‘The News’ konkuron në Amerikë, pas triumfit në Australi

Pas premierës botërore që pati në Australi, ku u vlerësua me çmimin e parë, si filmi më i mirë i festivalit ‘Flickerfest’, ‘The News’, filmi i regjisorit Lorin Terezai, tashmë po vazhdon të ngjitë shkallët e suksesit botëror.

Filmi me metrazh të shkurtër, kësaj radhe vjen i përzgjedhur si pjesëmarrës në Festivalin Prestigjioz Ndërkombëtar të Filmit dhe Videos, që zhvillohet nga data 6 – 12 prill 2020, në Ohio, SHBA.

Ky është festivali i dytë, që ky film është zgjedhur të marrë pjesë dhe festivali i dytë kualifikues për çmimet “Oscar”, që përzgjedh këtë bashkëprodhim nga Shqipëria e nga Spanja.

“The News” është filmi i metrazhit të shkurtër, për temën e të cilit, regjisori merr shkas nga realiteti i egër mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë. Skenari i filmit është shkruar nga Lorin Terezi, që është njëherësh dhe producent i filmit dhe nga Anila Balla. Filmi vjen nga kompania e filmave “Mailuki Films” (Spanjë), nën financimin e Qendrë Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri.

Regjisori shqiptar fitues i çmimit më të rëndësishëm në Australi

Lorin Terezi, regjisori shqiptar, në festivalin ”Flickerfest Awards” që mbahet në Australi, ka arritur të shpallet fitues në mesin e shumë regjisorëve me famë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Filmi i regjisorit i titulluar ”The News”, ka arritur të shpallet fitues i çmimit kryesor për filmin më të mirë të huaj, të metrazhit të shkurtër.

‘The News’ u vlerësua maksimalisht nga kritikët e e festivalit “Flickerfest Award”.

Filmi trajton vdekjen e një gruaje, e cila gjendet e pajetë pranë një burimi dhe e gjithë pesha e fajit i bie nuses së saj, duke bërë kështu që të shpaloset mënyra se si lajmi transmetohet në media dhe se si po përfitohet nga vdekja e gruas.

Bashkangjitur keni linkun e trailerit të filmit. / KultPlus.com