”The Mirror”: Ksamili thënë ndryshe Maldivet e Shqipërisë

Ksamili në Shqipërinë e Jugut po shpallet nga TikTokersat dhe influencurat si “Maldivet e Shqipërisë” për shkak të ujërave të tij shkumbëzues dhe plazheve të bardha të pacenuara, shkruan Milo Boyd për gazetën e njohur britanike ”The Mirror”.

Kjo nënkupton për më tepër plazhe me rërë, ujërat blu kristal dhe shtëpi prej druri të varura mbi det. Kjo bën që shumica e njerëzve të imagjinojnë Maldivet.

Arkipelagu i Oqeanit Indian ka fituar një reputacion për një numër vendpushimesh të jashtëzakonshme me vila prej druri që janë ndërtuar mbi valët e detit.

Një prej tyre është Soneva Jani, që krenohet me platforma që lidhin shtëpitë private me pishina, veranda dhe një rrëshqitje të gjatë që zbret me nxitim në det, përfshirë erën nëpër disa nga lagunat blu të ishujve.

Ndonëse mund të jetë në listat e udhëtimit të shumë njerëzve, vizita në këtë vendpushim ka një çmim të kripur.

Qëndrimi për një javë në një vilë me dy dhoma gjumi në nëntor do t’ju kushtonte të paktën 7 000 paund.

Nëse ai çmim është shumë i lartë dhe kilometrat e ajrit që nevojiten për të arritur në Maldive shumë të mëdha, atëherë ekziston një opsion më i lirë dhe shumë më afër shtëpisë, çka krahasohet me plazhe si në parajsë.

Ksamili, fshati dikur i vogël në Rivierën Shqiptare, është bërë shtëpia e një numri hotelesh që duket se kanë imituar stilin e atyre në Maldive.

Video të panumërta në internet tregojnë pushues të nxirë duke notuar dhe duke u rrezitur nën qiellin blu.

Një vend veçanërisht popullor në Sarandë është plazhi i Pemës së Thatë, i cili ka disa shezlongë me korniza druri e rrjeta të varura mbi det.

Kur dielli bëhet përvëlues, ka edhe hapësira të izoluara nën çadrat me kashtë për t’u ruajtur nga rrezet e diellit ose për të bërë një sy gjumë.

Ksamili u vizitua së fundmi nga Yuliia Berkuta, një influencere ukrainase e udhëtimeve me 135 000 ndjekës në Instagram, të cilët vlerësuan resortin.

“Ksamili është një nga vendet më mahnitëse që kam vizituar në Ballkan. Ky fshat është shtëpia e ushqimeve të shijshme të detit, një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur që ndodhen shumë larg fshatit’’, shkruan ajo.

‘’E kam vizituar Ksamilin në dy raste dhe ia rekomandoj kujtdo që udhëton drejt Shqipërisë. Ndoshta avantazhi kryesor i zgjedhjes së qëndrimit në Shqipëri ndaj Maldiveve është padyshim çmimi’’, shkruan Berkuta.

Fluturimet vajtje-ardhje nga Londra në Korfuz – aeroporti më i afërt me Ksamilin dhe vetëm 30 minuta me traget larg mund të kushtojnë nën 100 paund, ndërsa udhëtimi vajtje-ardhje në Maldive zakonisht është 800.

Hotelet dhe resortet kanë gjithashtu një çmim të reduktuar për një vendpushim plazhi evropian, i cili kushton 30 deri në 40 paund për një natë për një dhomë në muajin maj.

Resortet nuk janë të vetmet gjëra që ofron Shqipëria.

Dhërmiu duket nga perëndimi përtej detit Adriatik deri në Italinë Jugore dhe është i njohur për perëndimet e diellit që të lënë pa frymë mbi ujërat blu.

Dhrimadhes është shumë joshës për hapësirën e tij me guralecë të zbehtë dhe shkëmbinj të mbështjellë nga ujërat bruz.

Ndryshe nga Maldivet, Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar sesa thjesht plazhe.

Brenda një jave në vendin e Evropës Jugore mund të ngjiteni në Alpe, të ecni në shtegun historik të Rrugës së Mëndafshit dhe të admironi horizontin e kryeqytetit Tiranë me rrethinat e saj./ atsh / KultPlus.com