Tezgjahu ndër zanatet që i ka mbijetuar globalizimit, i shton vlera turizmit në Gjirokastër

Prodhimet e artizanatit janë një vlerë e shtuar e ofertës turistike të vendit.

Pazari i Vjetër i Gjirokastrës, nuk ofron vetëm rrugët e kalldrëmta e ndërtesat mesjetare. Kjo pikë turistike që përbën zemrën e qytetit të vjetër, ofron edhe bukurinë e prodhimeve artizanale, një pjesë e të cilave prodhohen si dikur.

Një nga zanatet e traditës që vazhdojnë të mbijetojnë është tezgjahu. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër sjell shembullin e një punishteje modeste të artizanes Manushaqe Toto nga Lazarati.

Nga duart e saj realizohen e mbahen gjallë gjithë traditat e këtij fshati: nga petaniku, përgatitja e nënprodukteve të qumështit në dybek, qëndisja e kostumeve popullore dhe sidomos tezgjahu, një punë që Manushaqja e dashuron dhe e realizon me pasion e fanatizëm.

Kjo artizane është ndër të paktat gra që punojnë në tezgjah në qark dhe e vetmja në fshatin Lazarat, në një kohë kur modernizmi ka kapur çdo gjë. Manushaqja e ka mësuar punën në tezgjah nga gjyshja dhe mamaja e saj por me parë kjo punë nuk bëhej në “tezgjah” por në “veq” një formë e improvizuar me disa shkopinj të lidhur në hardhitë e rrushit, ku kryhej gjithë procesi.

Në pamjet e publikuara nga DRTK Gjirokastër, Manushaqe Toto rrëfen procesin, i cili fillon nga qethja e bagëtive, larja e leshit, krehja, tjerrja në furkë e më pas puna vazhdon në tezgjah për realizimin e qilimave, çantave, rrugicave dhe plafeve (çulleve) etj./ KultPlus.com

Tradita e punimit të qilimave në tezgjah

Në Pazarin e Krujës vazhdon të ruhet tradita e të punuarit të qilimave, qelesheve, veshjeve popullore etj., në mënyrë artizanale, duke ruajtur traditën dhe trashëguar këtë proces tek brezat e rinj.

Dallëndyshe Tabaku bën prej 30 vitesh të njëjtën punë – të krijimit të qilimave tradicionalë në tezgjah, pasion ky i cili i kishte lindur që në rininë e hershme.

“Për të punuar një qilim duhet tezgjahu, i cili është dy llojesh: vertikal dhe horizontal. Më parë gjyshet tona kanë punuar me tezgjah horizontal. Ngjeshja e leshit për një qilim tani bëhet me sfurk, kurse më përpara është bërë me shpatë. Simbolet që gjenden në qilimat tradicional janë ato të shqiponjës, lulet e pranverës, anije ilire, pra simbole që tregojnë identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, tha Tabaku.

Tabaku shpjegon se, “procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi që është i cilësisë së parë. Gjithashtu, për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror duhen gati shtatë ditë dhe një punë intensive prej tetë orësh”.

“Duke iu përshtatur edhe kërkesave të turistëve dhe modës tashmë bëjmë dhe qilima modernë me ngjyra të tjera dhe me simbole matematikore, pra figura ekzakte”, thotë ajo/ Telgrafi/ KultPlus.com