Margaret Atwood, një nga shkrimtaret më me ndikim të shekujve XX dhe XXI, ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin më shumë se gjashtë dekada. E lindur më 18 nëntor 1939 në Otava të Kanadasë, ajo është autore romanesh, poezish, esesh dhe një zë i fuqishëm në çështje të të drejtave të njeriut dhe ambientit.
Romani i saj më i njohur, The Handmaid’s Tale (1985), ka lënë gjurmë të thella në letërsinë botërore dhe në diskursin shoqëror për të drejtat e grave. Historia e shërbëtores në një shoqëri totalitare, ku gratë janë kthyer në mjete riprodhimi, mbetet një metaforë e fuqishme për kontrollin dhe shtypjen. Ky roman ka marrë statusin e një vepre kulturore, është përkthyer në mbi 40 gjuhë dhe është adaptuar në serial televiziv të suksesshëm,përcjellë KultPlus
Përveç këtij romani, Atwood ka shkruar edhe vepra të tjera të rëndësishme si The Testaments (fituese e Booker Prize në 2019), The Blind Assassin (fituese e Booker Prize në 2000), Oryx and Crake, Alias Grace, dhe shumë të tjera. Ajo është gjithashtu një poete e vlerësuar, me poezi që shpërfaqin thellësinë emocionale, ndjeshmërinë femërore dhe shqetësimet ekzistenciale.
Veprat e Atwood karakterizohen nga ironia e mprehtë, stili poetik dhe trajtimi i temave si autoritarizmi, ndryshimet klimatike, pabarazia gjinore dhe e drejta për të menduar ndryshe. Ajo nuk shkruan për të parashikuar të ardhmen, por për të reflektuar mbi të tashmen në mënyrë të ekzagjeruar, për të na kujtuar se rreziqet më të mëdha shpesh nisin nga indiferenca.
E pranishme në debatet publike dhe mediat sociale, Margaret Atwood është bërë një ikonë e mendimit kritik global. Në një kohë kur e vërteta dhe trillimi shpesh ndërthuren, ajo na rikujton se letërsia është jo vetëm art, por edhe një mjet për të mbijetuar dhe për të mos heshtur./KultPlus.com
