Teatri Eskperimental ‘Kujtim Spahivogli’, aktivitet të ngjeshur artistik brenda e jashtë vendit

Gjatë këtij sezoni veror Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka marrë pjesë me sukses në disa festivale ndërkombëtare, duke fituar vlerësime dhe çmime.

Përfaqësimi për të parën herë për Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna, Bullgari, me monodramën “Gruaja e thyer”.

Në 20 gusht, shfaqja “Gadjo” u prezantua në Festivalin Etnofest, një ngjarje e rëndësishme për artin dhe kulturën. Shfaqja u bë thelbësore në këtë festival, duke u vlerësuar me tri çmime të rëndësishme: “Shfaqja më e mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Aktorja më e mirë”. Këto çmime janë një njohje e merituar për përpjekjen e ekipit të Teatrit Kombëtarë Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në prodhimin e një performance të jashtëzakonshme teatrale.

Përveç suksesit të arritur në Festivalin Etnofest, “Gadjo” do të vazhdojë me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Kjo është një tjetër platformë e rëndësishme për të treguar fuqinë e artit teatral dhe për të ndarë ndjenjat dhe historinë e shfaqjes me audiencën e gjerë.

Në një ngjarje e shënuar  kulturës dhe artit, është pjesëmarrja e shfaqjes “Dhjetë Kërcime – Tirana my Rhythm”në disa festiovale ndërkombëtare. Më 6 korrik shfaqja ka marrë pjesë me sukses në Festivalin Le DANZATRICI en Plein Air.

Më 26 dhe 27 korrik kjo shfaqje morri pjesë në takimin ndërkombëtar kulturor u mbajt mbështetur nga  Teatrin Publik Puliez që u zhvillua në Lama D’Antico.

Dhe më 8 shtator shfaqja do të marri pjesë në festivalin “Talos”, një nga ngjarje  e rëndësishme eksperimentim dhe takimi të produksioneve origjinale, projekte të reja artistike, kërcime të shkëlqyera bashkëkohore.

Pjesëmarrja e shfaqjes “Dhjetë Kërcime – Tirana my Rhythm” në këto festivale të rëndësishme shënoi një hap të rëndësishëm për kulturën dhe artin e kërcimit në Tiranë dhe në nivel ndërkombëtar.

Për Teatrin Kombëtarë Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”, pjesëmarrja dhe vlerësimet e arritura në këto festivale ndërkombëtare janë një shenjë e qartë e aftësisë së tyre për të prodhuar vepra të cilat prekin, inkurajojnë dhe ndikojnë tek spektatorët në nivel emocional dhe intelektual, duke çuar artin teatror në një nivel konkurues dhe cilësor jo vetëm brenda vendit por edhe përtej kufinjve./atsh/KultPlus.com

Mjeshtëria e Shakespeare nën dritat e Teatrove të Gjakovës dhe Prizrenit

Teatri i qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, së bashku me teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, kanë nisur një fazë emocionuese të procesit krijues me fillimin e provave për shfaqjen e tyre më të re, shkruan KultPlus.

Vepra që do të ngjitet në skenën e dy teatrove është “Masë për masë” e shkruar nga William Shakespeare, një autor i njohur dhe i respektuar në botën e letërsisë. Regjisori i njohur Altin Basha është aty për të drejtuar këtë projekt me vizionin dhe përvojën e tij të pasur në botën e teatrit.

Ky bashkëpunim mes teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizrenit sjell një energji të re dhe një sjellje të përzier të talenteve artistike.

Përgatitjet intensive dhe përpjekjet e përbashkëta të aktorëve, regjisorit dhe ekipit të produksionit po krijojnë një pritje të madhe për shfaqjen e premiere që do të sjellë magjinë e artit teatral në skenën e teatrit.

Kjo shfaqje e re, e cila ka datën e premierës në fund të shtatorit të këtij viti, po përgatitet me shumë pasion dhe përkushtim, derisa premierën do ta ketë në fund të muajit shtator. /KultPlus.com

Veliaj: Teatri i Ri, bizhu për qytetin

Ish-godina e Drejtorisë së Burgjeve është shembur për t’i hapur rrugë punimeve që po kryhen për Teatrin e Ri.

Kantieri, në të cilin puna është fokusuar kryesisht gjatë orëve të natës, tashmë ka në dispozicion edhe një rampë, përmes së cilës do të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi mbrëmjen e djeshme punimet për Teatrin e Ri, u shpreh se në këtë mënyrë të gjitha mjetet do të kalojnë përmes Unazës së Vogël të Tiranës, pa dëmtuar zonën e Pedonales apo Kalasë, mjaft të frekuentuara nga turistët që kanë mbushur edhe këtë verë kryeqytetin. Nga ana tjetër, ato do të kryhen gjatë orëve të natës për të mos rënduar as trafikun në kryeqytet.

