të kuptuar saktësisht procesin e realizimit të tyre.
Gruaja e tatuazhuar, e moshës rreth 50 vjeç, ishte nga populli nomad Pazyryk, një shoqëri kalorësish që jetonte në stëpinë e gjerë midis Kinës dhe Evropës.
Skanimet zbuluan tatuazhe “të hollësishme, të qarta dhe të njëtrajtshme” që nuk mund të vihen re me sy të lirë.
“Ky zbulim më bën të kuptoj sa të sofistikuar ishin këta njerëz,” tha drejtori i studimit, Dr. Gino Caspari nga Instituti Max Planck i Gjeoantropologjisë dhe Universiteti i Bernës.
Është e vështirë të zbulohet informacion i detajuar për praktikat sociale dhe kulturore të lashta, pasi shumica e dëshmive shkatërrohen me kalimin e kohës. Më e vështirë është të afrohet njeriu tek detajet e jetës së një personi të vetëm.
“Mumjet e akullta” të Pazyryk-ut u gjetën në varre akulli në malet Altai të Siberisë në shekullin e 19-të, por tatuazhet kanë qenë të vështira për t’u parë qartë.
Tani, falë fotografisë digjitale me afër-infrarodhe në Muzeun Hermitage në Shën Petersburg, Rusia, ekspertët krijuan për herë të parë skanime me rezolucion të lartë të këtyre dekorimeve.
“Kjo më bëri të ndjehesha sikur po afrohesha më shumë me njerëzit pas artit, si ata punonin dhe mësonin. Imazhet u gjallëruan,” tha Dr. Caspari.
Në parakrahun e djathtë, gruaja Pazyryk kishte imazhin e leopardëve rreth kokës së një dreri. Në krahun e majtë, krijesa mitologjike e grifinit, me trup luani, kokë dhe krahë shqiponje, duket sikur po luftonte me një drer.
“Trupat e përkulur nga pas dhe skenat e forta të betejave midis kafshëve të egra janë tipike për këtë kulturë,” tha Dr. Caspari.
Gjithashtu, gruaja kishte një pulë të tatuazhuar në gishtin e madh, një simbol që paraqet “një stil intrigues me një unikalitet të caktuar,” shton ai.
Ekipi punoi me studiuesin Daniel Riday, i cili riprodhon dizajne të lashta tatuazhesh në trupin e tij duke përdorur metoda historike.
Në bazë të analizës së tij, ata arritën në përfundimin se cilësia e tatuazheve ndryshonte midis dy krahëve, duke sugjeruar se tatuazhet i kishin bërë persona të ndryshëm ose ishin bërë gabime gjatë procesit.
“Po të kisha për të bërë një vlerësim, do të thoja se për gjysmën e poshtme të krahut të djathtë janë dashur katër orë e gjysmë, dhe për pjesën e sipërme rreth pesë orë,” tha Riday.
“Është një angazhim i fortë nga personi që i bëri. Kjo duhet të jetë kryer nga dikush që e di shëndetin dhe sigurinë, dhe rreziqet që sjell depërtimi i lëkurës,” shton ai më tej.
Duke analizuar shenjat në lëkurën e gruas, ekipi beson se tatuazhet janë skicuar fillimisht në lëkurë para se të tatuazhoheshin.
Mendohet se janë përdorur vegla me maja shumëfish të vogla, të bëra nga brirë ose kocka kafshësh, si dhe një mjet me majë të vetme. Pigmenti ka qenë i përbërë kryesisht nga materie e djegur bimore ose sope.
Dr. Caspari, i cili nuk ka tatuazhe vetë, thotë se ky studim hedh dritë mbi një praktikë të lashtë që sot është shumë e rëndësishme për shumë njerëz në mbarë botën.
“Qysh atëherë ishte një praktikë shumë profesionale ku njerëzit investonin shumë kohë, përpjekje dhe praktikë për të krijuar këto imazhe shumë të sofistikuara,” përfundon ai.
Disa nga tatuazhet duket se janë prerë ose dëmtuar gjatë përgatitjes së trupit për varrim.
“Kjo tregon se tatuazhet ishin të rëndësishme për jetën, por nuk luanin një rol të madh në jetën pas vdekjes,” shpjegon Dr. Caspari./BBC/KultPlus.com
