Specialja ngre aktakuzë kundër Thaçit e Veselit, dyshohen për rreth 100 vrasje

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Në njoftimin për media, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet në kumtesë, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Presidenti Hashim Thaçi, bashkë me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn tentuan ta shfuqizojnë Specialen edhe në fund të vitit 2017 nëpërmjet Kuvendit të Kosovës. Nisma e orëve të mesnatës ishte kundërshtuar nga LDK-ja dhe VV-ja, atëkohë në opozitë. Pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se do të izolohen, veçmas nga SHBA-të, tre ish udhëheqësit e shtetit ishin zmbrapsur nga cytja e deputetëve për ta shfuqizuar Specialen. Më vonë Haradinaj pati thënë se, Specialen deshën ta shfuqizojnë për shkak të frikës se edhe ata do të jenë subjekt i saj. Dy prej protagonistëve- Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli tashmë janë intervistuar si të dyshuar.

Presidenti i propozon Kuvendit të shpallë Gjendje të Jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që ta shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë në një konferencë speciale pas situatës së krijuar në vend nga Coronavirusi, shkruan KultPlus.com

“Jemi në rrethanë të papërjetuar më parë dhe si shtet duhet t’i marrim përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Do të ishte papërgjegjësi injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave si shtet, për preventimin e një situate edhe më të rënduar për të gjithë shoqërinë kosovare. Ky s’është grip sezonal, por virus i rrezikshëm dhe vdekjeprurës. Duhet të angazhohemi të gjithë me të gjithë potencialet që i kemi. Duke respektuar edhe Kushtetutën, edhe Ligjet, edhe përgjegjësinë morale dhe njerëzore, sonte thirra për takim në një konsultë dhe bashkëbisedim Këshillin e Sigurisë Kombëtare. I jam drejtuar kryeministrit Kurtit që ta thërret në bazë të kompetencave. U takuam, biseduam, ishte një bisedë shumë korrekte, e përgjegjshme, konstruktive dhe e nevojës për tejkalimin e kësaj situate, por edhe për ndërmarrjen e rasteve që të mos kemi më raste të tilla. Pas konsultave me kryeministrin dhe këshillin, dëshiroj të potencoj, që të mos eskalojë situata më tutje, që të tejkalohet kjo gjendje jo e lehtë, por e rëndë, kërkohet nga të gjitha institucionet, të jemi në krye të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, prandaj atë që e theksoj sonte, nuk e kam menduar se do të mund të vijë ky moment që të deklaroj se sonte jemi të detyruar që të deklarojmë dhe të propozojmë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”, tha Thaçi.

Ai falënderoi mjekët, infermierët, gjithë personelin shëndetësor, për punën e pakursyer që po e bëjnë në këtë periudhë.

Thaçi falënderoi edhe Policinë, edhe ushtarët e FSK-së, dhe të gjithë njerëzit e angazhuar në përballimin e kësaj situate dhe mundësitë e ecjes më të sigurt përpara.

“Shëndeti është mbi të gjitha për ne. Tani ballafaqohemi me një të keqe që mund ta tejkalojmë vetëm bashkërisht duke u angazhuar të gjithë në përgjegjësi private. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim maksimal për të gjithë vartësit e institucioneve që po angazhohen për ta tejkaluar këtë situatë. Është një realitet i hidhur. Pa dashur që të nxis panik, por të thërras për kujdes, vëmendje, vigjilencë dhe përgjegjësi të kujdesemi për njëri-tjetrin”, theksoi Thaçi.

Përndryshe, shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme, do të thotë shtim të kompetencave të Presidentit të Kosovës bazuar në dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti po shqyrton mundësinë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke përcjellur me vëmendje të shtuar gjendjen e krijuar pas rasteve të konfirmuara me Koronavirus.

Në një përgjigjie për Klan Kosovën, thuhet  madje që në pajtim me Kushtetutën, nëse Presidenti Thaçi vlerëson të nevojshme do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në vend, njofton Klan Kosova.

”Presidenti është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen dhe në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Nëse e vlerëson të nevojshme do të shpallë edhe gjendje të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit. / KultPlus.com

Presidenti Thaçi dekoron Margarita Xhepën, Tinka Kurtin dhe Zenepe Lukën (FOTO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com