“Tetari Kombëtar është vërtet një bizhu për qytetin, por duhen marrë disa vendime që përputhen me rritjen e turizmit dhe të jetës së natës së qytetit. E gjithë zona e Kalasë, zona e Pedonales, ka pafundësisht jetë, përfshirë këtu edhe institucionet që kanë akses nga pedonalja “Murat Toptani”. Kemi vendosur që aksesin për kantierin e Teatrit ta kemi në rrugën e Unazës së Vogël të Tiranës. Kjo do të thotë se kemi dekomisionuar ndërtesën e ish-Drejtorisë së Burgjeve dhe me hapjen e atij kantieri, e me zhvendosjen e disa kabinave elektrike, mundësojmë që Pedonalja, Kalaja dhe kinemaja të përdoren; pra i gjithë “damari turistik” i Tiranës të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, kurse ne do të përdorim këtë akses këtu që të sigurohemi që kamionët që punojnë kryesisht natën të kenë hyrje-dalje në kantier”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë falënderoi të gjitha strukturat e bashkisë, por edhe të Policisë të angazhuara për mbarëvajtjen e projektit, ndër më të rëndësishmit në kantieret ku po punohet aktualisht në kryeqytet.

“Dua të falenderoj të gjithë për angazhimin, IMT-në, të gjithë kolegët që janë mobilizuar, nga Policia Bashkiake, Policia Rrugore, kolegët e Zjarrfikëses. Është një operacion që do të na zërë gjithë natën, por nesër kur Tirana gdhihet në mëngjes, secili do vazhdojë ta përdorë Unazën e Vogël, por ishte i vetmi moment ku ne mund të bënim një ndërhyrje të tillë. Kështu që, dua t’i falenderoj të gjithë ata që janë treguar mirëkuptues për këtë devijim të përkohshëm gjatë mbrëmjes,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se, ky është muaji kur Bashkia intensifikon punën në terren, ndihmuar më së shumti edhe nga çlirimi i trafikut në Tiranë, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë përfunduar. “Gushti do të jetë muaji më i ngarkuar për ne. Duke qenë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë buzë detit, do të sigurohemi që t’i përfundojmë në verë gjithë këto kantiere që kërkojnë hapje të mëdha të rrugëve, siç është kantieri i madh në Kinostudio, kantieri i Teatrit dhe 10 shkollave të reja, që po përgatisim të vlojnë gjatë Gushtit, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë mbaruar. Do shfrytëzojmë maksimalisht këtë kohë”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë.

Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore./ atsh / KultPlus.com

Teatri i lashtë i Neronit zbulohet pranë Vatikanit

Arkeologët njoftuan se kanë zbuluar pranë Vatikanit teatrin e Neros. Kjo strukturë perandorake përmendet në shkrimet e lashta romake, por nuk ishte gjetur ndonjëherë. Objektet ofrojnë një pamje të rrallë të historisë, që nga Perandoria Romake dhe deri në shekullin e 15-të.

Arkeologët thanë se zbuluan Teatrin e Neros tek kopshti i një prej hoteleve luksoze të Romës, Four Seasons Hotel, vetëm pak hapa nga Vatikani.

Lexo Edhe:

Megjithëse përmendej në shkrimet romake, teatri perandorak nuk ishte gjetur dot. Arkeologët ishin duke gërmuar thellë nën kopshtin e Palazzo della Rovere që në vitin 2020, në kuadrin e rinovimeve të kësaj godine të rilindjes.

“Mund ta imagjinoni që gjysma e teatrit vazhdon nën rrugën prapa; duhet të ketë një diametër prej 42 metrash… Kolonat që gjenden të shtrira në tokë duhet të kenë qenë pjesë e dekorit, dhe janë me vlerë të madhe”, thotë Marzia Di Mento, kryearkeologe.

Pallati i shekullit të 15-të në rrugën Via della Conciliazione që të çon drejt Sheshit të Shën Pjetrit, është selia e një urdhëri të lashtë, pasardhës i Urdhërit të Kryqit të Shenjtë të Jeruzalemit, nga periudha e kryqëzatave.

Zyrtarët i quajnë “të jashtëzakonshme” zbulimet nga gërmimi. Ata thonë se objektet ofrojnë një pamje të rrallë të historisë, që nga Perandoria Romake dhe deri në shekullin e 15-të. Perandori Nero qeverisi Romën nga viti 54 deri në vitin 68 të erës së re.

