32 vjet më parë, të burgosurit politikë kërkonin amnistinë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi se si sot, më 10 gusht 1990 në burgun e Qaf Barit në Pukë, organizohej një grevë urie e cila ishte një nga këmbanat më të forta për ndryshimin e ligjit dhe kërkesave të njëpasnjëshme të organizatave të ndryshme për amnistinë e të burgosurve politikë në Shqipëri.

Shqipëria po kalonte momente të forta në arenën ndërkombëtare pas ikjes së emigrantëve shqiptarë në ambasadat e huaja në vend dhe këto lajme edhe pse të cunguara do të përfshinin edhe jetët e shumë të burgosurve politikë të cilët kërkonin një rreze shprese. Të gjendur para kokëfortësisë së sistemit i cili ende nuk kishte reaguar nëpërmjet legjislacionit për amnisti karshi të burgosurve ata ndërmarrin sërish një hap të guximshëm duke u futur në grevë urie.

DPA kujton se po në këtë burg më 22 maj të 1984 filloi një përleshje e cila do ta çonte në revoltë marrëdhënien e të burgosurve dhe komandës së kampit.

Mendohet se në Shqipërinë e atyre viteve rreth 59000 vetë ndodheshin ende në burgje. Vetëm në 30 shtator 1991 me vendimin 7514 shteti shqiptar do të shpallte amnisti dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë./ata/ KultPlus.com

Të burgosurit politik nga vitet e 70’ta e deri në kohën e burgut të Dubravës mbrëmë “folën” në “Ora e Vdekjes”

Uranik Emini

Ndonjëherë, bota reale ofron narrativat më bindëse. “E vërteta është më e çuditshme se trillimi”, dhe skena mund të jetë vendi i përsosur për të treguar këto histori, pasi gjallëria shpesh shton një legjitimitet dhe element personal në shfaqje. Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i historive të vërteta kanë hyrë në botën e teatrit, si dhe histori që pyesin se çfarë do të thotë të imagjinosh të vërtetën. Shfaqja “Ora e vdekjes” i ofroi publikut të mbledhur në Burgun Muze të Prishtinës një realitet të trishtë të të burgosurve politikë nga Shqipëria dhe Kosova nga vitet e 70-ta, deri në kohën e burgut të Dubravës, nga torturat e përditshme deri në vrasjet masive të njerëzve, shkruan KultPlus.

Njerëzit po pritnin që për herë të parë të vizitonin e të shihnin nga afër një shfaqje në Burgun Muze të Prishtinës, për të cilin para dy viteve ishte marrë vendimi që të shndërrohet në një muze.

Errësira, rikthimi në kohë dhe emocionet e frikës, si të ngulitura në kokën e shqiptarëve pushtuan të gjithë të pranishmit në muze, kur edhe nga hyrja e burgut u dëgjuan zërat e aktorëve të vendosur në qeli që po kërkonin ujë, njëri kërkonte bukë dhe madje kishte nga ata që donin të goditeshin me grusht, sepse kishte mall të rrihej dhe i dukej e çuditshme të kalonte një kohë të gjatë pa u rrahur.

Dy botë, shumë burgje e akoma më shumë shqiptarë të vrarë.

Gjatë diktaturës në Shqipëri, burgjet janë cilësuar pa dyshim si “hyrje në portat e ferrit”, një realitet i trishtë, rrëqethës dhe plot tragjedi mizore që paraqet edhe krimet e mëdha të asaj kohe kundër njerëzimit. E këto histori, aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti nën regjin e Ilir Bokshit dhe dramaturgët Ulpianë Maloku dhe Agnesa Mehanolli i prezantuan në mënyrë brilante me humor që në brendësi prezantonte torturat më të çuditshme, por që në realitet ato ndodhën, tortura që në rend të parë lanë pasoja të pariparueshme, dhe plagë që dhembin edhe kur qëllimi juaj i vetëm është përkëdhelja e tyre.

Edhe në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit serb, në burgun e Dubravës vazhdimisht ideja parësore ishte transferimi i të burgosurve në burgjet e Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë (rreth viteve 1998, atëherë kur edhe NATO po bombardonte çarqet serbe). E gjitha kjo ndodhi pasi Serbia planifikonte gjithnjë që të burgoste sa më shumë të rinj shqiptarë nëpër burgje dhe të gjithë ata që ishin kundër regjimit, të vdisnin me pretekstin se nuk ishin të sjellshëm në burg, thyen rregullat ose edhe u lanë aty përgjithmonë, pasi ideali i tyre e lufta për liri përkonte në kundërshtim me atë që Serbia kishte në plan, e që ishte pikërisht pushtimi i Kosovës.

