Mijëra artefakte të vjedhura janë gjetur nga policia italiane

Mijëra artefakte me vlerë historike dhe financiare, duke përfshirë sende të marra nga varre dhe gërmime arkeologjike, janë gjetur në Itali pas një operacioni të madh, thanë autoritetet.

Policia italiane ka arrestuar 21 nga 51 të dyshuar, në një operacion që përfshinte qindra oficerë, thanë autoritetet në një konferencë shtypi në rajonin jugor italian të Pulias të mërkurën.

Të arrestuarit janë nën hetim për “gërmime të shumta klandestine, marrjen e mallrave të vjedhura dhe tregtimin e paligjshëm, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të gjetjeve shumë të rëndësishme arkeologjike”, tha Renato Nitti, kryeprokurori përgjegjës për hetimin në Trani, Pulia, në një deklaratë për shtyp.

Çfarë u gjet?

Autoritetet gjetën 3,586 pjesë me “vlera të paçmueshme historike, artistike dhe tregtare” në Puglia, Basilicata, Campania, Abruzzo, Lazio dhe Trentino Alto Adige, tha Vincenzo Molinese, kreu i policisë së artit të Karabinierëve të Italisë, në konferencën për shtyp.

Ata gjetën gjithashtu 60 detektorë metali dhe objekte të tjera në përputhje me gërmimet klandestine, duke përfshirë thumba të gjata metalike dhe lopata.

Në komunën veriore italiane të Lavisit, u zbuluan 1,679 monedha arkeologjike prej bronzi dhe argjendi – nga Magna Graecia, minierat romake dhe bizantine – që datojnë midis shekullit të IV para Krishtit dhe shekullit të III pas Krishtit. Qindra monedha që datojnë nga epoka perandorake romake u gjetën në qytetin Ciampino, afër Romës.

Pesha tezgjah, kratere në formë zile, kana, gota, pjata, vazo miniaturë dhe llamba vaji ishin ndër gjërat me vlerë të gjetura në qytetin jugor të Spinazzolës.

Shumë nga artefaktet u morën nga “tombaroli” – ose grabitës varresh – në Campania, Basilicata dhe Puglia dhe u trafikuan në të gjithë Italinë dhe ndërkombëtarisht te koleksionistët e artit, thanë autoritetet.

Shumica e tyre nuk janë të dokumentuara dhe pjesë të papara ndonjëherë, të marra direkt nga gërmimet arkeologjike të paeksploruara, shtuan autoritetet.

“Hetimi bëri të mundur konstatimin dhe frenimin e një aksioni mbresëlënës grabitqar në dëm të trashëgimisë arkeologjike të territorit tonë, të pasurisë së jashtëzakonshme kulturore”, tha prokurori publik Nitti në konferencën për shtyp.

Nitti tha se operacioni “demostron sesi territori ynë ende mban thesare të pamatshme”, duke tërhequr “grabitësit dhe trafikantët e paskrupullt”.

Hetimi filloi vitin e kaluar pasi disa gërmime klandestine u zbuluan në rajonin Canosa të Pulias, nga ku mendohet se kanë origjinën të gjitha sendet.

Grabitja e artit antik në Itali nuk është një fenomen i ri.

Doli se pandemia Covid-19 u kishte ofruar hajdutëve mundësi të reja për të bastisur vendet e mbyllura arkeologjike, kishat dhe muzetë për objekte të çmuara, ndërsa policia u ricaktua për të zbatuar bllokimet.

Arthur Brand, një nga detektivët më të shquar të artit në Evropë dhe autor i “Kuajt e Hitlerit: Historia e vërtetë e pabesueshme e detektivit që depërtoi në botën e krimit nazist”, tha për CNN në vitin 2021 se të paktën gjysma e artefakteve të lashta romake në treg atëherë ishin vjedhur./cnn/KultPlus.com

Pesë veprat e famshme të vjedhura të artit, ende të pagjetura

Janë ndër pesë veprat më të famshme të artit që janë vjedhur gjatë historisë, disa prej të cilave ende po kërkohen nga FBI.

Lista është si më poshtë: 

“Lindja e Krishtit” nga Michelangelo Merisi da Caravaggio – Caravaggio: 

E vjedhur natën midis 17 dhe 18 tetorit 1969 në kishën San Lorenzo në Palermo, kjo pikturë u mor duke prerë kanavacën me brisk. Hetimet e FBI-së çuan në hipotezën se nxitësi i vjedhjes ishte shefi i mafies Gaetano Badalamenti, i cili u përpoq të merrte një shpërblim duke negociuar me Vatikanin.

“Një pamje mbi Over-sir-Oaz) nga Paul Cezanne: 

Në natën e Vitit të Ri 2000, në mesin e entuziazmit të festimeve, vjedhja e fundit e artit kryhet në Muzeun Ashmolean në Oksford. Piktura kishte një vlerë prej tre milionë dollarëve.

“Marina” nga Claude Monet: 

Ishte 24 shkurti 2006 kur katër burra të armatosur hynë në Muzeun “Chacara do Céu” në Rio de Zhaneiro në ditën e parë të festimeve të famshme të karnavaleve. Atë ditë, piktura e famshme u vodh së bashku me tri vepra të tjera arti nga artistë po aq të rëndësishëm si Dalí, Matisse dhe Picasso.

“Plazhi i Sheveningenit para stuhisë” nga Vincent Van Gogh

– Dhjetor 2002. Dy hajdutë hyjnë në Muzeun “Vincent Van Gogh” në Amsterdam dhe marrin kryeveprën e Van Goghut së bashku me një vepër tjetër.

“Kalorësi” nga Frans van Mieris: 

Vepra e artit u vodh nga Galeria e Arteve “New South Wales” në Sidnei të Australisë në vitin 2007. Absurdi i kësaj vjedhjeje është se ajo u krye në mes të ditës gjatë orëve të hapjes së muzeut dhe gjatë vizitave. /gazetasi/ KultPlus.com

Rikuperohen faqet e vjedhura të disa himneve fetare latine

Hetuesit italianë kanë gjetur dhe kthyer faqet e humbura të disa himneve shekullore të vjedhura nga një dioqezë pranë Firences në vitet 1990.

Faqet datojnë në shekullin XIII dhe janë të zbukuruara me ilustrime.

“Ata u shkëputën nga librat e tyre dekada më parë2, tha policia, transmeton KultPlus.

Në vitin 2010, disa prej tyre ishin ofruar për shitje në shtëpitë ndërkombëtare të ankandeve, ku policia filloi hetimet me ndihmën e agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.

Sipas ekspertëve, dokumente të tilla mund të shiten për dhjetëra mijëra dollarë, në varësi të dekorimit të tyre dhe kontekstit historik. /atsh/ KultPlus.com