“Gërmimet tek pallati i Kalorësve të Kryqit të Shenjtë janë në zonën e fushave të Vatikanit, që rrethonin qytetin e lashtë. Në këtë zonë gjendeshin dy rrugë shumë të rëndësishme, Via Cornelia dhe Via Trionfale, dhe mbi të gjitha këtu gjendeshin që nga periudha perandorake Kopshtet e Agripas, një nga objektet me luksoze dhe më të rëndësishme perandorake”, thotë arkeologu Alessio De Cristofaro.

Ndër gjetjet ka kupa qelqi dhe poçe balte të shekullit të 10-të, të cilat janë të pazakonta pasi nuk dihet shumë për këtë periudhë të Romës. Arkeologët thonë se në të kaluarën janë gjetur gjithsej vetëm shtatë kupa qelqi nga ajo epokë, ndërsa tek gërmimet e tanishme u gjetën edhe shtatë të tjera.

Arkeologët gjithashtu zbuluan kolona dhe murale të dekoruara me fletë të arta, që mundësuan identifikimin e objektit si Teatri i Neros, i përmendur në tekstet e Plinit, autor dhe filozof i lashtë romak.

“Burimet letrare na tregojnë se brenda premisave të Kopshteve të Agripas, perandori Kaligula ndërtoi një cirk të madh për lojëra me karroca me kuaj, dhe pas kësaj Plini tregon se këtu Nero ndërtoi një teatër ku ai vetë bënte prova përpara se të dilej tek audienca më e madhe në Teatrin e Pompeut. Këtu bëheshin shfaqjet më private, që ndiqeshin vetëm nga audienca aristokrate, nga njerëzit që ishin pranë perandorit, por edhe për disa përfaqësues të popullsisë së Romës”, thotë arkeologu De Cristofaro.

Zyrtarët thonë se objektet antike të lëvizshme do të dërgohen në muze, ndërsa rrënojat e strukturës së teatrit do të mbulohen sërish, pasi të jenë bërë të gjitha studimet e nevojshme./GazetaTema/KultPlus.com

Jepet premiera ‘la sylphide’ në Teatrin Faruk Begolli

Dje, në teatrin ‘Faruk Begolli’ u dha premierë një prej veprave më të njohura të baletit klasik, ‘la sylphide’, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila për herë të parë u dha në vitin 1836, në  Kopenhagen, është njëra prej veprave më të famshme të kompozitorit Hermen, u përketë veprave të cilat janë të vështira për tu realizuar si nga ana teknike ashtu edhe nga e kostumeve dhe e skenorgrafisë.

Behie Murtezi ka thënë se përgatitja për këtë shfaqje ka qenë sfidë në vete, mirëpo me punë kanë arritur t’ia dalin.

“Për kete shfaqje kemi punuar shumë gjatë dhe ka qenë një sfidë e madhe për mua puna me femijët , por ja kemi dal mirë dhe shfaqja u prit shumë mirë nga publiku”, thuhet në njoftimin e Murtezit.

Murtezi  po ashtu ka bërë të ditur se ka shumë kërkesa për repriza dhe se shumë shpejtë do të vijnë me repriza të shfaqjes./KultPlus.com

‘Flauti magjik’ për fëmijë e familje, 3 ditë në Teatrin e Operas

 Për tri ditë me radhë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka vënë në skenë “Flautin magjik”, përshtatur për fëmijë dhe familje.

Testamenti shpirtëror i Moxartit u përcoll përgjatë datave 26, 27 dhe 28 maj. “Flauti magjik” është një vepër shumëdimensionale ku të vegjlit artdashës u përfshinë tërësisht në një botë magjike.

Libreti i kësaj opere bazohet në një përrallë me nota të holla humori dhe plot mistere. Tamino dërgohet nga Mbretëresha e Natës për të shpëtuar vajzën e saj Pamina nga prifti i lartë Sarastro. Megjithatë, gjatë aventurës së tij, Tamino vlerëson vlerat dhe idealet e Sarastros dhe i bashkohet rrugëtimit të tij.

Muzika e bukur e Moxarit dhe artistët e TKOB argëtuan pa masë spektatorët e vegjël, në hollin koncertor të teatrit. Edhe orari i vendosur paradite, ishte lënë enkas për ta bërë më të mundur frekuentimin nga fëmijë e familjarë.

