Kosova e Shqipëria me spektakël kulturor, jepet premiera e ‘Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Kryezot i Arbërit’

Flonja Haxhaj

Fotografitë: Arben Llapashtica

Mbi 150 interpretues nga Kosova e Shqipëria, ishin mbledhur mbrëmë në skenën e sallës ‘AMC’ për të sjellë një vepër që e pasqyron në një dimension jetësor e më shpirtëror, përveç atij heroik e historik, Gjergj Kastriot Skëndërbeun.

Vepra ‘Gjergj Kastrioti Shkënderbeu, Kryezot i Arbërit’, nga kompozitori Vasil Tole erdhi mbrëmë premierë në Kosovë, ku përveç që u soll magjishëm figura e heroit kombëtar, i ribashkoi edhe njëherë dy prej institucioneve më të rëndësishme skenike të të dyja vendeve, Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Kosovës dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, nën dirigjimin e mjeshtrit Sieva Borzak, shkruan KultPlus.

E që kjo vepër u mirëprit edhe nga publiku i Prishtinës, u vërejt që në minutat e parë, atëherë kur të gjitha ulëset ishin mbushur plot dhe të gjithë ishin kuriozë në pritje të asaj që do të shfaqej më pas.

Me orkestrën në një pjesë, korin që përveç në interpretim edhe ishin rreshtuar në sinkron me njëri-tjetrin, po ashtu edhe solistët e përzgjedhur nga kompozitori, ndonëse në një sallë jo adekuate, arritën të përcjellin tek publiku një emocion vështirë të harrueshëm.

Emocioni u shtua edhe më shumë me fikjen e dritave dhe ndriçimi i vetëm mbeti në skenë, tek ata që do të mbanin vëmendjen e publikut të pushtuar për gati 63 minuta, ku përveç interpretimit edhe imazhet që lëviznin në prapavijë i shtonin edhe më shumë madhështinë kësaj ngjarje.

E pas më shumë se një ore mishërim me figurën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, kjo shfaqje dhe të gjithë interpretuesit që e bënë të mundur realizimin e saj në perfeksion, morën duartrokitje disa-minutëshe nga publiku.

Pas premierës në Kosovë, për KultPlus foli vetë kompozitori Vasil Tole, i cili shprehet i lumtur për shfaqjen e veprës së tij para publikut kosovar dhe sipas tij ky koncert e dëshmoi edhe njëherë për kapacitetet që artistët e të dyja vendeve kanë.

“Është premiera e parë e një vepre skenike shqiptare e cila replikohet në dy kryeqytetet tona, pra është një lloj kuptimi i një rekordi, që një vepër bëhet  për shkak të forcimit të marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve tona dhe e dyta na bashkoi Skënderbeu përsëri, ku dy institucionet tona më të rëndësishme që kemi në fushën skenike, u bënë bashkë për ta realizuar këtë gjë dhe kjo provon që kemi fuqi interpretuese, kemi kapacitete muzikore të afta për të përballuar edhe vepra premierë dhe sigurisht edhe vepra të traditës që janë disi më të thjeshta për t’i interpretuar”, u shpreh Tole.

Më tutje, ai foli edhe për performancën e artistëve, e që sipas tij u realizua në maksimumin e cilësisë së mundshme.

“Kënaqësia ime si autor është e madhe, së pari sepse kam pasur edhe koncerte të tjera me krijimtarinë time në Prishtinë, por nuk kam pasur kurrë një vepër të këtyre përmasave që shkon deri në 63 minuta, kështu që kam kënaqësi që u realizua kjo vepër, që u realizua me maksimumin e cilësisë së mundshme, në kushtet e bashkëpunimit ndonjëherë edhe të vështira në kuptimin e mjeteve teknike dhe sigurisht jam i kënaqur që reagimi i publikut të Prishtinës ishte pozitiv”, tha mes tjerash kompozitori Tole.

Në këtë mbrëmje kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, u shqua baritoni Artur Vera, me disa pika interpretuese. Ai pas performancës tha për KultPlus se ndjehet i lumtur për paraqitjen dhe performancën e tij pikërisht në Prishtinë.

“Vepra e profesor Vasos është një vepër e re e sjellë dhe e konceptuar ndryshe që e lidh Skëndërbeun me përjetësinë, realitetin dhe historiken. Skënderbeu paraqitet si një Skënderbe i menduar, më shpirtëror, që tregon për jetën e tij, për frymëzimin e tij, për burimin e frymëzimit të tij për të luftuar dhe e lidh këtë figurë me Shëngjergjin”, tha ai, duke shtuar më tutje se për të sjellë këtë premierë dhe atë në Tiranë ka qenë një përgjegjësi dhe një punë shumë e madhe.

Ai më pas foli edhe për bashkëpunimin me Korin e Filharmonisë së Kosovës, bashkëpunim ky që ka qenë goxha i shpeshtë në kohët e fundit.

“Bashkëpunimi me Korin e Filharmonisë së Kosovës ka ndodhur shpesh këto kohëve të fundit, kemi qenë shumë të lumtur që i kemi pasur në TKOB dhe kësaj radhe erdhëm ne në Kosovë dhe jemi shumë të lumtur që ribashkëpunojmë me këtë vepër por edhe në vepra të tjera”, përfundoi Vera.

