Filmi ‘The Baby’ i Ben Apollonit selektohet në “Cine Film Festival” në Indi

Regjisori Ben Apolloni i cili përveç shfaqjeve, filmave e dokumentarëve që sjell për publikun, njëkohësisht është një ndër figurat aktive që ngreh zërin për shumë probleme shoqërore në vendin tonë. Puna e tij ka arritur të shfaqet në shumë festivale deri më tani dhe rrugëtimi po vazhdon, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, filmi “The Baby”, me skenar dhe regji nga Ben Apolloni, është selektuar dhe do të shfaqet në Indian Cine Film Fest.

“India Cine Film Festival” i ka rrënjët pothuajse që një dekadë dhe qëllimi kryesorë i këtij festivali është t’i jepet vrull kinemasë së pavarur.

Regjisori Apolloni është shprehur i lumtur për këtë rrugëtim të filmit, dhe gjithashtu shpreson që gjendja e shkaktuar nga Covid-19 të kalojë dhe filmi të vazhdojë edhe me festivale të tjera.

“Mbrëmë më njoftuan që filmi “Bebja” është selektuar që të jetë pjesë e festivalit indian “Cine Film Fest”. Më erdhi mirë sepse “Bebja” pati nisur të ecë nëpër festivale por iu ndërpre rruga shkaku u pandemisë, ku shumica e festivaleve anuluan aktivitetin e tyre, Po shpresoj që kjo gjendje që shkaktoi Covid-19 të kalojë sa më parë dhe ky film të vazhdojë rrugën e tij por edhe të realizojmë filma e projekte të tjera që na kanë mbetur në sirtar”, ka thënë Apolloni për KultPlus.

I xhiruar në Shkup, ndërsa financuar nga Agjencia e Filmit të Maqedonisë së Veriut, filmi “The Baby” është i vendosur në kohë lufte. Një çift i ri bashkë me një bebe mbesin të ngujuar në banesën e tyre, pa ushqim, pa qumësht. E gjithë ngjarja pastaj ka të bëjë me dramën e individëve, të cilët janë në mëdyshje nëse duhet të ikin ose të qëndrojnë në atë vend të pasigurt. Katrahura nuk ndalet aty, ushtarët hyjnë në banesën ku gjejnë vetëm një bebe, pasi prindërit janë fshehur diku.

Në këtë film luajnë: Fatlume Bunjaku, Ismail Kasumi, Sami Mustafa, Abdullah Osmani, Vullnet Kuqi, Rrahim Ramadani etj. / KultPlus.com

“The Baby” fton aktorët në audicion

KODRA Film Production fton të gjithë të interesuarit që të paraqiten në audicionin për filmin e metrazhit të shkurtër “The Baby” me skenar dhe regji nga Ben Apolloni dhe producent Halim Luta.

Mosha e kërkuar e aktorëve për dy rolet kryesore:

1 aktor i moshës 30 – 35 vjeç
1 aktore e moshës 25-30 vjeçe
4 aktorë meshkuj për rolet e ushtarëve

Të interesuarit duhet të dërgojnë CV-në e tyre në shqip, ku përveç të dhënave personale kërkohen edhe dy fotografi portret, numri i telefonit, email adresa, web me punët e juaja dhe video shtesë të punëve tuaja si aktorë.
Aplikantët duhet t’i dërgojnë dokumentet deri në datën 20 mars 2018 në emailin: [email protected]
Për vendin dhe kohën e mbajtjes së audicionit, produksioni do të ju njoftoje përmes emailit./ KultPlus.com