Pogradeci prej 70 vitesh ruan traditën e Teatrit të Kukullave

Për më shumë se 70 vjet qyteti i Pogradecit vijon të ruajë me fanatizëm shfaqjet me kukulla për publikun e vogël.

Këto shfaqje realizohen nga një trupë aktorësh profesionistë me kukulla të krijuara në mënyrë artizanale.

Tashmë në këtë qytet ka nisur sezoni i ri i shfaqjeve për vitin 2024 me premierën “Pabesi në Pyllin e së mirës”.

Për regjisorin Dhimitraq Tasellari sezoni i ri do të ketë 3 premiera, që do të vendosen në skenë.

“Ne dolëm në premierë këtë vit me shfaqjen “Pabesi në Pyllin e së Mirës” e shkruar nga Andi Kosta dhe nën interpretimin e aktorëve Brunilda Shkurti, Marjana Shkurti dhe aktorëve të rinj. Sezoni sapo ka filluar me këtë premierë dhe ka ngjallur interes të madh në publikun e vogël dhe këtë vit ne do të vëmë në skenë 3 premiera”, tha Tasellari për ATSH-në.

Tasellari bën të ditur se janë duke u bërë përgatitjet edhe për edicionin e radhës së Festivalit të Kukullave “Xinxifilo” që mbledh trupa nga mbarë vendi.

“Së shpejti në qershor siç dihet tashmë zhvillohet festivali i kukullave “Xinxifilo” dhe ne do të vijmë me premierë të re, festivali do të bëhet si çdo vit me trupa shqiptare nga vendi dhe trevat, por edhe shtete fqinje”, theksoi Tasellari.

Vitin e fundit salla e Teatrit të Kukullave “Piro Xec”i në Pogradec është rikonstruktuar duke marrë pamjen që meriton. Parashikohet që vetëm gjatë vitit 2024 në këtë teatër të realizohen rreth 200 shfaqje./atsh/KultPlus.com

Ilir Muharremi publikon libër për teatrin e kukullave

Sot doli në dritë libri me ilustrime për teatrin e kukullave. Autor i këtij libri është Ilir Muharremi. Libri është ndarë në pesë kapituj duke përfshirë teatrin e kukullave, dramatizimin, regjinë, aktrimin, teatrin e hijeve, skenografinë, kostumografinë, muzikën dhe ndriçimin e teatrit të kukullave. Shtëpi botuese është “Lena”.

“Është libër i parë në Kosovë që botohet për teatrin e kukullave, e kam për të nevojshme që këndit të librit t’i shtohet një titull i tillë. Libri ofron ilustrime nga kukullat antike e deri te ato të sotme, është me ngjyra dhe tregohet procedura se si duhet krijuar një kukull teatri duke përfshirë të gjitha llojet e kukullave. Në këtë libër mësohet se si duhet të luajmë në skenë me kukullën, si duhet të flasim me të, si duhet të veprojmë me të”, thotë Muharremi.

Ky libër është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë./ KultPlus.com

Nis së shpejti puna për restaurimin e Teatrit të Kukullave

Godina historike e Teatrit të Kukullave do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “shumë shpejt nis puna për restaurimin e godinës historike të Teatrit të Kukullave, si pjesë e programit EU4Culture Albania dhe zbatuar nga UNOPS”.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme edhe në këtë godinë monumentale. Projekti përfshin restaurimin e çatisë, muraturës dhe ruajtjen e elementëve origjinalë.

Godina e “Teatrit të Kukullave” në fillim u ndërtua nga austriakët dhe më pas në vitin 1925 dhe pjesa e mbetur u përfundua prej shtetit shqiptar. Gjatë viteve 1925-1944 ka shërbyer si selia e legjislativit shqiptar dhe më pas kjo ndërtesë shërbeu si selia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Pas përfundimit të luftës ky objekt shërbeu edhe si Shtëpia e Pionerëve dhe më pas përfundimisht në të u vendos Teatri i Kukullave sikurse shërben edhe në ditët e sotme./ KultPlus.com

Teatri i Kukullave feston 70-vjetorin, shtëpia më e dashur për fëmijët në dekada

Për të gjithë fëmijët fundjava dhe sidomos e diela i takon gjithmonë teatrit të Kukullave, dhe këtë të diel teatri që rriti shumë breza dhe krijoi personazhet më të dashur për ta, feston 70-vjetorin e krijimit.

Edhe pse në një moment të vështirë për shkak të pandemisë, sërish në shtëpinë më të dashur të fëmijëve është ekspozuar “ historia e teatrit” me anë të kostumeve të vjetra dhe kukullave të dashura të cilat vetvetiu të kujtojnë kontributin e atyre që e themeluan.

Marrëdhëniet nuk shkëputen kurrë në Tetarin e Kukullave dhe këtë na e tregojnë më së miri ata që kanë vite qe ushqejnë të vegjlit me ëndrra, argëtim dhe mesazhe.

Kukullat me të cilat krijohen momente të bukura te fëmijët zakonisht janë ato që lëvizin me gishtërinj dhe ato të njohura si kukulla me çorape.

Teatri i kukullave është një formë teatri shumë e lashtë e cila u regjistrua për herë të parë në shekullin 5 para erës sonë në Greqinë e Lashtë. /vf/ KultPlus.com