Pamja nga jashtë, e rrejshme nga brenda

Gjatë shfaqjes, Fatmiri nga Kosova (Adrian Morina) dhe Fatmiri nga Shqipëria (Arben Derhemi) gjenden në një situatë jetë a vdekje, në një urë që po gjuhej me armë nga pushtuesi serb, e Fatmiri nga Shqipëria kërkonte që të gjuhej në urë, ndërsa Fatmiri nga Kosova, i cili nuk dinte notë, i siguronte “homologut” të tij që kërcimi është ide e gabuar dhe në ujë është më lehtë të vdesësh.

Fatmiri nga Kosova dhe dashuria e pashtershme dhe shpesh herë e lindur natyrshëm për liderin e asaj kohe, Enver Hoxhën, e kishte detyruar atë që të vinte në Shqipëri vetëm e vetëm për të plotësuar ëndrrën e tij më të madhe, ta shihte nga afër dhe të besonte se figura e “ndritshme” e kombit shqiptar, Enver Hoxha ekziston në të vërtet.

Këtu fillon edhe polemika e madhe, kjo pasi Fatmiri nga Shqipëria ishte larguar nga ai vend, pasi aty po ndodhnin krime kundër njerëzimit për të gjithë ata që ishin kundër partisë së punës, madje edhe për ata që princip të jetës kishin punët e veta. Me shumë të shara, me shumë polemika, të dy u kapën nga regjimi serb, për të përfunduar në burg.

“Molla e ndaluar”

Një tjetër rast i pashpjegueshëm dhe ideja se ka ndodhur në të vërtet, të bën të çmendësh me atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët nëpër kohë, e sidomos torturat që kanë kaluar të burgosurit nëpër burgje të regjimit.

Tefta Tasi e luajtur mjeshtërisht nga Albulena Bokshi, paraqet historinë e vërtet të një mësuese shqiptare, e cila ishte dënuar për arsye se kishte sharë mollat e “shtetit”, mollat e “Enverit”, e ky paraqet një krim, që sipas trupit gjykues, duhet të dënohet me 45 vjet, 35 në qoftë se pranon “fajësinë”.

“Fakti që kemi ardhur në burg e ka bërë shumë të veçantë shfaqjen. Fillimisht ka qenë e vështirë për tu ambientuar, për shkak të ndjenjës që ta jepte burgu, teatri është i vështirë por kjo është tjetër nivel”, thotë aktorja Albulena Bokshi në një intervistë për KultPlus, derisa rrëfen edhe gjithë procesin e provave, kalimit nga “kutia e teatrit” te realiteti i burgut.

“Këtu të kap një far tmerri. Ditën e parë kur kemi ardhë ka qenë edhe z. Emin, i cili ishte gjithashtu një ish i burgosur politik dhe na tregonte rrëfimet që kishte përjetuar, jo vetëm ai, por edhe shokët. E kam pasur problem ta kapërcej këtë tmerr për të ardhur deri te loja që e kemi sjell sonte. Ndjenjë me të vërtet e veçantë të performosh e të merresh me tema tona që shumë shpesh i kemi lënë pas dore. Nuk mund të them që nuk janë bërë shfaqje, por është bërë pak në drejtimin e tmerreve e historive të shqiptarëve”, thotë ajo.

Tutje, Bokshi foli edhe për rolin e saj, atë të Tefta Sasit.

“Personazhi im është një mësuese në Shqipëri, e cila është dënuar për një mollë. Ky është një rol që e veçojë shumë, sepse është barrë e madhe kur e ke historinë e vërtetë. Ne, artistët, bëhemi zëra të atyre që kanë kaluar këto përjetime. Gjatë procesit të provave, kur flitej edhe për Dubravën, personalisht e kam humbur axhën atje, dhe ka qenë shumë e vështirë ta kaloj këtë gjë. Ka momente kur kam qarë, në një far forme, plaga hapej përsëri. Gjithçka për rreth këtij burgu, të krijonte idenë se ka shumë histori brenda, ka shumë shpirt brenda këtij burgu dhe po shpresoj që shumë shpejt të hapet për vizitorët, dhe ata të vijnë e të kuptojnë se çfarë  tmerre kanë ndodhur në qendër të Prishtinës”, shprehet ajo.

