Zbulohen mure nga koha e Tempullit të Parë në Jerusalem

Arkeologët që po gërmonin në Parkun Nacional “Qyteti i Davidit” në Jerusalem kanë nxjerrë në dritë mbetjet e murit të qytetit, të moçme thuajse 3 mijë vjet.

Ky zbulim është bërë pak para ditës së nëntë të muajit hebre Av – kur hebrenjtë nga mbarë bota shënojnë shkatërrimin e Tempullit të Parë dhe të Dytë, sikundër edhe tragjeditë e tjera që kanë pllakosur popullin e tyre.

Arkeologu Filip Vukosavoviq ka thënë se gjetja e kësaj pjese të murit është kyçe sa i përket kuptimit të periudhës së Tempullit të Parë në Jerusalemin e Vjetër.

“Në vitet ‘60, arkeologia e famshme britanike Kathleen Canyon vetëm pak metra më në veri të këtij vendi zbuloi një zgjatim 30-metërsh të po të njëjtit mur. Pastaj ajo mëtoi që ky është muri i Jerusalemit gjatë asaj periudhe kohore”, ka thënë Vukosavoviq për CBN News.

Pastaj, sipas Vukosavoviqit, rreth një dekadë më vonë, arkeologu izraelit Yigal Shilo gjeti një tjetër seksion të murit më në jug, por një copëz e mozaikut ende mungonte.

“Për shumë vite ne jemi përpjekur të gjejmë seksione shtesë të këtij muri, por nuk ia dolëm dot. Aq shumë dështonim sa filluam ta vëmë në dyshim ekzistencën e këtij muri dhe të pretendonim se ai mund të ishte një tjetër mur”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, me këtë zbulim, Qyteti i Davidit del se kishte të paktën një mur masiv.

Gërmimet e kryera nga Autoriteti Izraelit i Antikiteteve (IAA) kanë sipërfaqësuar një seksion të murit të qytetit që duhet të ketë mbrojtur Jerusalemin për 150-200 vjet prej diku shekullit të tetë para erës sonë e derisa qyteti u pushtua prej babilonasve dhe tempulli u shkatërrua më 586 para erës sonë.

“Muri i qytetit mbrojti Jerusalemin nga një numër sulmesh gjatë sundimit të mbretërve të Judesë, deri në ardhjen e babilonasve që ia dolën të kalonin përmes tij e ta pushtonin qytetin”, kanë thënë Vukosavoviq, Joe Uziel dhe Ortal Chalaf, në emër të IAA-së.

Folegjenda: Mbetjet e murit gati 3 mijë vjet të vjetër në Parkun Nacional “Qyteti i Davidit”, sipas arkeologëve, janë esenciale sa i përket kuptimit të periudhës së Tempullit të Parë në Jerusalemin e Vjetër. / koha.net / KultPlus.com