Vepra në formën e një Singspielit, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, i dha dinamikë shfaqjes dhe dhuroi atmosferë emocionuese për publikun./ATSH/KultPlus.com

‘Certifikata e martesë’ rikthehet në skenë, pas suksesit në festivalin ‘Apollon’

Komedia “Certifikata e martesës” do të rikthehet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Shkruar nga Ephraim Kishon, me regji nga Driada Dervishi, “Certifikata e martesës” është një komedi sociale e filozofike.

Pas 30 vitesh bashkëjetesë, çifti Meleku kujtohen që nuk dinë ku është certifikata e martesës. A varet realisht martesa nga një certifikatë? Dhe më e rëndësishmja, pas 30 vitesh a do të martoheshe sërish me burrin a gruan që ke?

Komedia do të jetë në skenën teatrore në datat 17, 18, 19, 20 dhe 21 maj.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Mimoza Marjanaku etj.

Në muajin prill, aktorja Olta Daku, e cila ka rol kryesor në komedi, u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste”, në edicionin e 14-të të festivalit mbarëkombëtar “Apollon” në Fier./Atsh/KultPlus.com

Teatri Kombëtar publikon programin e shfaqjeve për muajin maj

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar programin e shfaqjeve që do të paraqiten gjatë muajit maj 2023, shkruan KultPlus.

Me datën 2 maj do të ketë prezantm të shfaqjes ’’‘Delier Us’- Ballet Magnificant!’’, të koreografit Jiri Sebastian Voborsky.

Ndërsa me datën 3 maj do të shfaqet shfaqja ‘Gratë’, të regjisores Nastazja Domaradzka.

KultPlus ju sjellë datat tjera janë si në vijim:

Mbyllet Festivali i Teatrit në Fier ‘Apollon’ 2023, interpretuan aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia

Është mbyllur nata finale e Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit “ Apollon” 2023.

Teatri “ Bylis” në Fier u kthye për pesë ditë radhazi në destinacionin e artit skenik pasi edicionini 14-te i këtij festivali solli në skenën teatrore për 5 netë radhazi trupa të njohura teatrore nga Shqipëria, Kosova, e Kroacia, vepra të autorëve shqiptarë e të huaj kryesisht në gjininë e komedisë dhe monodramës, shfaqje të cilat nxjerrin në pah dhe trajtojnë probleme familjare dhe të shoqërisë që hasen më së shumti gjatë ditëve të sotme.

Juria e festivalit këtë vit kishte në përbërjen e saj aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci dhe Luli Bitri te cilët në natën finale ndanë edhe çmimet për kategoritë e përcaktuara: Aktorët joprotaginistë më të mirë u vlerësuan Mimoza Marjanaku dhe Indrit Cobani dhe aktorët protagonistë më të mirë Olta Daku dhe Mentor Zyberaj të cilët u shprehën mjaft të emocionuar për vlerësimin e jurisë prestigjioze.

Bashkëpunime të tilla të trupave teatrore janë të një rëndësie të veçantë është shprehur kryetari i jurisë, aktori i njohur Ndriçim Xhepa, teksa ka apeluar për më shumë vëmendje nga ana e qeverisë për artin e kulturën.

Ky festival erdhi ne qytetin e Fierit pas një periudhe ndërprerjeje me një kastë të njohur aktoresh të 9 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova e Kroacia, të cilët sollën para publikut artdashës fierak emocione të veçanta./topchanel/KultPlus.com

Muradije Muriqi dhe Mejreme Berisha vlerësohen me Çmimin për Vepër Jetësore në fushën e teatrit

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka shpallur Muradije Muriqin dhe Mejreme Berishën fituese të Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Fushën e Teatrit për vitin 2022, shkruan KultPlus.

Ky çmim iu dha aktoreve nën arsyetimin e angazhimit dhe karrierës së gjatë skenike, profesionalizmit, disiplinës, si dhe kontributit të madh për zhvillimin e teatrove të Gjilanit dhe të Gjakovës.

Ndërsa Çmimi Vjetor për Aktoren më të Mirë në fushën e Teatrit, iu dha aktores Ilire Vinca me shfaqjen  “Babai dhe Babai”. Ky çmim iu dha aktores për performancën dhe esetikën ekspresive në mishërimin e personazhit, për shkak të kompleksitetit të karakterit në dramën familjare mbi personat e pagjetur, si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në portretizimin e rolit të Sarës.

Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të Mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022, iu dha Qendrës Multimedia me shfaqjen “The Handke Project”.

Nën arsyetimin e inskenimit jolinear dhe trajtimin e materies së dendur dramaturgjike, si dhe pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social të zonave urbane-drejtë një dehumanizimi global, iu dha Çmimi Vjetor për Regjinë më të Mirë ju dha regjisorit, Fatos Beisha, për shfaqjen “Pornography”.

