Zbulimi i papritur: Botimi origjinal i “The Hobbit” shitet për shifër rekord

Një botim i parë i rrallë i romanit klasik “The Hobbit” nga J.R.R. Tolkien është shitur për një çmim rekord prej 43,000 paund në një ankand online, duke kapërcyer pritshmëritë e ekspertëve katërfish.

Libri u zbulua rastësisht gjatë një pastrimi në një shtëpi në Bristol, ku ishte fshehur në një raft librash. Ky botim i vitit 1937, një nga vetëm 1,500 kopjet origjinale të botuara atëherë, është ndër librat më të kërkuar në literaturën moderne, njofton KultPlus.

I lidhur me pëlhurë jeshile të zbehur dhe i pajisur me ilustrime bardh e zi të autorit, botimi dallon nga versionet e mëvonshme që përmbajnë ilustrime me ngjyra. Libri ishte më parë pjesë e bibliotekës së botanistit të njohur Hubert Priestley, i cili kishte lidhje të ngushta me Universitetin e Oksfordit, ku Tolkien ishte profesor.

“Askush nuk e dinte që ky libër ishte aty,” tha specialistja e librave nga shtëpia britanike e ankandeve që e zbuloi.

Libri u ble nga një koleksionist privat në Mbretërinë e Bashkuar dhe besohet se është një nga çmimet më të larta të paguara ndonjëherë për një botim të parë të “The Hobbit”.

Vepra ikonike e Tolkien-it, së bashku me serinë “Zoti i Unazave”, ka shitur mbi 250 milionë kopje në mbarë botën dhe vazhdon të frymëzojë breza lexuesish dhe artdashësish, më shumë se 50 vjet pas vdekjes së autorit./KultPlus/