Në këtë mbrëmje madhështore, emocione dhuroi edhe performanca e sopranos Kaltrina Miftari, e cila shprehet e privilegjuar për paraqitjen e saj si soliste pikërisht në këtë vepër.

“Ishte kënaqësi e veçantë të paraqitem si soliste në premierën e veprës  madhështore “Skënderbeu” te kompozitorit tonë Vasil Tole. Por sigurisht një vepër e përmasave të tilla mendoj qe duhet te shfaqet në sallë adekuate. Opera e cila u shfaq mbrëmë në mënyrë koncertale sigurisht është edhe një provë më shumë për të tregu që edhe Kosova e meriton shtëpinë e Operës”, tha Miftari për KultPlus.

Ndërkaq drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, u shpreh për KultPlus që premiera e parë e veprës ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryezot i Arbërit’, ishte e planifikuar që të mbahej fillimisht në Prishtinë, megjithatë u bë në Tiranë ku Filarmonia e Kosovës pati mundësinë të jetë prezente në një objekt siç është ai i Teatrit Të Operës dhe Baletit, hapësirë kjo që e mundëson realizimin në detaje të një vepre skenike siç ishte kjo e kompozitorit Tole.

“Ne u munduam që ta bënim premierën tonë këtu por në një hapësirë që natyrisht nuk i përmbush këto kritere përveç që jemi detyruar që të vijmë në këtë sallë e cila është e vetmja që e mundëson vendosjen e mbi 150 performuesve në skenë”, deklaroi Jashari, duke shtuar se realizimi muzikor ishte në një nivel tejet të lartë e profesional.

Ndërkaq, ju kujtojmë që vepra ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryezot i Arbërit’ nga kompozitori Vasil Tole dhe me me libret të kompozitorit mbi tekstin e Fan S. Nolit erdhi premierë në Prishtinë pas premierës së suksesshme që e pati në Tiranë më 9 maj./ KultPlus.com

Opera ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryezot i Arbërit’, gjatë majit në TKOB

Teatri i Operas dhe Baletit publikoi kalendarin artistik të muajit maj ku do të tejçojë mes notash pentagrami e bashkëpunimesh vëllazërore, fillimisht historinë e kombit shqiptar, që prej më shumë se 5 shekujsh qëndron përkrenare mbi kokat tona.

Kjo histori vjen përmes operës solemne “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryezot i Arbërit”, me kompozitor Vasil Tolen dhe me libret të bazuar mbi veprën e Fan Nolit.

Opera do të shfaqet për artdashësit në Tiranë, më 9 maj por artistët do të udhëtojnë drejt Prishtinës ku shfaqja është parashikuar të jepet më 17 maj.

“Tingujt e Luftës së Parë Botërore” është një koncert me muzikë dhome, ku soliste do të jetë vetë drejtoresha e TKOB-së, Abigeila Voshtina, kësaj here në rolin e  violinistes dhe që do të shoqërohet në piano nga Herta Cane.

Në këto ditë pranvere, TKOB do të sjellë dhe alegrinë spanjolle të Cervantes, përmes baletit premierë “Don Kishoti”, sjellë mjeshtërisht nga emra të shquar ndërkombëtarë.

Vlen për t’u përmendur dhe fakti që TKOB së fundmi mendon enkas për fëmijët, duke vënë në skenë opera të përshtatshme për ta. Kësaj here fëmijët dhe prindërit e tyre do të mund të shohin “Flautin magjik” të Mozart-it,  mbështjellë me pëlhurë përrallore e përcjellë me melodi magjike për fëmijë e familje./atsh/ KultPlus.com

“Grand Gala”, rihap dyert i rikonstruktuar Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor rihapi sot dyert pas rikonstruksionit, në një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho.

Në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB ishte i pranishëm  kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe përfaqësues të lartë të shtetit, trupit diplomatik, miqve të TKOBAP, etj.

Pas 5 vite mbyllje për shkak të rikonstruksionit, duke filluar nga sot, TKOBAP do të hapet për publikun nëpërmjet shtatë shfaqjeve premierë.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.

TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Në godinën e ristrukturuar të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun./atsh/KultPlus.com

Margariti: Teatri i Operas dhe Baletit po shndërrohet në hapsirën e ëndërruar nga të gjithë artistët

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha sot se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët.

Ministrja Margariti ka inspektuar nga afër punimet që janë drejt përfundimit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Po shkurtohen ditët, kur punëtorët do t’ia lënë vendin artistëve të skenës. Ditë pas dite shohim se si ajo gërmadhë, që nuk arrinte të mbante më mbi supe, me emrin e madh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët”, shprehet Margariti.

Investimi madhor vjen pas 60 viteve për t’u kthyer artistëve një skenë europiane.

“Kjo ndërtesë priti gjatë, plot 60 vjet që nga dita e ndërtimit, që të shihte një investim kaq madhor. Së shpejti ajo do t’i kthehet prapë artistëve e publikut, që do të mund të shijojnë një shfaqje si kudo në Europë, pa u shqetësuar për të ftohtët e dimrit dhe vapën e verës”, tha ministrja Margariti.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975. /atsh/ KultPlus.com