Kurse Çmimi Kombëtar për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëar në fushën e Teatrit iu dha Teatrit të Qytetit të Gjilanit, për shembullin e suksesshëm të prezantimit ndërkombëtar nëpër festivale të rëndësishme të teatrit të Evropës Qëndrore.

Në fund të ceremonisë për ndarjen e cmimeve fjalën e mori Mejreme Berisha e cila i falënderoi bashkëpunëtorët për të cilët tha se puna e saj pa ta do të ishte e pamundur.

‘I jam mirënjohëse shtëpisë time teatrore, kolegëve të mi, pa të cilët puna ime do të ishte e pamundur. Jam shumë e lumtur sot që pikërisht në kupolën e shtetit, ku punohet për kulturën e gjithëmbarëshme në çdo lëmi, vlerësohem sot për rrugën e gjatë, të lodhshme por edhe shumë të bukur’, është shprehur Berisha.

Fjalë falënderuese pati edhe fituesja tjetër e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Muradije Muriqi.

‘Faleminderit të gjithë atyre të cilët më kanë përkrahur gjithë këto vite, falminderit publikut’, ka shtuar Muriqi.

Ndërsa aktorja Ilire Vinca, çmimin e fituar tha se u dedikon familjarëve të përsonave të pagjetur të cilët që 24 vite po jetojnë paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën.

‘’E kundërta e luftës nuk është paqja por është arti’  dhe pikërisht kështu ndoshta festohet ky përvjetor, dita botërore e teatrit. Duke e pasur parasysh që e kemi një detyrë si artistë dhe sidomos me rolin që jam vlerësuar, e kam pasur një detyrë shumë të vështirë që fiks pas një muaji do të jetë dita e të pagjeturve dhe unë këtë cmim ua dedikoj familjarëve të 1600 personave të pagjetur të cilët jetojnë me paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën’, ka thënë aktorja Vinca.

Pjesëtarë të jurisë vlerësuse ishin: Luan Jaha, Agon Myftari, Drita Begolli, Kumrije Hoxhaj dhe Alban Beqiraj, i cili edhe foli në emër të jurisë dhe shpalli fituesit për Çmimet Kombëtare në Fushën e Teatrit.

Ndërsa Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku u shprehu mirënjohje shtetërore komunitetit teatror për punën e madhe të cilën e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve.

‘Për nderë të Ditës Botërore të Teatrit shfrytëzoj rastin të shprehë mirënjohjet tona shtetërore, institucionale, gjithë komunitetit teatror të Kosovës, për punën e madhe që kanë bërë jo vetëm gjatë vitit 2022, por edhe për punën më herët dhe punën që po e bëjnë edhe tash’, ka thënë Çeku.

Përndryshe sot në botë shënohet Dita Botërore e Teatrit./KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi me propozimin e Findlandës kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror, të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në vitin 1961, përcjellë KultPlus.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./KultPlus.com

Koncerti “Mbrëmje Pranverore” i dy shkollave artistike shqiptare

Në Teatrin e Operas dhe Baletit u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës koncerti “Mbrëmje Pranverore”, i organizuar nga Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe “Shkolla Kombëtare Koreografike”.

Mbas disa dekadash, me mbështetjen e bashkisë Tiranë, dy shkollat artistike kryesore të Shqipërisë, risollën frymën e bashkëpunimit artistik, duke frymëzuar dhe motivuar brezat e rinj me anë të praktikës artistike në skenë. Mbi 200 nxënës dhe mësues janë të angazhuar në një repertor të muzikës serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky koncert ishte edhe një homazh për brezat e kaluar të artistëve pedagogë, të cilët me pasion, punë dhe dashuri për artin, krijuan traditën shumëvjeçare të përcjelljes së dijes, që prej themelimit të këtyre shkollave.

Orkestra Simfonike dhe Kori përbëhej nga nxënësit dhe mësuesit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me solistë Alba Metaj (violinë), Etleva Kolnikaj (piano), Edlira Novaku Gjoni (violonçel), Erjana Riza (piano), Lorian Deda (bariton) dhe Albana  Bajraktari (soprano) nën drejtimin e dirigjentëve të Liceut, Mira Sulejmani, Besa Kacinari dhe Andi Kongo.