Bokshi thotë se ishte e kënaqur me audiencën, edhe pse ishin disa ndërhyrje nga lartë, ku u shpërthyen disa fishekzjarre nga stadiumi, të cilat nuk ishin të planifikuar. “Po besoj që edhe publiku e kuptoj këtë gjë, edhe pse disa në fillim kishin menduar se janë pjesë e shfaqjes, ajo zgjati bukur shumë, por prap publiku nuk e humbi durimin. Po besoj që është bërë një punë e mirë ekipore, është bërë një dramë e re që ndoshta i ka munguar dramaturgjisë kombëtare”, përfundon ajo.

Në anën tjetër, regjisori Ilir Bokshi tha se vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar, kanë qenë të mëdha, por dëshira për të sjellë te publiku këto histori të cilat kanë ndodhur, ishte gjithashtu shumë e madhe.

“Burgu i Prishtinës akoma nuk është akomoduar si muze, të gjitha këto që i shihni, nga pastërtia e burgut e deri te sjellja e ulëseve për t’u ulur sonte është dashur t’i bëjmë vetë, sigurisht me ndihmën e institucioneve në anën materiale. Gjërat në teatër bëhen më lehtë, sepse jemi të thirrur për ta bërë këtë punë. Tema e luftës dhe të burgosurve shqiptarë në periudha prej 1970 e tutje, e deri te burgu i Dubravës”, thotë ai, duke treguar se teksti është punuar me dy dramaturge të reja, me të cilat ai është shumë i kënaqur.

I pyetur nga KultPlus për vështirësitë dhe jetën jashtë habitatit normal, Bokshi tregon se profesionistët janë për këtë punë, duke shtuar se kishte shumë vështirësi nëpër të cilat kaluan.

“Jemi profesionistë dhe e përballojmë vështirësinë, por neve na ka ra shi çdo natë dhe e kemi pasur të vështirë këtë. Kemi qëndruar deri në 3 të mëngjesit dhe më të vërtet kishim frikë në qoftë se edhe mund të dështojë e gjithë shfaqja, kemi pritur edhe sot që të bie shi. Më (24 qershor) është premiera jonë, e sot e kemi quajtur si lloj para-premierë. Të gjitha ankesat që po i them, ose ato që munden me qenë vështirësi për ne, janë për faktin që kemi hyrë në një ambient të ri për ne. Kemi bërë punë fizike për tela, e shumë gjëra të tjera. Ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë më i lumtur, kjo për shkak të stresit që kemi pasur si ekip. Gjithashtu, me këtë kastë të aktorëve kam punuar edhe më herët, por për herë të parë jam duke punuar me kompozitorin Memli Kelmendi dhe është një ndjenjë shumë e veçantë, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë regjisori i shfaqjes “Ora e Vdekjes”.

Aktori tjetër, Adrian Morina, i cili vazhdon të jetë në skenë për një kohë të gjatë, rrëfen për KultPlus se emocionet janë gjithnjë të pranishme përkundër viteve që kalojnë.

“Përpara, kur më thoshin se Istref Begolli ka shumë tremë në premierë, thosha si student se është e pamundur, ai ka më shumë se 40 vite në skenë, hala me emocione! Tani pas sa kohe që merrem me këtë punë, e shoh që për shkak të përgjegjësisë e punës që e ke bërë, është rrezik i madh që me punën e ardhshme mundesh me i rrëzu gjitha ato se çfarë i ke ndërtuar deri tani. Gjithmonë rritet përgjegjësia, emocionet, e gjithashtu gjithmonë edhe eksperienca e bën të vetën. Ti duhet të mundohesh që t’i kanalizosh të gjitha këto dhe t’i rikthesh në favor të shfaqjes. Unë provoj që të kryej detyrën time, si aktor, me përgjegjësi dhe të prezantoj punën e gjithë ekipit në formën më të mirë të mundshme. Emocionet janë të njëjta si në premierë, si në reprizën e 100-të”, thotë Morina.

Ambienti ndryshe dhe kalimi nga teatri në një vend tjetër, nuk është punë të cilën Morina nuk e kishte bërë më herët.

