OBSH: Në Evropë numër shqetësues i të rinjve me koronavirus

Gjithnjë e më shumë të rinj në Evropë janë duke rezultuar pozitivë në testet e COVID-19, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë për Euronews.

Dr Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së në Evropë, tha se ata janë duke vërejtur një rritje të madhe të të rinjve në Evropë, të cilët po infektohen dhe po humbin jetën si pasojë e koronavirusit.

Edhe disa shtete si Gjermania dhe Franca kanë ngritur këtë shqetësim se shumë të rinj kryesisht të moshës 20 dhe 39 vjeç janë duke humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Sipas ekspertëve kjo është duke ndodhur për shkak se të rinjtë kanë më shumë kontakte me njerëz dhe është krijuar përshtypja se janë imunë ndaj këtij virusi.

Shumë të rinj, të kontaktuar nga Euronews, kanë thënë se megjithëse pandemia ua ka ndryshuar disa aspekte të jetës, gjithsesi ata ende vazhdojnë t’i takojnë miqtë dhe nuk duan ta humbin verën duke qëndruar të mbyllur.

“Unë nuk kam frikë nga virusi, sepse unë jam e re dhe besoj se ne jemi më imunë ndaj tij në krahasim me moshat e vjetra. Unë në të vërtetë që nga hapjet e bareve dhe lokaleve kam takuar po aq njerëz sa më parë”, tha Sarah, një qytetare e Parisit për Euronews.

Sipas ekspertëve, arsyeja që virusi është duke i prekur në numër të lartë të rinjtë, janë pikërisht informacionet që janë dhënë në fillim, duke pretenduar që koronavirusi i prek vetëm të moshuarit dhe të rinjtë nuk janë në rrezik.

Dr. Kluge theksoi se kjo ide duhet të çrrënjoset dhe ekspertët duhet të ndryshojnë qasjen dhe informatat, të cilat njerëzit i pranojnë çdo ditë në lidhje me rrezikun mbi koronavirusin. /Gazeta Express/ KultPlus.com