Numrat koreografikë u interpretuan nga nxënësit e “Shkollës Kombëtare Koreografike” me solistë Eskiejda Allka, Mirjan Llapushi, Bianka Skënderi, Graciela Sallaku, Uendi Xhixha, Floresida Hida, Ester Koni dhe Justin Deda. Koreografitë janë krijuar nga Blerina Arbana, Joli Eleni Gjovreku, nën kujdesin e drejtoreshës së “Shkollës Kombëtare Koreografike” Blerina Arbana dhe drejtimin artistik të Etleva Kolnikaj, drejtore e Liceut Artistik “Jordan Misja”./atsh/ KultPlus.com/

Margariti: Gjatë 2022 institucionet qendrore të artit dhanë 131 premiera

Me normalizimin e situatës postpandemi u rikthye jeta në skenat artistike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot, se gjatë vitit 2022 institucionet qendrore të artit kanë dhënë 131 premiera.

Numri i premierave në vitin 2022, që ishte edhe viti i pandemisë së COVID-19 ishte vetëm 99, ndërsa në 2021 u shfaqën 102 premiera. /atsh /KultPlus.com

Një jetë në skenë, aktori ikonë Robert Ndrenika sot feston 81 vjetorin e lindjes

Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 81-të. Vitet kalojnë, por aktori i madh vetëm sa fiton gjithnjë e më tepër dashurinë e publikut shqiptar. Pa të, arti do të ishte më i paplotë, shpirtrat më të varfër.

Aktori tejet i dashur për të gjithë brezat, sjell gjithnjë mesazhe me peshë dhe aktuale me rolet e tij. Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij. Të gjithë e vlerësojnë për sjelljen në jetën reale, por edhe për personazhet që tashmë i përkasin. Askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s’i ndau kurrë.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në vitin 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.

Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.

Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai kishte një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, dhe e shoqëronte gjithmonë në prova. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.

Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” ( ne 2012).

Ne 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.

Në 2015, u shpall Aktori i Vitit dhe gjatë marrjes së çmimit, publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti gjatë në nder dhe respekt të tij.

Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” meritoi çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.

Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij.

Filmat:

Kronikë provinciale (2009)
Tifozët – (2004) komedi
Njerëz dhe fate – (2002-2
Tirana, viti zero
Parullat – (2001), Lleshi
Bolero – (1997)
Nata e dymbëdhjetë
Edhe kështu edhe ashtu
Botë e padukshme -azi
Përrallë nga e kaluara – (1987), Vangjeli
Vrasje në gjueti
Dhe vjen një ditë – (1986) si vëllai i Llano Bletës
Gurët e shtëpisë sime – (1985)
Tre njerëz me guna – (1985)
Shi në plazh – (1984) teater-komedi
Shirat e vjeshtës – (1984) , Sotiri
Nxënësit e klasës sime – (1984), Kristofori
Kohë e largët – (1983), Anastas Grigori
Besa e kuqe – (1982), Gjoni
Era e ngrohtë e thellësive – (1982) (TV)
Nëntori i dytë – (1982), karrrocieri i Ismail Qemalit
Prefekti, komedi, Qazim Mulleti

Vëllezër dhe shokë – (1982), Sokrati
Një shoqe nga fshati – (1980) Agushi
Ditët që sollën pranverën – (1979) (TV)
Mësonjëtorja – (1979), kocka
Në shtëpinë tonë – (1979), Stefi
Koncert në vitin 1936 (1978), Fotaqi (n/prefekti)
Shembja e idhujve – (1977), kapteri
Emblema e dikurëshme – (1976) (TV)
Duke kërkuar 5-orëshin – (1974) Zeqo
Rrugë të bardha – (1974), Ganiu
Shtigje të luftës – (1974), Shabani
Kryengritje në pallat – (1972)
Odiseja e tifozave – (1972)
Kapedani – (1972), i biri i xha Sulos
I teti në bronx – (1970), Xhemali
Horizonte të hapura – (1968), Azemi
Oshëtimë në bregdet – (1966), Gjergjiekti komedi , Qazim Mulleti / KultPlus.com

Nga Robert Ndrenika e Tinka Kurti, kush janë aktorët që marrin pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri

Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, që kanë lënë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar, ishin të pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri.

Po ashtu, të pranishëm ishin dhe artistë të tjerë si Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha.

Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re, e cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit XXI, që njësoj si stadiumi i ri kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë. /TopChannel /KultPlus.com

“Molly” dha premierën e saj në Amfiteatrin e TKK-së, trajtoi përjetime e personave me aftësi të kufizuara

Shfaqja “Molly” dha premierën e saj para dy ditësh, në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Molly është një shfaqje me dy akte e cila tregon historinë e personazhit të titullit, Molly, një grua e verbër që në foshnjëri, e cila i nënshtrohet një operacioni për të rikthyer shikimin. Shfaqja tregon historinë e Molly-t përmes monologjeve të tre personazheve: Molly, burri i saj Frank dhe kirurgu i saj, zoti Rice. Historia e nënkuptuar interpretohet rrallë dhe na mbetet neve, audiencës, ta bashkojmë atë. Është sikur hyjmë në botën e Molly-t dhe rikrijojmë një realitet që është produkt i imagjinatës sonë. Është një realitet kaq i mbushur me dashuri dhe besim, saqë do të duam ta mbajmë atë kur të dalim nga teatri. Në këtë shfaqje simpatizojmë Molly-n dhe dëshirën e saj për një botë përtej realitetit, të zbukuruar nga iluzion.

Ministria e Kulturës njofton se në këtë premierë ishte i pranishëm edhe Ministri Hajrulla Çeku.

Postimi i plotë:

“Teatri Kombëtar i Kosovës dha premierën e dytë brenda dy javësh.

Për publikun u dha shfaqja “MOLLY” e regjisores Sibel Abdiu, shfaqje kjo që trajton përjetime të personave me aftësi të kufizuara, e cila luhet me dy akte dhe tregon historinë e personazhit Molly.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Verona Koxha, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, me kompozitor Albin Sopa, artist vizual Lulzim Luigji Bejta dhe inspiciente Nazmije Krasniqi.

Në premierë i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Qeveria e Kosovës ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me “Exil-in” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Shqipëri

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, është risjellë në skenë baleti Exil me koreografi të Eno Peçit. Kësaj here Exil u interpretua nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Exil-i i Eno Peçit rrëfen trazirat e një vendi, dhe lidhet me temën e emigracionit. Një rrëfim për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre dhe tragjedinë e popujve që emigrojnë.

Vite më parë, balerini shqiptar që korri sukses jashtë kufijve të Shqipërisë, e solli premierë këtë vepër, me trupën e balerinëve të TKOB.

Me rastin e festave kombëtare, shfaqja u rikthye mbrëmë, me balerinët nga Kosova dhe do të jetë edhe sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit.

I lindur në Tiranë, Eno Peçi është primo balerin i arsimuar në Akademinë e Baletit të Tiranës dhe në Shkollën e Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës “Wiener Staatsoper”. Ai jeton e punon në Austri. Njihet si i pari balerin shqiptar, i cili performoi live në Koncertin e Vjenës që mbahet çdo fillimviti./ atsh / KultPlus.com

Vdes aktori i njohur shqiptar, Pandi Siku

Një lajm i hidhur ka mbërritur këtë mëngjes për kinematografinë shqiptare. Aktori Pandi Siku ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare.

Mësohet se Siku prej një viti vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai jetonte në SHBA, në shtetin e Illinois.

Pandi Siku ishte aktor i suksesshëm i teatrit dhe filmit shqiptar.

Lindur me 28 Korrik 1949 në Tirane ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e dramës dhe më pas në vitin 1973 ai iu bashkua trupës së Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) duke interpretuar mjaft role, kryesisht role të dyta.

Aktiviteti i tij do të shtrihet në harkun kohor nga 1973 – 2001. Në teatër debutimin e bën ne dramën “Toka e jonë” dhe “Bashkë me agimin”.

Më pas mund të përmendim edhe shumë shfaqje të tjera teatrale si: Adlinin në “Lumi i vdekur” ; Halimi “Pas provimit të fundit”; Arjani në “Jeta e tjetrit”; Shpendi në “Epoka para gjyqit” (1978), Bardhi në Furrnalta (1979), “Besa e madhe”; “Karavidhet”; Rrema në “Komunistët” (1981), Merkusi në “Romeo dhe Zhuljeta” ; Valentini në “Dy zotërinj nga Verona” (1990), “Nata e 12-të; Lucencio në “Zbutja e kryeneçes”; Kostandini në “Kush e solli Doruntinën” ; Rexhepi në “Besa”; Pjestar i korit në “Quoa vadis”; Amnekofi në “Absurditeti antik” etj. / KultPlus.com

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ‘Prizrenfest’

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur në Kosovë, Prizrenfest,  në Kino Lumbardhi, përcjellë KultPlus.

Nën brohoritjet dhe duartrokitjet e pafund të publikut në natën e parë u prezantua Teatri Kombëtar i Sarajevës me shfaqjen “To Nikad Nigdje Nije Bilo”, (Kjo kurrë s’ka ndodhë)  nga regjisori i njohur Dino Mustafic.