“Ishim të vetëdijshëm për ambientin ku kemi dalë. Kemi punuar deri vonë gati për çdo natë dhe për pjesën e ambientit kemi qenë të vetëdijshëm. Teatri nuk ka lind, në teatrin kuti qysh e shohim. Teatër bëhet kudo, në rrugë, në sofër, e gjithçka që të duhet është ekipa e mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi bërë këtë shfaqje. Gjithashtu, ne jemi aktiviteti i parë që është bërë në këtë ambient, e për këtë gjë jam shumë i gëzuar. Në Prishtinë e Kosovë ka shumë hapësira të cilat mund të kthehen në të mirë të kulturës. Ministria dhe Komunat duhet të jenë më zemërgjerë, dhe t’i ofrojnë aktorëve hapësira të tilla”, thotë Morina, duke shpresuar se në të ardhmen ambienti i Burgut Muze të ofrojë edhe ekspozita e shfaqje të ndryshme për gjithë vizitorët.

Puna me njerëzit që i njeh për një kohë të gjatë, sipas Morinës, është një gjë e mirë pasi mund të komunikosh me vetëm një shikim.

“Ka qenë kënaqësi e madhe që të punojmë me Benin për herë të parë, bashkëpunimet tona mes Kosovës dhe Shqipërisë po mungojnë shumë në aspektin e teatrit. Unë preferoj të punoj me regjisorë të cilët ndjehem, pasi ata tentojnë që të shtyjnë më përpara rolin tënd dhe nuk të lënë të mërzitesh. Puna me dramaturget ka qenë kënaqësi e madhe, kjo pasi ne vazhdimisht kemi pasur ankesa për dramën shqipe dhe mungesën e teksteve. Sot, përpos kësaj shfaqje ne sot e kemi të shkruar një dramë të re shqipe që mund të inskenohet nga të tjerët. Nëse ankohemi vazhdimisht, edhe nuk investojmë absolutisht në dramën tonë shqipe, atëherë e ardhmja e teatrit do të jetë mjaft e varfër”, thotë Morina, duke lavdëruar edhe ai punën e Memli Kelmendit, që solli një muzikë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, vetë kompozitori Memli Kelmendi për KultPlus tha se ishte ndjenjë shumë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje, ku edhe na njoftoi me disa prej prapaskenave të shfaqjes.

“Puna që unë po e zhvilloj aktualisht sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në suksesin dhe zhvillimin e rrugëtimin tij profesional. Mbi të gjitha unë kam shkruar shumë muzika për teatër, janë mbi 30 shfaqje teatrale. Kam shkruar gjithashtu muzika për film të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Fillimisht kur më ka ftuar ekipi, kemi dalur e kemi diskutuar me Ilirin. E kam parë që është një shfaqje delikate dhe për këtë gjë duhet të mendoj, pasi është një gjë që nuk e kam bërë deri tani. Natyrisht që në fillim kam shkruar muzikën, pastaj disa skica të tjera, por në momenti kur kam ardhur këtu te Burgu Muze, e kam parë që duhet të shkruhet krejt diçka tjetër, atmosfera këtu ka ndikuar që të vihet deri te ky rezultat e kjo muzikë, që nuk ka qenë e lehtë. Jam munduar që si kompozitor t’i plotësoj siç duhet detyrat e mija, e bashkërisht e kemi ndërtuar gjithë shfaqjen”, thotë Kelmendi.

Ai gjithashtu pati një falënderim të veçantë për Donika Rushitin dhe gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të shkruaj muzikë, atë që realisht di ta bëjë më së miri.

“Dua ta falënderoj një person që më ka ndihmuar shumë, janë vokalet e Donika Rushitit, të cilës i falënderohem përzemërsisht që brenda një periudhe të shkurtër ka ndikuar që ato të jenë kryesoret brenda shfaqjes. Unë do të vazhdoj që të punoj, detyra ime si kompozitor i pavarur është që të shkruaj muzikë. Jam tepër i lumtur që më është besuar puna ime si kompozitor në këtë shfaqje dhe gjithashtu më është lejuar përdorimi dhe veprimi i elementeve kompozicionle që unë kam dashtë e i ndërtu në bashkëpunim me regjisorin, e besoj që audienca sonte e ata që do të vijnë më pas po besoj që do ta shohin punën tonë që kemi ndërtuar”.

Shumësia e këndvështrimeve në këtë shfaqje u trajtua me rëndësinë që kërkohet, ku të gjithë aktorët u bënë bashkë për skenën e fundit të mbrëmjes dhe sollën me delikatesën më të madhe të mundshme, realitetin e hidhur të shqiptarëve nëpër burgjet e ndryshme ku kanë qenë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. /KultPlus.com