Programi i inteligjencës artificiale ndihmon të verbërit në punët e tyre të përditshme

Programi i inteligjencës artificiale “ChatGPT” po përdoret tani për të ndihmuar të verbërit. Teknologjia e inteligjencës artificiale është lidhur me një aplikacion të telefonave inteligjentë që ndihmon të verbërit dhe përdoruesit mund ta shfrytëzojnë atë për t’i përshkruar fotot me detaje të shkëlqyera. Ndonëse programi është në fazat e para të testimit, të verbrit, që po e përdorin atë, shpresojnë që ai do t’i ndihmojë ata të jenë më të pavarur.

Jesper Holten lindi tre muaj para kohe, gjë që shkaktoi dëmtimin e retinës së tij. Ai tani është tërësisht i verbër.

Kur është vetëm dhe ka nevojë për ndihmë, ai përdor aplikacionin “Be My Eyes”, i cili lidh njerëzit e verbër ose me shikim të dëmtuar me vullnetarë nëpërmjet video-telefonatave, raporton Zëri i Amerikës.

“E përdori aplikacionin në situata të përditshme, si në rastet kur jam duke gatuar dhe dua t’i hedh një sy kanaçeve me ushqime për ta kuptuar më mirë se çfarë përmbajnë ato”, thotë ai.

Tani, aplikacioni “Be My Eyes” është përmirësuar dhe fuqizuar me teknologjinë e inteligjencës artificiale, falë programit të ri ChatGPT, i cili i shpjegon imazhet me fjalë.

Përdoruesit mund të dërgojnë foto përmes aplikacionit tek një “Vullnetar Virtual”, i kontrolluar nga inteligjenca artificiale, i cili ofron identifikim pothuajse të menjëhershëm të imazheve.

Ata madje mund të shtojnë pyetje pasuese, si “Sa kohë duhet për të gatuar këto makarona?”

Nëse një përdorues dërgon një fotografi të brendësisë së frigoriferit të tij, “Vullnetari Virtual” mund të identifikojë se çfarë ka në të dhe gjithashtu të sugjerojë se çfarë mund të gatuhet me këta përbërës.

“Unë shoh një potencial që njerëzit të kenë më shumë pavarësi me ndihmën e këtij programi”, thotë zoti Holten, i cili po teston një version më të hershëm të “Vullnetarit Virtual” që nga marsi i këtij viti.

Aplikacioni “Be My Eyes”, i krijuar në vitin 2015, tani përdoret nga gati 500 mijë persona të verbër dhe 6.4 milionë vullnetarë që i ndihmojnë ata. Aplikacioni mund të ofrojë ndihmë në rreth 180 gjuhë të ndryshme.

Themeluesi i aplikacionit “Be My Eyes”, Hans Jørgen Wiberg thotë se “OpenAI” iu afrua atij në fillim të shkurtit për të ndihmuar në vënien në funksion të programit, që i shpjegon në mënyrë automatike imazhet me fjalë.

“Ata janë mahnitur nga ajo që kjo teknologji mund të përshkruajë. Ky program me teknologji të inteligjencës artificiale përshkruan në detaje atë që sheh”, thotë zoti Wiberg, cili është gjithashtu me shikim të dëmtuar.

Për momentin, “Vullnetari Virtual” është ende në fazën e testimit dhe nuk është i disponueshëm për përdorim të gjerë.

Zoti Holten shpreson se inteligjenca artificiale mund ta ndihmojë atë të eksplorojë vende të reja në mënyrë të pavarur.

“Unë dua të kem një nivel më të lartë besimi të lëvizjes në hapësirat e panjohura. Do të ishte një gjë shumë e mirë, nëse teknologjia e inteligjencës artificiale do të më ndihmonte ta arrijë këtë”, thotë ai./Zëri i Ameriks/ KultPlus.com

Intelegjenca artificiale do të lejojë të verbrit të vrapojnë në mënyrë të pavarur

Inteligjenca artificiale do të lejojë të dëmtuarit në shikim dhe të verbrit të vrapojnë në mënyrë të pavarur.

Sistemi është duke u testuar nga kompania Google dhe do të drejtojë përdoruesin përmes një aplikacioni në smartphone përmes një pajisjeje që mund të shndërrohet në një lloj syri dhe veshi që drejton rrugëtimin.

Për të përdorur sistemin, vrapuesi duhet të lidhë një telefon Android me një ”parzmore” të dizajnuar nga Google që vendoset rreth belit.

Aplikacioni ‘’Project Guideline’’ do të përdorë kamerën e telefonit për të ndjekur rrugën.

Aplikacioni do të dërgojë sinjale audio tek kufjet kur një vrapues devijon nga rruga e vendosur në program, ku tingulli do të bëhet më i fortë.

Aplikacioni nuk kërkon një lidhje në internet duke marrë parasysh një larmi të motit dhe kushteve të ndriçimit/ANSA./ KultPlus.com