Me këtë shfaqje, Teatri Kombëtar  i Sarajevës, të krijuar për njëqindvjetorin e ekzistencës së tij, kujton shumë nga ditët e tij të lumtura dhe jo të lumtura, njerëzit dhe fatet e panumërta që e shënuan gjatë gjithë asaj kohe dhe që u shënuan prej tij… dhe kujton atë që kurrë, askund, nuk ndodhi.

Ndërkaq në natën e dytë, me 1 gusht në Prizrenfest, do të prezantohen tri shfaqje.

“PPP Ti Presento L’Albania (ITA )”, me regji nga Klaus Martini, në Muzeun Arkeologjik duke filluar nga ora 20:00h.

Në ora 21:00h, tek Burgu i Qytetit, do të prezantohet shfaqja nga Kosova “Ora e vdekjes” (RKS )”, me regji nga Ilir Bokshi.

Duke mos lënë anash as më të vegjlit, në skenën e Abi Çarshisë duke filluar nga ora 19:00h, jepet shfaqja për fëmijë.

Të nderuar me praninë e shumë artistëve dhe artdashësve, organizatorët e Prizrenfest ju ftojnë që të vazhdoni të jeni pjesë e festivalit deri më datën 4 gusht, kur do të jetë edhe nata përmbyllëse. / KultPlus.com

Violeta Manushi, ikona e teatrit shqiptar

Më 27 korrik të vitit 2007 vdiq njëra nga ikonat e Teatrit shqiptar, Violeta Manushi, e cila ka lënë një bagazh të madh artistik pas vetes, shkruan KultPlus.

Manushi e cila ka shkëlqyer në komedi e në dramë, numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema.
Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shqipërisë (sot TK), më 1946.

U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi.

Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre.

Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. / KultPlus.com

Emilia Clarke për debutimin në skenën e teatrit në Mbretërinë e Bashkuar: Kam frikë

Ajo njihet më së shumti për rolin në Daenerys Targaryen, në Game of Thrones. Por Emilia Clarke thotë se është “e ngurtësuar” përpara debutimit të saj në skenë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Unë jam e vetëdijshme për faktin se do të ketë njerëz që e duan Game of Thrones dhe po e shohin atë për këtë. Është 10 herë më e frikshme sepse do të ketë njerëz që duan të shkojnë dhe të thonë: “Epo ajo mund të aktrojë vetëm në kamerë, ajo qartësisht nuk mund të aktrojë në skenë”, që është padyshim frika më e madhe”, ka thënë ajo.

Por aktorja britanike shpreson gjithashtu që duke u shfaqur në një shfaqje të shkruar në 1895, për një grup rusësh të vetmuar që jetojnë në një prona të izoluar të vendit, ajo do të inkurajojë audiencën për të shkuar në teatër.

“Unë nuk jam në një dragua në asnjë moment gjatë kësaj shfaqjeje. Por shpresojmë se ajo që ata marrin, si një lloj shtesë e vogël, është që ata të shijojnë këtë shfaqje që ata nuk mund ta kishin parë ndryshe”, ka thënë ajo./21Media / KultPlus.com

Rama: Teatri i ri kombëtar do të bëhet njëjtë siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video me pamje nga stadiumi “Air Albania”, si ishte dhe si u transformua.

Rama shkruan se aty ku deri pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane, u bë stadiumi i finales së sotme evropiane, një krenari kombëtare në Europë.

Kreu i Ekzekutivit thekson se sikurse ky stadium do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar.

“MIRËMËNGJES, dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë”, shprehet Rama. /KultPlus.com

‘Era’ premierë të hënën në Teatrin Adriana

Shfaqja “Era” do të jepet premierë në teatrin e Ferizajit “Adriana” të hënën, pra, më 9 maj, autor i së cilës është Albana Muja dhe regjisor Agim Sopi, shkruan KultPlus.

Shfaqja është një dramë e një familje kosovare, ku tranzicioni i stërzgjatur i pasluftës ka vë në pikëpyetje vlerat e përgjithshme morale e njerzore të një familje e cila përballet me dhimbjet që shfaqen nga e kaluara tragjike.

Trupa teatrore për këtë shfaqje do të jetë: Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Blin Sylejmani, Uratë Shabani, Dardane Mehemti, Jajush Ramadani, Gresa Gashi, Nexhat Xhokli, Arben Marevci, Erza Sejdiu, Sherif Bega dhe Ali Krasniqi.

Ndërkohë, të gjitha detajet mund t’i shihni në posterin origjinal të shfaqjes. /KultPlus.com